ARKIVI:
7 Mars 2026

Mendime për antologjinë “Kjo botë shpirtnore vajzash e grash”

Shkrime relevante

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Shpërndaj

Nga Shqipe Bytyçi, Zvicër 


Antologjia poetike “Kjo botë shpirtnore vajzash e grash…” është një vepër e veçantë që sjell përpara lexuesit 29 autore, secila me 11 poezi.

Përgatitës të botimit janë Jozef Radi dhe Desantila Rranxa (Qerimaj).

Libri ka 582 faqe. ISBN 978-9928-940-96-4, dhe është botuar nga Botimet Jozef, Durrës, me çmim 2000 Lekë.

Autoret në botim: ARDITA Jatru – AILDA Mëngjesi – ADA Halilaj – ARJOLA Zadrima – ASJA Mulgeci – ALBINA Gjergji – BUKRA Hysenukaj – Kastrati – BARIE Çupi – DONIKA Dabishevci – DESANTILA Rranxa (Qerimaj) -DENATA Ndreca – ELIDA Rusta – ERENESTINA Halilaj – ERINA Çoku – EMMY Krosi – ENKELEDA Ristani – GRISELDA Doka – GENTIANA Kone – GABRIELA Mujaj – HERMAN Çuka – ILIRJANA Stankaj – JASMINA Kotrri -JORIDA Satka – MANJOLA Brahaj – MARSELA Neni – NAIME Beqiraj – SHQIPE Bytyçi – VLORA Ademi – ZHANETA Barxhaj

Kjo antologji është një dokumentim i fuqishëm i krijimtarisë femërore shqiptare të shekullit XXI. Vargjet e autoreve të përzgjedhura me kujdes dhe dashuri, depërtojnë thellë në botën e brendshme të gruas, duke eksploruar ndjeshmërinë, dashurinë, humanitetin, trishtimin dhe përjetimet ekzistenciale.

Një element i veçantë i këtij botimi është përfshirja e autoreve që jetojnë në mërgatë, të cilat sjellin një perspektivë të pasur dhe të shumëfishtë. Prezenca e tyre tregon se poezia shqiptare nuk ndalet në kufijtë e trojeve, por vazhdon të jetojë, të ndjehet dhe të krijohet kudo ku shqiptarët jetojnë.

Edhe vetë përpiluesit e librit Jozef Radi dhe Desantila Rranxa (Qerimaj) janë autorë që jetojnë e krijojnë në mërgatë.

Tjetër element i veçantë është përzgjedhja e gegnishtes nga pjesa më e madhe e autoreve, si mjet për të shprehur emocionet e tyre, duke sjellë një risi të kendshme në letërsinë shqipe bashkëkohore.
 “Nuk pretendoj të kem grumbulluar gjithçka por përpjekja ishte për të mos lënë asnjë autore që ka krijuar njëfarë zëri, jashtë këtij libri.”, – thotë për “Report TV”, Jozef Radi, kurator i antologjisë.

Gjersa Desantila Rranxa (Qerimaj)e thotë me ngrohtësi: “Gjanat bahen mirë, kur bahen me dashni.”

Dhe që ky libër është bërë me dashuri dhe përkushtim, lexuesi e ndjen në çdo faqe. Analizë e shkurtër e antologjisë.

Ky libër përmbledh tema të larmishme: nga problemet sociale dhe reale të shoqërisë, tek ndjenjat intime dhe universale të dashurisë, të humbjes dhe të vetëdijes për liri. Vargjet e grave shqiptare, pavarësisht vendbanimit, tregojnë një botë të brendshme të pasur dhe të guximshme, që meriton të studiohet dhe të vlerësohet. Poezia e përfshirë në këtë vepër nuk është thjesht estetike.

Ajo shërben si një pasqyrë e thellë e përjetimeve njerëzore dhe sociale.

Autoret depërtojnë në dimensionet intime të jetës, duke eksploruar erotizmin, dashurinë dhe intimitetin me kurajo dhe subtilitet.

Në të njëjtën kohë, ato reflektojnë mbi rolin e gruas, vëzhgimin ndaj vetvetes dhe të tjerëve, si dhe mbi boshllëkun emocional që shpesh lind nga padrejtësitë shoqërore. Ky kombinim i ndjeshmërisë personale dhe shqetësimeve sociale i jep poezisë një dimension universal, ku emocionet vullkanike përputhen me ndërgjegjen qytetare dhe reflektimin kritik mbi shoqërinë. Pikërisht dimensionet sociale janë ato që zënë një vend të rëndësishëm.

Poetet trajtojnë regresin politik, çalimet institucionale, hipokrizinë dhe paragjykimet e shoqërisë, duke u bërë lajmëtare të realitetit dhe kritikuese të tij. Zëri femëror, unik në stil dhe estetikë, krijon një “galaktikë” poetike dhe i hap lexuesit mundësi të pasurojë ndjeshmërinë, të kuptojë thellësinë e përjetimeve dhe të gjejë reflektim për botën përreth.

Në mënyrë të veçantë, poezia shpreh edhe një përpjekje për çlirim nga normat patriarkale dhe influenca mashkullore, duke u shndërruar në një formë të vetëdijes dhe rebelimit.

Dashuria, nga ana tjetër, funksionon si katalizator i perceptimeve dhe shprehjeve të ndryshme. Ajo lidhet me përjetime metafizike, ku realja dhe imagjinata ndërthuren dhe ku natyra shfaqet si një forcë shëruese dhe reflektuese.

Në fund, duke përgëzuar përpiluesit Jozef Radi dhe Desantila Rranxa (Qerimaj) për këtë punë të madhe dhe të vlefshme, kjo antologji vjen jo vetëm si pasqyrë e shpirtit të gruas shqiptare, por edhe si thirrje për të vlerësuar dhe ruajtur poezinë si mjet i fuqishëm i shprehjes dhe reflektimit, ku çdo varg është pjesë e një universi më të madh human dhe artistik.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu