Në çdo trung familjar shqiptar ekziston një rrëfim që nuk shkruhet në libra, por bartet me zë të ulët, prej goje në vesh, nga një brez në tjetrin – si një kujtesë që dhemb, por nuk mund të harrohet. Ky është rrëfimi im. Një rrëfim që nuk fillon me mua, por me një emër që sot e mbaj si mbiemër: Nika.
Mbi këtë tokë që sot e shkelim pa shumë zhurmë, dikur u derdh gjaku i një burri që nuk pranoi të nëpërkëmbte besimin e vet, as të shkelte mbi gjakun e të parëve. Nika, i fisit tim, jetoi në një kohë kur sundimi osman mbi shqiptarët nuk ishte vetëm politik, por i thellë, i errët dhe shumë brutal. Ishin kohë kur bindja fetare barazohej me bindje politike, dhe ndryshimi i fesë nën presion kishte filluar të bëhej i natyrshëm. Ishin kohë kur të papërkulurit vriteshin – jo për atë që kishin bërë, por për atë që refuzonin të bënin: konvertimin në Islam.
Sipas gojëdhënave të ruajtura me fanatizëm në familjen tonë, të treguara nga njerëz të urtë e të moshuar, Nika u masakrua pikërisht ditën e Kurban Bajramit nga forcat osmane – jo për ndonjë krim a rebelim, por sepse refuzoi të konvertohej në fenë islame. Ai e mbrojti fenë e të parëve me çmimin më të lartë – jetën.
Ajo që e bën këtë rrëfim edhe më të dhimbshëm është fakti se, sipas rrëfimeve, urdhrin për vrasjen e Nikës e zbatuan shqiptarë të fshatit – shqipfolës që, nën frikë ose nën dorën e përfitimit, u bënë vegla të pushtuesit. E therën Nikën si kurban – në ditën e kurbanit – duke e bërë shembull për të tjerët që mund të mendonin të qëndronin besnikë ndaj besimit të krishterë.
Por mizoria nuk përfundoi me vdekjen. Sistemi vendosi që Nika të mbetej pa varr, pa një gur që të mbante emrin e tij, pa një vend ku të qante familja e tij. Ai nuk duhej të kujtohej. Ai duhej të zhdukej nga kujtesa.
Tragjedia vazhdoi edhe më tej. Thuhet se djali i tij, i quajtur Mark, nuk pati forcë të qëndronte si i ati. Marku u bë Mehmet.
Ai pranoi të ndërrojë fe, ndoshta për të mbijetuar, ndoshta nga frika, ndoshta nga dëshira për të ruajtur çfarë kishte mbetur nga familja. Në vendin ku dikur ishte streha e tij, sot mbetet vetëm një kujtesë e heshtur: “Livadhi i Markajve”. Një copë tokë, e quajtur me emrin e atij që pranoi harresën si rrugë shpëtimi dhe e atij që u përkul para atyre që ia kishin vrarë të atin.
Por unë nuk jam Marku.
Unë jam i biri i këtij gjaku.
Jam frymë e rrënjëve që deshën të zhdukeshin, por mbijetuan.
Jam ai që, pas shumë brezash, vendosa të rikthehem në besimin e Nikës.
Jo për inat të askujt, por sepse ndjej detyrë ndaj atij që vdiq për të mos u bërë rob i besës së rreme.
Në një botë ku shumica harrojnë rrënjët për të ecur më lehtë, unë zgjodha të shikoj pas – për të kuptuar se kush jam, pse jam dhe kujt i përkas.
Dhe nuk u ndala vetëm te besimi. Vendosa që emrin e tij – Nika – ta bëj mbiemrin tim dhe të familjes time.
Jo si një dekor simbolik, por si një betim të gjallë.
Sepse në një botë ku çdo gjë po zbehet, emri i Nikës duhet të rrijë i gjallë, i prerë, i paepur – siç ishte ai vetë.
Ai nuk ka varr. Por më ka mua.
Unë jam mbishkrimi që s’e pati kurrë mbi gur.
Jam lutja që askush nuk ia lexoi në ditën kur u masakrua.
Jam zemra që mban brenda britmën që nuk iu dëgjua.
Dhe më shumë se kaq – jam zëri që i thërret të tjerët të mos harrojnë.
Jam loti që të shikon thellë në shpirt dhe pret që ta kuptosh këtë dhimbje – dhe lotin, së bashku, ta shndërrojmë në udhërrëfyes.
Sot, rrëfimi i Nikës nuk është më vetëm një histori gojëdhënash.
Është pjesë e mishit tim, e ndërgjegjes sime, e të vërtetës që zgjedh të jetoj.
Dhe pas meje, pres që të më bashkohen shumë të tjerë – sepse gjaku nuk bëhet ujë.
Dhe sepse kur dikush jep jetën për besimin dhe dinjitetin e vet, ne që vijmë pas jemi të thirrur të mos e lëmë të vdesë së dyti – në harresë.
Me sinqeritet maksimal,
Blerim Nika
06.06.2025




Historia e Nikes eshte shume e dhimbshme…histori qe e perjetuan shumica e shqiptareve gjate kohes se pushtimit osman.
Shkrimi i Blerim Nikes me pelqeu shumë, sidomos ajo thenja e tij qe ” jo per inat te askujt, por sepse ndjej detyre ndaj atij qe vdiq per te mos u bere rob i beses se rreme”.
Keshtu si Blerimi do te duhej te ishin te gjithe ata shqiptarë qe kthehen ne fene e te pareve. Rikthimi te mos behet per inat te askujt. Feja eshte personale dhe eshte e drejte e secilit qe ta zgjedhe vet me deshirë.
Pergezoj z. Nika per kete shkrim korrekt qe pa ofenduar askend tregon historinë e tij te rikthimit ne fenë e te pareve.