MOS E SHPËTONI KËTË POEZI
(Çast antilirik)
I.
Lëreni këtë poezi të vdesë,
hiquni saj,
s’na duhet gjë, kur na tradhton,
kur ia kthen shpinën vuajtjes,
kur ha me lugë të artë,
Lëreni këtë poezi lavire të shuhet,
s’na duhet gjë,
kur zë në thua e belbëzon
gjithçka që është e vërtetë dhe e pastër,
kur fjalët bëhen gishta të ngulfatshëm,
të cilët e kapin për fyti shpresën.
Lëreni këtë poezi të bëhet pluhur,
s’iu duhet arti i saj,
lërini të shuhen vargjet që mbjellin dashuri të rrejshme,
si thikë pas shpine,
të shuhen ato që lëvdojnë veten e tyre,
kur shkatërrojnë botën dhe shpirtin e ndjeshëm
dhe ngrihen mbi kurrizin e të tjerëve.
Lëreni këtë poezi lavire të vdesë,
të mos ringjallet më kurrë,
të mos i shkatërrojë më sytë tanë,
që kërkojnë dritë në errësirë.
Ç’të duhet një poezi që sillet si karnaval,
kur të tjerët janë të vdekur
dhe na qeshin e përqeshin
si të ishte kjo botë kufomatike.
II.
Hidhni poshtë vargjet boshe!
Ç’ju duhen fjalë prej floriri të rremë,
që shkëlqejnë në faqet e librave
dhe mbajnë erë gjaku dhe harrese.
Mos më këndoni këngë që ngrenë gurë mbi shpirtin,
që thurin lavde për perandorë gjakatarë,
ndërsa heshtin për të uriturit nën dritaret e tyre.
Lëri poetët që rimojnë për veten,
e ndërtojnë kulla me lot të huaj,
të bien në harresë, si hijet që flasin vetëm për vete.
Ç’të duhen vargjet që fyejnë dhimbjen,
që shesin dashuri në tregun e lajkave,
e shkelin mbi plagët që kurrë s’i ndjenë.
Le të digjen e shkrumbohen ato fjalë
që nuk dridhen nga e vërteta,
le të shpërbëhen si hi në erë,
se arti që s’ka zemër, është vetëm një maskë —
dhe maskat bien gjithmonë.
(27 qershor 2025)


