Dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendi i Republikës së Kosovës përbën një nga aktet më problematike në historinë kushtetuese të Republikës. Përmes një vendimi të nxituar, i cili u mor para se të konsumoheshin të gjitha fazat procedurale të parashikuara nga Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit, kreu i shtetit ndërhyri drejtpërdrejt në funksionimin e organit më të lartë përfaqësues të republikës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh një procedurë të qartë dhe të strukturuar për zgjedhjen e Presidentit, e cila përfshin tri raunde votimi dhe një afat të caktuar kohor brenda të cilit Kuvendi duhet të përpiqet ta përmbyllë këtë proces. Ky mekanizëm është konceptuar pikërisht për të shmangur vendimet e nxituara dhe për t’i dhënë sistemit parlamentar hapësirën e nevojshme për kompromis politik dhe konsensus institucional.
Në këtë kuptim, shpërndarja e Kuvendit para se të shterroheshin plotësisht këta mekanizma procedural krijon dyshime serioze për respektimin e logjikës kushtetuese të sistemit parlamentar. Në vend që procesi të lejohej të zhvillohej brenda afateve dhe fazave të përcaktuara nga Kushtetuta, ndërhyrja presidenciale e ndërpreu atë në mënyrë të njëanshme, duke krijuar një precedent institucional potencialisht të rrezikshëm.
Një veprim i tillë ngre pyetje themelore për balancën e pushteteve në Republikë. Në një sistem parlamentar si ky i Kosovës, Kuvendi është institucioni qendror i legjitimitetit demokratik, ndërsa roli i Presidentit është kryesisht garantues dhe arbitral. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë në funksionimin e këtij institucioni, përmes shpërndarjes së tij në një moment kur procedura kushtetuese ende nuk ishte përmbyllur, rrezikon të dobësojë parimin e ndarjes së pushteteve.
Në këtë kontekst, çështja nuk është vetëm politike, por thellësisht kushtetuese. Ajo prek vetë arkitekturën institucionale të Republikës dhe mënyrën se si interpretohen kompetencat presidenciale. Nëse një interpretim i tillë i kompetencave pranohet si precedent, ekziston rreziku që në të ardhmen institucioni i presidencës të fitojë një rol më aktiv dhe ndërhyrës në raport me parlamentin, duke e zhvendosur gradualisht ekuilibrin e pushteteve në sistemin politik.
Pikërisht për këtë arsye, kjo situatë pritet të përfundojë në interpretim nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila do të duhet të sqarojë kufijtë e kompetencave presidenciale dhe të përcaktojë nëse shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë të procesit ka qenë në përputhje me frymën dhe tekstin e Kushtetutës.
Në një sistem parlamentar, ku balanca ndërmjet institucioneve mbështetet mbi respektimin rigoroz të procedurave kushtetuese, çdo ndërhyrje e njëanshme në funksionimin e organit përfaqësues krijon rrezikun e deformimit të arkitekturës institucionale të shtetit. Për këtë arsye, nëse konstatohet shkelje e rëndë e Kushtetutës nga ana e Presidentit, sistemi kushtetues parashikon edhe mekanizmat përkatës të përgjegjësisë politike dhe juridike.
Në këtë kontekst, përgjigjja institucionale më adekuate do të ishte aktivizimi i procedurës së përgjegjësisë kushtetuese ndaj Presidentit, e cila në raste të shkeljeve serioze mund të çojë deri te shkarkimi nga detyra. Një veprim i tillë nuk do të kishte karakter hakmarrës apo politik, por do të përfaqësonte një mekanizëm të domosdoshëm për ruajtjen e integritetit të rendit kushtetues dhe të parimit të përgjegjësisë së institucioneve.
Nëse një shkelje e tillë do të konfirmohej nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, atëherë do të hapej gjithashtu edhe debati për pasojat juridike dhe institucionale që lidhen me statusin e mëvonshëm të një ish-presidenti që është larguar nga detyra për shkak të shkeljes së rëndë të Kushtetutës. Në një interpretim të tillë, do të ishte legjitime të shtrohej pyetja nëse një ish-president i shkarkuar për shkelje kushtetuese duhet të gëzojë automatikisht të gjitha privilegjet dhe benefitet që ligji ua garanton ish-krerëve të shtetit.
Në këtë mënyrë, çështja nuk lidhet vetëm me një vendim të caktuar politik, por me një problem më të gjerë të kulturës kushtetuese dhe të përgjegjësisë institucionale në Republikën e Kosovës.

Sadri Ramabaja, Prishtinë



