
Miq, shokë e bashkatdhetarë,
Kam nderin që të ju njoftoj me një mikun e vëllaun tim, Lulzim Brahja, një atdhetar të madh, një demokrat e një shqiptar që shumë e don Kosovën dhe mbi të gjitha me një njeri i cili kurrë nuk u ndal së ndihmuari Kosovën, Shqipërinë ,Trojet etnike, familje e individ shqiptarë në të gjitha mënyrat e mundshme.
Redaktori, publicisti, demokrati, patrioti e gazetari i mirënjohur Dukagjin Hata në fillim të viteve ’90, kur punonte si redaktor në gazetën “Rilindja Demokratike” e kujton më së miri Lulzimin si njeri, humanist, patriot, demokrat e veprimtar të gjithanshëm për çështjen kombëtare.

Midis shumë miqve të mirë e të pashlyeshëm në kujtesë, thotë z. Hata, kam njohur dhe Lulzim Brahjen, nga Sauku, bir i një familjeje të madhe historike, me kontribute atdhetare e religjioze. Lulzimi ishte dhe mbeti një demokrat me shpirt të pastër e të dëlirë, një veprimtar i përkushtuar shoqëror, një individ me vlera morale, etike e humane.
Aty nga fillimi i vitit 1995, përkujton z. Hata, unë botova një shkrim të gjatë në gazetën “RD”, ku flisja për meritat e familjes tiranase Brahja dhe veçanërisht për një nga shtyllat e kësaj dere, Selim Brahjen, ish imam i Tiranës, ekzekutuar nga bandat komuniste te dera e xhamisë, para se ata të pushtonin legalisht Shqipërinë, në fund-nëntorin ‘44.
“Selim Brahja ishte dhe mbeti një ikonë e lirisë së besimit, një qëndrestar i orëve të para kundër sllavizmit enverist të Tiranës, që e pagoi me jetë çmimin e lirisë së ndërgjegjes e të besimit. Vrasja e tij mizore nga bandat e kuqe do të ishte prolog i një historie të trishtë gjysmëshekullore, fillimi i terrorit komunist dhe i luftës civile midis shqiptarëve” – shkruan z. Hata.

Kusht është Lulzim Brahja
Lulizmi është një pasardhës i denjë i familjes së shquar Brahja, një familje me tradita patriotike dhe me emër në historinë e Tiranës.
Ramazan Brahja, stërgjyshi i tij është dekoruar me medaljen “Patriot i Pavarërsisë”.
Gjyshi i Lulit, Selim Brahja, ishte njëri nga pjesëtarët e Komitetit të ngritjes së flamurit të Pavarësisë. Themelues i shkollës së parë shqipe, në Sauk, në 1916-ën.
Anëtar i Komitetit për Ngritjen e Flamurit në Tiranë, më 26 nëntor 1912. Selimi arrestohet dhe burgoset nga xhandarmëria fashiste në mars të vitit 1940. Ishte delegat i Tiranës në Konferencën e Mukjes dhe luftoi me armë e dituri kundër fashizmit dhe të huajve.
Pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie atdhetare, u vu në shënjestër të të kuqve dhe u pushkatua nga komunistët në gusht 1943, në pragun e xhamisë së tij, në Sauk të Tiranës.
Emrin e martirit të fesë dhe të lirisë, Selim Brahja e mban rruga kryesore e Saukut dhe sot nderohet e rrethohet me respekt nga të gjithë, të persekutuar e jo të persekutuar, nga pinjollët e brezit më të ri të derës Brahja, që shohin tek stërgjyshi i tyre një model rezistence ndaj të keqes, në emër të një sistemi vlerash dhe meritash që vijnë nga historia dhe shkojnë drejt analeve të historisë.
Isufi, babai i Lulzimit është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” si dhe me dekorata të tjera. Ish pjesëmarrës në Luftën Antifashiste, në Shqipëri dhe Jugosllavi, ai kontribuoi me armë në dorë për liri e demokraci, të cilat, për fatin e tij të keq dhe të gjithë idealistëve si ai, u uzurpuan dhe u kthyen në xhungël të përgjakur nga klika bolshevike eTiranës.

I biri, Lulzimi i ka të shtrenjta mesazhet e të parëve të tij, luftën e stërgjyshit, martirizmin e gjyshit, idealizmin e babait, gjithë meritat e familjes së tij, që i ruan e i pasuron me veprat që i ka ndërtuar vetë, me dije dhe punën e tij të palodhshme në jetë.

Kontributet e tij në kohën e tranzicionit të gjatë demokratik kanë lënë gjurmë të dukshme.
Mjafton të kujtojmë:
– sponsorizimet e tre rrugëve kryesore të Saukut,
– sponsorizimet e autorëve të librave dhe shoqatave,
– strehimin në shtëpinë e tij dhe financimin me të ardhurat personale të nëntë familjeve kosovare, 37 persona, në prill-korrik 1999, gjatë eksodit biblik të shqiptarëve të Kosovës, të ndjekur këmba këmbës nga bisha serbe…
– evidentohet ndihma e tij për fëmijët jetimë,
– ndihmat që ka dhënë me rastin e fatkeqësisë natyrore në Shkodër,
– sponsorizimet për shoqatën “Tirana”, si dhe për të përndjekurit politikë.
Në krye të revoltave
Ato ditë furtune politike, kur zemërimi popullor u derdh kundër bustit të diktatorit, Lulzimi ishte aty në mes të sheshit, i etur për ta parë sheshin e Tiranës pa hijen e kobshme të Polpotit shqiptar. Dhe kjo nuk ishte një rastësi, por vetëdija nacionaliste e të parëve të tij që e thërriste, duke bërë që ai të vihej në krye të revoltave mbarëpopullore të komunës së Saukut e në të gjithë Tiranën.

Që në fillim të viteve ’90, ai ishte në mbështetje të lëvizjeve studentore, pjesë e asaj llave që ziente nga brenda dhe që do të derdhej rrugëve e shesheve të lirisë, për të përmbysur një epokë mashtrimi e dyzimi gjysmëshekullor.
Në Sauk, por dhe më gjerë, në Tiranë dhe në rrethinat e saj, të flasin me respekt e mirënjohje për këtë bir të tyre (jo vetëm të familjes fisnike Brahja), pasi Luli është i njohur dhe i gjendshëm ndaj të gjithëve, iu vjen në ndihmë nevojtarëve dhe nuk i vështron njerëzit me lente politike, po me sy dashurie e mirësie.
Është ky shpirt i ndjeshëm dhe human që e ka çuar Lulin drejt një përvoje të re, por mbresëlënëse në gjirin e shoqërisë civile.
Lulzimi është një nga drejtuesit dhe sponsorët e një organizate të fuqishme për të drejtat e njeriut me qendër në Gjermani (IGFM), ku ka financuar shumë projekte që kanë synuar integrimin dhe përfshirjen në startin ekonomik dhe social të shtresave më në nevojë të shoqërisë, duke merituar titullin “Ambasador i Paqes” dhe “Kavalier i Paqes”, dhënë nga organizata prestigjioze ndërkombëtare.
Në kujtim të 65-vjetorit të terrorit komunist mbi 39 intelektualët e Tiranës, të pushkatuar nga klika komuniste, Lulzim Brahja ideoi, sponsorizoi dhe organizoi një kremtim homazhi e dhimbjeje, në nderim të këtyre martirëve të lirisë.

Emri i Lulit është një emër midis njerëzve, një emër që flet me gjuhën e emocionit të bukur, që të ngjall fisnikëria dhe përkushtimi njerëzor. Është një emër simbol mirësie për njerëzit, një motiv për të shkruar për te, pasi njerëz të tillë, për fat të keq, nuk janë të shumtë në këtë shoqërinë tonë, ndaj ata që i kemi duhet t’i vlerësojmë dhe të përpiqemi që rrethi i tyre, rrethi i këtij soji fisnikësh, të rritet e të zgjerohet sa të jetë e mundur më shumë”.


