ARKIVI:
6 Mars 2026

Ime vjerrë më urrente sepse “unë i mora djalin”…!

Shkrime relevante

Etihad Airways rifillon fluturimet nga Abu Dhabi, aftësia e Iranit për sulme është zvogëluar ndjeshëm

A displaced man with his family fleeing Israeli airstrikes in Beirut's...

Mbrojtja e identitetit nuk është urrejtje, është instinkt normal i çdo kombi që respekton veten

Majlinda Grajçevci, Mitrovicë Ta quash “banalitet” mbrojtjen e kulturës dhe identitetit shqiptar...

“6 Marsi – Dita e Dëshmorëve” – të zyrtarizohet sa më parë…!

Bashkim Fazliu - "Migjeni", Ferizaj  Sot është Dita e Dëshmorëve në Kosovë...

Lufta e Jasharajve dhe ndikimi i saj

Kolonel Dilaver Goxhaj, Tiranë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së 28...

Shpërndaj

___
Kam dy mike të miat në Shqipëri që janë divorcuar pas disa viteve martesë. Të dyja zonja e nëna të shkëlqyera, gra me integritet e mjaft inteligjente. Të dyja të ndryshme në karakter por me të njëjtin përfundim të fatit. U trishtova shumë kur e mësova këtë gjë pasi të dyja kanë nga dy fëmijë dhe pyetja që shpesh në këto raste del si pa të keq është: po pse? Si ka mundësi? Përgjigja në të dyja rastet ishte: familja e tim shoqi fitoi më në fund. Nuk na shihnin dot bashkë. Ime vjerrë më urrente sepse “unë i mora djalin” dhe nuk isha mjaftueshëm për të.
Kushedi sa histori të tilla ekzistojnë. Kushedi sa familje janë shkatërruar prej injorancës, xhelozisë, smirës, inatit e mungesës së mirëkuptimit. Kushedi sa fëmijë kanë mbetur jetim me prindër gjallë pikërisht prej arsyeve të tilla kaq absurde.
Duke dashur të shpjegoj sado pak këtë fenomen që ndodh rëndom në shoqërinë tonë ende patriarkale, po sjell një shkrim timin me titull:
Mos e lejo trungun të prishë degën që po rritet.
Familja nga vjen është rrënja, vendi ku u lindëm, u rritëm dhe morëm formë. Ajo është origjina jonë, por jo domosdoshmërisht destinacioni ynë përfundimtar. Një ditë, çdo njerit prej nesh i vjen dëshira dhe mundësia të ndërtojë një familje të re, të zgjedhë partnerin e vet, të krijojë një shtëpi me themelet e dashurisë dhe respektit reciprok. Por pikërisht këtu fillon një nga të vërtetat më të ndërlikuara të jetës: familja që të solli në jetë shpesh ka dëshirë të drejtojë apo të kontrollojë familjen që po krijon.
Ajo që bën diferencën është një vijë e hollë mes dashurisë dhe ndërhyrjes, mes kujdesit dhe kontrollit. Shumë prindër e kalojnë këtë vijë pa e kuptuar duke besuar se e dinë më mirë, se kanë më shumë përvojë ose thjesht sepse nuk dinë të ndajnë “fëmijën” nga “njeriu i rritur” që ti tashmë je. Por e vërteta është se çdo ndërhyrje e panevojshme, çdo koment që nxit përçarje, çdo ndikim që prish harmoninë, është një gur që rëndon mbi themelet e një familjeje të re, një gur i rëndë që peshon mbi të ardhmen dhe dashurinë tënde
Askush nuk mundet të harrojë nga vjen, as sakrificat e prindërve që të rritën, as dashurinë që ke marrë e dhënë, asgjë nuk harrohet sa kohë i ke përjetuar çdo ditë për vite me rradhë. Nderimi për familjen e origjinës është shenjë e një shpirti të formuar. Por nderim nuk do të thotë nënshtrim. Dashuria nuk justifikon asnjë ndërhyrje. Dhe asnjë “e mirë” nuk justifikon thyerjen e kufijve mes dy familjeve të ndryshme.
Familja që po ndërton sot është zgjedhja jote. Është hapësira ku ti dhe partneri/partnerja jote po rriteni bashkë, në mënyrën tuaj. Çdo kufi i shkelur nga jashtë është një rrënjë e dytë që përpiqet të mbizotërojë mbi një degë të re por nuk mund të ketë jetë të shëndetshme aty ku nuk ka kufij të shëndetshëm.
Përpiqu ta ruash degën tënde, mbroje trungun e ri që po rritet me mund dhe dashuri. Sepse familja është për të bashkuar, jo për të ndarë. Është për të mbështetur, jo për të sunduar. Në fund të fundit çdo njeri prej nesh ka vetëm një dashuri të madhe në jetë. Imagjinoni sikur këtë dashuri të madhe e të pazëvendësueshme t’ua shkatërrojë pikërisht një dashuri po kaq e madhe: nëna juaj.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu