Më pak “dushk për gogla” dhe më shumë shtet!
Debati publik në Kosovë, përkundër transformimeve të mëdha shtetformuese ndër vite, shpesh vazhdon të mbingarkohet me zëra periferikë, që shfaqen si autoritete politike pa tagër dhe pa lidhje me mekanizmat e përgjegjësisë institucionale. Ajo që dikur ishte një fenomen i kufizuar—koktejet retorike të degëve e “pipave” të partive të vogla në diasporë—është shndërruar sot në një infrastrukturë të tërë paralelesh politike, të cilat përplasen me realitetin e institucioneve të Kosovës dhe me sfidat e saj gjeopolitike.
Nga administrimi ndërkombëtar tek ndërtimi i shtetit: një periudhë e gjatë tranzicioni
Në periudhën e pasluftës, Kosova kaloi nën administrimin e UNMIK-ut, një fazë gjatë së cilës institucionet vendore u zhvilluan më shumë si fragmente protokolare sesa si mekanizma efektivë të sovranitetit demokratik. Komunikimi me publikun ishte shpesh ceremonial, ndërsa diaspora, që atëherë ende e paorganizuar në mënyrë institucionale, shfaqej herë si kritik i ashpër, herë si përfaqësuese imagjinare e vullnetit popullor.
Pas UNMIK-ut, rolin mbikëqyrës dhe gjyqësor e absorbuan misionet e tjera, veçmas EULEX-i. Gjatë kësaj periudhe, Kosova hyri në fazën e “konsolidimit të pavarësisë së mbikëqyrur”, ku mekanizmat e drejtësisë dhe të sigurisë qëndronin nën binomin autoritet vendor – autoritet ndërkombëtar. Në këtë realitet të dyfishtë, hapësira e diasporës shpesh u përdor për retorikë politike, por rrallë për investime konkrete ose modele të zhvillimit ekonomik.
Politika e brendshme dhe arkitektura PAN+LS: deformimi i institucioneve
Me konsolidimin e strukturave politike pas shpalljes së pavarësisë, Kosova hyri në një periudhë të re: arkitektura e njohur si PAN+LS, një konfigurim politik që ndikoi në pothuajse të gjitha segmentet e jetës publike—nga agjencitë e pavarura te ekonomia publike, nga sistemi prokurorial te proceset e privatizimit.
Në këtë kohë, polarizimi politik u thellua dhe institucionet nisën të përdoren më shumë për kohezion të brendshëm partiak sesa për ndërtimin e shtetit.
Këtu diaspora vazhdoi të luajë rolin e komentatorit nga distanca, shpesh duke prodhuar opinione që nuk reflektonin kompleksitetin e skemave të brendshme politike, ku zinxhirët e interesave ekonomike, politike dhe klienteliste krijuan një sistem që frenonte reformat dhe sundimin e ligjit.
Komunat etnike serbe dhe fragmentimi i territorit: një gabim strategjik
Në periudhën e dialogut teknik dhe politik me Serbinë, u krijua një strukturë e pashpjegueshme në logjikën ekonomike: 10 komuna me shumicë serbe, disa të ngritura në zona gjeografike që nuk përmbanin masa kritike të zhvillimit ekonomik, njerëzor apo institucionor. Kjo përbën një nga vendimet më të diskutueshme të epokës së paspavarësisë, sepse fragmentoi hartën administrative të Kosovës pa studim të fizibilitetit dhe krijoi hapësira të izolimit juridik dhe funksional.
Diaspora e artikulonte shpesh këtë temë në mënyrë emocionale—por pa ofruar zgjidhje, modele të administrimit modern, ose vizione të integrimit ekonomik.
Në këtë kontekst, termi “dushk për gogla” nënvizon një realitet të dhimbshëm: retorika e shpërndarë në rrjete, grupe dhe portale nuk arrin të përkthehet në politika të prekshme.
Integrimi i veriut dhe dilema e sovranitetit
Procesi i integrimit të veriut të Kosovës në rendin ligjor të saj ishte një tjetër etapë e rëndësishme. Ai u shoqërua me hezitime politike, devijime të skemave të zbatimit, tensione të vazhdueshme dhe ndërhyrje nga Beogradi, i cili instrumentalizoi fragmentimin e brendshëm të Kosovës.
Këtu diaspora shpesh ndërhynte me opinione të shpejta, të cilat shpesh e thjeshtuan realitetin në dy pole: “tradhti – patrioti”, duke ushqyer kështu polarizimin politik, por jo konsolidimin e shtetit.
Diaspora: mes potencialit real dhe pritjeve fiktive
Diaspora kosovare është një aset strategjik i jashtëzakonshëm—jo vetëm financiar, por edhe profesional. Megjithatë, mungesa e një kornize institucionale shtetërore për bashkëpunimin me të e ka reduktuar ndikimin e saj në një sërë reagimesh emocionale, të cilat shpesh e humbasin lidhjen me realitetin administrativ dhe ekonomik të vendit.
Në vend të investimeve, transferit të teknologjisë dhe shkëmbimit të ekspertizës, shpesh dominojnë deklarimet e paqëndrueshme, sulmet e ndërsjella mes grupeve të diasporës dhe një politizim i panevojshëm, që ushqen një polarizim të dëmshëm në Kosovë.
Polarizimi i sotëm politik: një rrezik gjeostrategjik
Sot Kosova gjendet para një sfide serioze: polarizimi politik po e gërryen kapacitetin e saj shtetformues. Forcat politike e përdorin diasporën si amplifikator të narrativave të tyre partiake, duke e zhvendosur fokusin nga temat kyçe:
siguria kombëtare,
roli i Kosovës në arkitekturën gjeopolitike të Ballkanit,
dialogu me Serbinë,
integrimi euroatlantik,
reforma në drejtësi dhe stabiliteti institucional.
Nëse ky polarizim vazhdon, Kosova rrezikon të humbasë momentumin gjeostrategjik dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Ashtu si në periudhat kalimtare të së kaluarës—UNMIK, EULEX, PAN+LS—zërat periferikë, të cilët nuk mbështeten në ekspertizë e as në përgjegjësi, rrezikojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të vonojnë proceset shtetformuese.
Nga retorika në përgjegjësi
Në trajektoren e gjatë të shtetndërtimit—nga administrimi ndërkombëtar, te koalicionet me logjikë klienteliste, te integrimi i veriut—Kosova ka pasur një deficit të madh të kulturës institucionale.
Politika, në vend që të përqendrohet në reforma, përfundon e zhytur në zhurmën e rrjeteve sociale, ku diaspora shpesh luan rolin e jehonës së një polarizimi të brendshëm të paarsyetuar.
Prandaj, nevoja urgjente e Kosovës është kjo:
Më pak retorikë dhe më shumë vizion.
Më pak zëra periferikë dhe më shumë institucione funksionale.
Më pak “dushk për gogla” dhe më shumë shtet.




Okej. Na qe jetojme jasht nuk ben me u perzi. Dakord. Por po ju rikujtoj nje Dokument qe e ka nenshkru Delegacioni i Kosoves ne Rambuje: Rezoluta 1244 qe kjart permban nder pika kyqe, kusht: Kosova shtet, por JO bashkim me Shqiperi. Nese dikush nuk e respekton Rezoluten 1244 dhe kete kusht: Jo bashkim me Shqiperi por e injoron kete kusht dhe nenshkrim pra dakordim dhe per ate kusht, gijeni se Hapet Kutia e Pandores. E serbet aty ju presin! Pikerisht aty ju presin! Dhe nuk ju suporton mo Bashkesia Nderkombetare. Dij cka flas.
Titulli i shkrimit NUK përkon me përmbajtjën, nga se:
SHËNIM lidhur me “Dushk për gogla”
Dy shitës në pazar e mashtrojnë njënin tjetri në atë mënyrë që njeni e kishte mbushë thesin me dushk e i tha tjetrit se kam duhan e tjetri me gogla e i tha atij në thes kam arra!? Pasi shkojnë të shtëpia e i hapin thasët e shohin se janë mashtruar, si njeni ssi tjetri.