Reagim i Organizatës “Shqiptaria” lidhur me keqpërdorimin e Kuvendit Komunal të Rahovecit në shënimin e Ditës së Çlirimit
Organizata “Shqiptaria” reagon me shqetësim të thellë ndaj pamjeve dhe praktikave të fundit të cilat e shndërrojnë një ngjarje me rëndësi kombëtare – siç është shënimi i Ditës së Çlirimit të Rahovecit – në skenë të propagandës fetare dhe të agjendave të islamit politik.
Përdorimi i sallës së Kuvendit Komunal, një institucioni publik dhe laik, për akte fetare publike nga klerikë islamikë, përbën jo vetëm keqpërdorim të hapësirave shtetërore, por edhe një tendencë të rrezikshme për t’i imponuar qytetarëve agjenda ideologjike të ngushta, që bien ndesh me karakterin qytetar, gjithëpërfshirës dhe laik të Republikës sonë.
Dita e Çlirimit është, ashtu siç e tha edhe Kryetari i Komunës, “moment reflektimi dhe nderimi për të rënët”, për të kujtuar ata që dhanë jetën për liri dhe për të rikujtuar se lufta jonë ishte për shtet laik, demokratik dhe të orientuar kah vlerat euro-atlantike, jo për vendosjen e simboleve fetare në institucionet e Republikës.
Organizata “Shqiptaria” rikujton se:
• Kuvendet komunale janë hapësira vendimmarrjeje politike dhe zhvillimore, jo faltore për falje publike.
• Ngjarjet kombëtare duhet të shërbejnë për bashkimin e qytetarëve, jo për përjashtim dhe instrumentalizim religjioz.
• Herojtë tanë kanë luftuar për dinjitet kombëtar dhe përparim shoqëror, jo për rikthim në modele të shoqërive teokratike.
Ftojmë institucionet komunale, veçanërisht në Rahovec, të ruajnë neutralitetin dhe seriozitetin institucional në organizimin e veprimtarive publike dhe të mos lejojnë asimilimin simbolik dhe praktik të institucioneve të shtetit nga agjenda fetare dhe politike që synon ndarjen e shoqërisë sipas bindjeve religjioze.
Liria nuk është as private, as fetare – është pasuri e përbashkët e të gjithë qytetarëve!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Jo islamizimit të institucioneve të Republikës!
___
Organizata “Shqiptaria”
14 Qershor 2025 –Prishtinë
___
Edhe Lëvizja për rikthim në katolicizëm reagon ndaj kësaj shfaqjeje të fashizmit islamik në Rahovec
Kujdes: Komentet me përmbajtje ofenduese, përçarëse apo fyese do të largohen menjëherë. Kjo hapësirë nuk është vend për shfrenime verbale apo fjalë ofenduese.
REAGIM PUBLIK
Dita e Çlirimit nuk është skenë për islamin politik!
Shpreh shqetësimin tim të thellë për keqpërdorimin e Ditës së Çlirimit të Rahovecit në Kuvendin Komunal, ku disa persona promovuan pamje me përmbajtje fetare, në një ceremoni zyrtare shtetërore.
Kjo është shkelje e rëndë e karakterit laik të Republikës së Kosovës dhe një përpjekje e rrezikshme për të futur islamin politik në hapësira që i përkasin të gjithë qytetarëve, pa dallim feje a bindjeje.
Çlirimi i Rahovecit nuk ka ngjyrë fetare – ka ngjyrë gjaku, qëndrese dhe flamuri kombëtar. Liria nuk u soll me lutje islamike, por me pushkë, gjak dhe sakrificë.
Kuvendi i Rahovecit dhe kryetari i tij duhej ta mbronin solemnitetin e kësaj dite, jo ta lejonin politizimin fetar të saj. Republika nuk i përket asnjë feje – i përket popullit dhe kushtetutës.
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Faleminderit Perëndimit – SHBA-së, NATO-s dhe gjithë aleatëve demokratikë – për ndihmën vendimtare në çlirimin e Kosovës!
14.06.2025

Blerim Nika



Edhe këtë ditë e pritëm!