
Nga: Zeqir Bekolli
___
Nën organizimin e Organizatës së Pensionistëve të Punës në Komoran, të udhëhequr nga kryetari Gani Pecani dhe sekretari Muhamet Ibriqi, një grup pensionistësh kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë relaksi në Lixha të Elbasanit, në ambientet mikpritëse të hotelit “Myzeqeja”.
Që nga dita e parë, ata po shijojnë efektet shëruese të banjave termale, përkujdesjen e një stafi të mrekullueshëm dhe bukuritë natyrore të zonës turistike, e cila është e pasur me shumë hotele dhe aktivitete. Përveç relaksit dhe kujdesit për shëndetin, pensionistët kanë mbushur ditët e tyre me aktivitete të larmishme: shëtitje në natyrë, ndeja të përbashkëta, biseda miqësore dhe debate mbi tema të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe vëllazërore.
Një moment i veçantë gjatë këtyre ditëve ishte organizimi i një ceremonie festive për të nderuar lindjen e vogëlushes Lura, mbesa e sekretarit Muhamet Ibriqi, e cila erdhi në jetë në Gjermani. Në ambientet e hotelit u mbajt një koktej rasti, i shoqëruar me këngë, valle dhe recitime poezish.

Me fjalë përshëndetëse dhe urime të përzemërta për Lurën dhe familjen Ibriqi, u paraqitën Naim Cërvadiku dhe Zeqir Bekolli. Ata i uruan vogëlushes shëndet dhe jetë të gjatë, ndërsa Muhametit i dëshiruan edhe më shumë gëzime familjare, duke përmendur me humor faktin se kjo është hera e 17-të që ai bëhet gjysh.
Atmosfera festive tërhoqi edhe pushues të tjerë nga Shqipëria, të cilët ndanin të njëjtin hotel me grupin e Komoranit. Bashkëpunimi dhe miqësia që u krijua mes tyre solli një ndjenjë të fortë bashkimi dhe mirëkuptimi, duke e kthyer këtë udhëtim në një përvojë unike për të gjithë.
Madje, një pensionist nga Shqipëria që jeton në Itali, i entuziazmuar nga fryma e këtij grupi, shprehu dëshirën për t’u anëtarësuar në Organizatën e Pensionistëve të Punës të Komoranit.
Ky udhëtim u mundësua me përkujdesjen e Partisë Bashkimi Demokratik me seli në Drenas, ndërsa shpenzimet tjera janë mbuluar nga vetë pensionistët, duke dëshmuar përkushtimin dhe dëshirën e tyre për të kaluar kohë cilësore së bashku.
Pushimi në Elbasan nuk ishte vetëm një arratisje nga rutina, por edhe një dëshmi se miqësia, solidariteti dhe gëzimi i jetës nuk njohin moshë.


