Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallasi, paska deklaru se BE-ja ka nisë me heqjen shkallë-shkallë të masave kundër Kosovës.
Çka ka ndryshu, në ndërkohë, nga ana e qeverisë së Kosovës?
Asgjë. Edhe gjatë takimit me zonjën Kallasi, kryeministri Kurti vazhdon me mbylljen e qelizave të fundit të institucioneve të Serbisë në Kosovë, ashtu qysh do të duhej të kishte ndodhë shumë kohë më parë nga qeveritë e mëparshme.
Atëherë çfarë ka ndodhë? Ka ndodhë ndryshimi në BE. Tani Përfaqësuese e Lartë e BE-së është zonja Kaja Kallasi, e cila ka kuptu se puna e Borrellit dhe e Lajcakut ka qenë jo vetëm e pafrytshme, por edhe e gabueshme. Në diplomaci asnjëherë nuk thuhet se paraardhësi ka gabu, por duke bë veprime krejt të kundërta prej paraardhësve e tregon qëndrimin krejt të ri.
Zonja Kallasi nuk është e ndikuar nga politikat klerofashiste ruse e serbe, ashtu qysh ishin Borrelli dhe Lajcaku. Dihet tashmë, edhe Borrelli, edhe Lajcaku, vinin nga dy shtete që nuk e njihnin pavarësinë e Republikës së Kosovës, nga Spanja, gjegjësisht nga Sllovakia dhe ky i dyti ishte një ish-komunist i shkolluar në Moskë dhe shef e ka edhe sot një kryeministër pro-Putinit, Robert Ficon.
Zonja Kaja Kallasi vjen nga Estonia, shtet që e njeh pavarësinë e Kosovës, është mbesë e një luftëtari të hershëm për pavarësinë e Estonisë, ajo ka qëndrime të ashpra e të guximshme kundër Putinit, aq sa e pati kundërshtu edhe vetë kancelaren Merkeli, që e kishte ftu Putinin me marrë pjesë në samitin e udhëheqësve europianë. Sa ishte kryeministre e Estonisë ndihmoi Ukrainën me armatime më shumë se të gjitha vendet e tjera në botë, në raport me GDP-në. Dhe në kohën kur Rusia shpalli Doneckun dhe Luhanskun si “republika popullore” ajo pati kërku që të vendosen sankcione kundër Rusisë. Ka tregu një kujdes për Turqinë, si një anëtare të rëndësishme të NATO-s, ndërsa ka kritiku ashpër qëndrimet e Trumpit në raport me Putinin.
Thjesht, me gjithë pamjen e saj të një zonje të butë, zonja Kallasi është një zonjë e hekurt e BE-së. Dhe sapo të jesh kundër Putinit, kundër politikave agresore, është fort të lehtë të merresh vesh me kryeministrin Albin Kurti, i cili, megjithëse kryeministër i një vendi të vogël, ka ndjekë, me shumë konsekuencë, një politikë të jashtme që asnjëherë nuk ka rreziku interesat europiane.
Me këtë bëhet krejt e qartë një gjë, që individë të caktuar që vihen në krye të institucioneve të caktuara, megjithatë, kanë ndikim në orientimin e politikave edhe të Bashkimit Europian. Është mirë që BE-ja i ka kuptu gabimet e mëparshme të Borrellit e të Lajcakut dhe tregon shenja se do të ketë një orientim krejt tjetër nga dueti i mëparshëm që ishte jo vetëm haptazi prosllav, por edhe haptazi antishqiptar.
Me këtë sjellje parimore dhe dinjitoze, qeveria e Kosovës tregoi se ndonjëherë edhe BE-ja ka çfarë të mësojë nga Kosova, kur ndodh që ndonjë individ brenda BE-së të dalë nga vijat politike të proklamuara prej vetë saj. Tani duket se Bashkimi Europian dhe Republika e Kosovës janë në të njëjtat valë dhe, me këtë, pajtimi dhe marrëveshja mes tyre është e nënkuptuar.



