ARKIVI:
6 Mars 2026

Muri i Berlinit si metaforë e kontrollit ideologjik

Shkrime relevante

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Kur pushteti gabon dhe opozita dështon: Kosova peng i ambicieve politike

Luan Dibrani, Gjermani Në politikën e Kosovës po përsëritet një gabim i...

Shpërndaj

Shkruan; Naim J. Krasniqi, (historian, Münich)

Rënia e Murit të Berlinit dhe rrëzimi i „perdes së hekurt”: Lustracioni kulturor, disidenca dhe reflektimi kosovar

Muri i Berlinit si metaforë e kontrollit ideologjik. Gjatë një vizite në Berlin, në mesin e shumë pikturave murale që janë ruajtur si pjesë e Murit të Berlinit – sot monument kujtese për një nga traumat më të mëdha të shekullit XX – vëmendjen ma tërhoqi një pikturë e veçantë e titulluar “Marioneta”. Kjo pikturë paraqet një figurë njerëzore si kukull e varur në fije, e kontrolluar nga një dorë tjetër, e padukshme. Metafora është e qartë:
individi i kontrolluar nga aparati shtetëror, nga ideologjia dhe nga mekanizmat e frikës.
Në kontekstin e Gjermanisë Lindore (Republika Demokratike Gjermane – RDGJ), kjo pikturë i referohet drejtpërdrejt rolit të STASI-t (Ministerium für Staatssicherheit – Ministria për Sigurinë e Shtetit), shërbimit sekret famëkeq që kontrollonte jo vetëm jetën politike, por edhe kulturën, artin, arsimin dhe median. Artisti, intelektuali apo gazetari në këtë sistem ishte shpesh një “kukull” që duhej të ndiqte direktivat e pushtetit, duke sakrifikuar lirinë krijuese dhe autonominë morale.
Piktura “Marioneta” mund të lexohet si një apel vizual për nevojën e lustracionit kulturor, i cili pas ribashkimit të Gjermanisë u bë një nga temat më të ndjeshme të debatit publik. Disa intelektualë lindorë pranuan me ndershmëri kompromiset e tyre me sistemin, të tjerë heshtën, ndërsa një pjesë u përpoqën të relativizonin përgjegjësinë morale.
Rënia e Murit dhe fundi i “perdes së hekurt”
Me rrëzimin e Murit të Berlinit në vitin 1989, simbolikisht u shemb edhe „perdja e hekurt” që ndante Evropën në dy blloqe ideologjike: Lindjen komuniste dhe Perëndimin demokratik. Ky moment historik shënoi fundin e një epoke të gjatë represioni politik, kufizimi të lirive dhe manipulimi ideologjik të shoqërive të Europës Lindore.
Pas këtij shembjeje, u bë e qartë se shumë nga konceptet e shpallura nga regjimet socialiste – si “liria”, “barazia”, “drejtësia” apo “lumturia socialiste” – kishin qenë kryesisht projeksione propagandistike, larg realitetit të jetës së përditshme të qytetarëve. Edhe në shtete që kishin ruajtur një imazh më liberal, si Jugosllavia, pas vitit 1989 opinioni ndërkombëtar u trondit nga përmasat e kontrollit, izolimit dhe represionit të brendshëm.
Siç thekson George M. Tomash, disidentët vepronin shpesh brenda një hapësire ligjore vetëm formalisht të garantuar, duke shfrytëzuar maksimalisht traktatet ndërkombëtare që regjimet komuniste kishin nënshkruar, si Karta e Helsinkit, çka u jepte atyre një forcë morale të veçantë (Tomash, Trashëgimia e disidencës, 1997).
Në të njëjtën frymë, Václav Havel e përshkruante jetën e intelektualit në Çekosllovaki si një
zgjedhje midis “jetesës brenda së vërtetës” dhe “jetesës brenda gënjeshtrës” së regjimit (Living in Truth, 1989).
Reagimi ndërkombëtar dhe drejtësia tranzicionale Pas rënies së komunizmit, reagimi ndërkombëtar nuk mungoi. Senati Amerikan, përmes disa rezolutave (si Rezoluta nr. 148, 1993), dënoi krimet e komunizmit dhe nderoi viktimat e regjimeve totalitare. Këto rezoluta, megjithëse pa fuqi juridike jashtë SHBA-së, kishin peshë të madhe morale dhe politike.
Në Evropë, Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian miratuan dokumente të rëndësishme, ndër të cilat spikat Rezoluta 1481 (2006) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që dënonte krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe kërkonte ballafaqim me të kaluarën. Këto iniciativa synonin ndërtimin e një kulture demokratike mbi bazën e kujtesës historike dhe drejtësisë tranzicionale.

Lustracioni kulturor në Gjermaninë e bashkuar

Në kuptimin e gjerë, lustracioni nënkupton procesin e ndriçimit të së kaluarës dhe ballafaqimin me përgjegjësinë morale dhe institucionale të individëve dhe strukturave. Në Gjermaninë e bashkuar, ky proces ishte veçanërisht kompleks, sepse duhej të zbatohej në gjysmën lindore të vendit.
Hapja e arkivave të STASI-t zbuloi një realitet tronditës: shumë figura të kulturës, medias dhe arsimit, që pas vitit 1990 mbanin ende pozita publike, kishin qenë bashkëpunëtorë të shërbimit sekret. Argumenti se “ashtu ishte sistemi” nuk u pranua as nga opinioni publik, as nga qarqet akademike.
Filmi “Das Leben der Anderen” (2006) u bë simbol i këtij reflektimi shoqëror, duke pasqyruar jetën nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të STASI-t. Shumë institucione kulturore dhe arsimore të RDGJ-së u shpërbënë ose u integruan në strukturat perëndimore. Fenomeni i ashtuquajtur “Ostalgie” (nostalgjia për Lindjen) u marginalizua si produkt i një kulture të indoktrinuar, duke shkaktuar ndjenjë humbjeje identitare te shumë qytetarë lindorë.
Deklasimi i elitave kulturore dhe mediatike
Rastet e Sascha Anderson, Christa Wolf, Karl-Eduard von Schnitzler dhe të tjerëve tregojnë se lustracioni nuk ishte proces i njëtrajtshëm. Anderson u bë simbol i tradhtisë intelektuale, ndërsa Schnitzler u “deklasua” plotësisht si figurë propagandistike. Elita mediatike e RDGJ-së humbi pothuajse tërësisht besueshmërinë në sistemin e ri pluralist.
Në jetën akademike, dosjet e STASI-t u trajtuan me vëmendje të veçantë. Ata që kishin
bashkëpunuar me dëshirë dhe kishin shkaktuar dëme reale u përjashtuan nga pozitat drejtuese; ndërsa rastet e bashkëpunimit nën presion u trajtuan me më shumë nuancë.
Kosova: mungesa e lustracionit dhe nostalgjia kulturore Nëse e krahasojmë këtë proces me Kosovën, dallimet janë të mëdha. Kalimi i Kosovës nga sistemi komunist në realitetin aktual u bë pa një proces të mirëfilltë lustracioni kulturor apo politik.
Përkundrazi, shpesh sundon një nostalgji selektive për periudhën e kaluar,qe ne opinion njihen si jugo-nostalgjik, sidomos në aspektin kulturor.
Është e vërtetë se gjatë periudhës socialiste u liberalizua arsimi në gjuhën shqipe dhe u krijua një shtresë intelektuale që luajti rol në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Por kjo nuk mund të përdoret për të relativizuar represionin politik, përndjekjet dhe dënimet e intelektualëve që nuk pajtoheshin me vijën zyrtare.
Figura si Adem Demaçi, apo rasti tragjik i Fazli Grajçevcit , Ukshin Hoti dëshmojnë se sistemi nuk toleronte mendimin e pavarur. Një pjesë e elitës kulturore dhe politike jo vetëm që heshti, por u bë pjesë aktive e mekanizmit represiv.
Pas demonstratave të vitit 1981, gazetaria kosovare u shndërrua hapur në instrument të diferencimit ideologjik, duke stigmatizuar intelektualët kritikë dhe duke legjitimuar masat represive. Kjo periudhë përfaqëson krizën më të thellë morale të gazetarisë kosovare dhe tregon qartë kufijtë e lirisë së shprehjes në një sistem autoritar.
Përfundim
Rënia e Murit të Berlinit nuk ishte vetëm një ngjarje politike, por një moment i madh moral dhe kulturor për Evropën. Gjermania, përmes një procesi të vështirë, por të qëndrueshëm lustracioni, arriti të ballafaqohet me të kaluarën e saj totalitare. Kosova, përkundrazi, ende nuk e ka bërë këtë hap në mënyrë sistematike. Pa këtë ballafaqim, rrezikohet që e kaluara të mbetet e pazbardhur dhe të vazhdojë të ndikojë në jetën publike dhe kulturore të së tashmes.

K O M E N T E

4 KOMENTE

  1. Sa shumë jeni ” lodhur ” z.Krasniqi kur shkruani për murin e Berlinit kur ne kishim murin tonë , Shqipëri / Kosovë ku vetëm nga një anë e kufirit vriteshin shqiptarë e nga ana tjetër mirrje një dënim max. 0.5 -1 vit . Prap ” zbulimi ” investigatim nga ju për mënyrën se si sillej aparati shtetëror me popullin , rininë në RDD e tepërt se kishit shembull sistemin policor e diktatorjal të monstrës Hoxha .që tejkalon cdo normë njerëzore .Amerika e BE kanë dënuar me Rezoluta gjenocidin komunist por vetëm në Shqipëri kjo s “ka ndodhur si dhe në Kosovë . Mbani Myhniun zotni e shkruani për të pasi aty dhe jetoni .

  2. Zonja e nderuar,

    Së pari ju falënderoj që e keni lexuar shkrimin tim, si dhe për komentin e bërë. Desha t’ju sqaroj se tema e shkrimit ka qenë një pikturë e quajtur “Marioneta”, një nga shumë pikturat që ndodhen në pjesën e mbetur të Murit të Berlinit. Unë e kam dërguar edhe këtë pikturë, por nuk e di pse nuk është publikuar.

    Rrëfimin tim e kam shtjelluar (ose jam përpjekur ta shtjelloj) përmes kësaj pikture, si dhe mënyrën se si ka rrjedhur lustracioni kulturor në Gjermaninë e Bashkuar, duke përmendur disa shembuj. Keni të drejtë që ky proces shoqëror nuk ka ndodhur në Shqipëri e as në Kosovë. Për Kosovën kam folur pak, por këtë pjesë do ta zgjeroj. Po ashtu, sa të kem mundësi, edhe për Shqipërinë. Duhet ta kemi parasysh se procesi i shembjes së komunizmit ka specifikat e veta në çdo shoqëri.

    Sa i përket kujtesës suaj për simbolin e ndarjeve të popujve në shtete të ndryshme, mendoj se ka dallime. Kufiri shqiptaro-shqiptar është një ndarje gjeostrategjike, ndërsa Muri i Berlinit është një ndarje ideologjike. Për Mynihun ju jap të drejtë, por më besoni se ka ardhur nga sigla (logoja) e e-mailit.

    Jam i nderuar të hapim diskutime për këtë proces.

    Me respekt,
    Naim J. Krasniqi
    Mynih

  3. Përgjigja e juaj e sinqertë më ven në siklet sa mendoj se mos jam ngutur apo gabuar në ironinë që përdor në komentin e mësipërm !!?? Por ,,,, mendoj se jo dhe aq kur lexoj se dorëshkruesi është shqiptar e jo gjerman apo një tjetlr i huaj që tregon për ngjarjen e Murit të Berlinit që tronditi themelet jo vetëm të Gjermanisë por dhe krejt të Evropës Lindore . Pra ky fakt më shtyu të kujtoj Murin , kufirin shqiptar / shqiptar që do të mbetet një brengë ( në se nuk bashkohemi shpejt se vonë , dekada e shekull ndoshta 1 miljon % e SIGURTË ) një plagë e pashërueshme për ne si komb .Ju e quani këtë Mur si gjeostrategjik e jo ideollogj si i Berlinit .Mendoj se gaboni pasi dhe pse ideollogjia , marks.- lenin.,apo komuniste ishte e njëjtë në teori në të dy shtetet , Shqipëri – ish Yugosllavi / Kosovë në praktikë ishte shumë e ndryshme aq sa për ne shqiptarët e Shqipërisë , Kosova ishte një ” Zvicër ” e vogël . Në se ne na copëtuar në 5 shtete 4- 5 dekada përpara popullit gjerman qëllimi ishte i njëjtë .Krijimi i një zone tensioni ku fuqitë e mëdha do të caktojnë se KUR do të duhet t”i korrigjojnë gabimet gjeografike . .Sot fatmirësisht shkruhet e vërtetat e fshehur nën rregjimet shtypëse që përjetuam .Pra keni cfarë të shkruani dhe shumë si historian. Ju uroj suksese e t’ju kujtoj se historinë grafike e qëndisur nga diktatorët komunistë ( Shqipërisë vë dorën në zjarr ) vetëm 1- 10 % t”a merrni si të vërtetë . Shëndet ,mirësi e një vit të mbarë ju uroj !

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu