Reagim i Organizatës Shqiptaria
____
Organizata Shqiptaria shpreh shqetësim të thellë lidhur me kualifikimin juridik të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për vrasjen e zyrtarit policor Muhamet Lika, e cila aktualisht është cilësuar si vepër penale “vrasje e rëndë”.
Pa paragjykuar vendimin përfundimtar të gjykatës dhe duke respektuar plotësisht parimin e prezumimit të pafajësisë, vlerësojmë se rrethanat e njohura publikisht të këtij rasti kërkojnë një trajtim institucional më të thelluar dhe më gjithëpërfshirës sesa ai që i rezervohet një krimi të zakonshëm.
Sipas informatave publike dhe raportimeve mediale, zyrtari i ndjerë policor Muhamet Lika kishte pasur kontakte profesionale dhe probleme të mëhershme me persona të dyshuar për përfshirje në rryma ekstremiste të dhunshme, të cilat kishin qenë objekt i interesimit të organeve të rendit. Këto rrethana, pa nxjerrë përfundime dhe pa atribuime faji, e bëjnë të domosdoshëm hetimin e plotë të motivit të vrasjes, përfshirë çdo element të mundshëm të dhunës së motivuar ideologjikisht dhe sulmit ndaj institucioneve shtetërore.
Vrasja e një zyrtari policor, si përfaqësues i shtetit dhe rendit ligjor, nëse kryhet në ushtrim të detyrës ose për shkak të saj, përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike. Për këtë arsye, Organizata Shqiptaria:
• Kërkon që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ta shqyrtojë urgjentisht këtë rast, duke vlerësuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur nëse ekzistojnë elemente të veprave penale që lidhen me terrorizmin apo veprat kundër rendit kushtetues.
• Kërkon hetim të thelluar mbi rrethanat, motivet dhe çdo rrjet apo ndikim të mundshëm ideologjik që mund të ketë çuar në këtë akt kriminal.
• Kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës që, në përputhje me ligjin dhe praktikat shtetërore, të vlerësojë nderimin institucional të zyrtarit të ndjerë policor Muhamet Lika, i cili humbi jetën në krye të detyrës.
Polici Muhamet Lika u vra si përfaqësues i ligjit dhe shtetit të Kosovës. Çdo qasje që e minimizon këtë fakt përbën padrejtësi ndaj sakrificës së tij, ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj vetë rendit kushtetues.
Organizata Shqiptaria nuk kërkon paragjykime, por trajtim serioz, profesional dhe të guximshëm institucional. Siguria publike dhe sundimi i ligjit nuk relativizohen dhe nuk negociohen.
_____


