ARKIVI:
7 Mars 2026

Triptiku i tragjikës kombëtare

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Besim Rexhaj, Prishtinë
___
-Jusuf Buxhovi: “Libri i të mallkuarve”, roman triptik, Boti “Rilindja”, Prishtinë, 1989.
___
Atë kthesën cilësore, të nisur me romanin Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, e cila shënon një hap përpara në rrugën krijuese të Jusuf Buxhovit si prozator, rrugë kjo që artistikisht zgjerohet e thellohet prej romani në roman, ky romansier, ndër më të frytshmit në prozën e sotme të letërsisë shqiptare, e shpie më tej, duke pushtuar, këtyre shtigjeve të rrugëtimit artistik, horizonte të reja tematike e motivore, ideofilozofike, teknika, tipe dhe prosede rrëfimesh, skema inventive kompozicionale dhe struktura bashkëkohore e moderne mesazhesh e apelesh artistike. I sendërtuar në vazhdën e kësaj logjike letrare artistike, triptiku LIBRI I TË MALLKUARVE shënon, në njërën anë, veprën deri më tash më të sen¬dërtuar të Jusuf Buxhovit dhe, në anën tjetër, një nga veprat më të realizuara të prozës së dhjetëvjetëshit të fundit të letërsisë sonë.
I. Kulla e harresës – institucioni i tjetërsimit
«Do të ishte dëm i madh që ca gjëra te mos merreshin vesh. E vërteta, sado e hidhur të jetë, të ndihmon. Ishte koha ta njohim vetveten, me të mirat dhe me të ligat… Ata që kalojnë nëpër kobe të mëdha, do të pësojnë edhe më rëndë, po qe se nuk bëjnë përpjekje t’i mësojnë shkaqet e kobit. Sepse kobët, jo rrallë, përsëriten…» (f. 27).
«…duhet t’u shpallim luftë deri në vdekje të gjitha gjuhëve, pos asaj perandorake; të gjitha mendimeve, pos atij perandorak; të gjitha krijimeve, pos atij të perandorisë… E mbi të gjit¬ha, t’i shpallim luftë asaj që e krijoi e djeshmja dhe e pardjeshmja…» (f. 35). «Kur t’i mundim, e për t’i mundur do t’i mundim patjetër, krahas shembjes së miteve të tyre, baladave dhe legjendave, me të cilat gjithnjë janë krenuar dhe krekosur se kanë themele të forta mijëvjeçare, duhet ta krijojmë besimin e ri, besimin tonë, besimin perandorak». (f. 42)
Pjesët e tekstit, të cilat i sollëm më sipër, e të cilat i shqipton kryepersonazhi i romanit KULLA E HARRESËS, kryeveziri Daut Pasha, kryekështjellari i dikurshëm shqiptar, konstituojnë dhe ngërthejnë, në mënyrë sintetike, disa nga zonat semantike, tematike-motivore e ideofiozofike artistikisht më relevante të romanit të parë të triptikut LIBRI I TË MALLKUARVE. Derisa, le të themi kështu, pjesa e parë e tekstit artikulon nevojën imperative për njohjen e së vërtetës, të vërtetës e cila, edhe përkundër tragjikes, domosdoshmërish duhet të njihet, duke riaktualizuar, kështu, edhe një herë atë urtinë Historia est magistra vitae, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, artikulon, po ashtu, imperativin e vetënjohjes së njëmendtë, shmangien nga vetëmashtrimi dhe iluzioni, sepse vetëm kësaj rruge neutralizohet tragjika kolektive, vetëm duke i njohur shkaqet e tragjikes, të kobit, mund të zhduken pasojat, përndryshe rrjedhon përsëritja fatale e tragjikes, pjesa e dytë e tekstit shqipton karakterin dhunues të programeve tjetërsuese e asimiluese të strategjisë destruktive perandorake, tendencat asimiluese karshi entiteteve të kulturës shpirtërore e materiale të popujve, të qenies së tyre e të identitetit, shpreh atë monopolizimin tragjik, përkatësisht uzurpimin, reduktimin dhe varfërimin e vlerave të qenies njerëzore përgjithësisht. Ndërkaq, derisa pjesa e dytë e tekstit shpreh aspiratat e programeve asimiluese e tjetërsuese në plan të përgjithshëm njerëzor, pjesa e tretë artikulon, pos bindjes morbide të triumfit destruktiv, strategjinë asimiluese e rrënuese të programeve të qendrës perandorake karshi entiteteve të kulturës shpirtërore e materiale të kolektivitetit të Tokës së Lashtë, të kësaj nyje të botës që lidh Lindjen e Perëndimin, dhe, në këtë kontekst, artikulon krijimin e filozofisë destruktive perandorake.
Reflektori artistik i romansierit, i cili projektohet në pozicione të ndryshme dhe, kështu, nga perspektiva të ndryshme të këndvrojtimit, fikson tragjiken e realitetit të tillë, sociohistorik e psikologjik, është përqendruar, posaçërisht, në ndriçimin e përjetimeve psikologjike qoftë të subjekteve, të cilat e kanalizojnë dhunën shpirtërore e fizike, qoftë të subjekteve, mbi të cilat ushtrohet e zbrazet dhuna e tillë e të cilat, të vëna në situata të frustracioneve sociohistorike e psikologjike, aktivizojnë mekanizmat mbrojtës, që konsistojnë, para së gjithash, jo në forcën dhe qëndresën fizike, por në forcën dhe qëndresën shpirtërore, të cilat ushqehen në burimet vitale të qenies autentike e autoktone etnike, apo, siç thotë Shpjeguesi i Ëndrrave, në një kontekst posaçërisht interesant, «në atë vend të nëmur neve na kundërvihet ushtria e shpirtrave të tyre e jo kështjellarët, siç thonë».
Në këtë pikë të interpretimit do theksuar, në njërën anë, karakterin specifik dhe tejet funksional të këndvrojtimit të botës së kolektivitetit të Tokës së Lashtë, i cili, në pjesën më të madhe të tekstit romansor, ndriçohet nga perspektiva e përjetimit të pushtuesve, nga perspektiva e vrojtimit të tyre dhe, në anën tjetër, do theksuar kontekstin paralel të tragjikes së përjetimeve psikologjike të të dyja palëve, në veçanti, dhe, në përgjithësi, fiksimin, në rrjedhën kauzale, të dramës psikologjike dhe të asaj të «aktorëve» të programeve dhunuese. Para se të përqendrohemi në akordin qendror të romanit, në kryepersonazhin, i cili artikulon realitetin e paradokseve tragjike të qenies njerëzore e etnike, do përqendruar, qoftë edhe vetëm në vija të trasha, në strukturimin e perspektivave narrative, prej këndit të të cilave, në një kombinatorikë kryesisht funksionale, artikulohen akordet e romanit. Më parë se perspektivat e rrëfimit, të cilat projektohen nga pozicioni i vetës së tretë, i narracionit autorial, nga pozicioni i vetes së parë, nga pozicioni i personazhit – rrëfimtar dhe nga pozicioni i dokumentit, e të cilat janë evidente, do përqendruar në logjikën dhe intencionalitetin e funksionimit të tyre dhe do theksuar, më parë se begatinë formale, pasurinë e tipeve të rrëfimit, inkuadrimin dhe alternimin mjeshtëror si prosede dhe, veç kësaj, do spikatur edhe karakterin thellësisht të motivuar të sistemit narrativ, sado që do theksuar, ndonëse mund të duket paradoksale, se inkuadrimi i ditarit të Xhavit agait, i këtij diskursi rrëfimor, qoftë në planin kompozicional, qoftë në planin gjuhësor stilistik, sikur e zhdrejtëpeshon ekuilibrin dhe koherencën e arkitekturës kompozicionale, në përgjithësi, dhe, në veçanti, meqë diskursi i tillë rrëfimor është proceduar si strukturë, kryesisht, diskursive gjuhësore e stilistike, e ka shkarkuar tekstin e tillë nga figurësia dhe shumëkuptimësia e ligjërimit konotativ.
Ndërkaq, t’i kthehemi kryepersonazhit, i cili, si strukturë artistike, është sendërtuar si entitet polifunksional, me ç’rast, në kontekstin e shumësisë së funksioneve artistike, do theksuar, kur është fjala te plani formësor, modelimin e tij në funksion të formantit artistik, përmes të cilit konstituohet një diskurs a një linjë rrëfimore e romanit, të cilën e artikulon nga pozicioni i vetës së parë, si personazh-rrëfimtar, përmes vetërrëfimit retrospektiv dhe i cili, pos si personazh-rrëfimtar, është modeluar edhe si personazh veprues, si aktant, që, si bosht tematik motivor e ideofilozofik, e vë në lëvizje botën e romanit. Para se të theksojmë disa nga aktet e dramës morale, psikologjike, etnike dhe njerëzore të Daut Pashait, kryekeshtjellarit të dikurshëm të Principatës të transformuar në kryevezirin e Perandorisë, do nënvizuar se personaliteti i tij ndriçohet, pos nga vetërrëfimi, i cili nga rrëfimi për historinë individuale shndërrohet në rrëfimin për historinë dramatike si të kolektivitetit të Tokës së Lashtë, ashtu edhe të qendrës perandorake, pra, pos nga vetërrëfimi, edhe nga një pozicion tjetër i reflektorit artistik, i cili, me strukturën specifike narrative, krijon iluzionin (intensiv) të autenticitetit të dokumentit dhe, së këndejmi, përmes dokumentaritetit dhe objektivitetit të linjës së tillë rrëfimore (Jeta dhe vdekja e Daut Pashait, hartuar nga Kulla e Harresës dhe e përcjellë me shënimet plotësuese tepër sekrete) e thellon dhe e përligj dinamikën e sistemit motivacional, jo vetëm të këtij diskursi e të këtij personazhi, por edhe të zonave të tjera të universit estetik të romanit.
Akti i parë dhe i fundit tragjik i kryepersonazhit si qenie njerëzore konsiston në tjetërsimin e tij si qenie humane, në alienimin nga dimensionet kuintesenciale të njeriut si qenie dhe, në kontekstin e dramës së këtillë të tjetërsimit, në ndërvarësi me aktet e tjera, do theksuar edhe tragjikja psikologjike e morale, që rezulton nga dhunimi e alienimi moral e psikik, nga përçarja pothuaj skizofrenike e kësaj qenieje paradoksale dhe, si një nga aktet më tragjike të kësaj drame, në mos akti më tragjik, edhe tragjiken e dimensionit etnik të kësaj qenieje, tragjiken, e cila rrjedhon si rezultat i kundërshtive sociohistorike, të cilat, me morbiditetin e tyre, ia dhunojnë të gjitha dimensionet e qenies dhe e destruktivizojnë atë qenie. Së këndejmi, përjetohet si thellësisht e motivuar ajo lufta dhe përçarja e brendshme e kryeprotagonistit, tek i cili ashpërsisht ndeshet shumëfish qenia etnike dhe njerëzore, QENIA E RIFORMUAR DHE E PROGRAMUAR, siç shprehet Buxhovi, me qenien autentike dhe autoktone, tek i cili procesi i vetëdijesimit, sado i padiferencuar psikologjikisht dhe në nivelin rudimentar, shkakton katastrofën psikike, sepse rrugës së këtij procesi të vetëdijesimit, në të cilin VETËDIJA E VJETËR, siç shprehet Buxhovi, ose shtresat e arketipit individual e kolektiv, i bëjnë presion vetëdijes socialisht të strukturuar, dhe, prandaj në formacionin e këtillë të vetëdijësimit, krijohen kushtet e brendshme, psikologjike, dhe ato të jashtme, sociohistorike, për finalen tragjike: në njërën anë, vetëdija e tillë, edhe pse në nivelin rudimentar, kushtëzon ferrin psikik, sepse kryepersonazhi nis të kuptojë, sado në mënyrë të padiferencuar, se lufta e tij ka qene një luftë shkretëruese kundër popullit të vet dhe, në anën tjetër, meqë fillon të shfaqet vetëdija e tillë, e cila domosdoshmërisht shpërthen nga shtresat arkaike të psikikes, KULLA E HARRESËS, ky institucion i tjetërsimit të qenies njerëzore, që t’i kujton mekanizmat e institucioneve dhunuese të 1984-tes të Oruellit, meqë dështon eksperimenti i programimit të njeriut të ri perandorak, programim i cili është planifikuar të sendërtohet prej nivelit individual deri te programimi dhe tjetërsimi kolektiv, domosdo që ia «inskenon» edhe katastrofën fizike.
(Fragment nga libri i dr. Besim Rexhajt “Prej letërsisë deri te drmaturgjia”, botoi “Faik Koniva”, 2025)

 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu