ARKIVI:
6 Mars 2026

Zanë Mali: Letër e hapur për qeverinë Rama: Kosova nuk është bisht i tryezës suaj me Vuçiqin!

Shkrime relevante

Transport i fshehtë me pothuajse 1 miliard në ar dhe para për Zelenskyj u ndalua në Hungari

Kiev, Ukrainë 20260225. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyj pret kryeministrin Jonas...

Rugovishtja mes ruajtjes dhe asimilimit gjuhësor

MSc. Adem Lushaj, Deçan (Vështrim rreth librit, Ndryshimi i varietetit gjuhësor (Rasti...

Donna Dafi vjen me superhitin provokues për fuqizimin e grave “Touch Me Like That”

Shtutgart, 7 mars 2026 Skena ndërkombëtare e muzikës pop-dance po tronditet nga...

Kur ideologjia fetare bëhet filtër i arsyes

Basri Beka, Prishtinë Debati me mikun tonë X është një shembull klasik...

Shpërndaj

Ndërkohë që ju i hapni rrugën kamionëve serbë të hyjnë në Durrës si në oborrin e tyre, produktet e Kosovës enden mes pengesave, burokracive, dhe trajtimeve të turpshme, sikur të ishim ndonjë treg periferik i padëshiruar. Në marrëveshjet tuaja me Beogradin mungon diçka thelbësore: nuk ka firmë të Prishtinës, nuk ka vend për Kosovën, nuk ka asnjë kusht që mbron interesin kombëtar. Vetëm përulje, vetëm heshtje përballë një shteti që ende nuk njeh pavarësinë tonë, që mohon gjenocidin, dhe që punon çdo ditë për ta zhdukur Kosovën nga çdo institucion ndërkombëtar.

Ju nuk jeni më një qeveri që gabon por një strukturë që ka zgjedhur ta trajtojë Kosovën si pengesë, jo si pjesë të kombit. Me çdo marrëveshje që firmosni me Vuçiqin, ju vendosni Kosovën jashtë. Me çdo dalje tuajën, ku fjalën “bashkim” e përdorni për të justifikuar përuljen përballë një armiku të hapur, ju përçmoni çdo pikë gjak të derdhur për këtë komb.

Kjo nuk është harresë politike, kjo është politikë e qëllimshme e përjashtimit. Të gjitha lëvizjet tuaja drejt “Ballkanit të Hapur” nuk kanë asnjë përfaqësim të interesit të Kosovës, sepse ju nuk e shihni më Kosovën si prioritet. Për ju, Kosova është bërë pengesë për karrierën diplomatike. Një pengesë që ju përpiqeni ta anashkaloni, ta heshtni, ta lini në hije.

Po ju themi troç: nuk do të heshtim. Nuk do ta pranojmë këtë nënshtrim kombëtar që po e quani ekonomi. Nuk do të qëndrojmë të heshtur ndërsa ju shkelni mbi dinjitetin e Kosovës për të buzëqeshur me Vuçiqin në Tiranë, Shkup apo Novi Sad.

Ku janë doganat për mallrat serbe? Ku janë analizat e sigurisë ushqimore? Ku janë etiketat që të paktën ta tregojnë se çfarë po fusni në tregun shqiptar? Si guxoni të hapni rrugë për një shtet që nuk njeh kufijtë e Kosovës, nuk njeh dhimbjen tonë, nuk njeh historinë tonë, nuk njeh ekzistencën tonë? Dhe më e rënda: si guxoni ta quani këtë “bashkëpunim”, kur vendosni partnerin e masakrave e në kreun e tavolinës, e na lini neve të ftohtë e të papërfaqësuar?

Populli shqiptar është me ne dhe ne jemi me ta sepse jemi një.Por ju, si qeveri, jeni shkëputur nga fryma kombëtare. Jeni kthyer në menaxherë të interesave të jashtme që s’kanë as lidhje me kombin, as lidhje me historinë tonë, as lidhje me plagët tona. Nuk mund të thoni se përfaqësoni Shqipërinë, nëse e lini Kosovën në derë. Nuk mund të flisni për bashkim kombëtar, kur i hapni portat Serbisë dhe i mbyllni Kosovës çdo shteg drejt bashkëpunimit të barabartë.

Kosova nuk është çiflig që e administroni ju. Nuk është dekor për konferencat tuaja me Vuçiqin. Nuk është lodër që mund ta hiqni nga tavolina kur ju prish harmoninë me Serbinë. Kosova është shtet, është mish i këtij kombi, dhe mbi të gjitha është ndërgjegjja që ju mungon.

Ndaj, mos flisni më në emër të kombit kur përjashtoni gjysmën e tij. Mos u bëni zëdhënës të bashkimit, kur përfaqësoni veç përçarjen. Dhe mos kërkoni heshtjen tonë, se ajo ka mbaruar.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu