
Nga: Zeqir Bekolli
___
KJO ËSHTË AMERIKA!
___
Lajmi i fundit që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një dëshmi tjetër e qartë: “Amerika nuk pranon asnjë marrëveshje me Serbinë pa njohje reciproke dhe nuk mbështet ndarjen e Republikës së Kosovës”. Kjo është më shumë se një deklaratë politike, është një sinjal i fuqishëm që tregon edhe një herë se kush ka qenë dhe mbetet aleati më i madh i Kosovës, ShBA-ja.
Është koha të përkujtojmë gjithçka që Amerika ka bërë për ne.Ta kujtojmë Vijën e Kuqe të Presidentit Bush (plakut) shumë përpara se të përfundonte shpërbërja e ish-Jugosllavisë, një vijë që i dha drejtim të qartë procesit të shtetformimit të Kosovës. Ta kujtojmë deklaratën historike të Presidentit George W. Bush në Shqipëri, kur tha publikisht se “Kosova do të jetë e pavarur”, ende pa u shpallur zyrtarisht pavarësia. Ishte një premtim i dhënë dhe i mbajtur.
Ta përkujtojmë rolin vendimtar të Presidentit Bill Clinton, të Hillary Clinton, të Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, të senatorëve si Bob Dole, Richard Lugar, Douglas Feith, dhe shumë diplomatësh e ambasadorësh të tjerë amerikanë, që punuan natë e ditë për ta ndalur një gjenocid dhe për ta sjellë lirinë në Kosovë.
Të mos harrojmë bombardimet e NATO-s, ku Armatës Amerikane i takon pjesa më e madhe e meritës për ndalimin e makinerisë së dhunës së regjimit serb. Të kujtojmë Zyrën Amerikane që u vendos në Prishtinë kur liria sapo kishte hyrë në pragun tonë dhe Ambasadën Amerikane, që sot është simbol i partneritetit të përhershëm.

Ta kujtojmë gjithashtu ndihmën e jashtëzakonshme në çdo fushë: në ndërtimin e institucioneve, në zhvillimin ekonomik, në drejtësi, arsim, siguri e kulturë.
Një mbështetje që ka ardhur jo vetëm nga qeveria amerikane, por edhe nga vetë populli amerikan, që na ka trajtuar gjithmonë si mik të vërtetë.

Të jemi mirënjohës, por edhe të vetëdijshëm se sot kemi përkrah nesh një superfuqi, një mik të përhershëm, një aleat që e ka dëshmuar veten në ditët më të vështira dhe më të rëndësishme për popullin tonë.
Bombardues i NATO-s ndaj caqeve të Serbisë në pranverën 1999
___
Kjo është Amerika (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) të cilën duhet ta nderojmë, ta respektojmë dhe ta ruajmë si sytë e ballit. Sepse pa Amerikën, Kosova nuk do të ishte ajo që është sot.


