Organizata Shqiptaria përgëzon organet e sigurisë së Republikës së Kosovës për arrestimin e agjentit të shërbimeve sekrete serbe, Hysri Selimi, i cili për vite me radhë ka vepruar nën petkun e një “aktivisti islam”, ndërkohë që në realitet ka qenë pjesë aktive e strategjisë serbe për radikalizimin fetar dhe destabilizimin e vendit tonë.
Zbulimet e fundit konfirmojnë qartë atë që ne kemi paralajmëruar prej kohësh: shteti serb, përmes strukturave të tij të inteligjencës dhe agjentëve të infiltruar, ka kontribuar drejtpërdrejt në islamizimin politik dhe radikalizimin fetar në Kosovë, me qëllim të sabotimit të rendit kushtetues dhe karakterit laik të shtetit tonë.
Ky rast është alarmues jo vetëm për shkak të lidhjeve të dokumentuara mes Selimit dhe BIA-s, por edhe për heshtjen dhe bashkëfajësinë morale të shumë faktorëve të brendshëm: Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka dështuar sistematikisht të kontrollojë dhe të distancohet nga strukturat ilegale dhe rrymat radikale; liderë partiakë dhe institucionalë, të cilët për një grusht votash kanë zgjedhur të përulen para kërkesave të klerit islam në vend që të mbrojnë laicitetin dhe interesin publik.
Kjo përbën cenim serioz të rendit demokratik dhe të sigurisë kombëtare. Prandaj, kërkojmë:
1. Hetim të plotë dhe të paanshëm të rrjetit që ka vepruar bashkë me Selimin.
2. Ndalimin e ndërtimit të çfarëdo objekti fetar pa leje dhe jashtë kontrollit institucional.
3. Kërkim përgjegjësie nga BIK për mungesën e transparencës dhe bashkëpunimin e mundshëm me rrymat ilegale.
4. Reflektim të thellë nga liderët institucionalë që e kanë shkelur karakterin laik të shtetit në heshtje apo me qëllim.
Kosova është dhe duhet të mbetet një shtet laik, evropian dhe demokratik. Islami i shqiptarëve është tradicional, humanist dhe asnjëherë nuk ka qenë vegël e shërbimeve të huaja. Rasti “Selimi” është një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Heshtja nuk është më opsion.
Me respekt,
Organizata SHQIPTARIA
Prishtinë, 8 Maj 2025
_____


