(Shenim: Në Prizren u organizue festimi i Dites se Flamurit si dhe u bë inaugurimi i rihapjes se Shtëpisë (së rrenuar nga barbaria sërbe) të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ishte paraparë që edhe Mustafë Henci (1925-28.11.1999) të mbajë fjalën e rastit, por që vdekja e pamëshirshme në mëngjesin e ditës së mbajtjes së festimit, papritmas vdiq në Prishtinë, para se me u nisë me shkue në Prizren, prandej nuk arrijti që ky burrë i madh i Kosovës ta mbajë këtë fjalim historik, prandej me plotë pietet po e botojmë ne vijim):
____
ZONJA DHE ZOTËRINJ, DEPUTET TË NDERUAR, VËLLEZËR DHE MOTRA TË MALLIT TIM GJYSËMSHEKULLOR !
____
Ju pershendes përzemërsisht nga thellësia e shpirtit, që sot pas 54 vjetë mu dha rasti të shkeli tokën e dashur të Kosovës, këtë tokë për të cilën kam thurur shumë ëndrra dhe derdhur shumë lotë në mergim.
Ju drejtohem juve me pak fjalë si njëri ndër themeluesit e ‘’LIDHJES KOSOVARE NË MËRGIM’’, sot në këtë ditë madhështore në Prizrenin tonë legjendar, për të kremtuar Ditën e 28 Nëntorit, Ditën e Pavarsisë së gjysmës së Shqipërisë së cunguar, megjithëse ne Kosovarët nën udhëheqjen e Isa Boletinit legjendar të gjithë së bashku luftuam, sakrifikuam, derdhëm gjak për bashkimin e trojeve tona.
Por, ne nuk e gëzuam lirinë e merituar, duke mbetur nën robërinë sërbosllave. Asnjë populli në botë nuk i është bërë padrejtësi aq e madhe e coptimit të më shumë se gjysmës së trojeve tona si njerit ndër popujt më të vjetër të Ballkanit dhe Evropës. 28 Nentori i sivjetëm ka kuptim të veçantë dhe më të rëndësishëm se më parë, sepse Kosova e çliruar nga barbarët sërbo-okupator në saje të luftës heroike të Aleancës Veri-Atlantike dhe të luftës së trimave të pashembulltë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para 54 vjetësh, në të kaluarën e stuhishme formuam në shtëpinë time bashkë me vëllaun tim të ndjerë Abdyl Hencin (1907-1.03.1981) dhe patriotë të tjerë të Prishtinës ‘’Komitetin e Rinisë Nacionaliste për mbrojtjen e Kosovës’’ dhe pas pak ditësh u mblodh Asambleja e Përgjithëshme në gjimnazin ‘’Sami Frashëri’’, ku u konfirmue zyrtarisht kjo Organizatë.
Pikërishtë para 54 vjetësh bëmë luftë të përgjakshme, ne luftarët e ‘’Komitetit të Rinisë Nacionaliste për mbrojtjen e Kosovës’’ kundër partizano-çetnikëve sërbo-sllavë nëpër malet e Kosovës, duke qenë shumë më superior kundër armiqëve tonë sërbo-okupator, por pasi brigadave jugosllave u vijnë në ndihmë brigadat ruso-bullgare dhe ato shqiptare, ligështohet shumë fronti ynë i rezistencës.

Dhe ne luftarët e Komitetit të Rinisë Nacionaliste për mbrojtjen e Kosovës, perkatësisht të ‘’Ballit Kombëtar’’, për të mos e dëmtuar popullin tonë në Kosovë që na jepte ndihmë të pakursyeshme në çdo shtëpi, vendosëm të largohemi nga Kosova.
Më kujtohet mirë, kur para se të emigroja nga Kosova në vitin 1945 hypa në një lis të maleve të Kosovës dhe në shenjë dhimbje e malli që po largohem e lëshova një ofshamë të fuqishme nga shpirti “OJ, KOSOVË OJ PRISHTINË, QYTETI IM, MIRË U PAFSHIM DERI NË ÇLIRIM !’’ …. Dhe, nëpër mollëzat e faqeve më rrodhi si padiktueshëm një breshëri lotësh.
Prandej, sot vëllazër dhe motra, jam shumë i lumtur që po ju përshendes nga kjo foltore, që ju shoh të bashkuar dhe të çliruar nga ankthi i okupatorit më të zi të këtij shekulli.
Jam i lumtur sot më shumë se asnjëherë më parë, sepse edhe neve në mërgim nuk na shkuan huq përpjekjet për të vërtetën tonë mbi Kosovën.
Kam folur mbi çerek shekulli në radion në gjuhën shqipe ‘’Zëri i shqiptarëve të lirë’’ në Nju Jork, ku dëgjohej zëri i ynë për Kosovën dhe lirin e saj.
Demostruam pa nderprerë për çështjen e kombëtare. Kontaktuam shumë ambasador, senator dhe burra shtetëror. Dhe qysh atëherë u thamë atyre se të gjithë këtë armatim që po ia jepni Jugosllavisë, një ditë ajo do t’a perdorë kundër shqiptarëve dhe popujëve jo-sërbë në ato hapsira.
Ndërkaq, sot kur këmba e shkaut çetniko-komunist nuk shkelë më në Kosovën tonë, duhet të jemi edhe më vigjilent se më parë, sepse me vetorganizim dhe kulturën tonë i tregojmë botës se kush jemi.
Vetëm me nivelin e organizimit tonë na imponon amaneti i gjakut të derdhur të deshmorëve tonë. Sepse këte e kërkon e tashmja dhe e ardhmja e jonë.
Dhe per t’ia vënë bazat e shëndosha e të forta pavaresisë sonë, duhet t’i forcojmë radhët e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës si garancën më të mirë të lirisë tonë.
Unë, pas më shumë se një gjysëm shekulli në mërgim, vendosa të kthehem në Kosovën tonë të bekuar, sepse vetëm këtu deshiroi të më pushojnë eshtrat e mia, vetëm këtu në këtë tokë trime që më edukoi dhe më fisnikroj, vetëm në këtë tokë trime të Hasan Prishtines, Isa Boletinit, Bajram Currit, Shaban Polluzhës, Azemit e Shotë Galicës, të Adem Jasharit, Tahir Mehës, Mehmet Gradicës, Ndue Përlleshit, prof. Ymer Berishes e të Ukshin Kovaçices.
____
JU PRIFTË E MBARA DHE ZOTI QOFTË ME JU !
Përpiluar në Nju Jork, 25.11.1999
Mustafë Henci
***
Shpjegim: Familja Henci, kanë qenë atëdhetarë të devotshëm. Abdyl Henci, Mustafë Henci, Fehmi Henci, mjek pediatër, ka vdekë pas vitit 2000 në Prishtinë! Avdyli dhe Mustafa kanë jetue në SHBA…!



Lavdi për jetë e mot vëllazërve Henci!