
Safet Sadiku, Zvicër
Nëse kërkesa e unifikimit të kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik trajtohet mbi një bazë shkencore, juridike, historike dhe në rrethana të sotshme demokratike, ajo duhet të nisë nga njohja e realiteteve politike dhe kushtetuese ekzistuese në hapësirat ku jetojnë shqiptarët dhe nga dallimi i qartë ndërmjet aspiratës kombëtare, bashkëpunimit dhe integrimit funksional, ndryshimeve institucionale dhe çdo ndryshimi eventual të statusit politik ose kushtetues.
Në kuadër të kësaj teze, hapësirat e përmendura si Shqipëria, Kosova, Ilirida, Kosova Lindore me Sanxhakun, Republika e Malësisë dhe Çamëria trajtohen si pjesë e vizionit dhe objektit të studimit të unifikimit kombëtar, dhe jo si një përshkrim paraprak i një statusi juridik të njohur ndërkombëtarisht.
Pikërisht për këtë arsye, rruga drejt një afrimi më të madh ndërmjet shqiptarëve duhet të mbështetet në kërkimin shkencor, në normat juridike të zbatueshme, në procedurat demokratike dhe në respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve. E drejta e Bashkimit Evropian nuk vendos një ndalim të përgjithshëm ndaj demokracisë së drejtpërdrejtë apo ndaj bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, por marrëdhënia ndërmjet çdo projekti të tillë dhe rendit kushtetues të shteteve përkatëse duhet të shqyrtohet konkretisht, sepse vetë traktatet evropiane respektojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të shteteve anëtare, si edhe funksionet e tyre thelbësore, përfshirë integritetin territorial dhe sigurinë kombëtare. Në këtë kuptim, unifikimi kombëtar nuk duhet të konceptohet si një veprim që kërkon të kapërcejë ligjin, por si një proces që, në çdo fazë të tij, duhet të kërkojë hapësirën juridike dhe demokratike që lejohet nga kushtetutat dhe ligjet përkatëse.
Kjo hapësirë mund të fillojë me bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën, arsimin, kulturën, teknologjinë, energjinë, tregtinë, shëndetësinë, digjitalizimin, kërkimin shkencor, mbrojtjen civile dhe mekanizmat e përbashkët të reagimit ndaj krizave, për të kaluar më pas, aty ku ekzistojnë, baza juridike dhe vullnet demokratik, në forma më të thella të harmonizimit dhe integrimit institucional. Në këtë proces, vullneti i qytetarëve është themelor, por ai duhet të shprehet përmes procedurave që i njohin kushtetutat dhe ligjet e secilit juridiksion, ndërsa çdo ndryshim i madh politik ose kushtetues kërkon procedurën përkatëse të miratimit, kontrollit juridik dhe zbatimit institucional. Ky proces mund të mbështetet edhe në një argument historik dhe shoqëror: shqiptarët në hapësira të ndryshme të Gadishullit Ilirik kanë ruajtur lidhje të forta gjuhësore, kulturore, historike, familjare dhe shoqërore, të cilat përbëjnë një bazë të rëndësishme për bashkëpunim dhe për ndërtimin e një hapësire funksionale më të lidhur. Por ky element historik nuk duhet të shndërrohet në supozimin se të gjitha komunitetet, bashkitë, komunat ose qytetarët kanë dhënë tashmë të njëjtin pëlqim politik për një formë konkrete unifikimi.
Pikërisht këtu hyn demokracia e drejtpërdrejtë. Ajo krijon mekanizmin përmes të cilit një çështje e rëndësishme mund të paraqitet, të debatohet, të vlerësohet dhe, aty ku juridikisht lejohet, t’u nënshtrohet qytetarëve për vendimmarrje. Kështu, historia mund të shërbejë si bazë e kujtesës dhe e lidhjes kombëtare, ndërsa ligji, institucionet dhe demokracia përcaktojnë mënyrën se si një aspiratë e tillë mund të shqyrtohet dhe, nëse miratohet sipas procedurave përkatëse, të përkthehet në institucione dhe politika të brendshme të planifikuara mbarëkombëtare. Në këtë kuptim, qëllimi i unifikimit të shqiptarëve nuk reduktohet vetëm në çështjen e territorit ose të statusit politik.
Ai mund të kuptohet edhe si ndërtim i një hapësire të përbashkët zhvillimore, ku shqiptarët, në juridiksionet ku jetojnë, rrisin bashkëpunimin ekonomik, lidhjet infrastrukturore, standardet arsimore, shkëmbimin shkencor, përdorimin e teknologjisë, sigurinë energjetike, zhvillimin e tregtisë dhe kapacitetet institucionale. Unifikimi, në këtë kuptim, nuk është vetëm një pyetje se si mund të organizohet hapësira politike, por ai është edhe pyetje se si mund të bashkohen kapacitetet njerëzore, ekonomike dhe institucionale për të krijuar më shumë zhvillim, siguri dhe mirëqenie për qytetarët. Prandaj, kjo tezë nuk duhet të nisë nga pohimi se rezultati është i përcaktuar paraprakisht, por nga parimi se një popull duhet të ketë mundësinë të studiojë të ardhmen e vet, të ndërtojë alternativat, të njohë kufijtë dhe mundësitë juridike dhe, aty ku rendi kushtetues e lejon, të shprehë vullnetin e tij përmes mekanizmave demokratikë.
Nëse ky proces do të zhvillohet në etapa, atëherë çdo etapë duhet të ndërtohet mbi të njëjtin parim: dije, ligjshmëri, vullnet qytetar, kapacitet institucional, siguri dhe zhvillim. Pikërisht kështu, ideja e unifikimit të kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik mund të trajtohet jo vetëm si një aspiratë historike, por si një proces që kërkon të testohet në realitet përmes dijes, institucioneve, demokracisë dhe zhvillimit. Sqarim për dallimin organizativ: Ky dallim organizativ është i rëndësishëm dhe sqaron dy fazat e të njëjtit proces: fazën paraprake të propozimit dhe sensibilizimit, dhe fazën e zbatimit juridik nëse referendumi i parë miraton dokumentin, sipas procedurave përkatëse. Dallimi organizativ ndërmjet fazës paraprake dhe fazës së zbatimit lidhet me statusin juridik të dokumenteve dhe me shkallën e realizimit të procesit. Nëse referendumi i parë do të miratonte Dokumentin Juridik, të përgatitur dhe të argumentuar mbi bazën e studimit të “Platformës për Referendum Kombëtar”, atëherë procesi do të hynte në një fazë tjetër, në të cilën diskutimi nuk do të mbështetej më vetëm në propozime dhe materiale përgatitore, por do të lidhej me norma, akte dhe dokumente juridike të miratuara përmes procedurave përkatëse.
Kjo do t’i jepte procesit një bazë më të përcaktuar institucionale dhe do të mundësonte që hapat e mëtejshëm të zhvilloheshin me ritëm më të qartë, sipas kompetencave, afateve dhe procedurave që do të përcaktoheshin në aktet e miratuara. Deri në atë moment, megjithatë, procesi do të vazhdojë të ndërtohej përmes sensibilizimit publik, konsultimit, studimeve, propozimeve dhe përpunimit të mëtejshëm të Draftit Juridik, në mënyrë që qytetarët, akademikët, institucionet dhe aktorët e tjerë të kishin mundësi të njiheshin me përmbajtjen, objektivat dhe pasojat e mundshme të projektit. Këtë mundësi e kanë për çdo ditë pune, edhe tani. Pandaj, programi i punës dhe qëllimi themelor mbeten të njëjta, ndërsa forma e veprimit ndryshon sipas fazës në të cilën ndodhet procesi. Kështu deri në plotësimin e kushteve juridike dhe demokratike, do të kemi propozim, studim, konsultim dhe sensibilizim, pas një vendimmarrjeje të vlefshme dhe miratimit të dokumenteve përkatëse, do të kemi zbatim institucional, harmonizim juridik dhe përmbushje të hapave të parashikuar në aktet e miratuara. Në këtë mënyrë, qëllimi nuk ndryshon, por forma juridike dhe organizative e realizimit evoluon bashkë me përparimin e procesit.
Pse unifikimi i kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik? Sepse historia e shqiptarëve ka qenë e shoqëruar nga ndarje politike, ndryshime kufijsh dhe rrethana historike që shpesh nuk u kanë dhënë mundësinë të përcaktojnë vetë, në mënyrë të qëndrueshme, gjithë hapësirën e tyre politike dhe zhvillimore. Prandaj, kjo tezë e trajton unifikimin jo vetëm si çështje të kujtesës historike apo të territorit, por si një kërkesë për të ndërtuar më shumë bashkëpunim, siguri, fuqi ekonomike, zhvillim dhe koordinim institucional, në mënyrë që shqiptarët, kudo ku jetojnë, të kenë mundësi të ndërtojnë së bashku kapacitete më të mëdha për të ardhmen. Historia nuk duhet të mbetet një fat që përsëritet, por ajo duhet të bëhet një mësim prej të cilit ndërtohen institucione, dije dhe mekanizma demokratikë për ta përcaktuar të ardhmen me vullnet dhe përgjegjësi qytetare.
Kështu, unifikimi i kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik përbën, në kuptimin e këtij studimi dhe të vizionit të paraqitur në Platformën për Referendum Kombëtar, një proces të gjerë të organizimit, harmonizimit dhe fuqizimit të lidhjeve ndërmjet shqiptarëve, i cili mbështetet në vetëdijen e përbashkët kombëtare, në gjuhën dhe kulturën, në historinë dhe kujtesën kolektive, në shtetësinë dhe të drejtat qytetare, në harmonizimin e institucioneve, të arsimit, të programeve zhvillimore dhe të mekanizmave të sigurisë, si dhe në krijimin e një hapësire më të bashkërenduar politike, juridike, ekonomike dhe shoqërore, ku vullneti i qytetarëve, i shprehur përmes mekanizmave demokratikë dhe, sipas modelit të propozuar, përmes referendumit, të mund të shndërrohet në vendimmarrje, nga Drafti Juridik, në paketë ligjore, (ose në Dokument Juridik), dhe në fuqizim juridik dhe në zbatim institucional, duke e lidhur kështu IDENTITETIN, VETËDIJEN, VULLNETIN, SHTETËSINË, HARMONIZIMIN, INTEGRIMIN, SIGURINË dhe ZHVILLIMIN në një proces të vetëm të organizimit kombëtar dhe institucional. Në këtë kontekst, e drejta dhe marrëdhëniet ndërkombëtare nuk mund të anashkalohen. Çdo projekt që prek statusin, sovranitetin, marrëdhëniet ndërmjet shteteve ose çështje të tjera me dimension ndërkombëtar duhet të shqyrtohet në përputhje me parimet dhe detyrimet përkatëse juridike.
Demokracia është themelore, por ajo vepron brenda një rendi juridik. Prandaj, një projekt serioz duhet të dijë të dallojë çdo ndërtim shoqëror ndërmjet shprehjes së vullnetit politik, ndryshimit të brendshëm kushtetues dhe ndryshimit të statusit ndërkombëtar të një shteti. Kjo qasje nuk është vetëm juridike, por edhe strategjike. Sa më i madh të jetë ndryshimi i propozuar, aq më e madhe është nevoja për dije, përgatitje institucionale dhe vlerësim të pasojave. Për këtë arsye, një nga parimet themelore të këtij studimi është se integrimi kombëtar nuk duhet të paraqitet si një qëllim që duhet arritur pavarësisht kostove, por si një proces që duhet të kalojë nëpër filtrat e vullnetit, dijes, kapaciteteve, ligjit dhe sigurisë.
Ky zhvillim i unifikimit nuk e rrezikon sigurinë e brendshme shqiptare: Ky zhvillim i unifikimit të kombit shqiptar në Gadishullin Ilirik, sipas vizionit të Platformës për Referendum Kombëtar, nuk paraqitet si një proces që dobëson sigurinë e brendshme shqiptare, por si një proces që punon ta forcojë atë përmes rritjes së bashkëpunimit, harmonizimit institucional, koordinimit të mekanizmave të sigurisë, forcimit të përgjegjësisë qytetare dhe krijimit të standardeve më të përbashkëta në fushat që lidhen me rendin juridik, administratën, arsimin, ekonominë, infrastrukturën, mbrojtjen e qytetarit dhe funksionimin e institucioneve, sepse në logjikën e këtij libri siguria nuk kuptohet vetëm si aftësi për t’iu përgjigjur një kërcënimi, por si aftësi e shoqërisë dhe institucioneve për të parandaluar pasigurinë, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve, për të garantuar funksionimin e institucioneve dhe për të krijuar besim, stabilitet dhe përgjegjësi të përbashkët, duke e vendosur kështu unifikimin jo përballë sigurisë, por brenda një procesi ku HARMONIZIMI, BASHKËPUNIMI, PËRGJEGJËSIA, INSTITUCIONET, SIGURIA, BESIMI dhe ZHVILLIMI ndërtojnë njëri-tjetrin. Në këtë pikë, përvoja evropiane ofron materiale të rëndësishme krahasuese.
Modelet bashkëkohore të sigurisë në vende si Austria dhe Gjermania tregojnë se siguria moderne nuk kufizohet në një sektor të vetëm të shtetit. Ajo lidhet me aftësinë institucionale, ekonominë, mbrojtjen civile, sigurinë kibernetike, demokracinë, informacionin, përgatitjen e shoqërisë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional. Këto modele nuk duhet të kopjohen mekanikisht në realitetin shqiptar, por mund të shërbejnë si pikë krahasimi për të kuptuar se si një shtet modern e ndërton aftësinë për të përballuar krizat dhe për të mbrojtur interesin publik. Për shqiptarët, ky krahasim ka një rëndësi të veçantë sepse na detyron ta zgjerojmë kuptimin e shtetformimit. Nuk mjafton të pyesim se sa territor kemi, sa banorë kemi apo sa burime natyrore disponojmë.
Duhet të pyesim edhe sa të afta janë institucionet tona, sa profesionistë kemi, sa produktive është ekonomia, sa e zhvilluar është teknologjia, sa e fortë është administrata dhe sa i madh është besimi i qytetarit te shteti. Në fund të fundit, pasuria e një kombi nuk matet vetëm me atë që ndodhet nën tokë, por edhe me atë që ndodhet në mendjen e njerëzve dhe me aftësinë e institucioneve për ta kthyer dijen në zhvillim. Këtu hyn edhe kapitali njerëzor, një nga pasuritë më të mëdha të hapësirës shqiptare. Profesionistët, sipërmarrësit, studiuesit, mjekët, inxhinierët, teknologët, mësuesit, juristët, diplomatët dhe njerëzit e profesioneve të ndryshme përbëjnë një potencial që mund të kontribuojë në ndërtimin e institucioneve dhe në zhvillimin ekonomik.
Në këtë kuadër, mërgata shqiptare përbën një dimension të rëndësishëm të këtij kapitali, jo vetëm përmes remitancave dhe investimeve, por edhe përmes dijes, përvojës profesionale, teknologjisë, rrjeteve ndërkombëtare dhe lidhjeve me tregjet e zhvilluara. Prandaj, integrimi kombëtar duhet të kuptohet edhe si integrim i kapitalit njerëzor. Një projekt i madh nuk mund të ndërtohet vetëm duke bashkuar struktura administrative, por ai duhet të krijojë mundësi që njerëzit, dija dhe kapitali të qarkullojnë më lirshëm, që profesionistët të bashkëpunojnë, që universitetet të lidhen me projekte pune, që bizneset të krijojnë tregje më të mëdha dhe që institucionet të mësojnë nga njëra-tjetra. Në fund, ky studim synon të vendosë një urë ndërmjet dy dimensioneve që shpesh trajtohen të ndara: ndërmjet kombit dhe shtetit. Kombi i jep shoqërisë identitetin, kujtesën dhe ndjenjën e përkatësisë. Ndërkaq, shteti i jep asaj organizimin institucional, ligjin, administratën dhe mekanizmat për të vepruar në mënyrë të qëndrueshme. Një komb që dëshiron të jetë i fortë duhet të ketë jo vetëm vetëdije kombëtare, por edhe vetëdije shtetërore.
Dhe një shtet që dëshiron të jetë i qëndrueshëm duhet të jetë në gjendje ta kthejë energjinë shoqërore në institucione, dijen në politika publike dhe burimet në zhvillim. Në këtë kuptim, “Nga kombi te shteti” nuk është një udhëtim nga identiteti drejt mohimit të identitetit, por nga identiteti drejt përgjegjësisë. Nuk është kalim nga kombi te shteti si zëvendësim i njërit me tjetrin, por përpjekje për të kuptuar se si një shoqëri kombëtare mund ta ndërtojë shtetin e saj mbi bazën e ligjit, dijes, institucioneve dhe interesit publik.
Po ashtu, nuk është një thirrje për të anashkaluar realitetet juridike dhe ndërkombëtare, por një përpjekje për të kuptuar se si aspiratat kombëtare mund të shqyrtohen dhe, aty ku është e mundur, të realizohen përmes mjeteve demokratike, paqësore dhe institucionale. Kjo është arsyeja pse libri nuk kërkon të japë vetëm përgjigje, por edhe të shtrojë pyetje. Çfarë duam? A dimë si ta realizojmë? A kemi kapacitetet për ta bërë? A kemi institucionet që mund ta mbrojnë atë që ndërtojmë? A mund ta zhvillojmë atë në mënyrë të qëndrueshme? A mund ta bëjmë përmes ligjit, demokracisë dhe respektimit të të drejtave? Nëse këto pyetje marrin përgjigje serioze, atëherë aspirata kombëtare fillon të shndërrohet në projekt shtetëror. Dhe pikërisht këtu qëndron ideja themelore e hulumtimit: Identiteti krijon përkatësinë. Vetëdija krijon kuptimin. Dija krijon drejtimin. Përgjegjësia krijon institucionin. Kapaciteti krijon mundësinë. Siguria mbron atë që ndërtohet. Zhvillimi e kthen atë në mirëqenie.
Prandaj, rruga nga kombi te shteti nuk është një rrugë e shkurtër dhe as një proces që mund të përfundojë me një deklaratë. Është një proces i gjatë i ndërtimit të institucioneve, i forcimit të kulturës juridike, i zhvillimit të ekonomisë, i rritjes së kapitalit njerëzor, i përmirësimit të administratës, i mbrojtjes së qytetarëve dhe i krijimit të një shoqërie që di jo vetëm të kërkojë të ardhmen, por edhe të ndërtojë kapacitetet për ta përballuar atë. Në fund të fundit, një komb nuk matet vetëm me atë që kujton nga e kaluara, por edhe me atë që është në gjendje të ndërtojë për brezat që vijnë. Dhe një shtet nuk bëhet i fortë vetëm sepse ka pushtet, territor apo institucione në letër, por sepse qytetarët e tij kanë besim te ligji, institucionet kanë aftësi të funksionojnë, ekonomia krijon mundësi, dija kthehet në zhvillim dhe shoqëria ka kapacitet të përballojë krizat pa humbur lirinë, dinjitetin dhe rendin demokratik. Prandaj, pyetja e fundit që ky material i drejton çdo lexuesi nuk është vetëm “Çfarë duam të jemi?”, por një pyetje më e vështirë dhe më e përgjegjshme: A kemi dijen, vullnetin, institucionet dhe kapacitetin për ta ndërtuar atë që dëshirojmë, në mënyrë demokratike, ligjore, të sigurt dhe të qëndrueshme?
Kjo është rruga që ky studim përpiqet të ndjekë: NGA KOMBI TE SHTETI. Sqarim: Një shqiptar që e do gjuhën, historinë dhe kulturën e vet nuk e dëshmon vetëdijen kombëtare vetëm duke i mbrojtur ato në fjalë. Hapi tjetër është të kuptojë se këto vlera kanë nevojë për një shtet që i mbron, i zhvillon dhe i përcjell te brezat e ardhshëm. Prandaj, nga dashuria për gjuhën duhet të kalojë te përgjegjësia për arsimin, nga dashuria për historinë te përgjegjësia për ruajtjen e kujtesës dhe trashëgimisë, nga dashuria për vendin te përgjegjësia për ligjin, institucionet, ekonominë dhe sigurinë e tij. Në këtë kuptim, kalimi “nga kombi te shteti” nuk nënkupton të heqësh dorë nga identiteti kombëtar, por ta shndërrosh atë në përgjegjësi konkrete. Identiteti të tregon se kush je, përgjegjësia të detyron të mendosh se çfarë duhet të bësh për ta mbrojtur dhe zhvilluar atë që je.


