ARKIVI:
13 Mars 2026

Udha e Kryqit – Kalvari i njeriut dhe fitorja e Krishtit

Shkrime relevante

Rendi i ri botëror dhe ndërgjegjja shqiptare

Luan Dibrani, Gjermani Bota ndodhet sot në një nga momentet më të...

Drizan Shala për armatimin me raketa supersonike të Serbisë nga Kina (Video)

Alarmi/ Kina blindon Serbinë me raketa, Vuçiç i trembet Shqipërisë dhe...

Një popull është bashkimi i të dyjave: i shpirtit që shprehet në kulturë dhe i trashëgimisë që bartet në gjak

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Raca nuk mjafton pa kulturën, dhe kultura nuk mjafton...

Tryeza e New York-ut: diplomacia në hije, rrjetet e lobimit dhe pyetjet që presin përgjigje

Agim Vuniqi, Vashington  ___ Tryeza e New York-ut nuk është problem sepse ndodhi....

Udha e Kryqit – Kalvari i njeriut dhe fitorja e Krishtit

Don Fran Sopi, Pejë Udha e Kryqit nuk është thjeshtë vetëm një...

Shpërndaj

Don Fran Sopi, Pejë

Udha e Kryqit nuk është thjeshtë vetëm një devocion i trashëguar nga tradita dhe as vetëm një përkujtim emocional i vuajtjeve të Krishtit. Pra, ajo është një pasqyrë e thellë dhe e gjallë e jetës sonë shpirtërore. Është një itinerar i shenjtë, ku ndërgjegjja jonë vihet përballë misterit të dashurisë që shkon deri në fund: deri në flijim, deri në derdhjen e gjakut për shpëtimin e botës. Është një shkollë e heshtur e shenjtërisë, një katekezë e dashurisë hyjnore, një Ungjill i hapur që lexohet jo vetëm me sy, por me zemër dhe me shpirt.

Unë, si meshtar i Kishës Katolike prej 52 vitesh, sa herë që i udhëheq besimtarët tanë në Udhën e Kryqit gjatë Kreshmëve, e ndiej thellë se nuk jam thjeshtë një zë që vetëm që i lexon stacionet me radhë, por një dëshmitar i një drame hyjnore që përsëritet në zemrën e çdo njeriu. Udha e Kryqit nuk është vetëm një kujtim i asaj që ndodhi dikur në Jerusalem, por mbi të gjitha është një ngjarje që vazhdon të ndodhë sot në mes nesh, edhe në familjet tona, në shoqërinë tonë, në plagët e popullit tonë martirë shqiptarë dhe në brendësinë e ndërgjegjes sonë. Kryqi nuk është një relike muzeale, por është rrahja e gjallë e dashurisë së Hyjit në historinë e njerëzimit.

Në secilën nga pesëmbëdhjetë ndalesat ne, si besimtarë të Kishës së Krishtit, e gjejmë veten. E gjejmë veten në dënimin e padrejtë, kur turma bërtet dhe e vërteta hesht. Edhe sot, sa herë e vërteta mbulohet nga zhurma e interesave (materialiste), nga frika apo nga oportunizmi? E gjejmë veten në peshën e kryqit, kur jeta na ngarkon me barra që duken më të mëdha se forcat tona: sëmundje të papritura, humbje të dhimbshme, zhgënjime të thella, padrejtësi që rëndojnë ndërgjegjen tonë. Pra, edhe e gjejmë veten në rëniet e përsëritura, kur dobësia na tradhton dhe krenaria na rrëzon. E gjejmë veten në lotët e Nënës, në ndihmën e Simonit të Cirenesë, në guximin e Veronikës, në heshtjen e Golgotës, kur qielli duket i mbyllur dhe gjithçka duket e errët.

Kjo udhë është historia e dashurisë që nuk tërhiqet përballë dhimbjes. Jezusi nuk e shmang kryqin, nuk e mohon vuajtjen, nuk kërkon një rrugë më të lehtë. Ai nuk bën kompromis me të keqen dhe nuk negocion me padrejtësinë. Ai ecën: me plagë në trup dhe me dashuri në zemër; ecën mes britmave dhe përbuzjeve; ecën me tradhti mbi supe dhe me falje në buzë. Dhe duke ecur, Ai e shndërron dhimbjen në mjet shpëtimi, turpin në lavdi dhe vdekjen në jetë.

Si një meshtar, kur ndalem në stacionin e parë dhe shpall: “Jezusi dënohet me vdekje”, ndiej peshën e padrejtësive të kësaj bote. Sa të pafajshëm dënohen edhe sot! Sa të vërteta shtypen nga frika! Dhe pyes veten me ndershmëri: a jam gjithmonë në anën e së vërtetës, apo ndonjëherë i laj duart si Pilati për të ruajtur rehatinë time?

Kur shpall: “Jezusi merr kryqin mbi supe”, mendoj për kryqet e përditshme të njerëzve: kryqin e një nëne që lutet për fëmijën e saj, kryqin e një të moshuari që jeton në vetmi, kryqin e një të riu që kërkon kuptim në një botë të trazuar, kryqin e një familjeje që përpiqet të qëndrojë e bashkuar. Dhe më kujtohet se pa kryq nuk ka Pashkë, pa flijim nuk ka Ngjallje, pa sakrificë nuk ka dashuri të vërtetë.

Rëniet e Jezusit janë rëniet tona. Ai bie për herë të parë për të shëruar krenarinë tonë; bie për herë të dytë për të na mësuar qëndrueshmërinë; bie për herë të tretë për të hyrë plotësisht në dobësinë tonë, që askush të mos ndihet i braktisur. Në çdo rënie Ai na jep një mesazh të qartë: mos u dorëzo, sepse dashuria është më e fortë se dobësia.

Takimi me Marinë është kulmi i heshtjes së shenjtë. Ajo nuk largohet; nuk mallkon; qëndron. Dhe qëndrimi i saj është një predikim pa fjalë, një dëshmi e besimit që nuk lëkundet edhe kur dhimbja është e madhe. Ajo është figura e Kishës që qëndron besnike edhe kur errësira duket se fiton.

Simoni i Cirenesë na mëson se jeta e krishterë është bashkëmbartje kryqi. Të ndihmosh tjetrin do të thotë të hysh në realitetin e dhimbjes së tij dhe ta përkrahësh me dashuri. Veronika na mëson se një gjest i vogël mirësie mund të ketë vlerë të përjetshme. Bota nuk ndryshohet nga spektakli, por nga dashuria e thjeshtë dhe e përulur.

Kur arrijmë te gozhdimi dhe vdekja në kryq, gjithçka bëhet e heshtur. “U krye.” Këto fjalë nuk janë dorëzim, por përmbushje. Në çdo Meshë, sakrifica e Kryqit bëhet e pranishme për ne. Kryqi nuk është humbje, por fitore; nuk është fund, por fillim; nuk është errësirë, por dritë që lind nga thellësia e natës.

Dhe kur meditojmë varrin, nuk harrojmë stacionin e pesëmbëdhjetë: Ngjalljen. Pa Ngjalljen, Udha e Kryqit do të ishte vetëm një histori dhimbjeje; por me Ngjalljen, ajo bëhet histori shprese. Kryqi bëhet shenjë fitoreje. Varri bëhet fillim i jetës së re. Udha e Kryqit është udha e çdo njeriu që kërkon kuptim në vuajtje, dritë në errësirë, falje në faj dhe jetë në mes të vdekjes. Ajo është udha e Kishës ndër shekuj, udha e shenjtërve dhe e martirëve, udha e çdo besimtari që zgjedh të jetojë për Hyjin dhe për të tjerët.

Prandaj, në këtë kohë Kreshmësh, të mos mbetemi vetëm soditës të Kryqit, por bashkudhëtarë me Krishtin. Të mos kemi frikë nga plagët, por t’i kthejmë ato në burim hiri. Të mos e shohim Kryqin si dënim, por si pemë jete. Le të guxojmë të falim, të kërkojmë falje dhe të ndryshojmë.

Sepse aty ku njeriu bashkon dhimbjen e vet me dashurinë e Krishtit, lind një shpresë e pathyeshme: një shpresë që nuk shuhet nga koha, nuk mposhtet nga vdekja dhe nuk errësohet nga padrejtësia; një shpresë që shpall se dashuria është më e fortë se urrejtja dhe se jeta është më e madhe se varri.

Dhe si meshtar i Kishës së Krishtit, lutem që secili prej jush, duke kaluar përmes sfidave të jetës, të arrijë në dritën e Pashkëve, atje ku çdo lot fshihet, çdo plagë shërohet dhe çdo kryq shndërrohet në gëzim në Krishtin e Ngjallur, i cili është dhe mbetet shpresa jonë e vetme dhe e përjetshme.

Më 13 mars 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu