ARKIVI:
7 Mars 2026

Urrejtja ndaj elitës politike, s’është emocion, është zgjuarësi!

Shkrime relevante

Izraeli ka hakuar kamerat e trafikut të Teheranit dhe përdori AI për të planifikuar vrasjen e Khamenei

Ali Khamenei nuk është më. Foto: Khamenei.ir Arnt Jensvoll / Document.no Sulmi ndaj...

Nga Mësonjëtorja e Korçës te Shkollat Shqipe në Diasporë

(7 Marsi – Dita e Mësuesit) Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë 7 Marsi është një...

Arsyetimi, manipulimi, kontrolli i pushtetarëve

Nga: Aurel Dasareti Gënjeshtra kur një person me pushtet e arsyeton vetveten...

Padia në Gjykatën e Strasburgut, do të konstaton diskriminimin në pasivizimin e adresave në Luginën e Preshevës

Në foto: Gjykata e Strasburgut për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore   Nga:...

Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Fahri Xharra, Gjakovë Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne...

Shpërndaj

Unë nuk i urrej politikanët tanë të rafinuar sepse jam i zemëruar. I urrej sepse mendoj.
Dhe mendimi, në këtë vend, konsiderohet defekt karakteri.
Urrejtja ime nuk vjen nga barku, por nga truri. Është e ftohtë, e qartë dhe pa iluzione. Është reagim i shëndoshë ndaj një realiteti të sëmurë ku hajnia quhet aftësi, ku gënjeshtra quhet diplomaci dhe ku varfëria e popullit quhet stabilitet.
Politikanët tanë nuk janë keqkuptim historik. Ata janë sëmundje psikologjike e shoqërisë që i duron.
Ata janë pasqyra ku masa e sheh vetveten, por e thyen pasqyrën që të mos e shohë fytyrën e saj budallaqe.
Prandaj i voton. Prandaj i mbron. Prandaj i duartroket edhe kur ua vjedhin bukën nga goja.
Ata vjedhin buxhetin e shtetit dhe bëhen më të pasur se politikanët e vendeve më të pasura. Jo sepse janë më të zotë, por sepse jetojnë në një mjedis ku ligji është dekor, ku ndërgjegjja është luks dhe ku turpi është fjalë e panjohur.
Ata flasin për dashuri ndaj popullit, ndërsa e shtrydhin popullin si limon të tharë. Flasin për të ardhmen, ndërsa e shesin të tashmen. Flasin për shtetin, ndërsa e trajtojnë si bankomat personal.
Në realitet, projekti i vetëm që ata mbrojnë është trupi i tyre. Barku i tyre. Rehatia e tyre.
Fytyrat e grave të tyre, jenë të shformuara nga bisturia, sepse rrudhat nuk mbulohen dot me moral. Çdo ndërhyrje estetike është përpjekje për ta fshehur zbrazëtinë e brendshme. Sa më e madhe zbrazëtia, aq më i trashë silikoni mbi rrudha. Sa më e thellë frika, aq më i shtrenjtë kostumi.
Paratë që i ushqejnë këto qenie inferiore nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga tatimi i të varfrit, nga TVSH-ja e bukës, nga ilaçi i të sëmurit, nga fletorja e fëmijës. Janë para që kalojnë nga varfëria direkte në luks të pështirë, pa u ndalur kurrë te dinjiteti.
Pastaj vjen arsimi. Ai armiku më i madh. Sepse arsimi prodhon njerëz që pyesin. Dhe njerëzit që pyesin janë të rrezikshëm për pushtetin.
Prandaj fëmijët e tyre studiojnë jashtë. Ata nuk janë budallenj; ata janë cinikë.
Ata e dinë saktë se çfarë kanë shkatërruar dhe kë e kanë mashtruar. Arsimi i dobët për masën nuk është dështim — është strategji mbijetese për elitën.
Votuesit?
Ata nuk janë vetëm viktima. Ata janë bashkëpunëtorë pasivë. Ata nuk i duartrokasin politikanët; ata e duartrokasin gënjeshtrën që ua bën jetën të durueshme. Sepse e vërteta kërkon përgjegjësi, ndërsa gënjeshtra ofron rehati. Dhe rehatia është drogë më e fortë se liria.
Prandaj banditi shihet si shpëtimtar. Hajduti si patriot. Krimineli si lider. Kjo nuk është konfuzion logjik; është nevojë psikologjike.
Shoqëria e traumatizuar kërkon baba autoritar, jo drejtësi.
Edhe Bashkimi Evropian përmendet vetëm sa për sy e faqe. Sepse atje hajnia nuk quhet aftësi politike, por vepër penale. Dhe atje, shumë prej këtyre “elitave” nuk do të ishin ministra të shtetit, por dosje të prokurorisë. Prandaj integrimi predikohet, por nuk dëshirohet.
Më e keqja nuk është korrupsioni i tyre, por fakti që ata e ulin me vetëdije nivelin e shoqërisë.
I detyrojnë të zgjuarit të ecin me hapin dhe ritmin e budallenjve, sepse mendimi i shpejtë ua prish qetësinë.
Ata nuk duan qytetarë; ata duan dele.
Duan dele që i ndjekin pas deri te lumi, ku i lënë pa ujë dhe deri te kullota ku i lënë pa bar.
Dele që për këtë mashtrim madje i falënderojnë barinjtë e tyre mashtrues.
Prandaj po e them qartë:
Urrejtja ime nuk është problem moral.
Është akt vetëmbrojtjeje intelektuale.
Sepse në një shoqëri ku budallallëku është normë, të menduarit është rebelim.
Dhe unë nuk jam i zemëruar.
Unë jam zgjuar.
Krah për krah me politikanët tanë të korruptuar, që e kanë kthyer shtetin në bankomat personal, ecë banda më e re, më e rrezikshme dhe më cinike në historinë tonë kombëtare:
Oligarkët dhe tregtarët.
Ata nuk janë thjesht oligarkë dhe tregtarë; ata janë prodhim i një edukate të poshtër dhe të pashpirt, që nuk njeh as komb, as fe, as njeri, as moral, por vetëm fitim dhe pushtet.
Çdo mëngjes, çmimet rriten si ritual fetar. Sot rryma dhe buka, nesër qumështi dhe vaji, pasnesër ilaçet dhe veshmbathja— gjithmonë dyfish ose trefish, me justifikimin e njohur të tregut.
Shteti i sheh, por hesht.
Dhe heshtja e tij nuk është paaftësi, por bashkëpunim.
Çfarë i bën këta oligarkë dhe tregtarë shumë më të poshtër se të gjithë pushtuesit e jashtëm së bashku ?
Fakti që i rrisin çmimet më shumë se dikur SPS-i i Millosheviqit.
Sepse i rrisin me një gjakftohtësi të paimagjinueshme brenda kufijve të vendit të tyre dhe kundër popullit të tyre.
Armiku i jashtëm vjen me dhunë, por këta e bëjnë me ligj, me taksa, me TVSH, me inflacion, me manipulim dhe me heshtje.
Ata nuk ia thyejnë qytetarit të varfër vetëm xhepin, ata ia thyejnë fëmijës së tij shpirtin.
Kjo është prova më e qartë se perversiteti me të cilën po përballemi sot nuk është vetëm grabitje, është një mentalitet i brendshëm okupues, një trashëgimi e egoizmit të shoqërisë që i ka lindur.
Ata ia shesin dyfish bukën, qumështin, ilaçin — dhe populli jo vetëm që nuk reagon, por e ndihmon këtë lojë, duke e shndërruar në moral tragjik sakrificën e vetvetes.
Pse këta oligarkë dhe tregtarë janë më të pashpirt se çdo armik i jashtëm.
Sepse armiku ta merr me bukën me forcë për të të sunduar, ndërsa këta ta shesin dyfish dhe tentojnë të të bindin se ky është ligji i natyrës.
Armiku të shtrëngon me dhunë, këta të mashtrojnë me fjalë, me flamuj patriotik dhe me “justifikime të rrejshme ekonomike”.
Oligarku rrit çmimin, politikani mbyll sytë, dhe populli, i dehur nga premtimet e rreme dhe mitet patriotike, shndërrohet në motor të tragjedisë së vet.
Ai jo vetëm që nuk proteston, por duartroket, falënderon, dhe justifikon shfrytëzimin.
Në këtë mënyrë tragjedia bëhet bashkëpunim. Varfëria bëhet virtyt. Mashtrimi kthehet në identitet.
Kjo që ndodh tek ne nuk është thjesht krim ekonomik, është triumf i edukatës më të poshtër dhe më të pashpirt që ka njohur njerëzimi.
Sepse është një edukatë që prodhon grabitqarë dhe përbindësh të popullit të tyre që janë më gjakftohtë dhe më të pamëshirshëm se çdo pushtues i jashtëm.
Sepse janë më të egër se çdo diktator, dhe më të pakujdesshëm ndaj dhimbjes njerëzore se sa çdo armik shekuĺlor.

K O M E N T E

1 KOMENT

  1. Çdo ide dhe urrejte janë të cilësuara armiqësu, sepse mentaliteti i këtyre politikanve, është i cekët dhe me një shkollim shkel e shko , ndoshta edhe me diploma të blera, ose plagjiatura apo marrja e fakultetit veç hyn e dil, sepse je Komannnant edhe e ke merituar!

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu