ARKIVI:
7 Mars 2026

Në Shkurt 1989, minatorët e Trepçës në mbrojtje të Kosovës edhe me grevë urie

Shkrime relevante

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Shpërndaj

-Nga 20 deri 28  Shkurt 1989, greva  e urisë e minatorëve të Trepçës të përkrahur nga populli ishte mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës/

-Si u arrestova pse botova në gazetën tradicionale e historike Rilindja shkrimet për grevën e minatorëve të Trepçës në mbrojtje të Kosovës/

 -Sa Ari e Argjend prodhonte Trepça – gjiganti i ekonomisë së Kosovës/
Nga Behlul Jashari, Prishtinë

PRISHTINË, Shkurt 2025/ Në Kosovë nga 20 deri 28 Shkurt 1989, për tetë ditë me radhë,  u zhvillua greva  e urisë e 1.300 minatorëve të Trepçës, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë, rezistencë e fuqishme kundër rrënimit të dhunëshëm dhe kundërkushtetues të autonomisë që me Kushtetutën e vitit 1974 kishte Kosova si element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën shtatë shtete.

Greva e minatorëve, e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët,  u pasua me demonstratat gjithëpopullore, në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Gazetari Behlul Jashari – kohë lufteKosove – i ndaluar nga forcat policore serbe

Në këto rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 Mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova…

Në kohën e grevës së minatorëve të Trepçës në Shkurt 1989 isha redaktor – shef i deskut (për ngjarjet e ditës) në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Thuaja gjithë gazetën e mbushnim me raportimet e gjera të ekipeve speciale të gazetarëve e fotoreporterëve të dërguar nga redaksia dhe të korrespondentëve për grevën e minatorëve e kërkesat e tyre në mbrojtje të Kosovës, për liri e demokraci, për përkrahjen gjithëpopullore.

Pas grevës kishte arrestime, së pari e arrestuan gazetarin e redaktorin shumëvjeçar të Rilindjes, Zenun Çelaj, i cili gjatë gjithë kohës së grevës ka raporuar në krye të ekipit nga miniera e Trepçës në Stantërg…

Mua më arrestuan pse si redaktor i gazetës Rilindja kam botuar shkrimet për grevën, kërkesat e minatorëve e përkrahjen.

Ishte ditë e diel, 17 Janar 1993. Shkova në Pallatin Rilindja në zyrat e gazetës, nuk bëja asnjë ditë pushim për raportimet për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, nga teleksi – e vetmja lidhje e mundëshme në atë kohë nga Kosova në Shqipëri…Kur sapo dola, derisa po ecja fill vetëm një rrugice të afërt nëpër Lagjen Pejton të Prishtinës, policët serbë që kishin dalë në pritë më rrëmbyen, arrestuan… “Kaherë të kërkojmë…”, më thanë. Kishte kohë të gjatë që nuk u përgjigjesha ftesave të gjykatës serbe…

Gazeta Bujku me 19  janar 1993. Foto: Behlul Jashari

Gazeta e rezistencës “Bujku” e datës 19 Janar 1993  shkruante dhe protestonte për arresimin tim në Prishtinë nga policia serbe…

Me titullin “U arrestua gazetari i ‘Rilindjes’ Behlul Jashari”, gazeta ka shkruar  se veprimtari i njohur i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut “avokati Bajram Kelmendi kuptoi se klienti i tij u mor në polici lidhur me një proces gjyqësor që zgjat që nga viti 1989 e që ka të bëjë me shkrimet e ‘Rilindjes’ në shkurt të atij viti për grevën e njohur të minatorëve të ‘Trepçës’”.

Gazeta shkruante se pasi më kishin mbajtur “deri dje në orën 8 të mëngjesit në një qeli të ftohtë” më dërguan në Gjykatën Komunale të Prishtinës, e cila më liroi pasi “gjyqi caktoi seancën gjyqësore për 29 Janar”.

“Protestë e gazetarëve të ‘Rilindjes’” ishte titulli tjetër i gazetës, e ku theksohej se protestohej kundër arrestimit tim dhe “përgjithësisht kundër respresionit të pushtetit serb ndaj gazetarëve dhe informimit shqiptar” dhe shprehej zotimi se “edhe në këto kushte të rënda do të vazhdojnë misionin”…

Kujtoj sot se kur më dërguan me pranga policia serbe, në Gjykatë pash se në mbështetje për lirimin tim bashkë me avokatin e veprimtarin për të drejtat e liritë njerëzore Bajram Kelmendi, të cilin me dy bijtë e tij në mars 1999 në Prishtinë  forcat serbe i rrëmbyn në shtëpi dhe i ekzekutuan, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar Azem Shkreli. I kujtoj edhe sot e gjithmonë me shumë vlerësim e respekt…

Me datë 18 Janar 1991,  në Prishtinë nisi të dalë gazeta e përditshme “Bujku”, kryeredaktori i parë-themelues i së cilës isha,  e cila ishte gazetë e rezistencës, pjesë e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik, të cilën me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, e nxorëm gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja të ndaluar nga Serbia okupatore. “Bujku” ishte gazeta që sfidonte ndalimin e të vetmes së përditshme shqipe në Kosovë…

Brenda 45 viteve, nga  viti 1945 deri në 1990, në Trepçë janë prodhuar gjithësej 10.710 kg ari i pastërtisë së lartë. Mesatarja ishte 238 kg ari për një vit, sipas të dhënave të ekspertëve, njohësve të gjigandit ekonomik të Kosovës. Edhe 113 tonë argjend të pastër brenda një viti është një nga të dhënat e prodhimit në Trepçë në atë kohë.

Trepça, pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari, ka pasur mëse 22 mijë punëtorë deri në vitin 1990, kur administrata e dhunshme e instaluar nga Beogradi dëboi shqiptarët nga puna.

Përfundimi i luftës në Qershorin 1999 Trepçën e gjeti me shkatërrime të mëdha nga shfrytëzimi kolonial dhe në Kosovën e lirë nisën përpjekjet për rimëkëmbje…

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Minatorëve të cilët nuk janë më në jetë – LAVDI E PAVDEKSHME!
    Minatorëve të cilët jane në jetë, u dëshiroj shëndet të plotë…
    Minatorëve të cilët janë në punë në “TREPÇË” – suksese në punë…

    respekt,
    Ismet M. Hasani, Suedi

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu