
Prof. Dr. Sabri Tahiri, Gjilan
Hyrje
Lufta e fundit në Kosovë la pasoja të mëdha jo vetëm në jetë njerëzish, por edhe në bazën materiale të vendit. Ushtria dhe policia serbe dogjën e shkatërruan infrastrukturën, shtëpitë, shtallat, dhe morën bagëtinë e fshatarëve.
Fshatrat u shkretnuan, popullata u dëbua dhe, me kthimin pas luftës, u gjet përballë një realiteti të ri: toka ishte aty, por mungonin kushtet për ta punuar.
Problemi
Bujqit që u kthyen pas luftës nuk kishin më as traktorë, as makineri bujqësore. Shumica e mjeteve ishin vjedhur dhe dërguar në Serbi. Në mungesë të mjeteve, bujqit u detyruan të paguanin për çdo proces të punimit të tokës — nga lërimi e plehërimi, deri te korrja dhe shirja.
Fshatarët që kishin prona të vogla toke punuese nuk kishin mundësi e as llogari te blejnë traktor dhe mjete tjera te punes. Kostoja shpesh ishte aq e lartë, sa punimi i tokës nuk kishte më leverdi ekonomike. Si pasojë, shumë toka mbetën djerrinë për vite me radhë. Kështu, tokës bujqësore i humbi vlera. Shumica e bujqëve e humbën interesimin për punimin e tokës dhe filloi kërkimi i mundësive tjera për të mbajtur familjen ose ikja jashtë vendi në kërkim të një jete më të mirë. Filloi shkatrrimi e degradimi i saj përmes ndërtimeve të egra dhe pa plan në toka të klasit të parë.
Në këtë drejtim, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinorë janë treguar tepër të papërgjegjshme. Kjo papërgjegjësi e ka sjellur bujqësinë kosovare në kollaps të vërtetë!
Propozimi: Të hapen Qendrat e Agrobiznesit
Në një situatë të tillë, nevojitet një zgjidhje praktike, e qëndrueshme dhe kolektive. Një ide që kam propozuar që në fillim të pasluftës, por që nuk është përfillur dhe që është aktuale edhe sot pas 25 vjetësh, është krijimi i qendrave të agrobiznesit në çdo komunë, nëpër fshatra më të mëdha ose në grup-fshatrash.
Këto qendra do të funksiononin si pika shërbimi bujqësor, të mbështetura nga investime publiko-private. Shteti, bashkë me sektorin privat, do të furnizonte qendrat me disa traktorë, kultivatorë dhe makineri e nevojshme përcjellëse për punimin e tokës. Bujku do të kishte mundësi ta merrte me qira mjetin për një periudhë të caktuar, ta përdorte për punimin e arave dhe ta kthente në gjendje të rregullt.
Në qendër do të punësoheshin automekanikë dhe specialistë bujqësorë, të cilët do të kujdeseshin për mirëmbajtjen dhe riparimin e mjeteve, si dhe për trajnimin e bujqve në përdorimin racional të tyre.
Kjo do të siguronte punësim lokal të rinisë që kishin një traditë të shkelqyer të punës në bujqësi, qarkullim të parasë brenda komunitetit dhe rritje të produktivitetit bujqësor.
Përfitimet:
• Rritja e produktivitetit bujqësor – Punimi i tokës do të bëhej më i lehtë, më i lirë dhe më efikas.
• Zhvillimi ekonomik lokal – Hapja e qendrave do të krijonte vende pune për mekanikë, operatorë dhe specialistë bujqësorë.
• Rikthimi i interesit për tokën – Fshatarët do ta shihnin punimin e tokës si aktivitet me leverdi ekonomike.
• Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar – Qendrat do të bëheshin vende bashkëpunimi mes bujqve dhe investitorëve lokalë.
• Ulja e varësisë nga importi – Me prodhim vendor të shtuar, do të zvogëlohej nevoja për të importuar produkte bazë si miellin, grurin apo misrin.
Kjo do të ndikonte që popullates t’i ofrihen produkte të shëndetshme vendore dhe me çmime më të lira se ato nga importi. Kështu do të rritej dukshëm edhe eksporti i produkteve kosovare.
Përfundim
Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga lufta, shumë toka në Kosovë vazhdojnë të mbeten djerrina. Arsyeja nuk është mungesa e dëshirës, por mungesa e kushteve dhe mekanizmave për t’i bërë bujqit konkurrentë.
Krijimi i qendrave të agrobiznesit do të ishte një hap strategjik drejt ringjalljes së ekonomisë rurale, forcimit të pavarësisë ushqimore dhe ruajtjes së jetës në fshat.
Nëse duam që fshati kosovar të mos zbrazet dhe toka të mos mbetet e papunuar, duhet të veprojmë tani — me ide konkrete, investime të mençura dhe bashkëpunim publik e privat.


