
Ne kemi ditur t’i shprehim ndjenjat tona nacionale dhe njerëzore më së miri në çastet kur historia vë në provë miqësitë e vërteta. Një nga ato çaste ishte 11 shtatori 2001, kur terrorizmi goditi mikun tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atë ditë, shqiptarët nuk ishin thjesht spektatorë të dhimbjes amerikane – ata ishin pjesë e saj.
Amerika ka qenë ëndrra e rinisë shqiptare shumë përpara se të bëhej aleat strategjik në luftë. Ishte ëndrra e lirisë dhe e fjalës së lirë, e një bote ku individi ka dinjitet. I riu shqiptar u lidh herët me Perëndimin përmes kulturës: përmes Beatles-ëve, Rolling Stones-ëve, Led Zeppelin-it, Pink Floyd-it, Santanës – muzikë që simbolizonte rebelimin kundër tiranisë dhe konformizmit. Flokët e gjata, veshja, muzika nuk ishin modë, por gjuhë rezistence.
Kjo afërsi u thellua edhe përmes letërsisë amerikane: Jack London, Ernest Hemingway, Pearl S. Buck, e veçanërisht “Kasolla e Xha Tomit” e Harriet Beecher Stowe, ku liria përbën thelbin moral të njeriut. Këto vepra i mësuan brezave shqiptarë se skllavëria, pavarësisht formës, është e papranueshme.
Nga lëvizjet studentore te lëvizja historike politiko-ushtarake e UÇK-së, rruga shqiptare drejt lirisë ishte e gjatë dhe e përgjakshme. Rebelimi kulturor i rinisë shqiptare u shndërrua në rezistencë politike: demonstratat e vitit 1968, kryengritja studentore e 1981-shit, protestat e 1 tetorit 1997 – të gjitha bartnin një frymë pro-perëndimore dhe pro-amerikane. Në ballë të kësaj rruge ishte rinia studentore, me figura si Albin Kurti dhe rektori i pavdekshëm Ejup Statovci, që synonin shkëputjen përfundimtare nga robëria.
Këtë ëndërr, ende të paplotë por të pakthyeshme, e materializoi brezi që u kyç drejtpërdrejt në luftën antikoloniale dhe çlirimtare të UÇK-së. Çdo lëvizje kishte heronjtë e vet. Në vitet ’50 dhe ’60, burgosja e ajkës intelektuale të Kosovës, me në krye disidentin Adem Demaçi, e forcoi ndërgjegjen e rezistencës. Më pas, vizioni i Prof. Ukshin Hotit e formësoi idenë e shtetësisë, duke e vendosur Kosovën në horizontin e integrimeve evropiane dhe perëndimore.
Akademik Rexhep Qosja, Dr. Ibrahim Rugova, Luljeta Pula dhe shumë të tjerë e thyen “akullin siberian” të izolimit, duke ia treguar botës – dhe veçanërisht Amerikës – gjëmën e Kosovës dhe perspektivën e saj demokratike. Ata artikuluan qartë se Kosova e së ardhmes do të ishte shtëpi për të gjithë qytetarët lojalë ndaj institucioneve demokratike.
Në fund të viteve ’90, përkrah viktimave të shumta, doli në pah figura e studentit disident Albin Kurti – simbol i brezit që nuk pranoi heshtjen. Simbolika e ecjes së Adem Demaçit, Albin Kurtit dhe Agim Çekut para gardës së TMK-së ishte më shumë se ceremoni: ishte dëshmi e vazhdimësisë së rezistencës shqiptare. Albini – student, i burgosur, përfaqësues i UÇK-së – mishëronte rrugën e vështirë të disidentit shqiptar drejt lirisë.
UÇK-ja u përball me makinerinë ushtarake të Serbisë. Historia u shkrua me gjakun e dëshmorëve, veçanërisht të Familjes Jashari – një familje, një ushtri, një epokë. Reçaku alarmoi botën për politikën gjenocidale të regjimit të Millosheviqit, ndërsa ambasadori amerikan William Walker e artikuloi të vërtetën e Kosovës para ndërgjegjes globale.
Në Rambuje, figura të spektrit politik e intelektual – Thaçi, Rugova, Qosja, Fehmi Agani, Surroi, Krasniqi, Buja – u përcaktuan për paqen dhe jetën. Qytetarët e Kosovës, të kthyer nga Perëndimi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, i dhanë vendit gjallëri dhe shpresë.
“Give me liberty or give me death”, thoshte Patrick Henry. Në memorialin e Uashingtonit shkruhet: “Freedom is not free”. Kjo ishte filozofia e brezit që nuk u ngrit nga ahengu apo dollia, por nga sakrifica dhe përulja para eshtrave të Jasharajve. Ata u bënë ura më e fortë mes shqiptarëve dhe Amerikës.
Sot, Skënderbeu qëndron vigan në shesh, simbol i qëndresës shqiptare dhe i vlerave perëndimore, në një hapësirë ku kulturat e botës bashkohen. Shqiptarët gjithmonë kanë ditur të jetojnë me shumë kultura: dëgjonin Beatles-at, agjëronin Ramazanin, festonin Krishtlindjet dhe Vitin e Ri – duke dëshmuar se kultura është begati, jo ndarje.
Historia shqiptare lidhet ngushtë me atë amerikane: Woodrow Wilson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë; Madeleine Albright dhe Bill Clinton ndalën spastrimin etnik në Kosovë; politika e vazhdimësisë amerikane mbeti mbështetje kyçe për paqen dhe sigurinë rajonale. Edhe sot, përballë sfidave të reja globale – agresionit, autoritarizmit dhe kërcënimeve hibride – aleanca me SHBA-të mbetet boshti i stabilitetit të Kosovës.
Në 11 shtator 2001, shqiptarët në Amerikë dhe kudo në botë ishin amerikanë. Mbi 600 shqiptarë në Fort Polk, Luizianë, pjesë e përgatitjeve për misionet paqeruajtëse në Kosovë, ndezën qirinj dhe ndanë dhimbjen me amerikanët. Ajo solidaritet u ndje nga Misisipi në Nju Jork.
Edhe sot, shqiptarët janë dhe do të jenë krahpërkrah me Amerikën. Kjo është një borxh historik, por edhe zgjedhje vlerash. Lavdi dëshmorëve të lirisë shqiptare. Nderim viktimave të 11 shtatorit. Mirënjohje atyre që rrezikojnë jetën për paqen dhe që mbeten pengesë e përhershme për diktaturat dhe totalitarizmin.
Tempulli i Lirisë është në zemrat e liridashësve – dhe në zemrat e shqiptarëve. Kurdoherë që historia thërret, jo vetëm në 11 shtatorët e dhimbshëm, ne shqiptarët do të jemi me Amerikën, sepse prej saj mësuam se si fitohet liria.


