
Flori Bruqi, Prishtinë
Kadrush Radogoshi lindi në Gjakovë më 15 shtator 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjakovë,Fakultetin Filosofik (Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe) si dhe studimet pasuniversitare në degën e letërsisë i kreu në Prishtinë. Magjistroi me punimin “Poetika e romanit bashkëkohor shqiptar me tematikë të shekullit XV”. Në “Nor Quest College” (Edmonton, Kanada) kreu “Intercultural Studies and English as a Second Language” (8 semestra). Prej vitit 1969 e deri në vitin 1981 punoi në arsim, kur e burgosën dhe e dënuan për propagandë antijugosllave. Ishte i vetmi gjakovar në mesin e 237 intelektualëve të arrestuar më 28 mars 1989 e të dërguar fillimisht në Burgun e Leskovcit e pastaj në Burgun e Prokuples. Vite të tëra ka qenë i papunë dhe i persekutuar, herë-herë gjer në linç publik.
Ai mendon se rreziku më i madh është nëse intelektuali pranon të mësohet me të keqen. Në raste të tilla e keqja e jashtëzakonshme shndërrohet në të zakonshme. Është detyrë e intelektualëve, që të mos e lejojnë këtë fenomen të rrezikshëm ekzistencial për një popull. Kështu ka vepruar Sokrati, kështu vepron edhe krye personazhi i romanit “Laokooni” të këtij shkrimtari.
“Laokooni”, nuk është roman tradicional, por është roman i kodit simbolik. Narracioni në të nuk është linear kronologjik, por i dramatizuar sepse bëhet nga më shumë se një narrator dhe nga shumë këndvështrime, pra thyerjet janë të mëdha në aspektin struktural. Nuk është e rastit që autori i këtij romani ka fituar në Kanada “EAC Project Grant for Individual Artists” shuma e të cilit është 25.000 $.
Kadrushi me jetën e tij personale dhe me romanet e tij përfaqëson fatin e intelektualit shqiptar të Kosovës siç janë: Adem Demaçi (i dënuar për 28 vjet në kazamatet serbe), apo Ukshin Hoti i zhdukur nga policia serbe në atë ditë kur përfundonte afati i dënimit në Burgun e Dubravës. Në vitin 2005 Adem Demaçi u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa Kadrush Radogoshi nënkryetar. Ademi nuk arriti ta kryejë mandatin për shkaqe shëndetësore, prandaj punën e tij e kreu nënkryetari Kadrush Radogoshi, i cili në mandatin tjetër (2007-2009) u zgjodh kryetar i LSHK-së.
Sipas Kadrush Radogoshit, struktura më e persekutuar në Kosovë ishin një pjesë e shkrimtarëve, ndërsa pjesa tjetër ishte e përkëdhelura e pushteteve. Raporti i Kadrush Radogoshit me Adem Demaçin ishte shumë miqësor .
Disidenca në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi ka qenë e dyfishtë; ideologjike dhe kombëtare. Konfliktin e bënte edhe më të ashpër fakti se një pjesë e shkrimtarëve dhe intelektualëve tjerë bashkëpunonte me pushtetin, i cili shqiptarët i trajtonte si qytetarë të dorës së dytë apo të dorës së tretë.
Një intelektual të cilin e brengos fati i njerëzve të vet, nuk mund të pajtohet me disa politika. Bie fjala Kadrushi u pengua të doktoronte në tezën e aprovuar “Kronotopika ekzistenciale në romanin bashkëkohor shqiptar”, vëllai i tij u detyrua të braktiste studimet, vëllain tjetër e kanë burgosur për shkakun e Kadrushit.
Kadrush Radogoshi ka qenë në burgosje hetuese, që e kanë marrë sa herë kanë dashur udbashët . Nuk ka pasur dënime të gjata, por kanë qenë burgosje në nhetim.
Ky ishte rreziku më i madh. Torturat ishin nga më të rëndat. Ata me çdo kusht kërkonin të montonin grupe ilegale, që t’i mënjanonin disa intelektualë shqiptarë, që nuk ishin instrumentalizuar nga pushteti si të tjerët.
Kadrushi nuk i arsyeton disa poetë. Nuk dëshiron të rëndojë ndërgjegjen e tij, por po e morët, librin e historianit Akademik Prof. dr. Haki Bajramit, “Dosja Demaçi”, që është një libër afro 500 faqe, cili ka arritur të depërtojë në Arkivin e Gjykatës së Prishtinës e të marrë tërë dokumentacionin e tri gjykimeve të Adem Demaçit- më 1959, më 1964 dhe më 1975.
Në të tria gjykimet e Ademit deklaratat akuzuese janë të shokëve të tij shkrimtarë, të cilët sot janë emra të njohur dhe për disa prej tyre shqiptarët kanë krijuar mitet ishin akuzuesit e Adem Demaçit. Deklaratat janë aty.
Unë, vazhdon më tutje Kadrushi, nuk dua ta rëndoj ndërgjegjen time, ju do të befasoheshit po t’i mësonit emrat, por deklaratat janë shumë akuzuese ndaj tij. Ata asnjëherë, nuk i kanë kërkuar falje publike Adem Demaçit, më thotë shkrimtari Kadrush Radogoshi.
Me shkrime filloi të merret që nga viti 1970 e deri me tash. Shkruan kryesisht poezi, prozë, dramë, ese, kritikë letrare dhe artikuj studimorë për letërsinë. Është fitues i shumë çmimeve për poezi e tregim në konkurset letrare.
Për librin “Nëpër universin letrar” (kritikë, ese, studime) në vitin 2003 fitoi Çmimin ”Pjetër Bogdani” për veprën më të mire në të gjitha zhanret letrare, ndërsa në vitin 2009 për librin “Çabrat antologjia, Seancë e përshpirtshme” fitoi Çmimin për librin më të mire poetic të vitit.
Në mars të vitit 2005 u zgjodh nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndërsa në mars 2008 u zgjodh kryetar i saj.
I pakënaqur me gjendjen e rëndë në Kosovën e pasluftës për shkak të politikës dështake në të gjitha aspektet emigroi në Kanada në vitin 2010.
The Stroll of Poets, Writer Guild of Alberta dhe Canadian Authors’ Association. Profilin e tij letrar e kanë prezantuar gazeta të njohura kanadeze si “Edmonton Journal” e Edmontonit, “The Gazette” e Montrealit etj.
Për të kanë shkruar emra të njohur kanadezë si Michael Hingston, Richard Davies, Rita Espeschit etj.
Shkrimtari, kritiku kanadez dhe redaktori i librit Richard Davies shkrimin e tij kritik për poezinë e Kadrush Radogoshit e ka titulluar “Një Orfe i Edmontonit”, që nënkupton vlerësimin më të lartë për të.
Pos dy librave të fundit të botuar në gjuhën angleze, poezitë e Kadrush Radogoshit gjerë tani janë zgjedhur dhe prezantuar në tetë antologji poetike kanadeze dhe në antologjinë botërore “Intercontinental Anthology of Poetry on Universal Peace” (2016). Gjithashtu poezitë e tij janë zgjedhur në disa libra tematikë të botuar në Kanada.
Vepra të botuara:
Poezi:
1.”Në mes të heshtjës dhe këngës” (1981);
2. “Në udhëkryq” (1984);
3. “Nekrologji për Sodomën” (1991);
4. “Heraldika e pikëllimit” (1997);
5. “Pikon çati e shpirtit” (2004);
6. “Orfeu nga Vendenisi” (2005);
7. “Pikëllim i buzëqeshur” (2006);
8. “Çabrat antologjia- seancë e përshpirtshme” (2008);
9. ”A Devout Session 2 – Seancë e përshpirtshme 2” (libër bilingual, 2014);
10. “Orpheus’ Palimpsest” (2018);
11. “Palimpsest orfeik 2” (2018);
Kritikë, ese, studime:
1. “Poetika e romanit bashkëkohor shqiptar me tematikë të shek. XV” (1985); 2. “Interpretime” (1993); 3. “Nëpër universin letrar” (2003); 4. “Semantika e bregut tjetër” (2008);
Romane
1.“Jeta artistike e Ilir Shkretës” (1993);
2. “Homo Dardanicus” (2001);
3. “Laokooni” (2017);
Dramë
“Adem Jashari dhe vdekja” (2001);
Libër dokumentar
“Nëpër rrathët e ferrit serb” (2005)
Etj.


