Njeriu është, që në lindje, një qenie e pambrojtur. Ai mbijeton falë të tjerëve, duke nisur nga nëna, mëson përmes të tjerëve dhe ngrihet mbi supet e atyre që i dhanë diçka nga vetja: kohë, dashuri, përkujdesje, sakrificë. E megjithatë, në rrjedhën e jetës, shumë e harrojnë këtë fakt, apo më saktë, zgjedhin të harrojnë.
Mosmirënjohja në të vërtetë nuk është thjesht harresë. Ajo është një mohim i vetëdijshëm, një vendim për të fshirë gjurmët e të mirës që të është bërë. Është një boshllëk etik që zë vendin e zemrës. Kur dikush i përkushtohet tjetrit me mirësi dhe më vonë neglizhohet, harrohet me raste dhe luftohet keqazi ndodh një dëm i padukshëm, por i thellë. Një plagë që nuk gjakos por lë pasoja afatgjata në marrëdhënien mes njerëzve dhe me ndërgjegjjen.
Në filozofinë antike, mirënjohja trajtohej si një virtyt thelbësor për rendin moral dhe harmoninë shoqërore. Seneka shkruante: “Mirënjohja është kujtesa e zemrës.” Po çfarë ndodh kur zemra nuk dëshiron të kujtojë? Kur çdo ndihmë e marrë përjetohet si e merituar, si e natyrshme, si detyrë e tjetrit dhe merret si e mirqenë?
Jetojmë në kohë kur kultura e egos na shtyn të mendojmë se gjithçka që kemi, e kemi vetëm falë vetes. Se gjithçka që na është dhënë, na takonte. Në këtë atmosferë të ftohtë individualizmi, mosmirënjohja lulëzon, sepse është e lehtë të harrosh se dikur nuk ishe vetëm. Se dikur nuk mundeshe vetë, se dikush apo disa të dhanë dorën kur të nevojitej.
Mosmirënjohja është një formë e egër e padrejtësisë. Ajo e zhvesh njeriun nga dimensioni i tij më i thellë moral, ndjenjën e detyrimit moral ndaj të mirës që ka marrë. Kant thotë se respekti për tjetrin nuk buron nga ndjesia, por nga detyra. Por mosmirënjohësi nuk ndjen as detyrë, as nderim. Ai harron jo sepse nuk mban mend, por sepse nuk dëshiron të mbajë mend.
Nietzsche, me sarkazmën e tij të kthjellët, shkruante: “Njerëzit harrojnë më shpejt kush i ka ndihmuar sesa kush i ka ofenduar.” Për mua personalisht, mosmirënjohja është një formë e heshtur e tradhtisë, nuk ka nevojë për fjalë, as për gjykim sepse harresa vret me indiferencë.
Ndodh pothuajse gjithmonë që mosmirënjohjen ta njohim prej njerëzve më të afërt duke nisur me familjarët, me të dashurit e zemrës, me miqtë e ngushtë. Është ndjenjë e shëmtuar, mjaft e hidhur por që jep leksione të vyera jete e na bën të vlerësojmë njerëzit sipas ndërgjegjes e shpirtit të tyre. Mua vetë mosmirënjohja e disa njerëzve të dashur për mua dikur më ka mësuar vlerësimin e pakufi ndaj mirënjohjes, ndaj atyre pak të tjerëve që përkulen përballë dhimbjes së dikujt tjetër që është në vështirësi, që pranojnë ndërvarësinë njerëzore. Atyre lidhjeve që na bëjnë më shumë sesa thjesht individë, na bëjnë qenie të bashkuara nga kujtesa, dashuria e dhembshuria.
Kush nuk njeh mirënjohje, nuk do të mësojë kurrë as të dojë vërtet.
Sepse dashuria e pastër nuk lind nga boshllëku por nga ndjenja se je falur, je ndihmuar, je përkrahur e dashur nga dikush tjetër.
Mosmirënjohja nuk është mungesë fjalësh, është mungesë shpirti dhe njerëzit e pashpirt nuk i hyjnë në punë as vetes së tyre. Mosmirënjohësit mos i jepni kurrë një mundësi të dytë sepse do ta pësoni më keq se herën e parë.



Ky tekst është një reflektim i thellë dhe i ndjerë mbi mosmirënjohjen, e cila paraqitet jo thjesht si harresë, por si një mohim i vetëdijshëm dhe boshllëk etik.
Me referenca filozofike nga Seneka, Kant e Nietzsche dhe me tone personale prekëse, autorja ndërthur mendimin me përvojën jetësore, duke e bërë mesazhin universalisht të vlefshëm.
Teksti na kujton se mirënjohja është themel i dashurisë së pastër dhe i humanizmit, ndërsa mosmirënjohja është një plagë që shkatërron marrëdhënie e shpirtra.
Zoja Elvina ankohet per fenomenin e MOSMIRENJOHJES.
Perderi sa NDEREN nuk ta ka shperbly TUJ T’BA KEQ, mos u anko fare.