NJOFTIM
Me datën 24 janar 2026, në Prishtinë, Kryesia e Organizatës për Kultivimin e Traditës dhe Kulturës (OKTK) “Shqiptaria” mbajti takimin e radhës, në të cilin u shqyrtuan me përgjegjësi dhe përkushtim aktivitetet që e presin organizatën në vijimësi.
Vëmendje e posaçme iu kushtua përgatitjeve për organizimin tradicional të manifestimit mbarëkombëtar kushtuar përvjetorit të lindjes së Kryeheroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili do të mbahet më 06 maj 2026, në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Prishtinë.
Me këtë rast, u drejtojmë një thirrje të hapur mbarë kombit shqiptar, organizatave atdhedashëse, shoqërive kulturo-artistike dhe çdo shqiptari kudo që jeton, që të bashkohen në këtë ditë të shenjtë të historisë sonë, duke filluar që tani planifikimin e pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre.
Pjesëmarrja masovike, ashtu si në vitet e kaluara, është shprehje e unitetit kombëtar dhe i jep këtij manifestimi përmasa madhështore, duke e shndërruar atë në një dëshmi të gjallë të përkushtimit tonë ndaj historisë, sakrificës dhe trashëgimisë së lavdishme kombëtare.
Në këtë mënyrë, shqiptarët ruajnë gjallë kujtesën historike, forcojnë unitetin shpirtëror dhe kombëtar dhe përcjellin brez pas brezi vlerat mbi të cilat është ndërtuar identiteti ynë kombëtar.

Me respekt dhe nderim,
OKTK “Shqiptaria”


