ARKIVI:
7 Mars 2026

Nga mërgimi, në luftën e UÇK-së

Shkrime relevante

Gjithçka është si më parë, dhe gjithçka është ndryshe për shkak të një letre…

Aurel Dasareti  Ditën kur unë Aurel Dasareti (arbër-shqiptar) nuk do të shkruaj më...

Trekëndëshi i gabimeve dhe bllokada e shtetit

Zeqir Bekolli, Drenas Kushtetuta e Kosovës është ndërtuar mbi parimin e kompromisit....

Parandalimi i një masakre të radhës në Istog, sipas Isntitutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike

Isa Mulaj, Istog Parandalohet Masakra e Radhës e Policisë së LDK-UDB-KGB-së në...

Shpërndaj

Pas disa ditë përgatitje për të shkuar në Kosovë, më 1 qershorë 1998, jemi nisur nga Zvicra për në Kosovë, unë Metush Zenuni –Friburg dhe Sadik Halitjaha e Reshat Salihaj –Sion – Zvicër, që të tre veprimtarë të LPK-së. Nga Sioni kemi ardhur në Friburg ku jam peërshëndetur me familjen time dhe në mbrëmje kemi shkuar te banesa e Ali Ahmetit në Luzern, ku i pranishëm ishte edhe Fazli Veliu. Pasi hëngrëm darkë jemi nisur për kufirin Zvicër – Itali dhe kemi bujtur një natë te veprimtari i LPK-së Islam Vishi dhe u nisëm për Itali. Meqë nuk më kishin rregulluar dokumentet siç ishim marrë vesh, kufirin Zvicër – Itali e kalova ilegalisht me ndihmën e Islam Vishit dhe gruas së tij. Me këtë rast më duhet të potencojë se kontributi i familjes Vishi, e cila për shkak se banonte mu në kufi mes Italisë dhe Zvicrës, gjatë luftës kanë pasur një barrë të rëndë duke u bërë urë kaluese e luftëtarëve që shkonin e vinin nga lufta, e logjistikës dhe armatimit, por edhe e lidhjeve të tjera në shërbim të luftës. Në banesën e tyre nuk kalonte natë as ditë e të mos vinte ndonjë luftëtarë apo veprimtarë i LPK- UÇK-së dhe ata kujdeseshin për ushqimin e tyre, pastrimin, veshëmbathjen e mbi të gjitha, për kalimin ilegal në dy anët e kufirit. Abazi më tha se në ANCONË, në Itali janë shokët që ju presin dhe atje të pajisin me pasaportë. Më 2 qershor 1998, nga Como Ciaso, morëm trenin që qonte në Milano e prej andej dikund në ora 10.00 të mengjesit u nisëm për Anconë. Me të shkuar në Anconë, dolëm në qytet dhe u futëm në disa restaurante aty afër portit duke shpresuar se do të takojmë ndonjë shok të organizuar edhe pse asnjë emër nuk na e kishin dhënë as Abazi e as Islam Vishi, vetëm se na kishin thënë që në port ju presin shokët. Të kota ishin përpjekjet tona për të parë dikend nga LPK-ja dhe ky mashtrim apo pa përgjegjësi organizative më dëshproi shumë. Sadiku e Reshati i nxorën biletat për Durrës ndërsa mua që nuk kisha pasaportë nuk më dhanë biletë. Nuk kisha zgjidhje tjetër pos të kthehem prapë në Zvicër, bile edhe të kthehesha ishte e vështirë, sepse edhe hyrja në Zvicër tani ishte problem. Megjithate inati dhe dëshira për të shkuar në luftë nuk më lanë të kthehem prapa. Shkuam prapë në një kafe aty afër dhe po e bisedojmë hallin tim.
Ndërkohë për fatin tim, Sadik Halitjaha tha se në pasaportë e kishte vajzën e tij dhe po e provojmë të nxjerrim një biletë në emër të saj e ndoshta na lëshojnë. Shkuam te sporteli dhe e kam nxjerrur biletën në emër të vajzës së Sadik Halitjahës. Pasi e nxorëm biletën edhe pse me shumë peripeci arrita të futem në anije dhe jemi nisur po atë natë për Shqipëri. Në portin e Durrësit mbërritëm të nesërmen në ora 10.00. Edhe aty pata vështirësi, por meqë u thash se po shkoj për luftë më lëshuan. Në port na ka pritur eprori ushtarak i Shqipërisë me prejardhje nga Kosova Gjeneral Remzi Demaj, që e njihte Sadiku. Atë natë kemi fjetur tek ai në Tiranë. Të nesërmen jemi takuar me Azem Sylën, me Bardhyl Mahmutin, me Shaip Mujën, me Shefit Xhaferin dhe me shumë shokë të LPK-së. Në takimin e rastësishëm me Bardhyl Mahmutin, ai kërkoi nga unë dhe Reshati që të mos shkojmë në Kosovë, sepse atje ka aq shumë të interesuar për luftë saqë nuk po jemi në gjendjë tu japim armë, ndërsa punën tuaj në LPK e në Fondin ,,Vendlindja Therret“ dhe në propagandimin e vijës politike e ushtarake të UÇK-së nuk mund ta bëjë gjithkush. Megjithë këtë propozim dashamirës të Bardhylit, ne kishim ndarë mendjen që të shkojmë në Kosovë dhe nuk kishte askush që do të mund të na ndalte.
Poashtu atë ditë pasidte rastësisht jemi takuar në qytet me tre bashkëvendas nga Kaçaniku, Bajram Selmanin, Naser Kukën dhe Esed Malsiun. Nuk i kisha parë shumë vite dhe u gëzova shumë, e njëkohësisht mendova se edhe këta janë duke shkuar në Kosovë dhe ishte një shancë e mirë që grupi ynë të bëhëj më i fuqishëm. Esedi më njoftoi se ka qenë disa ditë në Kosovë, por meqë nuk ka pasur njohuri dhe lidhje me UÇK-në, edhe pse ishte takuar me Berat Luzhën, nuk ka mundur të marrë kontakt me Agimin dhe me njerëz të UÇK-së në Kaçanik. Në mbrëmje vonë jemi takuar edhe një herë me dajën Azem Syla, dhe jemi marrë vesh që të nisemi të nesërmen bashkë për Vlahnë në kufi me Kosovën. Pasi Azem Syla kishte pasur shumë ngarkesa është bërë një gabim siç ishim marrë vesh dhe nga Rësheni ne jemi kthyer përsëri në Tiranë. Në mbrëmje jemi takuar përsëri me Azem Sylën dhe jemi marrë vesh që të nesërmen të nisemi për Vlahnë. Bashkë me Azem Sylën, Milaim Zekën dhe Raif Gashin kemi shkuar deri në Vlahnë( ekziston edhe inqizimi me video që është te emisioni për Adem Jasharin). Atë natë nga Vlahna hynin në Kosovë një grup prej 64 ushtarësh dhe ne ju kemi bashkangjitur atij grupi. Natën mes datave 07 dhe 08 qershor 1998 ne jemi futur në Kosovë. Pasi kemi kaluar kufirin udhëheqësit që e dinin terrenin mirë, Haxhi Hoti – Lleshi, tani dëshmorë dhe Qenë Qenaj, poashtu tani deshmorë, na thënë se mund të ulemi të pushojmë pak, sepse kemi kaluar rrezikun nga forcat ushtarake serbe. Ishim të lodhur shumë dhe kishim shumë nevojë për një pushim të shkurtër.
Gjatë rrugëtimit shumica e ushtarëve që vinin nga Kosova ishin të pa pajisur me mjete përcjellëse dhe unë që kisha një matare me ujë për rrugë, duke shpresuar se do të gjejmë dikund ndonjë burim uji, iua dhashë shokëve që kishin etje dhe vetë mbeta pa asnjë pikë ujë në malet e Hasit të thatë. Sapo u ulëm për të pushuar, i them Sadik Halitjahës që të më jap pakëz ujë, sepse më është hargjuar uji im. Ai ma zgjati mataren me ujë që e piva vetëm pak për ta ruajtur për udhëtimin në vazhdim.
Pak më anash meje ishte i ulur Haxhi Hoti, që atëherë nuk e njihja me emër, por e dija që është njëri nga udhëheqësit tanë dhe se e njihte mirë terrenin e Hasit, pasi ishte nga ajo anë. Dikush iu afrua afër dhe i tha se kali që e kishim të ngarkuar me një top të kalibrit të vogël, është lodhur dhe nuk po e kalon rrugën. Haxhiu menjëherë brofi nga vendi dhe u nis në drejtim të kalit. Nuk kanë shkuar as 5 minuta dhe është ndier një rafall automatiku, pastaj disa të shtëna në të dyja anët, pastaj disa raketa ndriquese e bënë natën ditë dhe filloi një luftë e tmerrshme. Ne ishim të gjithë të ulur duke pushuar, të lodhur dhe shumica nuk e dinim terrenin. Në ato kushte ishte e pamundur të krijojë vija frontale të luftës, por edhe të gjuaje kot, nuk shihej asgjë dhe lehtë kemi mundur të vrisnim njëri-tjetrin. U krijua një pështjellim i madh, secili mundohej të mbrohej në formën e vetë, ndërsa gryka e gulinovit të tankut serb që na kishte hypur përmbi villte zjarr, degët e lisave të prerë nga plumbat dhe predhat serbe na binin mbi kokë, plumbat vinin nga të gjitha anët dhe as nuk i shihnim. Në atë gjendje e di se për një çast deri sa po tërhiqeshim, kam mbetur i vetëm në malet e Pashtrikut, në malet e Hasit të thatë, ku kishte shumë gurë dhe bjeshkë të rrëpita. Ashtu i humbur në pyll, i vetëm dhe pa ditur se ka të shkojë, u nisa teposhtë bjeshkës ku nuk shihej asgjë, ndërsa largë, shiheshin dritat e rrafshit të Kosovës, si shenjë se megjithatë drita shihej në fund të tunelit.
Pas pak ndëgjova një shushurimë dhe për një çast ndala edhe frymëmarrjen për të nuhatur më mirë nëse ka njerëz aty afër. Ishte shumë e lehtë që në këtë situatë të shkojë drejtë e në gojë të armikut, prandaj mbaja kallashnikovin në gjendje gatishmërie për të gjuajtur nëse ndeshem me armikun, ndërsa një plumb e kisha futur në xhep të jelekut që nëse më hargjohen plumbat, plumbin e fundit ta ruaj për të vrarë veten, por jo kurrë për të ra i gjallë në dorë të armikut.
Pasi bëra disa metra vrap, duke shikuar me kujdes në të gjitha anët, pashë se para meje janë katër ushtar të UÇK-së, por nuk e dija se cilët janë. Më shumë isha i shqetësuar për kusheririn Reshatin dhe shokun Sadik Halitjaha me të cilët kishim ardhur nga Zvicra. Iu afrova këtij grupi afër dhe duke pëshpëritur e pyeta cili je, kur për çudi njeriu që e kisha për ballë më tha se është Reshati dhe se bashkë me ta është edhe njëri nga udhëheqësit e grupit Qenë Qenaj të cilët e dinin rrugën mirë. Ushtar tjerë nuk shihja askund, sepse gjatë luftimeve secili ishte shpërndarë në drejtime të ndryshme.
Isha i lodhur, ngase kishim ngarkesë të madhe në shpinë, i etur për ujë por edhe i shqetësuar për atë që ndodhi. Udhëheqësit kishin vetëm nga një skorpion dhe ata pasi e dinin terrenin ishin më të përgatitur. Unë i lusja që të pushojmë pak, por ata thonin gjithnjë se jemi shumë afër cakut dhe atje do të pushojmë. Kështu bëmë disa orë rrugë derisa arritëm mbi fshatin Demjan. Nga kodrat ndëgjohej një gurgullimë uji e një burimi që ishte afër. Duke vrapuar kemi shkuar të gjithë tek burimi dhe meqë ishim të etur për ujë, futëm kokën si në filma kauboj dhe pimë ujë më shumë se lejohej në këto raste, sepse ishim aq të lodhur dhe pirja e tepërt e ujit në raste të tilla është i rrezikshëm. Nga uji i tepërt fillova të humb forcën dhe nuk mundja të eci më tutje. Për fat shtëpia ku do të shkonim nuk ishte larg dhe me shumë mund arritëm deri te dyert e një shtëpie të rrethuar me mure të larta, që më vonë mora vesh se ishte shtëpia e Ibrahim Qarrit nga fshati Demjan i Gjakovës.
Sapo hapëm dyert e oborrit u shtrimë me të shpejtë në oborr për të pushuar, sepse ishim shumë të lodhur. Pas pak doli Ibrahimi dhe na futi në shtëpinë e tij ku pushuam deri në mëngjes. Herëpasëhere vinin grupe shokësh siç kishin mundur të takoheshin në mal dhe çdo ardhje na gëzonte se edhe një shok çenka gjallë. I fundit atë ditë erdhi Faruk ( Fahredin) Gashi nga Shtimja ( i njohur pas luftës në rastin Bllaca dhe Syla), icili kishte ardhur me ne nga Tirana me porosi të Azem Sylës, duke e prezentuar si shok i yni shumë i rëndësishëm(!). Faruki te shtëpia e Ibrahim Qarrit erdhi dikund dy tri orë me vonesë. Kjo na bëri përshtypje të gjithëve dhe kur e pyetëm se pse ishte vonuar aq shumë, ai tha “kur ka krisë lufta, unë kam dashur të fshihem pas një guri, dhe i kam mshu gurit me krye dhe më ka rënë të fikët( nuk kishe asnjë plagë)! Pasi ka zbardhur dita vazhdoi Faruki, jam zgjuar nga kllapa dhe e kam parë se jam vetëm. U zgjova ngadalë nga dhimbja dhe u nisa teposhtë malit pa e ditur se ku më qon rruga, meqë nuk e nhihja terrenin. Pasi eca pak metra, si në mjegull më vinte një njeri me uniformë dhe unë mendoja se është ndonjë shok i yni, por kur u afruam afër dhe unë e pyeta ku janë shokët, ai ma ktheu në serbisht ,,ne znam nishta“ dhe iku përpjetë malit, e unë ika teposhtë pa i thënë asnjë fjalë( çudi!). Kur jemi nisur nga Vlahna, Faruku me vete e kishte një armë SCORPION, që mund ti shërbente sëpaku për vetëmbrojtje, ndërsa ,,ushtari serb“ sado që mund të ketë qenë i hutuar nga lufta, ai sëpaku do ta këtë pasur një revole me vete. Ky arsyetim i Fahredinit dukej i dyshimtë, por meqë nga Tirana na e kishte dhënë Komandanti Azem Syla, nuk më lejonte të futem në dyshime më të thella, por as nuk më lente të qetë si rast i çuditshëm. Këtë dilemë e kam shoshitur nëpër kokë që nga qershori 1998 e deri në vitin 2010, kur filloi rasti Bllaca, Syla e bashkë me te ishte edhe Faruk (Fahredin) Gashi, dhe kjo më riktheu në qershor 1998, te ky rast i Faruk Fahredin Gashit të Shtimes. Meqë ishim nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe nuk e njihnim njëri – tjetrin, u morëm vesh të shikojmë se sa ushtar mungojnë. Nga shokët e Hasit morëm vesh se në luftime është vrarë njëri nga udhëheqësit, Haxhi Hoti – Komandant LLESHI nga Rugova e Hasit të Gjakovës, dhe se kufoma e tij nuk ka mundur të tërhiqet. Dhimbja për te ishte e madhe, por ishim në kohë lufte dhe këto gjëra dihej se mund të ndodhnin. Lajmin për rënien në pritë e kishte kumtuar tek shokët e LPK-së në Tiranë dhe në Zvicër, Azem Syla i cili e kishte ditur mirë që në atë grup ishim edhe tre veprimtar të LPK-së, Sadik Halitjaha, Reshat Salihaj dhe Metush Zenuni.
-Nxjerrë nga libri im në dorëshkrim „ Për Lirinë e Atdheut“, i cili do të botohet sëshpejti!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu