ARKIVI:
7 Mars 2026

Nga kodrat e Novobrdës (Bardhi i Ri), deri në zemrën e Gjilanit

Shkrime relevante

I forti dhe i ligu në shoqëri dhe servili në detyrë

Nga Safet Sadiku _____ Në shoqëritë ku administrata shtetërore është e dobët, ku...

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Shpërndaj

Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan

Ese kulturore

Shpesh më ka ndodhur të dëgjoj fjalë të mira për gjilanasit nga njerëz që vijnë prej viseve të ndryshme të Kosovës e më gjerë. “Ju të Gjilanit jeni të mirë, të sjellshëm, të kulturuar”, më kanë thënë shumë herë me admirim. Besoj që edhe shumëkuj tjetër nga kjo anë u ka rastis të marrin komplimente të ngjashme.

Një kolege nga Prishtina e ardhur për herë të parë në Gjilan si e angazhuar në Universitetin e Gjilanit në kontakt me studentët dhe me qytetarët gjilanas, kishte krijuar bindjen që gjilanasit janë njerzë të urtë, shumë miqësorë dhe me një kulturë të veçantë. Një ditë nga kurreshtja më pati pyetur me një buzëqeshje të çiltër:

“Koleg, jam kurreshtare ta dijë, prej nga e ka prejardhjen kjo kulturë e veçantë e gjilanasve? Jeni ndryshe nga shumë të tjerë.”

Në atë çast nuk pata një përgjigje të prerë. I thashë: “Më jep pak kohë të mendoj.” Dhe ashtu ndodhi – kur mbeta vetëm në zyrë, fillova të kërkoj brenda vetes burimin e kësaj kulture, të kësaj butësie që njerëzit e ndiejnë tek ne.

Mendja më shkoi menjëherë te Nova Bardës (Bardhi i Ri) , qyteti i lashtë që ndodhet vetëm pesëmbëdhjetë kilometra larg Gjilanit. Historia thotë se kur Londra ishte ende një fshat, Novo Berda kishte jetë qytetare, tregti, artizanat e pasuri kulturore. Në atë kohë, zhurma e argjendarëve dhe e zejtarëve përzihej me tingujt e kambanave dhe zërat e tregtarëve që vinin nga gjithë Ballkani.

Nga ato kodra të mbushura me jetë e dije, njerëzit me kohë zbritën në rrafshin e Anamoravës – aty ku sot shtrihet Gjilani. E bashkë me ta, zbriti edhe kultura, mjeshtëria dhe shpirti qytetar i gjilanasve.

Trashëgimia e sjelljes dhe e fjalës së mirë

Kultura e gjilanasve nuk është thjesht një zakon apo një mënyrë sjelljeje – është një trashëgimi që jeton në fjalë, në përshëndetje, në mikpritje.

Në Gjilan, njerëzit e kanë për zakon të ndalojnë për një “mirëdita” të ngrohtë, të pyesin me kujdes “si je?”, e ta bëjnë bisedën një çast miqësor. Ky komunikim i butë nuk është formalitet – është pjesë e natyrshme e shpirtit gjilanas.

Në shtëpitë gjilanase, mysafiri është bekim. Tryeza e bukës shtrohet me bujari, e çdo gotë ujë, kafe apo rakie shoqërohet me buzëqeshje e fjalë të mira. “T’bëftë mirë!” – thonë gjithmonë me zë të butë, që të vie si një uratë.

Gjilani – ura e kulturave

Pozita gjeografike e Gjilanit ka bërë që ai të jetë gjithmonë një urë lidhëse midis Shkupit, Preshevës, Vranjës e Kosovës qendrore.

Nga kjo përzierje kanë ardhur gjuha e pasur, eleganca në komunikim, dashuria për muzikën dhe humorin.

Gjilani është qyteti i këngës së ëmbël – të kënduarit në oda, në dasma e tubime shoqërore ka qenë gjithmonë një shprehje e gëzimit dhe e respektit për jetën. Edhe sot, gjilanasit njihen për humorin e hollë, për atë mënyrë të veçantë të bërjes shaka pa e lënduar askënd, për zgjuarsinë në fjalë e në mendim.

Trashëgimia e punës dhe arsimit

Një tjetër shtyllë e kulturës gjilanase është dashuria për punën dhe për dijen.

Qysh herët, në këtë anë janë çmuar zanatet, mjeshtëria dhe përpjekja e ndershme. Nga zejtarët e vjetër te mësuesit e parë, nga arsimtarët dhe profesorët që hapën shkollat e para shqipe deri te intelektualët e sotëm që hapen Shkolla të larta e Fakultete deri në Univeritet, Gjilani ka ruajtur një traditë qytetarie e përkushtimi ndaj arsimit, duke qenë të hapur dhe mirëpritur nxënës, studentë dhe kuadro nga rajoni dhe e gjithë hapësira shqiptare.

Ndoshta kjo është arsyeja pse edhe sot, gjilanasit njihen si njerëz të qetë, punëtorë, të arsyeshëm e të urtë – të lidhur fort me tokën e tyre, por gjithmonë me sy nga dijet dhe përparimi.

Një qytet që di të dojë

Në thelb, kultura e Gjilanit është kultura e dashurisë – dashuri për tjetrin, për familjen, për punën dhe për vendlindjen.

Kjo ndjenjë e thellë e njerëzores e bën qytetin të ngrohtë dhe njerëzit të afërt. Ndoshta kjo është ajo që ndjejnë të tjerët kur thonë: “Gjilanasit janë të mirë.”

Sepse, në të vërtetë, mirësia është pjesë e identitetit të këtij vendi – e trashëguar prej shekujsh, nga kodrat e Nova Bardës (Bardhi i Ri) e deri në çdo rrugicë të Gjilanit të sotëm.

Përfundim

Kështu e kuptova më në fund përgjigjen për profesoreshën nga Prishtina:

Kultura e gjilanasve nuk vjen nga një burim i vetëm – ajo është bashkimi i historisë, i përvojës dhe i shpirtit të njerëzve.

Është një përzierje e qytetarisë së lashtë, e mikpritjes shqiptare dhe e butësisë që vetëm vendet e shenjta dinë ta ruajnë në zemrën e tyre.

Prandaj, sa herë që dikush thotë: “Ju të Gjilanit jeni të mirë”, unë buzëqesh me mirënjohje. Sepse di se nuk flasin vetëm për ne – flasin për trashëgiminë e një qyteti që e ka bërë kulturën mënyrë jetese.

Megjithatë, kjo kulturë e butësisë dhe qytetarisë që e karakterizon njeriun gjilanas, fatkeqësisht, jo gjithmonë është vlerësuar si duhet. Ka raste kur mirësia e gjilanasve është keqkuptuar si dobësi, e njerëz të pakujdesshëm, madje edhe në pozita përgjegjëse në nivel qendror, e kanë shfrytëzuar këtë për të anashkaluar Gjilanin dhe Anamoravën – qoftë në investime, zhvillim apo përfaqësim institucional.

Shpesh, njerëzit e kulturës e të ndershmërisë nuk janë përfshirë sa duhet në vendimmarrje, megjithëse do ta kishin kryer çdo detyrë me përkushtim dhe përgjegjësi qytetare.

E megjithatë, kjo nuk e zbeh shpirtin gjilanas. Përkundrazi, e bën atë më të qëndrueshëm. Sepse vlera e vërtetë nuk matet me privilegje, por me dinjitetin që ruan njeriu përballë padrejtësisë.

Dhe gjilanasit, me kulturën e tyre të lashtë e me urtësinë që u vjen nga shekujt, vazhdojnë të jenë shembull i qytetarisë shqiptare – të butë në fjalë, por të fortë në shpirt.

***

Profesori i njohur i historisë së mesjetës, Dr. Jahja Drançolli në shkrimet e tij historike tregon për ndikimin e madh kulturor, diplomatik dhe atdhetar të njerëzve nga Nova Barda (Bardhi i Ri), duke nisur nga biografi i Gjergj Kastriotit Skenderbeut, Martin Segoni, që ka doktoruar në Universitetin e Padovës, në vitin 1473, pas vdelkjes së Skenderbeut.

Ai ka shkruar shumë vepra, ndër të cilat edhe atë për itinerarin nga mund të vinin pushtuesit osman.

Ai ishte me origjinë nga Nouo Barda (Bardhi i Ri).

Ndërkaq, Pjetër Spani ka qenë kefali, koka e qytetit, duka apo princi i Nouvo Bardes. Familja e tij ka pasur ndikim në organizimin e Kuvendit të Lezhës. Sipas historianit Jahja Drançolli Nova Barda (Bardhi i Ri) ka pasur shumë priftërinj që ishin me kontribute të mëdha për vendin.

Mihali i Ostrovicës, shkrimtar, po ashtu ka shkruar librin Kronika, në të cilin 4o për qind të tij ia kushton Gjergj Kastriotit.

Ai pas rënies së Nova Barda-es (Bardhi i Ri) në vitin 1455 nga mizoritë e Sulltan Mehmetit- Fatihut të dytë, në betejën e ashpër që ka zgjatur pothuaj dy muaj ditë nga maji deri në qershor, (shumë më shumë se Konstantinopoja), e ka marrë botën në sy, ku sipas profesorit Drançolli, mendohet se ka vdekur kah Polonia apo Cekia.

Ps!

  • Historiani i mesjetës Jahja Drançolli thekson se në bazë të fakteve historike dhe hartografisë, qyteti është quajtur Nova Barda (Bardhi i Ri), e jo Novo Brdo apo Artana.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu