Shefqet Dibrani, Prishtinë
Skica nga Katundi (1)
SHEMSI SHABANI (01.12.1960)
Sot u takova me kushëririn tim, Shemsi Shabanin, njëkohësisht shok klase e shok banke nga shkolla fillore e fshatit tonë. Një takim i thjeshtë në dukje, me çaja përpara, por i mbushur me emocione për një kohë e kundeuar nga këndvështrimi i një retrospektive, me ata zëra fëmijësh dhe me pluhur rrugësh të fshatit tonë që ende nuk ishte me asfalt.
Në shtatorin e vitit 1967 kemi nisur klasën e parë në Shkollën Amë në Batllavë, afër lagjes së Statovcëve. Ishim fëmijë si gjithë fëmijët e Kosovës së asaj kohe: me çanta të rënda, me këmbë të pluhurosura dhe me ëndrra që s’dinin ende ku të ndaleshin. Në klasën e dytë u kthyem në fshat, në paralelen e ndarë nga shkolla amë, ku mësohej vetëm një klasë e ciklit të ulët, me ndërrime: Njëra paradite, tjetra pasdite.
Shkolla ishte e vogël, njëkatëshe, me një klasë mësimi dhe një dhomë për mësuesit. Por për ne ajo ishte shkolla më e bukur në botë, sepse rrezatonte dije në mes të fshatit, ishte një zemër që mbante gjallë zërat dhe shpresat tona. Atëherë fshati nuk kishte rrymë elektrike, nuk kishte rrugë të asfaltuara; ajo pak rrugë që ekzistonte nuk mirëmbahej as nga fshatarët, e aq më pak nga sistemi shtetëror. Për çdo ditë te Vau i Epërm sa herë shkonim në shkollë, kemi kaluar vigun e ngushtë në urën prej druri që luhatej mbi lumin e tërbuar, sidomos në vjeshtën e vonë, por edhe gjatë pranverës kur shkrihej bora. Dimrat ishin të gjatë dhe të ftohtë, ndërsa uji në lumin tonë gjithnjë ka qenë sfidë për t’u kaluar, pasi edhe gjatë verës me vapë, uji lëshohej nga Liqeni i Batllavës, për nevojat e Elektranave në Kombinatin e Obiliqit.
Mësuesi ynë i parë ishte Zymer Bajrami, fqinj i yni, njeri i përgatitur dhe me kulturë të rrallë edukimi. Figura e tij na shfaqet edhe sot si pjesë e pandarë e asaj kohe përplot nostalgji. Këto dhe shumë kujtime të tjera i evokuam sot me Shemsi Shabanin, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani.
Së bashku përfunduam tetëvjeçaren në Gërdoc dhe Batllavë. Pastaj rrugët u ndanë: Unë vazhdova shkollën e mesme teknike në Kastriot (ish-Obiliq), ndërsa Shemsiu u regjistrua në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “9 Maji” në Prishtinë, në degën “Teknik i dhëmbëve – stomatologji”. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai studioi në SHLP në Prishtinë, në degën Fizikë–Kimi.
Pas pranverës kosovare të vitit 1981, për shumëkënd gjithçka ndryshoi. Gjendja e sigurisë u tensionua, prania e policisë dhe kontrollet u shtuan, arrestimet u bënë të zakonshme, ndërsa gjendja ekonomike nuk po përmirësohej. E në këto rrethana ekonomike, Shemsiu emigroi në Beograd, kryeqendra e Serbisë. Atje gjeti punë në një ndërmarrje ndërtimi, “Neimar”, duke nxjerrë jetën e vet dhe duke ndihmuar familjen në Kosovë. Por as atje nuk pati aq fat dhe nuk gjeti qetësi; Shemi, u kthye në vendlindje.
Më pas u punësua në Shkollën Fillore “Dimitrije Tucoviç”, sot “Luigj Gurakuqi”, si punëtor teknik. Nga rreth nëntë vite pune të rregullt, vetëm tre vitet e para ai u pagua; vitet e tjera i mbijetoi falë ndihmave të herëpashershme dhe punëve të ndryshme, herë në arë, herë në ndërtimtari.
E mbaj mend si njëzetvjeçar, kur Shemi i Rrahimit u martua. Nga kjo martesë ai ka pesë fëmijë. Djali i madh, Iliri, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, nga viti 2022 nuk jeton më, një plagë që koha nuk ia mbyll babit Shemsiut. Katër fëmijët e tjerë janë: Lindita, Merisa, Esati dhe Arbenita, të gjithë të martuar. Shemsiu sot është gjysh i shumë nipërve dhe mbesave.
Siç e theksuam edhe më përë, Shemsiu për shkaqe sociale, u detyrua sërish të emigrojë: Fillimisht në Zvicër në vitin 1992, e nga viti 1993 u vendos përfundimisht në Gjermani. Që atëherë jeton në Bavari (Bayern), në qarkun Donauwörth, përkatësisht në qytezën Wemdingen.
Natyrisht, ne kemi folur për punën në Gjermani, për jetën në mërgim, për dhimbjen e përhershme për Ilirin dhe për vitet e fundit të parapensionit të tij, në atë vend ku pensioni i pleqërisë nis në moshën 67-vjeçare. Por për mua, figurativisht, Shemsiu është po ai djaloshi që kam njohur në fëmijëri: i qetë, i drejtë, shok e kushëri i mirë, me të cilin nuk kam pasur kurrë hidhërim e as ngatërresë.
Dita e sotme u mbush me emocione dhe nostalgji, kur nisëm të kujtonim edhe shokët e klasës nga shkolla fillore. Përveç Shemsiut dhe meje, në klasën tonë ishin: Elife dhe Sejdi Kosumi (motër e vëlla), Gani Bajrami me motrën e tij, ndërsa nga shoqet e klasës na u kujtuan edhe Zahide Ibrahimi, Haka Rexhepi dhe Nexhmie Halili. Nga djemtë ishin: Fejza Jashari, Fadil Rexhepi, Shefki Rexhepi, Pajazit Zeqiri dhe Shemsi Haliti. Idriz Rama u vra gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa kanë ndërruar jetë Rrustem Ibrahimi, Rifat Hajdari, Muhamet Rama, Feti Jakupi dhe Feti Bajrami. Ndoshta kanë qenë edhe të tjerë, por kujtesa jonë sot arriti të ndalojë vetëm te këta emra.
Ndeja me Shemin, kushëririn tim, shokun e klasës dhe të bankës, është e mbushur gjithmonë me kënaqësi. Ai është rrëfimtar i mirë dhe bart mbi vete përvuajtje të mëdha. Kësaj radhe, qëllimisht, nuk u ndalëm te veprimtari apo epitete patriotike. E lamë me kaq…, me shpresë se në një takim tjetër do ta vazhdojmë rrëfimin. Ose ndoshta ky është vetëm fillimi i një cikli me shënime të tjera që do të quhen: “Skica nga Katundi Ynë.”
Në Katund, 03.02.2026.
Fotograf: Shaban Shabani


