
Drizan Shala, ekspert i sigurisë
___
Hulumtimi i cili do të publikohet ( 14.12.2025 ) nga Kallxo, i cili dokumenton mbi 30 kalime të kamionëve, furgonëve dhe automjeteve të rënda në rrugët ilegale të kontrabandës në zonën e Junikës, mes Zubin Potokut dhe Leposaviqit, brenda vetëm gjashtë ditësh, konfirmon një model operativ që në rajon njihet si simbiotika kriminalo-shtetërore.
Rruga e kontrabandës së mallrave të zakonshme – naftë, cigare, produkte ushqimore – është shpesh vetëm shtresa e parë e dukshme. Kur krijohet një korridor funksional, i sigurt dhe i padokumentuar nga institucionet, ai korridor përdoret edhe për mallra me interes më të lartë strategjik, përfshirë:
• Municion,
• Armë të vogla,
• Pajisje të komunikimit,
• Material logjistik për grupe të paramilitarizuara apo elemente të militarizuara lokale.
Ky rrezik rritet sidomos kur ekziston mbështetje indirekte nga strukturat shtetërore të një vendi fqinj, të cilat – sipas analizave ndërkombëtare dhe raporteve të mëhershme – i përdorin grupet kriminale si instrument operativ për të shmangur përgjegjësinë shtetërore të drejtpërdrejtë.
Në analizat e sigurisë rajonale, Serbia shihet se:
• I përdor grupet kriminale si mbulesë operative për të futur mjete, personel dhe logjistikë në veri;
• Në këmbim, u ofron mbrojtje, informacion dhe monitorim të hapësirës – sidomos për lëvizjet e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë.
Korridoret ilegale si pikat më të prekshme të sigurisë së Kosovës
Pamjet e Kallxo ekspozojnë se:
• Korridoret ilegalë funksionojnë në mënyrë të rregullt,
• Automjetet lëvizin pa asnjë kontroll institucional,
• Aktiviteti është suficientisht i madh sa të përbëjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare.
Pra ky hulumtimi i Kallxo nuk është vetëm një kronikë e kontrabandës — është një sinjal paralajmërues për institucionet e sigurisë se korridoret ilegale në veri janë potencialisht të përdorura për:
• Logjistikën e grupeve kriminalo-politike në veri,
• Armatim dhe municion,
• Operacione të fshehta të koordinuara me strukturat shtetërore të Serbisë.
Në këtë kontekst, video-materiali i hulumtimit duhet trajtuar si dokument operativ, jo vetëm si reportazh medial.


