ARKIVI:
6 Mars 2026

Paratë e pista në tokën e grurit

Shkrime relevante

Transport i fshehtë me pothuajse 1 miliard në ar dhe para për Zelenskyj u ndalua në Hungari

Kiev, Ukrainë 20260225. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj pret kryeministrin Jonas...

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Shpërndaj

KULLAT E TURPIT DHE MAFIA E BETONIT: LAVATRIÇET E PARAVE TË PISTA NË TOKËN E GRURIT
___
Në çdo cep të tokës sonë më pjellore bujqësore, ku dikur rritej gruri, mbase edhe dinjiteti, sot po ngrihen kullat e betonit – jo si fryt i zhvillimit, por si metastaza të një kanceri urban që ushqehet me gjakun e buxhetit të vjedhur të shtetit.
Kullat që po mbijnë si kërpudhat helmuese pas shiut, nuk janë gjë tjetër veçse monumente të haraçit të paguar nga korrupsioni i djeshëm dhe indiferenca e sotme. Janë aktakuza të heshtura me themele betoni mbi varret e politikës bujqësore, ekonomike e kulturore të vendit.
Nuk është ndonjë ligj i padukshëm i tregut që po ndërton këto përbindësha vertikalë. Është një ligj i pashkruar i mafies së betonit, që është më i fuqishëm se logjika, se statistika, madje edhe se drejtësia. Sepse kur oferta e banesave në treg është më madhe së kërkesa, atëherë logjikisht çmimet duhet të bien dhe jo të rriten.
Por fjala logjikë nuk ekziston në biznesin e pistë mafioz, prandaj nuk kemi të bëjmë me një tregti dhe ekonomi tregu – por me një pastrim parash të pista dhe me një ndotje e helmim të ndërgjegjes kolektive.
Në një vend normal, kur oferta e kalon kërkesën, çmimi bie. Në Kosovë, ndodh e kundërta. Pse? Sepse nuk është blerësi ai që dikton çmimin, por shitësi mafioz që ka nevojë për t’i shpëlarë milionat e vjedhura nga buxheti i viteve të kaluara. Dhe kur paraja e pistë futet në treg, ajo përmbys çdo ligj ekonomik dhe çdo logjikë shoqërore.
Kjo është arsyeja pse çmimet e banesave në Prishtinë janë më të larta se në disa qytete të Evropës Perëndimore. Por këtu nuk blejnë vetëm qytetarët, këtu blejnë më së shumti ata që duhet të jenë në burg. Dhe populli? Populli që nuhat erën e mykut të mafies në çdo mur të suvatuar, sërish blen. Sërish nënshkruan për kredi që nuk do të mund t’i kthejë kurrë, vetëm që të ndiejë se është pjesë e një parajse të rreme që po ndërtohet mbi djersën e vet.
Në asnjë vend të Evropës nuk ndërtohet kullat me këtë hov në një treg me paga mesatare nën 500 euro. Dhe në asnjë vend të qytetëruar nuk hesht as pushteti as opozita përballë kësaj katastrofe që ka fytyrën e zhvillimit dhe aromën e mafies.
Jemi në epokën globale ku paratë po e humbasin vlerën më shpejt se idealet. Dhe në një të ardhme jo shumë të largët, mund të vijë dita kur ta kuptojmë – por shumë vonë – se nuk mund ta hamë as betonin, as mermerin, as xhamin e këtyre kullave. Dhe se toka që u betonua nuk kthehet më në grurë.
Në fund, pyetja e vetme e ndershme është kjo: sa është çmimi i fëmijëve tanë? Sepse kjo është ajo që po shitet. Jo banesat. Jo tokat. Por siguria jetësore e fëmijëve tanë.
Në Kosovën e pas luftës, çdo vit janë betonuar qindra hektarë të tokës më pjellore bujqësore – për t’u kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të pista.
Qindra ndërtesa shumëkatëshe janë ngritur pa plan urban, pa nevojë tregu dhe pa kontroll shtetëror të mirëfilltë. Ato janë ndërtuar jo për të strehuar, por për të fshehur. Jo për të jetuar, por për të shpëlarë.
1. Ndërtimi që nuk ka lidhje me kërkesën reale
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë periudhës 2015-2023 janë ndërtuar mbi 72 mijë njësi banimi të reja, ndërkohë që popullsia rezidente është në rënie. Vetëm nga viti 2011 deri më 2021, Kosova ka humbur mbi 140 mijë banorë përmes emigrimit të përhershëm ose përkohshëm. Kjo përbën më shumë se 7% të popullsisë.
Por si është e mundur që ndërtohet më shumë ndërkohë që ka më pak njerëz?
Kjo është një anomali ekonomike që nuk shpjegohet me ligjin e kërkesës dhe ofertës, por vetëm me fenomenin e pastrimit të parave. Këto ndërtime po financohen nga grupe që kërkojnë të kthejnë paratë e vjedhura nga tenderët publikë në “pronë të ligjshme”.
2. Çmimet që nuk përputhen me realitetin
Sot në Prishtinë, çmimi mesatar për një metër katror banimi në lagjet “luksoze” varion nga 1,300 deri në 2,200 euro/m², ndërkohë që paga mesatare neto mujore është nën 500 euro. Në disa zona të qytetit, çmimi i një apartamenti prej 70 m² arrin në 140,000 euro, çmim më i lartë se në qytete si Valencia, Thessaloniki apo Palermo.
Por këto banesa nuk janë ndërtuar për punëtorët, mësuesit, infermierët apo qytetarët e ndershëm. Ato janë ndërtuar për një klasë të re klienteliste që nuk punon, por kontrakton. Që nuk kursen, por vjedh.
3. Tokat bujqësore po zhduken në heshtje
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, çdo vit 1,000 deri në 1,500 hektarë tokë bujqësore humbasin funksionin e tyre përmes betonimit. Në vitin 2000, Kosova kishte mbi 580,000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa në vitin 2023 kjo shifër kishte rënë në më pak se 450,000 hektarë, një rënie dramatike prej mbi 22%.
Kjo do të thotë që në një krizë globale ushqimore – e cila është shumë më afër se ç’mendojmë – Kosova do të jetë një prej vendeve më të ekspozuara, sepse nuk do të mund të mbijetojë pa import.
4. Institucionet dhe drejtësia – të verbëra dhe të heshtura
Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Task Forcat e Prokurorisë ende nuk kanë hetuar asnjë rast madhor për origjinën e financimeve në ndërtim. Asnjë kompani ndërtimi nuk është ndëshkuar për pastrim parash, edhe pse shumë prej tyre janë të lidhura me ish-ministra, deputetë dhe eksponentë të krimit të organizuar.
Sipas një raporti të UNODC (Zyra e OKB-së për Drogë dhe Krim), ndërtimi është sektori më i përdorur për pastrimin e parave në Ballkanin Perëndimor. Por në Kosovë, edhe pas dhjetëra raporteve nga Transparency International, askush nuk është ndjekur penalisht për këtë.
5. Pastrimi i parave dhe ndikimi kulturor
Ky model i zhvillimit – që në fakt është model i kalbëzimit social – po prodhon edhe një ndryshim kulturor. Rinia nuk aspiron më arsimim, mjeshtëri apo shpikje. Aspiron të bëhet “zhvillues”, “investitor”, “ndërtues”, pra të ndërtojë kulla mbi gjakun e popullit.
Kjo është kultura e pasurimit të shpejtë me çmimin e shkatërrimit të tokës, të së vërtetës, dhe të ndershmërisë.
KONKLUZION: KULLAT E BETONIT NUK NGRENË SHTET, POR E VARROSIN ATË
Ta ndërtosh një shtet do të thotë ta zhvillosh arsimin, shkencën, bujqësinè, kulturen, shëndetësinë, drejtësinë dhe punën e ndershme. Por ajo që po ndërtohet sot e bënë Kosovë një republikë që ka fasadën e tullave të vjedhura, të betonit mafioz dhe të çmimeve të pamundura për qytetarin. Në një vend ku toka nuk shihet më si burim jete, por si shans për pasurim të shpejtë, nuk ka të ardhme – ka vetëm krizë të shtyrë.
Dhe kur të vijë momenti që buka të mungojë, betoni nuk do të na ushqejë. Por do të na rrëzohet mbi kokë, si monument i një populli që heshti kur duhet të fliste.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu