ARKIVI:
7 Mars 2026

Ndikimi i Turqisë neoosmane në pushtetet e Kosovës nga pavarësia e deri sot e të tjera (V-X)

Shkrime relevante

Shkarkimi: Përgjigjia meritore ndaj pecedentit të rrezikshëm kushtetues

Nga: Dr. Sadri Ramabaja ______ Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e...

Me cilën dorë duhet të pijë ujë Presidentja – sipas mullës Mustafë Bajrami dhe neoosmanit Gëzim Kelmendi?!

Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë ____ Mullahu Mustafë Bajrami duket se së...

Trump: – Irani do të goditet shumë rëndë sot

David Vojislav Krekling, Aftenposten Foto: Jose Luis Magana / AP Presidenti Donald Trump...

E kam përkrahë Vjosën por ajo kujtofti se s’ka shtet pa qenë hija e saj si bajrak mbi çati!

Nga: Çun Lajçi ___ Mall i kotë për një atdhe të lodhun ___ Me vetveten...

Shpërndaj

Nga: Sak Muji

Dosja nga kapitulli i -V deri ne X-të

Kapitullit – V –

**

NDIKIMI TURK NË PUSHTETET NË KOSOVË NGA PAVARËSIA DERI MË SOT

Nga miqësia e pavarësisë te varësia e kontratave Turqia ishte një nga vendet e para që njohu Kosovën më 18 shkurt 2008. Një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Ankaraja hapi dyert për përfaqësuesit e Prishtinës dhe nisi një rrugë të re “miqësie strategjike”, e cila shumë shpejt u shndërrua në një rrjet të fuqishëm ndikimi ekonomik, politik dhe fetar.

Në emër të vëllazërisë osmane, kompanitë turke morën nën kontroll asetet më jetike të Kosovës: aeroportin, shpërndarjen e rrymës dhe më vonë edhe sektorë të tjerë strategjikë. Në të njëjtën kohë, përmes Diyanetit dhe fondacioneve fetare, Turqia nisi një fushatë të gjerë “kulturore” në Kosovë – që shumëkush e sheh si ekspansion ideologjik të ngjashëm me ndikimet arabe në dekadat e mëparshme.

Aeroporti dhe rryma – kontratat e para të varësisë Në vitin 2010, qeveria e Hashim Thaçit nënshkroi koncesionin e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” me kompaninë turko–franceze LIMAK–Aéroports de Lyon për 20 vjet, e cila më vonë u zgjat deri në 2035.

Në vitin 2012, qeveria Thaçi II privatizoi KEDS-in (shpërndarjen e energjisë) duke ia shitur konsorciumit turk Çalık–Limak, një vendim që mbetet ndër më të debatuarit në historinë e pasluftës.

Në të dyja rastet, Turqia fitoi kontroll ekonomik dhe politik, ndërsa shteti kosovar mbeti i varur nga kushtet e kontratave të mbyllura.

Pas çdo ndryshimi qeverie, këto marrëveshje janë përmendur si “borxhe të trashëguara” – por asnjëra nuk është rishikuar me transparencë të plotë.

Nga energjia te feja – rrjetet e ndikimit të butë

Në vitet 2014–2017, ndikimi turk kaloi nga ekonomia në sferën fetare dhe kulturore. Diyanet dhe TİKA financuan xhami, rikonstruksione osmane dhe shkolla fetare, përfshirë edhe Xhaminë Qendrore të Prishtinës – projekt që u paraqit si dhuratë, por që shumë qytetarë e panë si simbol të një ndikimi të huaj që po formësonte peizazhin shpirtëror dhe arkitekturor të vendit.

Në këtë periudhë, shumë figura të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) u lidhën ngushtë me institucione fetare në Turqi, duke e bërë Prishtinën një satelit të vogël fetar të Ankarasë.

2018 – Kriza e sovranitetit Në mars 2018, ndodhi ngjarja që tronditi shtetin e ri të Kosovës: deportimi i gjashtë shtetasve turq – punonjës të shkollave “Gülistan / Mehmet Akif” – të cilët u rrëmbyen dhe u dërguan fshehurazi në Turqi.

Kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj deklaroi se nuk kishte qenë i informuar dhe shkarkoi menjëherë ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e AKI-së. Ky ishte momenti kur u kuptua se ndikimi turk kishte kaluar kufijtë e miqësisë diplomatike: ishte ndërhyrje e drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës.

Nga Bayraktarët te milionat e KEDS-it

Qeveria e Albin Kurtit trashëgoi kontratat e vjetra me kompanitë turke dhe u përball me pagesa të mëdha kompensuese ndaj KEDS-it dhe Aeroportit. Në vitin 2023, Kosova bleu dronët Bayraktar TB2 nga Turqia, duke futur Ankaranë në qendër të sistemit të mbrojtjes së Kosovës.

Në vitin 2024, qeveria zgjati edhe koncesionin e Aeroportit për disa vite, në marrëveshje me LIMAK, duke mbajtur të njëjtin partner strategjik ekonomik. Në pamje të parë, këto janë bashkëpunime shtetërore; në thelb, ato tregojnë se Turqia vazhdon të ketë ndikim vendimtar në sektorët kyç të shtetit kosovar – energji, transport dhe siguri.

Feja si fasadë – kur minaret bëhen më të larta se spitalet

Një pjesë e këtij ndikimi shfaqet në formën e ekspansionit fetar dhe arkitekturës me frymë lindore. Në disa qytete të Kosovës po ndërtohen xhami të mëdha me minare të gjata si raketa, të frymëzuara nga modeli arabik apo turk, që nuk përputhen me traditën tonë kombëtare e kulturore.

Kjo është arsyeja pse gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë: “Kosovës i duhen spitale, fakultete dhe laboratorë, jo minare gjigante.”

Një shtet laik, evropian dhe modern duhet të forcohet përmes arsimit dhe shëndetësisë, jo përmes ndarjeve ideologjike që e kthejnë fenë në instrument politik.

Nga miqësi strategjike në varësi ekonomike

Marrëdhëniet Kosovë–Turqi kanë kaluar tri faza të qarta: 2008–2013: Koncesione ekonomike dhe privatizime strategjike; 2014–2018: Ndikim fetar dhe përpjekje për kontroll institucional; 2019–2025: Bashkëpunim ushtarak dhe përpjekje për dominim rajonal.

Turqia ka qenë aleate e rëndësishme e Kosovës, por në disa raste, kjo aleancë ka kaluar në varësi politike e ekonomike, sidomos kur pushtetet kosovare nuk kanë pasur kurajë ta ruajnë barazinë në marrëdhënie.

Apel qytetar: Kosova të zgjedhë arsimin, jo minaren

Sot, pas më shumë se 15 vjetësh pavarësi, Kosova ka nevojë për një bilanc të drejtë mes miqësisë dhe sovranitetit.

Asnjë investim i huaj nuk duhet të kalojë përmes fesë apo ideologjisë. Asnjë partner strategjik nuk duhet të diktojë politikën e brendshme të një shteti që është fituar me gjak dhe sakrificë. Le të përfundojnë me sukses kontratat ekonomike me Turqinë — por pa lejuar që ekstremizmi fetar, qoftë i butë apo i maskuar, të ndikojë në rrugën tonë evropiane.

Kosovës i duhen universitete që hapin mendje, spitale që shpëtojnë jetë, dhe institucione që mbrojnë lirinë – jo minare që projektojnë hije mbi arsimin dhe shtetin laik.

*

KAPITULLI -VI-

A PO DRIDHEN KRERËT E SHIK-ut?

Katër marrëveshjet e tradhtisë dhe dy krimet e heshtura që po e zhbëjnë shtetin

Në këtë Kosovë që u ngrit mbi gjak e flijim, po ndodh diçka që trondit çdo shpirt shqiptar: krerë të vjetër të SHIK-ut, njerëz që për dekada kanë luajtur mes errësirës së pushtetit dhe shërbimeve të huaja, sot dalin publikisht në mbrojtje të spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të Serbisë.

Në këtë radhë del Xhavit Haliti – i njohur në qarqet e dikurshme operative si “Cerni Vranac” – për të deklaruar me plot gojë:

“Radoiçiçi dhe Sheholli nuk ishin spiunë!”

Kjo fjali është krismë në veshët e çdo familjeje që ka varre pa eshtra, që ka kujtime pa drejtësi. Në vend që të dënohen, po mbrohen ata që u bënë vegla të armiqve. Kjo është shenja e qartë se shteti po gërryhet nga brenda — dhe se disa “gardianë” të djeshëm të SHIK-ut po dridhen, sepse epoka e llogaridhënies po afrohet.

1. Marrëveshja e parë: Ndarja e Veriut – tradhtia e Brukselit (2013)

Nën pretekstin e “normalizimit”, Kosova pranoi Zajednicën dhe humbi kontrollin real mbi veriun. Në prapaskenë vepronin strukturat që i përgjigjeshin Beogradit dhe Stambollit, jo Prishtinës.

Këtu filloi shitja e sovranitetit – në heshtje, me përkthim diplomatik e me nënshkrime që s’i pyetën qytetarët.

2. Marrëveshja e dytë: Gjykata Speciale (2015)

U ngrit një gjykatë që s’gjykon krimet serbe, por luftëtarët e UÇK-së. Në vend që të ruhej nderi i çlirimit, u vendos nën akuza vetë simboli i lirisë. Kush e përkrahu këtë akt? Po të njëjtët njerëz që sot heshtin për Radoiçiçin – sepse kishin frikë se një ditë drejtësia do t’u trokasë në derë edhe atyre.

*

3. Marrëveshja e tretë: Ekonomia dhe pasuritë kombëtare (2017–2018)

Në heshtje u shitën pasuritë e Kosovës: energjetika, Trepça, minierat dhe tokat veriore. Bizneset turke dhe serbe morën çdo burim të vlefshëm, ndërsa populli mbeti pa punë dhe pa pasuri. Në prapaskenë, SHIK-u u kthye në “ministër të padukshëm të ekonomisë”, duke ndarë tenderë dhe pushtet si plaçkë.

*

4. Marrëveshja e katërt: Heshtja ndaj spiunazhit dhe ndikimeve të huaja (2020–2025)

Në vend që të pastrohen institucionet, u ricikluan të njëjtët emra, të njëjtat rrjete. Në administratë e media, ish-bashkëpunëtorët e sistemit serb e turk morën pozita kyçe. Sot, ata janë më aktivë se kurrë në propagandë, duke mbrojtur publikisht Radoiçiçin dhe Shehollin – sepse frika i ka kapluar. Dosjet e reja po hapen, dhe lidhjet e tyre po dalin në dritë.

Dy krimet e heshtura që rrënojnë drejtësinë

*

1. Heqja e krimit të gjenocidit të Serbisë

Asnjë padrejtësi s’është më e madhe se fshirja e gjenocidit serb nga dokumentet shtetërore. Si mund të hiqet nga aktet juridike krimi mbi 14.000 shqiptarë të vrarë, mbi 1.600 të zhdukur dhe 20.000 gra të dhunuara?

Kjo është tradhëti kombëtare e shekullit – kur qeveritë e frikës dhe ambasadat e ndikimit heshtin për gjenocidin, duke i hapur rrugë Serbisë që të kthehet si “partner paqeje”. Një popull që harron gjenocidin, rrezikon ta përjetojë përsëri.

*

2. Shitja e mbi 8.500 hektarëve tokë Malit të Zi

Tradhtia e kufirit me Malin e Zi ishte plaga që u mbulua me flamur evropian. Nën nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit, u humbën mbi 8.500 hektarë tokë shqiptare në Çakorr e Kullë, toka ku pushon këmba e Rugovës dhe gjaku i maleve tona. Në emër të “integrimeve”, iu dhurua truall i Dardanisë fqinjit që kurrë s’e njohu dhimbjen tonë. Ata që heshtën atëherë, sot sërish heshtin – sepse ishin në të njëjtin zinxhir tradhtie.

*

Epilog – Thirrje për pastrimin e dytë të Kosovës

Nëse lufta e parë ishte për liri territoriale, lufta e dytë është për pastrimin moral dhe institucional. Kjo është beteja e brezit tonë: ta ruajmë shtetin nga ata që e shesin, ta pastrojmë kujtesën nga ata që e fshijnë, dhe ta mbrojmë popullin nga ata që s’e përfaqësojnë.

Sot, SHIK-u dridhet, sepse e ndien fundin. Dhe populli, i vetëdijshëm, po zgjohet për t’u bërë gjykata e së vërtetës kombëtare.

*

KAPITULLI -Nr-VII-të

* NJËHERË UDBASH – GJITHMONË UDBASH

Sado që mundohem të tërhiqem nga debatet politike, nganjëherë nuk ka si heshtet. Sepse kur sheh tradhtarët e vjetër që dalin sërish në skenë, të gënjejnë, të përçajnë e të baltosin njerëz të ndershëm — të dhemb zemra, të pikon gjak.

* Rikthimi i një spiuni “të penduar”

Së fundmi, në emisionin “Kojshia Show”, u shfaq përsëri një fytyrë e njohur për shumëkënd — Nefail Çegrani. Ky njeri, dikur spiun i UDB-së, më vonë doli në publik si “i penduar”, madje shkroi edhe një libër ku pretendonte se “zbulon” bashkëpunëtorët shqiptarë të UDB-së. Por çfarë bëri në të vërtetë?

Në atë libër ai përfshiu jo vetëm ndonjë emër të njohur që kishte pasur kontakte me sistemin, por edhe njerëz krejt të ndershëm që s’kishin asnjë lidhje me shërbimet serbe. Pra, përzjeu të vërtetën me shpifjen – një metodë e vjetër e UDB-së! E ndërkohë, përmes këtij libri, disa që kishin bashkëpunuar vërtet, po shantazhohen sot në emër të “spiunit të penduar”.

*

Spiuni i vjetër dhe spiuni i ri

Në atë emision, Çegrani nuk ishte vetëm. Përkrah tij ishte Fatmir Sheholli, tashmë i arrestuar si spiun i BIA-s serbe. Pra, nuk bëhet fjalë për “thashetheme”, por për fakte konkrete: Një spiun i dëshmuar që ka punuar për llogari të Serbisë, dhe një ish-udbash që mundohet ta paraqesë veten si “zbulesë kombëtare”.

A ka nevojë më shumë për të kuptuar kush i fryn këtyre lojërave të ndyta?

*

Për të vërtetën e një patrioti

Në atë bisedë të turpshme, Çegrani përmendi edhe profesor Basri Musmuratin, duke thënë: “Basriu në burg hante pite me Sheshelin.” Kjo është gënjeshtër e kulluar. Profesor Basri Musmurati ishte ndër të burgosurit më të torturuar në burgjet jugosllave. U rrah, u mundua, u dërgua deri në buzë të vdekjes – dhe kurrë nuk i dha asnjë emër të shokëve të tij. E di, sepse isha në të njëjtën dhomë me të, bashkë me 12 të tjerë. Pas muajsh torturash, kryeudbashi Selim Brosha i tha: “Basri, nuk po mundemi me t’i nxjerrë emrat e shokëve, por ta jap besën që do t’i zbulojmë vet.”

UDB-ja u dorëzua para qëndresës së tij.

*

Kundërshtar politik, por bashkëluftëtar në nder

Po, pas luftës, unë dhe profesori ishim në kahje të ndryshme politike. Por burrërinë, dinjitetin dhe qëndresën e tij — kurrë nuk do t’i mohoj. Sepse njerëzit e mëdhenj njihen në kohë të vështira, jo në studio televizive.

*

E vërteta nuk shkruhet në “show”

Nëse sot disa udbashë të vjetër e spiunë të rinj mendojnë se mund ta rishkruajnë historinë me intervista televizive, po ju them këtë: Historia nuk shkruhet në “Kojshia Show” dhe as në studiot e tjera simotra!

Historia e popullit shqiptar është shkruar në qelitë e errëta, ku burra si Basri Musmurati kanë derdhur gjak për këtë tokë. As emisionet e paguara, as skenat e rreme nuk mund ta lajnë turpin e tradhtisë. E vërteta del përherë në dritë — dhe drita nuk frikësohet nga hijet. *

KONKLUZION

Sot, kur Kosova ka nisur më në fund të pastrojë institucionet nga spiunët e BIA-s dhe UDB-së, është koha që të ndahet shapi nga sheqeri. Emrat e vërtetë të bashkëpunëtorëve duhet të dalin në dritë me fakte e dokumente, jo me shpifje televizive. Sepse vetëm e vërteta na çliron përfundimisht nga hije të errëta të së kaluarës.

*

Njëherë udbash – gjithmonë udbash!

KAPITULL -VIII-të

APO ISH PROFESORI NGA SHTUPEQI I VOGËL – SHYQERI SYKA

Nëpër udhët e Rugovës s’ka shumë gjëra që harrohen. Emrat qarkullojnë më shpejt se era, dhe kujtimet — ato as nuk plaken, as nuk shlyhen. Kështu mbeti në kujtesë edhe ai profesor i dikurshëm i gjeografisë, që me kalimin e kohës ndryshoi peizazhin e vet shpirtëror: nga katedra në qelitë, nga harta e botës në regjistrat e hetuesisë. Në vitet 1973–74, kur Kosova gjallonte nën hijen e shtypjes, shumë prej nesh u përballën me përndjekje, burgosje e dhunë.

Në atë kohë, ky njeri që quhej profesor, zgjodhi të mos qëndronte me nxënësit e vet, por me pushtetin e huaj që i rrihte ata.

Nga njeriu që dikur fliste për lumenjtë dhe malet, u kthye në hetues që përmendte emra, që firmoste dënime, që rrihte me kërbaq për idealin që nuk kuptonte dot. E takova përsëri pas shumë vitesh, afër Lumbardhit të Pejës.

Ai ecte si sportist i vjetër, me shtatin e lodhur por të shtirur, sikur ende ta mbanin fjalimet e dikurshme të klasës. E shtrëngova dorën fort, ashtu si i shtrëngohet dikujt që ke për ta përballur me të kaluarën e tij.

“Profesor,” i thashë, “kujton kur më mësove për kufijtë dhe lumenjtë?

Po për kufijtë e ndërgjegjes sate, kush të mësoi?”

Ai dridhej. Me zë të ulët, tha fjalën që e dëgjova shumë herë në jetën time: “Kështu na urdhëruan nga lart.” “Prej nga lart?” e pyeta. “Prej atyre që s’kanë lartësi morale, por vetëm poste,” u përgjigj. E lashë dorën e tij të zbehtë, që nuk dinte më as të shtrëngonte as të lironte.

Nuk e godita — s’kishte më nevojë. Koha e kishte rrahur më shumë se çdo kërbaq që dikur përdorte ai. Eca ngadalë dhe thashë me vete: “Liria pa lustrim është si drita pa drejtësi — ndriçon, por nuk ngroh.”

Sot, në Kosovën e çliruar, në këtë shtet “sui generis” me 97% shqiptarë, ish-përndjekësit ecin të lirë, japin intervista, mbajnë leksione, madje u quhen profesorë përsëri. Ndërsa ish të burgosurit politikë — ata që sakrifikuan gjithçka për këtë ditë — ende kërkojnë drejtësi, jo për hakmarrje, por për të mos harruar.

Në Dukagjin, në Rugovë, në çdo shtrat lumi e gur varri, njerëzit e dinë kush ishte kush. Nuk ka nevojë për fjalë të tepërta. Historia nuk harron, edhe nëse drejtësia hesht. Dhe kur hesht drejtësia, satira e popullit bëhet gjyqi më i ndershëm.

EPILOG

Në vendin ku drejtësia duhej të vinte me dritë, ajo erdhi me flamur festiv dhe dosje të mbyllura. Kaluan dekada, por lustrifikimi nuk ndodhi. Kështu, ish-profesorët e hetuesisë mbetën “të respektuar”, ndërsa bijtë e tyre u bënë drejtorë, zyrtarë e “udhëheqës kulture” në po të njëjtat qytete ku dikur përndiqeshin poetët e librat.

(O njëjrez a mos eshte kjo çika e Xhambazit ish drejtrorit Kriminel qe i ka rrah kërbaq te burgosurit politik shqiptar Shyqeri Syka.. Kjo lloj Xheneta Syka ?!? Nese nuk eshtë ështe pashë bukë kollomoqe me falni se kemi shumë Xheneta ….?!)

Në Pejën time, ironia ka marrë formën e institucionit. Aty ku dikur heshtnin vargjet, sot flasin zyrat e kulturës me vulën e trashëgimisë së padrejtësisë. Dhe unë, si qytetar e si ish-nxënës, s’e fsheh dot pyetjen që më vlon në shpirt: A thua është bija e atij profesori tim, atij që la gjimnazin dhe kaloi në sektorin komunal për t’i “zbutur” shqiptarët me gjeografinë e dhunës?

Apo thjesht historia po luan me ne të njëjtin teatër, me aktorë të rinj, por me të njëjtin skenar? Lumbardhi rrjedh prapë qetë — sikur s’ka parë asgjë. Por uji di: lan trupin, jo kujtesën.

THIRRJE PUBLIKE PËR BALLAFAQIM

Profesor i dikurshëm, sot i heshtur, Nëse ke mbetur ende me mendjen e kthjellët — po të pyes publikisht: A ke guxim të dalim së bashku në Studio “Dukagjini”, para popullit që e njeh mirë të kaluarën e vet?

Ti të flasësh për “meritat” e tua, për urdhrat e asaj kohe dhe për dosjet që i firmose, e unë — për veprat e mia kombëtare, për vitet e burgut, për rrugën e vështirë të atdheut tonë drejt lirisë. Le ta gjykojë populli, jo gjykata. Le të flasë historia, jo propaganda. Unë s’kam frikë nga drita — ti a ke frikë nga e vërteta? Po të pres, profesor, Në emër të së vërtetës që nuk fshihet pas asnjë karrige e as pas asnjë titulli.

Sak Muji Paradiso, Zvicër- Pejë Rugovë atje naltë ku po pres….

Në shërbim të së vërtetës dhe të kujtesës kombëtare

KAPITULLI -IX-të

Pikat kryesore të Oligarkisë së Pejës

Kapital i lindur nga pushteti, jo nga puna Oligarkia e Pejës u ngrit mbi favorizimin politik dhe ndarjen e pasurive publike pas luftës. Tenderët e komunës, tokat publike dhe resurset lokale u shndërruan në burime pasurimi për një rreth të ngushtë njerëzish të lidhur me pushtetin vendor e qendror. Në vend të konkurrencës së ndershme, sundoi monopoli partiak dhe nepotizmi ekonomik.

*

Korporatat që kontrollojnë tregun

Përmes kompanive të mëdha tregtare, importuese dhe ndërtimore, oligarkët krijuan monopol artificial mbi mallrat e domosdoshme për qytetarët. Çmimet u përcaktuan sipas interesit të tyre, jo të tregut. Qyteti u bë laborator i një ekonomie të kontrolluar nga një grusht njerëzish, ku çdo investim kalonte nëpërmjet “bekimit” të tyre politik.

*

Kapja e mediave lokale dhe e zërit publik

Oligarkët nuk blenë vetëm prona – ata blenë edhe heshtjen. Financuan portale, gazetarë e faqe rrjetesh për të manipuluar opinionin publik dhe për të krijuar një realitet të rremë, ku çdo kritik quhej “armik”. Në Pejë u ndërtua një sistem propagande që e paraqiste vjedhjen si zhvillim dhe pasurinë e paligjshme si sukses.

*

Pushtet i trashëguar nga “Siparunti” “Siparunti” – një term tashmë simbolik në Pejë – përfaqëson bashkimin e interesave midis ish-pushtetarëve lokalë, biznesmenëve të lidhur me ta dhe rrjeteve të ndikimit jashtë kufijve. Në këtë strukturë, familjarizmi, klientelizmi dhe korrupsioni ishin nyjet që lidhën politikën me biznesin, derisa populli u la me borxhe e varfëri.

*

Qyteti si peng ekonomik

Peja, dikur qytet simbol i ndershmërisë, u bë peng i koncesioneve dhe projekteve që nuk i shërbyen qytetarëve. Nga energjia, ndërtimet, deri te tregtia me mallra të huaja – gjithçka kaloi përmes një rrjeti të vogël oligarkësh që e përdornin qytetin si pronë private. ‘

*

Përplasja me drejtësinë e re

Shfaqja e Byros për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe fitorja morale e Vetëvendosjes në Pejë shënuan fillimin e fundit të kësaj strukture. Oligarkët reaguan me shpifje, me frikë e me panik — sepse për herë të parë, ligji po troket në derën e tyre.

*

E ardhmja – Peja e drejtësisë dhe e popullit

Peja po del nga hija e oligarkisë. Brezi i ri i politikës, i shoqërisë civile dhe i qytetarëve të guximshëm po e ringjall ndjenjën e përgjegjësisë. Drejtësia, transparenca dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme janë tri shtyllat që do ta pastrojnë qytetin nga çdo mbetje e “Siparuntit”.

*

Përmbyllje simbolike: “Ata ndërtuan pallate mbi padrejtësinë; ne do të ndërtojmë drejtësi mbi rrënojat e tyre.”’

*

KAPITULLI -X-

ZËRI I MOISIUT KUMBOI EDHE SOT NË MBROJTJE TË UÇK-së

Tiranë – metropoli shqiptar u mbush sot me zërin e një kombi që nuk harron. Flamujt kuqezi valëviteshin si zemra në ajër. Në atë det popullor, një figurë u ngrit mbi turmën, si një mal i gjallë i ndërgjegjes kombëtare – Gjenerali Alfred Moisiu, ish-presidenti i Shqipërisë. Në moshën mbi nëntëdhjetë vjeçare, ai doli para popullit pa u përkulur, me ecjen e një ushtari të përjetshëm dhe me zërin e një burri që nuk njeh harresë. Zëri i tij përshkoi sheshin si një kambanë që zgjon ndërgjegjen e shqiptarëve kudo: “UÇK-ja nuk është e fajit, por e lavdisë! Ajo është nderi i kombit shqiptar, dhe çdo goditje ndaj saj është goditje ndaj lirisë sonë!”

Turma shpërtheu në britma: “UÇK! UÇK! UÇK!”

Si në kohët e luftës, gjaku u ndez, kujtesa u zgjua, e zemra e kombit rrahu në një ritëm të vetëm — bashkimi shqiptar për drejtësi.

Në mesin e turmës, mes flamujve dhe lotëve, qëndronte edhe Sak Muji, luftëtari dhe artisti i Likovës, ai që dikur krijoi me duart e veta simbolin e UÇK-së në bjeshkët e lirisë, nga lëkura e një viçi dhe nga fryma e një shqiptari që nuk dorëzohet. Një vepër e lindur në flakët e betejës dhe e skalitur në kujtesë si dëshmi e pavdekshme: se arti shqiptar nuk lind nga qetësia, por nga betejat e shenjta.

Në atë ditë, Sak Muji ndjeu se historia po përsëritej, por me një jehonë më të thellë: zëri i Moisiut – ai zë që dikur kumbonte në Lugano e Vico Morcote për artin dhe kulturën, sot kumbonte në Tiranë për ndershmërinë dhe drejtësinë e UÇK-së. Dy Moisi – njëri i artit, tjetri i ndërgjegjes – u bashkuan në një frymë të vetme, me një mesazh të qartë për botën: “Mos gjykoni çlirimtarët tanë! Sepse ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, nuk do të gjykohen nga historia – por do të përjetësohen prej saj!”

Epilogu i Likovës

Në bjeshkët e Likovës, në një natë të mbushur me zjarr e shpresë, Sak Muji krijoi me duart e veta një simbol të pavdekshëm – emblemën e UÇK-së, të gdhendur me lëkurë viçi mbi një pllakë steropori. Ishte koha kur arti dhe lufta u bashkuan në një ideal: lirinë. Kjo vepër, lindur në flakët e betejës, mbeti si dëshmi se shpirti shqiptar krijon edhe në kushte lufte – sepse arti i kombit tonë lind nga dhimbja dhe ngrihet drejt dritës. Sot, ndërsa zëri i Moisiut kumbon sërish në mbrojtje të UÇK-së, kjo vepër e Likovës na kujton se liria nuk është vetëm armë e betejë, por edhe brushë, zemër dhe fjalë.

Epilog poetik – “UÇK e ALFRED MOISIU”

Akrostik: (Nga Sak Muji)

U ngrit si zjarr nga gjaku i fisit,

Ç liroi dhe gurin që flinte në mur,

K ënga e saj kumbon si kushtrim,

– flamur i përgjakur, i pavdekshëm burr.

E gjallë mbeti zemra që s’njeh harrim,

A tje ku Moisiu thërret drejtësi,

L avdia s’ka moshë, as pendim,

F lauron Kosova në gjakun e liri.

R rugët bashkohen në një amanet,

E ngjitet lart kombi me dinjitet,

D ritet e artit me luftën përzihen,

– Moisiu e UÇK-ja në zemra rrojnë.

M os u tremb, o truall, nga fjalët e botës,

O shti i shpirtit s’ndalet prej lotit,

I deali rron, i gdhendur nga Zoti,

S hqiponja fluturon mbi thinjat e motit.

I kurrë s’vdes kush jeton për Atdhe,

U ÇK-ja e Moisiu

– dritë që s’përmbytet kurrë!

*

Një himn i përjetshëm për nderin, artin dhe lirinë shqiptare. Në çdo varg ndjehet flaka e betimit dhe drita e ndërgjegjes që s’shuhet — sepse UÇK-ja dhe Moisiu janë dy drita të një trungu: Kombi Shqiptar.

Ky tekst është i dedikuar sakrificës, artit dhe dinjitetit shqiptar – një himn për UÇK-në, për gjeneralin Alfred Moisiu, dhe për të gjithë ata që e ruajnë me shpirt fjalën “Liri”. Nga Sak Muji

Fund

Video nga protesta e djeshme:

(4) Facebook

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu