
Fadil Bytyçi, Therandë
- Një rrëfim personal ku shumëkush gjen veten
Libri i gazetarit dhe intelektualit të shquar, Bajram Kabashi, që mban një titull mjaft domethënës “Intervistë me vetveten”, në thelb trajton ngjarje të një kohe që lidhet me vuajtjet e gazetarëve dhe intelektualëve shqiptarë përballë një regjimi antishqiptar të ushtruar nga pushteti jugosllav dhe serb në hapësirat shqiptare.
Autori, duke zhvilluar një intervistë me vetveten, paraqet padrejtësitë, denigrimin dhe degradimin profesional të shkaktuar nga ky regjim, një përvojë që, siç mund të mendohet, nuk është vetëm e tij, por edhe e shumë të tjerëve që e ushtruan këtë profesion me ndërgjegje dhe me ndjeshmëri kombëtare.
E vërteta, sado e hidhur të jetë, është më e ëmbël se çdo gënjeshtër. E kur gënjeshtra është produkt i vetëdëshirës apo naivitetit, ajo bëhet aq e hidhur sa asnjë helm nuk ia kalon. Autori, përmes këtij rrëfimi, e paraqet veten si viktimë e së vërtetës, një e vërtetë që shpesh e kishte vendosur në pozita jetësore të vështira, por që në asnjë moment nuk ia kishte thyer shpirtin e tij qytetar, profesional dhe, mbi të gjitha, kombëtare.
Librin “Intervistë me vetveten” autori e hap me një qasje kritike ndaj gazetarisë së sotme në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare. Ai vë në thelb të kritikës faktin se, siç thotë ai:
“…gazetaria e Kosovës vazhdon të mos jetë gazetari e duhur, kritike, për një popull që ka përjetuar drama të mëdha gjatë shumë periudhave nën pushtim, madje edhe në periudhën e paspushtimit.”
Madje edhe vetë libri ka një karakter përgjigjeje ndaj atyre gazetarëve të cilët, siç i quan ai në këtë vepër, “servilë”, që nuk e ftuan kurrë në intervista, ndonëse ai është një prej figurave me ndikim të madh në historinë e gazetarisë në Kosovë dhe më gjerë.
Libri është një reagim ndaj kësaj gazetarie që don ta heshtë, e cila sipas autorit buron edhe nga qëndrimi kritik që ai mban në librat e tij ndaj disa tematikave që i shqyrton në librat e tij të deritashëm por edhe të islamit politik – një dukuri që, sipas tij, po e fut kombin në një krizë identitare të paprecedent.
“Intervistë me vetveten” hapet me një pyetje që ka të bëjë me hapat e parë të autorit në gazetari, konkretisht në gazetën Rilindja. Ai tregon afinitetin për këtë profesion qysh si student, kur shkruante për gazetën e studentëve Bota e Re, e më pas u pranua në Rilindja, fillimisht si praktikant.
Në të njëjtën kohë, autori sjell edhe një tablo familjare, ku rrëfen se e kaluara patriotike e paraardhësve të tij nuk i kishte shpëtuar rrjetit të merimangës së UDB-së. Edhe pse punën në Rilindja e kryente me dinjitet, ai nuk pëlqehej e as vlerësohej sa duhej nga shefat e tij – kjo, si pasojë e ndërhyrjeve të segmenteve të UDB-së, e cila kishte një “radar” të fuqishëm për të kapur çdo reflektim në prizmin kombëtar shqiptar.
Autori nuk heziton që t’i apostrofojë me emër e mbiemër disa gazetarë e ndonjë redaktor të gazetës Rilindja, të cilët i quan “vegla të pushtetit” dhe “servilë”. Ai trajton gjithashtu periudhën pas formimit të LDK-së, kur shtypi në kushte okupimi, kaloi jashtë sistemit zyrtar të kontrolluar nga Serbia dhe u përvetësua nga kjo parti.
Në shumë pjesë të librit, autori thekson dukuritë joprofesionale brenda mediave, të cilat u bënë zëdhënëse të një partie, duke dëmtuar etikën profesionale të gazetarisë.
Në vazhdim, autori ndalet edhe te dukuritë shqetësuese që kanë filluar të gërryejnë identitetin kombëtar shqiptar, përmes depërtimit të islamit politik në hapësirat shqiptare, veçanërisht në Kosovë dhe me intensitet më të madh tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Po ashtu, përmenden edhe elementë antishqiptarë që, nën petkun e religjionit orthodoks, punojnë për shkatërrimin e identitetit kombëtar shqiptar.

- Kabashi në “Intervistë me vetveten” e trajton këtë problem në gjërsi dhe thellësi të mendimi analitik. Sipas tij, islamizimi ekstrem i shqiptarëve ushqen neo-otomanizmin, ashtu siç ortodoksizmi ekstrem ushqen greqizimin e shqiptarëve andej e këndej kufirit. Ai ndër të tjera shkruan:
“Islami dhe islamizimi i madh, ndonëse i padurueshëm, nuk e njeh fare popullin shqiptar, kulturën e tij, historinë, traditat dhe zakonet shqiptare. Islami është shndërruar në një kulturë paralele që e kundërshton hapur dhe fshehur kulturën shqiptare.”
_______
Fadil Bytyçi u lind më 19 shtator 1959 në fshatin Kastërc, komuna e Suharekës. Shkollën fillore e mbaroi në Nishor, gjimnazin në Suharekë, ndërsa studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, dega e historisë, në Universitetin e Prishtinës. Studimet postdiplomike i vazhdoi po aty, ndërsa gjatë vitit 1985-86 mori pjesë në një specializim në lëmin e historisë antike në Universitetin "Sapienza" të Romës, në Itali.
Në vitin 1982, ai filloi punën si mësimdhënës në Gjimnazin “Jeta e Re” në Suharekë, deri në vitin 1984, kur kaloi në Radio Prishtina si gazetar në Programet e Mëngjesit dhe të Natës. Pas pushtimit policor të RTP-së, si të gjithë të tjerët, edhe Fadil Bytyçi mbeti pa punë. U mbyllën shkollat, megjithatë shqiptarët gjetën rrugë të tjera për të funksionuar sistemi paralel i arsimit, ku ai angazhohej si mësimdhënës në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, dega në Suharekë.
Në vitin 1997, ai iu rikthye gazetarisë, duke filluar punën si korrespondent i gazetës “Koha Ditore”, deri në fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake e policore serbe më 24 mars 1999. Njëkohësisht, gjatë luftës 1998-99, raportonte edhe për programin e Kosovës në Radio Televizionin Shqiptar nga rajoni i Suharekës dhe rrethinës, deri në momentet kur u deportua dhunshëm në Shqipëri.
Në Shqipëri, ai punoi në RTSH, në sektorin për Kosovë, në programin informativ. Pas luftës, Fadil Bytyçi filloi punën sërish te “Koha Ditore”, ndërsa nga gushti i vitit 1999 raportonte si bashkëpunëtor i radios BBC, programi shqip, nga rajoni i Prizrenit. Kjo periudhë zgjati deri në mbylljen e programit shqip të BBC-së, kur u rikthye sërish në gazetari, përkatësisht në fushën e arsimit.
Nga viti 2006, autori punoi si profesor i gjuhës latine dhe historisë në gjimnazin “Loyola- Gymnasium” në Prizren, deri në pensionimin e tij më 19 shtator 2024.
Deri më tani ka botuar:
- Katalogu: Trashëgimia Arkeologjike e Trevës së Suharekës, Suharekë: The-Art, 2022.
- Barleti mbi Marrëdhëniet shqiptaro-venedikase në kohën e Skënderbeut, Gjurmime
Albanologjike – Seria e Shkencave Historike, Prishtinë, Instituti Albanologjik i
Prishtinës, 1984. Ribotuar në Studime për Epokën e Skënderbeut, vëll. II, Tiranë, 1989.


