
Dijana Toska, Shkup
___
Kosova Proamerikane
___
Edhe kësaj here, populli i Kosovës foli qartë. Pa dykuptimësi.
Me votë plebishitare i tha PO orientimit perëndimor dhe aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si themel i sovranitetit, sigurisë dhe paqes së këtij shteti.
Ky verdikt nuk ishte mesazh ceremonial. Ishte urdhër politik i qytetarëve.
Qeveria e re nuk ka mandat për kompromise me mediokritetin, klientelizmin, korrupsionin dhe për justifikime.
Ka mandat për shtet.
Kosova nuk ka më kohë për eksperimente partiake dhe emërime militantesh. Ka nevojë për ekspertë realë, institucione të forta dhe drejtësi të pavarur. Çdo devijim nga kjo rrugë është tradhti e besimit qytetar.
Sot, në një moment historik, Kongresi Amerikan jo vetëm që paralajmëron, por edhe ofron mbështetje konkrete për Ballkanin Perëndimor:
– për goditjen e korrupsionit politik,
– për pastrimin e sistemit të drejtësisë,
– për forcimin e shtetit ligjor,
– dhe për mbrojtjen e medias së pavarur si armë kundër korrupsionit.
Kjo është një dritare që nuk hapet shpesh. Kush e mbyll, nesër do të mbahet mend si përgjegjës historik.
Sot, Kosova nuk ka asnjë arsye dhe asnjë alibi që këto parime të mos i përkthejë në ligje të forta, llogaridhënie dhe zbatim të pamëshirshëm. Vetëm kështu proamerikanizmi bëhet standard shtetëror, jo flamur elektoral për konsum ditor të partive dhe liderëve që e copëtojnë shtetin.
Korrupsioni është kanceri i këtij shteti dhe ai nuk luftohet me fjalë. Luftohet me dosje, gjykata dhe burg. Milionerët e dyshimtë duhet të dalin para drejtësisë.
Jo për hakmarrje. Për drejtësi.
Sepse drejtësia për ta është respekt për qytetarin që votoi për ndryshim, shtet ligjor dhe dinjitet.
Më 29 dhjetor 2025



Cdo gje mund te jete kjo vote plebishitare, por kurre nuk mund te jete vote pro-perendimore e aq me pak vote pro-amerikane.