
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
DOMOSDOSHMËRIA E RIKONFIGURIMIT TË SKENËS POLITIKE NË KOSOVË
Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë kanë dëshmuar qartë se skena jonë politike tashmë është përvijuar rreth dy poleve kryesore: në njërën anë Lëvizja Vetëvendosje me aleatët e saj, ndërsa në anën tjetër ish-opozita e përbërë kryesisht nga PDK, LDK, AAK së bashku me disa grupe më të vogla aleate.
Ky realitet politik, i konfirmuar përmes votës së qytetarëve, na obligon të reflektojmë seriozisht mbi drejtimin e ardhshëm të pluralizmit politik në vend. Nëse analizohen me qetësi trendet zgjedhore të tri partive kryesore opozitare – PDK, LDK dhe AAK – vërehet se lëvizjet e tyre në rritje apo rënie janë relativisht të vogla dhe nuk tregojnë potencial real për të sfiduar fituesin aktual Lëvizjen Vetëvendosje në një të ardhme të afërt.
Kjo situatë krijon jo vetëm stagnim politik, por edhe një ndjenjë lodhjeje tek elektorati, i cili vazhdimisht përballet me të njëjtën ndarje dhe me të njëjtat rezultate.
Në këtë kontekst, ideja e bashkimit të këtyre tri partive në një subjekt të vetëm politik nuk duhet parë si humbje identiteti, por si akt pjekurie politike dhe përgjegjësie ndaj shtetit. Një subjekt i tillë, me marrëveshje me një emër të përbashkët unifikues si psh., Partia Demokratike e Kosovës (sepse në fakt të tri partitë janë demokratike) ose me emër Aleanca Demokratike (AD), me një marrëveshje vëllezërore, do të përfaqësonte një rigrupim programor dhe organizativ, duke ruajtur vlerat më të mira të secilës traditë politike, por duke i tejkaluar ndarjet e pakuptimta të së kaluarës në “krahu paqësor” dhe “krahu i luftës”, por edhe ndarjet brenda atyre dy krahëve!
Një model i tillë do ta afronte Kosovën me praktika të konsoliduara demokratike, ku konkurrenca politike zhvillohet kryesisht ndërmjet dy alternativave të qarta qeverisëse.
Në vend të fragmentimit, do të kishim qartësi; në vend të pazareve paszgjedhore, do të kishim mandate të pastra; dhe në vend të qeverive të brishta ose ngërçeve institucionale, do të kishim institucione më stabile dhe më funksionale të shtetit.
Një sistem me dy pole të forta politike – LVV në njërën anë dhe PDK ose AD në tjetrën – do të garantonte gjithmonë një qeveri të fuqishme në njërën anë, dhe një opozitë të fuqishme në anë tjetër.
Të dyja janë të domosdoshme për një demokraci funksionale. Opozita e bashkuar do të kishte kapacitet real për kontroll parlamentar, për prodhim politikash alternative dhe për përgatitje serioze për rotacionin e ardhshëm të pushtetit. Kjo ide nuk është kundër askujt; përkundrazi, është në dobi të të gjithëve. Ajo synon forcimin e demokracisë, rritjen e besimit qytetar dhe ndërtimin e një kulture politike ku konkurrenca bazohet në programe dhe vizion, e jo në fragmentim dhe rivalitete të pafundme.
Koha kërkon guxim politik, por edhe mençuri. Bashkimi nuk është shenjë dobësie – është shenjë vetëdijeje se interesi i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin e ngushtë partiak.
Nëse ky reflektim shndërrohet në veprim, Kosova mund të hyjë në një fazë të re të konsolidimit demokratik, më të qartë, më stabile dhe më shpresëdhënëse për qytetarët e saj.


