ARKIVI:
7 Mars 2026

Në kujtim të 44 vjetorit të themelimit të Lëvizjes për Rpublikën e Kosovës

Shkrime relevante

Provokim në zemër të Kosovës: Flamuri i një shteti të huaj në Mitrovicë , policia e ruan atë…!

Luan Dibrani, Gjermani Ngjarja e fundit në Mitrovica, ku policia e Kosovo...

Përçarje brenda Iranit midis Gardës Revolucionare dhe udhëheqjes politike

Njerëzit vizitojnë Parkun Kombëtar Hapësinor të Gardës Revolucionare, pak jashtë Teheranit,...

Sipas historianit Kristaq Prifti, në Kosovë nuk ekzistonte popullsi turke

Msc Belisar Jezerci, historian POPULLSI TURKE NË KOSOVË NUK EKZISTON ! Ne bazë...

Urime për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Luan Dibrani, Gjermani  Sot, më 7 Mars, në këtë ditë të shënuar të...

Fjalë respekti dhe mirënjohjeje për Mësuesin tim, Sabri Raçi

Arif Ejupi, Gjenevë Disa njerëz kalojnë në jetën tonë pa lënë fare...

Shpërndaj

Ibrahim Kelmendi, Gjermani
____
44-VJETORI I THEMELIMIT TË LËVIZJES PËR REPUBLIKË
____
Sot, më 17 janar 2026, është 44-vjetori i themelimit të Lëvizjes për Republikë!
Fatkeqësisht, si shumë ngjarje tona historike, edhe Lëvizjes po i kontestohen protagonistët, data dhe vendi i themelimit nga marionetat komplotiste dhe tifozët e tyre. Prandaj e ndiej për obligim të informoj edhe njëherë për zhvillimet, meqë kam pasur fatin (apo fatkeqësinë) të jem protagonist dhe dëshmitar, sipas maksimës së At Zef Pllumbit: “rrno për me tregue”.
Parazhvillimet
Rrebelimi studentor dhe popullor i marsit dhe prillit 1981 në Kosovë na motivoi që ta bashkojmë veprimtarinë në emigracion për ta përkrahur kërkesën KOSOVA–REPUBLIKË. Ndërkohë, në emigracion ishin afirmuar edhe organizatat Fronti i Kuq Popullor (FKP), Organizata e Marksistë-Leninistëve të Kosovës (OMLK) dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ).
Para tyre, në emigracion ekzistonin shumë organizata e parti politike, të formuara vite më herët, kryesisht nga emigracioni politik antikomunist i Shqipërisë londineze. Ato e kishin përcaktim kryesor çlirimin e Shqipërisë nga “diktatura enveriste” dhe nuk brengoseshin e nuk merreshin me çlirimin e territoreve të pushtuara nën Jugosllavinë e atëhershme. Madje, pothuajse të orkestruara, ato i akuzonin rrebeluesit në Kosovë si “kuqaloshë enveristë, të cilët nuk ishin të vetëdijshëm se më të lirë janë në Jugosllavinë titiste sesa në Shqipërinë enveriste”.
Ndoshta për shkak të atyre përcaktimeve, ato organizata e parti, të vetëquajtura nacionaliste, nuk patën kontakt dhe bashkëveprimtari me mbi 80 mijë emigrantë ekonomikë shqiptarë nga Jugosllavia.
Nga ky informim telegrafik del se pothuajse vetëm këto tri organizata u angazhuan për ta përkrahur kërkesën Kosova–Republikë, ndërsa vetëm ca krerë të emigracionit politik “djathtist” simulonin ndonjë përkrahje sporadike.
Konkretisht, për bashkimin e veprimtarisë u morëm vesh mes nesh, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe unë, në javën e parë të prillit 1981 (më 5 prill 1981), sepse ne ishim afirmuar si udhëheqës të organizatave, emrat e të cilave i konkretizova.
Më 3 prill 1981 u takuam Jusufi dhe unë. Jusufi më udhëzoi të shkoja në Zvicër për ta takuar “Zeqën”, siç e quanim Kadri Zekën. Jusufi ma dha adresën e një librarie në Biel/Bienne. Unë nuk kisha dëgjuar fare për “Zeqën”, ndërsa Jusufi ndërkohë kishte njohje.
Të premten pasdite të 3 prillit isha në atë librari. Aty gjeta pronarin e saj, i cili kujdestaronte si shitës. Libraria kishte edhe shumë literaturë e revista nga Tirana. Pronari quhej Beat Schaffer, siç u prezantua kur u njohëm. Ishte zviceran komunist, enverist, meqë në Perëndim ekzistojnë disa sekte komunistësh. Për hir të vigjilencës leniniste nuk më informoi asgjë se kush ishte “Zeqa” dhe kur vinte aty.
Ndërkohë, Beati telefonoi në Dortmund, Gjermani, ku e kishte selinë udhëheqëse KPD/ML (Partia Komuniste Gjermane marksiste-leniniste / enveriste). Ai vetë më tregoi, kur ndryshoi qëndrimin, nga dyshues në mikpritës. Më informoi se “Zeqa” vinte aty herë pas here, pa paralajmërime, për të parë nëse kishte ndonjë letër, meqë OMLK-ja e kishte aty adresën kontaktuese.
Vetëm të dielën e 5 prillit 1981, rreth mesditës, erdhi “Zeqa”. Nuk tregoi nga vinte dhe cili ishte. As unë nuk ia kërkova, sepse ua njihja vesin sektaristëve enveristë. Qëndruam bashkë rreth dy orë, tashmë si shokë, sikur të njiheshim moti. U morëm vesh për të filluar me demonstrata në Perëndim, të bashkorganizuara nga LNÇKVSHJ, OMLK dhe FKP. U përcaktuam që motoja kryesore e demonstratave të ishte: Kosova–Republikë!
Pra, krejtësisht “mekanikisht” në dukje, ndryshuam qëndrim ideopolitik e nacional, nga angazhimi për çlirim e bashkim kombëtar me Shqipërinë, në angazhim vetëm për Kosova–Republikë, në kuadër të RSFJ-së. Nga 11 prilli (në Bernë) deri më 13 qershor 1981 (në Bruksel), në secilën të shtunë kemi organizuar tubime dhe demonstrata në metropole të Europës Perëndimore.
Gjatë korrikut 1981 u angazhuam në takime për bashkim në një organizatë. Në bisedime patëm për bazë “Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, të hartuara nga udhëheqja e OMLK-së. Gjatë 5-6 takimeve, të mbajtura pothuajse në çdo fundjavë, u miratua platforma për organizatë të përbashkët.
Në ndërkohë, Sabri Novosella, të cilin Jusufi e çmonte udhëheqës të LNÇKVSHJ-së, i qe paraqit Jusufit në mes të prillit 1981, pas ndërprerjes së kontakteve që kishin pasur nga dhjetori 1979 deri atëherë. Prandaj Jusufi kërkon që bashkimi të celebrohej nga Sabri Novosella, me arsyetim se ai ishte veprimtar veteran.
Në fillim të tetorit 1981 në Turqi shkuan Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, meqë Jusufit ende nuk i ishte njohur azili politik në Gjermani dhe nuk kishte pasaportë për dalje jashtë Gjermanisë. Fatkeqësisht, Kadriu dhe Sabriu, në vend që ta bënin publike në mënyrë ceremoniale bashkimin, u grindën mes tyre.
Themelimi i Lëvizjes për Republikë
Pas takimit të dështuar në Turqi, në fillim të tetorit 1981, pasoi ndërprerja e bashkëveprimtarisë mes Jusufit dhe Kadriut, e shoqëruar edhe me fajësime (kryesisht nga Jusufi ndaj Kadriut). Kjo zgjati deri më 2 janar 1982 (kur ishim në dasmë të Kadriut me Saime Isufin, e ndodhur në Biel/Bienn). Aty u sqaruan keqkuptimet. Prandaj, më 17 janar 1982, në shtëpinë ku banonin Gërvallët me qira, në Untergruppenbach (rrethi Heilbronn, Gjermani), bëmë bashkimin e organizatave në Lëvizjen për Republikë të Kosovës.
Rreth orës 15 të asaj të diele historike, njëherit e përgjakur, unë udhëtova bashkë me bashkëveprimtarin Sylë Nuha, sepse në Klubin Shqiptar në Dyseldorf kishim paralajmëruar shfaqjen e një filmi shqiptar. Te Gërvallët lamë Kadriun, i cili mbeti aty për të përpiluar bashkë me Jusufin njoftimin publik për bashkim dhe për të modifikuar edhe një herë platformën programore të organizatës që themeluam.
Fatkeqësisht, rreth orës 22:15, kur Jusufi, Kadriu dhe Bardhi dalin nga shtëpia për të shkuar në një kabinë telefonike në qendër të atij fshati, bien në pusi vrastare. Nga plumbat e dy vrasësve (sipas dëshmitarit okular të fqinjit gjerman), në vend vdiqën Kadriu dhe Bardhi, ndërsa Jusufi pas disa orësh në spitalin e Heilbronit.
Sapo arrit policia bastisën të gjitha materialet që Jusufi i kishte në dhomën e tij të punës. Logjike është të jenë bastisur edhe shkresat që kishin të bënin me themelimin e Lëvizjes, të cilat Jusufi dhe Kadriu i kishin mbi tavolinën e punës. Fatkeqësisht, ato dokumente ende nuk janë publikuar. Komplotistët dhe viktimat e tyre kanë shpifur dhe vazhdojnë të shpifin se ato dokumente nuk kanë ekzistuar.
Përfundim
Faktet janë të qarta: Lëvizja për Republikë u themelua më 17 janar 1982. Çdo përpjekje për ta zhvendosur këtë datë është pjesë e manipulimeve të shërbimeve jugosllave dhe e atyre që u bënë vegla të tyre. Ne, bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, kemi vazhduar veprimtarinë në kuadër të Lëvizjes që u themelua atë ditë – dhe kjo mbetet e vërteta historike.
Suksesi kryesor i Lëvizjes: themelimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës / UÇK-së, në Kuvendin e 4-tërt, mbajtur më 26-27 korrik 1993 në Prishtinë! (Emërtimi ka ndodh më 17 nëntor 1994, nga kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendi.).
PS. :
Tre protagonistët e “bashkimeve” të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, u përjashtuan apo vetëlarguan nga Lëvizja bashkë me vartësit e tyre – Abdullah Prapashtica u përjashtua në verë 1983 (bashkë me Osman Osmanin, Nuhi Sulejmanin…), Sabri Novosella (bashkë me Xhafer Durmishin, Milaim Zekën, Xhevat Ramabajën, Hafiz Gagicën…) u vetëlargua në prill 1984, Xhafer Shatri është vetëlargua në vitin 1986.
Në vitin 1987 janë vetëlargua edhe Hasan Malaj, Saime Isufi, Faridin Tafallari, duke e simuluar “lëvizjen me adresë”…

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu