Intervistë me Muzli Hakajn, ish – i burgosur politik, veprimtar i çështjes kombëtare dhe sportist me mirënjohje ndërkombëtare që jeton në Norvegji
___
Muzli Hakaj jeton në Norvegji. Hakaj është nga Hakaj i krahinës së Plavës dhe Gucisë, një malsor i paepur me një rrugë të vështirë njerëzore , si pjesa dërmuese e shqiptarëve jo vetëm të kësaj krahine, por nga i gjithë Mali i Zi. Mali i Zi, që edhe në kohën e autonomisë së Kosovës, ka bërë politike serbomadhe ndaj shqiptarëve të cilët nuk i ka lejuar të rehatoheshin dhe të përparonin në vendin e vet. Ata duhej të shpërnguleshin kryesisht në Amerikën e largët, por edhe në vende të ndryshme europiane.
Muzli Hakaj ka qenë një person entuziast dhe kuadër deficitar në fushën e industrisë së drurit, i cili pasi i kishte kryer studimet me sukses të lartë në Kosovë, kthehet që ta ndihmojnë vendin e vet, Plavën e Gucinë si ingjinier i ri, por politika serbomadhe në Mal të Zi nuk e lejon që të punoj dhe udhëheq me sukses në fabrikën e Drurit në Plavë.
Intervistën me Muzli Hakajn e bëra pasi vendosa ta ribotoja librin “Intervistë e papërfunduar me Hasan Mekulin dhe intervista të tjera nga Sanxhaku, Plava e Gucia”, Muzliu është një figurë shumë e njohur dhe lënia e rrëfimit të tij jashtë këtij libri, e lë të paplotë përmbajtjen e tij.

Kush është Muzli Hakaj?
___
Muzli Hakaj: Kam lindur në vitin 1960, në fshatin Hakaj, pjesë e krahinës së Plavë–Gucisë. Paraardhësit e mi, Nimon Uka, Rexhë Uka dhe Nezir Uka, kanë qenë vëllezër. Sipas gojëdhënës familjare, të parët e tyre, me qindra vite përpara, kishin ardhur nga Valbona në Shqipëri, të detyruar të largohen prej andej për shkak të gjakmarrjes së asaj kohe.
Jeta për shqiptarët në fshatin Hakaj nuk ka qenë e lehtë, dhe këtë e them jo vetëm për familjen time, por për gjithë shqiptarët e atyre anëve. Në ato troje, gjuha dhe shkolla në shqip nuk kanë qenë të garantuara. Ne nuk patëm mundësi të ndjekim shkollën fillore në gjuhën shqipe; kishte vetëm katër klasë, dhe vetëm shumë më vonë u hap shkolla tetëvjeçare në Guci. Edhe shkolla e mesme në gjuhën shqipe erdhi vonë, në vitin 1983/84. Për mua, kjo nënkuptonte një zgjedhje të vështirë, por të domosdoshme. U detyrova të shpërngulem në Kosovë, jo vetëm për të vazhduar shkollimin në gjuhën time, por edhe për të mos humbur lidhjen me historinë, kulturën dhe traditën tonë shekullore.
___
Me sa di, shumë shqiptarë nga ajo zonë detyroheshin të shpërnguleshin në Kosovë për shkollim. Po ju, ku e vazhduat rrugën tuaj?
___
Muzli Hakaj: Po, kjo është e vërtetë. Për shumë prej nesh, Kosova nuk ishte thjesht një vend për të ndjekur shkollën—ishte një shpresë. Për mua, Kosova u bë gjithçka. Aty gjeta shkollimin, dijen, por edhe një lloj drite që më ndriçoi rrugën si nxënës. U shpërngula fillimisht në Pejë, dhe ajo periudhë mbetet ndër më të rëndësishmet në jetën time.
Po të kisha mbetur në Plavë, besoj se fati im do të kishte qenë krejt tjetër, ndoshta do të kisha mbetur analfabet, ose do të isha detyruar të shkollohesha në një gjuhë që nuk ishte e imja. Dhe kjo, për mua, do të kishte qenë humbja më e madhe, se ashtu edhe mund të asimilohesha e bëhesha “boshnjak” si jo pak të tjerë.
___
Gjatë shkollës së mesme në Kosovë, a e ndjeje se po ndodhnin zhvillime shoqërore dhe politike? Sa ishe i informuar dhe a diskutoheshin këto çështje në rrethin tënd? Ku banoje në Pejë?
___
Muzli Hakaj: Po, mund të them se ajo kohë ishte një periudhë kur fillova të ndjej se diçka po ndryshonte, edhe pse jo gjithmonë kuptohej qartë se çfarë. Në Pejë ndoqa shkollën e mesme “Shaban Spahija”. Ishte një ambient ku, përveç mësimit, fillova të formoj edhe një vetëdije më të gjerë për jetën dhe rrethanat që na rrethonin. Në atë kohë fitova njohuri dhe dije, por mbi të gjitha u vendos një themel që më shoqëroi më tej në jetë.
Jetoja te daja i babait tim, Rexhep Lekaj – Muriqi, nga Koshutani i Rugovës, i cili në atë kohë jetonte me familjen e tij në Pejë. Ai kishte pesë djem dhe e gjithë familja ishte e lidhur ngushtë me realitetin politik të kohës. Në atë shtëpi nuk jetohej vetëm përditshmëria—jetohej edhe shqetësimi për fatin e vendit. Daja Rexhep ishte një kundërshtar i vendosur i pushtetit shtypës. Shpesh, në mbrëmje, ne të rinjtë mblidheshim rreth tij dhe dëgjonim rrëfimet e tij—për kohët e LDB-së, për përndjekjet, për ngjarjet që kishin lënë gjurmë të thella në jetën e tij dhe të popullit tonë. Ai fliste me një përkushtim të rrallë, duke na përcjellë jo vetëm histori, por edhe një ndjenjë përgjegjësie dhe vetëdijeje. Shumë herë, këto ndeja përfundonin ndryshe—me tingujt e lahutës. Daja Rexhep i binte lahutës me një mjeshtëri të veçantë dhe këndonte këngët e kreshnikëve, duke e kthyer çdo mbrëmje në një udhëtim në kohë. Ishin momente që nuk harrohen lehtë, sepse aty gërshetoheshin historia, dhimbja dhe krenaria. Pas periudhës së LDB-së, daja Rexhep kishte qenë i përndjekur nga pushteti, si kaçak në Rugovë. Ai kishte gjetur strehë edhe në shtëpinë e Nezir Ukës, te nipat e tij—Elez, Ramë dhe Bajram. Me fjalë të tjera, Elezi dhe Bajrami ishin mixhallarët e mi, ndërsa Rama, babai im. Kështu që, në një mënyrë që vetëm jeta di ta lidhë, mua më ra fati të jetoja pikërisht te daja Rexhep, një pasardhës i atij brezi që kishte përjetuar aq shumë.
___
Shkollimin e mëtejmë ku e vazhdove? Ju jeni inxhinier i një fushe mjaft deficitare në atë kohë…?
___
Muzli Hakaj: Pas përfundimit të shkollës së mesme në Pejë, u regjistrova në Fakultetin e Industrisë së Drurit në Ferizaj, në vitin akademik 1979/80. Fakultetin e përfundova në vitin 1984 me notë mesatare 9. Pas diplomimit, më u ofrua punësim në Kombinatin e Përpunimit të Drurit “Tefik Çanga”, i cili në atë kohë kishte rreth 4000 punëtorë dhe 32 reparte pune. Gjithashtu, kisha një ofertë tjetër për punësim në Istog, afër Pejës. Megjithatë, unë kisha vendosur të kthehesha pranë familjes sime.
___
Na e sqaroni se çfarë nënkuptoni kur thoni “unë kisha vendosur të kthehesha pranë familjes sime”? A e kishit menduar që në fillim të ktheheshit në vendin tuaj? Në atë kohë nuk kishit ende familje të krijuar?
___
Muzli Hakaj: Po, është e vërtetë që atëherë nuk kisha krijuar ende familje. Por unë i kisha bërë një premtim nënës sime kur u largova nga Hakajt: se do të shkoja të shkollohesha dhe do të kthehesha përsëri pranë tyre. Ky premtim kishte një peshë të madhe për mua. Përveç kësaj, pak kohë më parë kisha përjetuar një humbje të rëndë—kisha humbur tragjikisht dy vëllezër. Kjo më shtyu edhe më shumë që të kthehesha, të isha pranë nënës sime dhe, mbi të gjitha, të rikthehesha në vendin tim.
___
Nëse mbaj mend mirë, shkollat dhe universitetet në Kosovë kishin shumë bashkëvendas tuaj dhe, sa di, janë të paktë ata që janë kthyer pas shkollimit në vendlindje. Pra, të paktë janë ata që janë kthyer të jetojnë dhe punojnë në Guci dhe Plavë, pasi thuhej se nuk kishte perspektivë për ta atje ?
___
Muzli Hakaj: Po, ashtu është, dhe kjo nuk ishte thjesht një zgjedhje, ishte një realitet i imponuar. Shumë prej nesh e dinim se kthimi do të thoshte përballje me vështirësi, me pengesa dhe me një lloj izolimi që të shoqëronte çdo ditë. Po ju tregoj një rast konkret. Djali i mixhës Imeri, një ndër studentët më të dalluar në Fakultetin e Makinerisë në Prishtinë, e përfundoi me notën 10. Edhe Hysen Ulaj, kushëriri im, ishte po aq i zoti. Por asnjëri prej tyre nuk u kthye në vendlindje për të punuar si inxhinier. Ata zgjodhën të qëndronin në Pejë, në Kombinatin e Autopjesëve “Ramiz Sadiku”, sepse atje, të paktën, mund të merrnin frymë më lirshëm. Unë vendosa ndryshe. U ktheva. Ndoshta nga një ndjenjë përgjegjësie, ndoshta nga dashuria për vendin tim, ndoshta edhe nga një premtim i heshtur që i kisha bërë vetes.
U punësova në Kombinatin e Përpunimit të Drurit në Plavë, në fund të vitit 1984, si inxhinier i përpunimit final të drurit. Në fillim nuk e kuptova plotësisht se çfarë më priste. Por shumë shpejt e ndjeva. Isha si një “dele e zezë” mes “deleve të bardha”. Edhe kur arrita të ngjitesha në pozita drejtuese, deri si drejtor teknik, kjo ndjenjë nuk më la kurrë. Nuk ishte vetëm çështje pune, ishte diçka më e thellë. Filluan pengesat. Fillimisht të vogla, thuajse të padukshme. Pastaj gjithnjë e më të qarta. Më kërkonin që dokumentet ti shkruaja në alfabetin cirilik. E dinin shumë mirë pse e kërkonin këtë, sepse unë kisha studiuar në gjuhën shqipe. Ishte një mënyrë për të më vënë në provë, për të më kujtuar se kush isha, dhe ndoshta edhe për të më thyer.
___
Pse ndodhte kjo? A kishte të bënte me faktin që ishit shqiptar dhe me kohën pas demonstratave të vitit 1981?
___
Muzli Hakaj: Po, pa asnjë dyshim. Unë isha i njohur si student shqiptar. Demonstratat e viteve 1981–1982 nuk ishin harruar. Unë vetë kisha marrë pjesë në to. Kam qenë në Kosovë dhe kam jetuar me të—kam ndarë dhimbjen dhe shpresën e saj. Realiteti i asaj kohe ishte i rëndë.
___
A ishte përpjekja juaj që të jetonit dhe punonit si një shqiptar i barabartë me të tjerët në vendin tuaj?
___
Muzli Hakaj: Po, natyrisht. Kjo ishte ajo që doja, të isha i barabartë. Por realiteti ishte ndryshe. Ata të donin të përulur, jo të barabartë. Kur fillova punën në Kombinat, unë isha në pozitën e specialistit dhe pjesë e kuadrit udhëheqës. Por kjo nuk pranohej lehtë, jo kur bëhej fjalë për një shqiptar. Vetë fakti që një shqiptar do ti udhëhiqte ata krijonte tension dhe mosdurim. Përveç kësaj, gjendja ekonomike e Kombinatit ishte e tillë që gjithçka ishte e orientuar drejt shfrytëzimit. Kombinati funksiononte vetëm si përpunim gjysmëfinal dhe prodhimet dërgoheshin jashtë, kryesisht në Itali. Pas një iniciative timen, kjo kontratë u ndërpre dhe u lidh një marrëveshje me Rozhajën për përpunim të brendshëm. Filluam tharjen e drurit aty, dhe brenda një ndërrimi arrinim të përpunonim rreth 200 metra kub dru me vlerë të lartë. Ishte një ndryshim i madh, por jo i mirëpritur.
___
Duket sikur ju vazhduat rezistencën e të parëve tuaj, por në një formë tjetër—jo me armë, por përmes punës dhe qëndrimit tuaj si shqiptar i arsimuar?
___
Muzli Hakaj: Po, kështu është. Ne gjithmonë kemi pasur përplasje me regjimet, sepse nuk i kemi pranuar. Por në kohën time, rezistenca kishte marrë një formë tjetër. Ajo që bëra unë ishte e papranueshme për ta. Në atë kohë, për të ndërmarrë ndryshime të tilla duhej të ishe pjesë e partisë komuniste. Unë nuk isha. Për më tepër, vija nga një familje që konsiderohej “shtëpi kaçakësh”. Regjimi më kishte vrarë gjyshin, Nezir Ukën, dhe më pas edhe vëllanë e tij, Nimon Ukën. Në përballjet me ta ishin vrarë dhjetëra malazezë. Ende sot përmendet rrethimi i Nimon Ukës, kur i kishin thënë: “Dorëzohu, Nimon Uka!”—dhe ai u ishte përgjigjur: “Nuk i jam dorëzuar kujt prej që më ka lindur nana, e as juve!” Për 50 vjet, askush nuk kishte guxuar t’u prekte varret.
___
Nga kjo që tregoni, duket se ju keni dashur që Kombinati të udhëhiqej nga vendasit, jo nga ndikimet e jashtme?
___
Muzli Hakaj: Po, kjo është e vërteta. Ata nuk pranonin që mbi ta të ishte një udhëheqës tjetër—sidomos jo një shqiptar. Kur erdha unë, ishte një tronditje për ta. Brenda pak muajsh punësova rreth 60 punëtorë shqiptarë dhe boshnjakë. Por problemi ishte se ata donin që punëtorët të vinin nga Ivangradi (Berana). Autobusët bënin tre ndërrime për të sjellë punëtorë serbë dhe malazezë nga Andrijevica, Murina, Arzhanica e Velika, ndërsa në Vuthaj, ku kishte rreth 700 shtëpi shqiptare, nuk shkonte asnjë autobus. Asnjë shqiptar nuk punonte aty. E njëjta gjë ndodhte edhe me fshatra të tjera shqiptare.
___
A e ndjenit veten të vetmuar në këtë përpjekje? Sikur të kishit më shumë intelektualë shqiptarë pranë jush, a do të ishte më e lehtë?
___
Muzli Hakaj: Pa dyshim. Nëse do të kishim qenë më shumë, do të mbështesnim njëri-tjetrin. Unë isha pothuajse i vetëm. Dhe kjo e bënte gjithçka më të vështirë. Edhe pse toka nga Lumi i Luçës deri në kufi me Shqipërinë ishte pronë e jona, nuk kishte asnjë shqiptar në shërbimin e policisë kufitare.
___
Duket se kërkesa juaj për barazi krijoi reagim. A filloi atëherë përgatitja e një goditjeje ndaj jush?
___
Muzli Hakaj: Po. Ishte e pashmangshme. Një ditë, pasi kisha kaluar disa ditë në Bjeshkët e Memës, u ktheva në punë dhe kuptova se diçka po përgatitej. Një grup — Otasheviçi, Knezeviçi, Laboviçi dhe Kastratoviç — kishin ngritur një skemë kundër meje. Kishin përfshirë edhe një grua shqiptare nga Vuçetaj, të cilën e kisha punësuar vetë. Pa të, komploti nuk do të dukej i besueshëm.
___
Cila ishte akuza?
___
Muzli Hakaj: Se isha solidarizuar me rastin e vrasjes së ushtarëve të Ushtrisë Jugosllave në Paraqin, më 3 shtator 1987, rast i njohur për opinionin dhe ndoshta duhet rikujtuar se, me informacionet publike të viteve të fundit, është konfirmuar se rasti ishte inskenuar nga Shërbimi sekret ushtarak, në bashkëpunim dhe nën ndikim nga Shërbimi sekret serb dhe me autorizim politik nga strukturat politike të Serbisë dhe vetë Slobodan Millosheviq. E gjitha kjo si pjesë e planit për heqjen e autonomisë së Kosovës dhe kontrollin e plotë të saj. U arrestova më 10 shtator 1987.
___
Ju akuzonin për solidarizim me ato vrasje?
___
Muzli Hakaj: Po. Pretendonin se unë e mbështesja aktin e Aziz Kelmendit. Unë e kundërshtova. Thashë se nuk besoja që ai i kishte vrarë bashkëushtarët e tij dhe se raste të tilla ishin manipuluar edhe më parë—ushtarët shqiptarë vriteshin dhe paraqiteshin si vetëvrasje. Vetëm 40 minuta pas kësaj bisede, më arrestuan. Në polici më thanë se ishin nga UDB-ja e Podgoricës. Filluan keqtrajtimet—poshtërimet ishin më të rënda se dhuna fizike.
___
A kishit shpresë për drejtësi në gjyq?
___
Muzli Hakaj: Jo. E kuptova që gjithçka ishte vendosur paraprakisht. Qëllimi ishte të më largonin—sepse u kisha penguar. Hetuesia zgjati 4 muaj e 22 ditë. I kalova në izolim të plotë, në një birucë, duke u torturuar vazhdimisht. Më pyetnin pse u shkollova në Kosovë, me kë kisha lidhje, nëse njihja njerëz të dënuar për “irredentizëm”. U përgjigjesha me kujdes—e dija se çdo fjalë mund të përdorej kundër meje.
___
Si përfundoi gjyqi?
___
Muzli Hakaj: Avokati Bajram Kelmendi ishte angazhuar për mbrojtjen time, por u tërhoq, kishte presion. Mbeta me kushëririn tim, avokatin Isuf Hakaj, dhe një avokat malazez Tomisllav Dediç. Dëshmitarët deklaruan atë që u ishte kërkuar.
Në fund sollën edhe “shqiptaren e ndershme”. I kërkova përkthyesit që ajo të dëshmonte në shqip. Nuk mundi, sepse nuk e fliste gjuhën. Ishte pjesë e një procesi asimilimi, ashtu siç kishte ndodhur me shumicën e shqiptarëve në Plavë e Guci, proces i filluar nga viti 1912 e pastaj në formën më të sofistikuar nga përfundimi i LDB dhe duke përdorur të gjitha instrumentet e shtetit për frikësim, përndjekje dhe deri te joshjet. Pra, treva e Plavë–Gucisë, në kuptimin etnik, nga një krahinë mbi 90% shqiptare në vitet e ’70/’80, deklarohej me një shumicë boshnjake apo shqiptarë boshnjakfolës.
Shpresa ime është se, viteve të fundit, po vërej se kemi një vetëdijesim të popullatës shqiptare të boshnjakizuar, e cila hapur tregon për rrënjët e veta shqiptare dhe, patjetër, me përkrahjen e fortë të institucioneve kulturore të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, mund ti kthehen edhe gjuhës së tyre që kanë folur të parët e tyre para dy brezash. Mos të harrojmë asnjëherë se çfarë roli ka luajtur treva e Plavë–Gucisë dhe heronjtë e asaj ane në historinë kombëtare.
U dënova me dy vjet burg për “propagandë armiqësore”, sipas nenit 133. Dënimin e vuajta në burgun e Spuzhit.
___
Çfarë ndodhi pas daljes nga burgu?
___
Muzli Hakaj: Pas daljes nga burgu, në një farë mënyre dola nga një burg i vogël për të hyrë në një burg më të madh. Liria ishte vetëm në dukje. Në shtator të vitit 1989, nuk kishte asnjë mundësi që të kthehesha në punë apo të jetoja normalisht. Pak kohë pas lirimit tim, ndodhi një shpërthim me dinamit në stacionin e policisë në Plavë. Në atë kohë nuk e dija kush e kishte vendosur, por policia nuk vonoi të më drejtonte gishtin.
Erdhën dhe më arrestuan përsëri. Një oficer i UDB-së, Velija Muriq (fatkeqësisht ky ishte një shqiptar i boshnjakizuar, por instrument i sistemit shtypës), më mori në pyetje dhe më akuzoi se unë e kisha vendosur eksplozivin.
I thashë: “Po veproni njësoj si para dy vitesh. Unë nuk kam bërë një gjë të tillë—përkundrazi, po ju akuzoj juve se e keni bërë.” Më lanë të shkoja në shtëpi, por më thanë se nuk kishin mbaruar ende me mua. Ishte një kërcënim i heshtur që më ndiqte në çdo hap. Dy vjet më vonë, e vërteta doli në sipërfaqe. Një malazez lokal, Vujko Drakuloviç, djali i Gjoko Drakuloviçit, në gjendje të dehur pranoi se ai e kishte vendosur dinamitin në stacionin e policisë. Sipas disa rrëfimeve, ai, së bashku me disa të tjerë, kishte marrë pjesë edhe në krime gjatë luftës në Kosovë. Motivi i tij ishte i qartë: të nxiste urrejtje ndaj shqiptarëve, duke i fajësuar për sulme ndaj institucioneve shtetërore.
___
A ishte ky momenti që ju detyroi të largoheshit nga vendlindja dhe të shkoni në Norvegji?
___
Muzli Hakaj: Po, ky ishte momenti vendimtar. Unë isha ende nën hetim për një vepër që cilësohej si terrorizëm. Kisha detyrim paraqitjeje dhe e kuptova se nuk kisha më të ardhme aty. Duhej të gjeja një rrugëdalje.
Në atë kohë, në Norvegji ndodheshin djemtë e dajës Rexhep, Ramizi dhe Nufriu. U nisa drejt tyre. Fillimisht qëndrova për një kohë të shkurtër te Ramizi dhe më pas nisa procedurat për azil, të cilat u pranuan. Kështu filloi një kapitull i ri i jetës sime në Norvegji. Edhe atje nuk qëndrova i shkëputur. U angazhova në aktivitete politike dhe shoqërore, duke mbështetur kërkesat e popullit shqiptar në Kosovë dhe në trojet e tjera nën okupim. Isha pjesë dhe simpatizant i lëvizjeve politike të kohës, përfshirë LPK-në, si dhe kontribuova në strukturat e komunitetit shqiptar në Norvegji. Kam qenë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkësisë Shqiptare në Norvegji, e cila ishte një nga bazat kryesore të mbështetjes për luftën e UÇK-së për liri.
Që nga fillimi i viteve ’90 jam i punësuar në kompaninë biofarmaceutike Takeda në Norvegji.

Në planin personal, keni shumë arritje sportive? Rezultatet tregojnë se nuk je dorëzuar kurrë, por vetëm ke shënuar suksese të tjera. Prej nga të vije kjo forcë…?
___
Muzli Hakaj: Sporti ka qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Që i ri u mora me karate në Klubin e Karatesë në Pejë, nën drejtimin e Shemsedin Kelmendit dhe Nazmi Iberdemajt, ku arrita deri te brezi i zi. Pas ardhjes në Norvegji, vazhdova në klubet e karatesë në Halden dhe më pas në klubin “Mitsuchi” në Bærum. Rruga ime në artet marciale vazhdoi pa ndërprerje—nga brezi i parë deri te 6 Dan në vitin 2006. Në vitin 2012, në Osaka të Japonisë, mora titullin SOKE, 10 Dan dhe thirrjen profesionale: (Doktor profesor i Arteve marciale). Njëherit, jam edhe refer ndërkombëtar në sportet marciale. Përvoja jetësore dhe vështirësitë e jetës së kaluar nën pushtim, kur ke dashur të jetoje sikurse të tjerët, duke qenë i qetë dhe krejtësisht i barabartë e jo vetëm që s’të lënë të ndihesh i barabartë, por të ndjekin e torturojnë, natyrisht se të bënë të fortë…!






Si një person që e njeh në thelb krahinën e Plavës dhe Gucisë, a mund të na japësh një sqarim se si u bë “boshnjake” dhe e humbi gjuhën pjesa më e madhe e banorëve të asaj krahine?
___
Muzli Hakaj: Pyetje me vend, por edhe shumë e vështirë për ti dhënë një përgjigje të thjeshtë. Do të përpiqem të jap një përgjigje, natyrisht brenda kufijve të njohurive të mia. Kemi një fakt të pamohueshëm nga studiuesit (Rizah Gruda etj.) se themeluesi i Plavës dhe Gucisë është Dedë Shala, një malësor i konvertuar në fenë islame me emrin Omer Agë Shala, të cilin osmanët e privilegjuan dhe i dhanë në zotërim krahinën e Plavë-Gucisë. Dy djemtë e tij, Hasan Agë Shala dhe Tahir Agë Shala, formuan dy qytezat që ne i njohim sot si Plava dhe Gucia. Pinjollët e tyre janë Omeragajt e Plavës dhe Gucisë (Omeragiçët). Pra, shikuar nga ky këndvështrim, duket se krahina ishte krejtësisht shqiptare në kuptimin etnik. Nuk ka dilemë se vetë kujtesa dhe gjenealogjia e banorëve të saj na e vërtetojnë këtë.
Po ti kthehemi pyetjes se si u bë pjesa më e madhe e kësaj popullate “boshnjake”, kjo e ka gjenezën në politikën bazë të Kishës Ortodokse Serbe, të ndihmuar nga Kisha Ortodokse Ruse dhe Rusia Cariste, e cila kishte nevojë për një satelit të fortë në Ballkan si kundërpeshë ndaj ndikimit austro-hungarez. Kjo aleancë e kishave dhe e qarqeve shoviniste ruso-serbe vazhdon të përbëjë një sfidë për Ballkanin, e posaçërisht për Malin e Zi, ku procesi i serbizimit gjatë shekullit XVIII dhe në periudhat e mëvonshme ka lënë rrënjë të forta, ndikimi i të cilave ndihet edhe sot, megjithëse vendi është anëtar i NATO-s dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Si pasojë e këtyre proceseve, sot kemi një përqindje të konsiderueshme të malazezëve që deklarohen serbë, ndonëse, sipas këtij këndvështrimi, të parët e tyre ishin malazezë, përfshirë edhe ata të njohur si “Sedmoro Brda”, domethënë malësorët e “Shtatë Maleve”, të lidhur me fiset Kuçi, Piperi, Belopavliçi, Vasojeviçi, Bratonoziçi, Rovçani dhe Moraçani. Sipas këtij interpretimi, një pjesë e këtyre fiseve kishte prejardhje iliro-shqiptare dhe, nëpërmjet proceseve të gjata historike të konvertimit fetar dhe asimilimit, u përfshi në identitetin serb/malazez ortodoks. Nga kjo ideologji u ndërtua narrativa e konceptit serb për “serbët myslimanë”, ndërsa emërtimi “Boshnjak” u riafirmua zyrtarisht si emërtim kombëtar në vitin 1993. Në vazhdimësi, nga shekulli XV e deri në fillim të shekullit XIX, kemi vetëm shqiptarë aty dhe një minoritet të vogël malazez-serb, të cilët janë po ashtu me origjinë shqiptare, por të asimiluar në serbë e malazezë (tefterët turq). Pra, nga regjistrimet osmane na dalin formalisht banorë kryesisht myslimanë, një pjesë katolikë dhe shumë, shumë pak ortodoksë. Pra, deri me okupimin e këtyre trevave në vitin 1912 nuk ka dilema për etnografinë e krahinës. Por, me vënien nën kontroll të krahinës, fillon edhe plani i ndryshimit të etnografisë.
Fillimisht, Mbretëria Serbo-Malazeze tentoi të bënte konvertimin e popullatës shumicë myslimane në fenë ortodokse, gjë e cila hasi në rezistencë të fortë, sepse jo vetëm për arsye fetare, por edhe sepse shqiptarët myslimanë e konsideronin kthimin në fenë ortodokse si ndryshim të përkatësisë kombëtare, meqë serbët kishin rezervuar për vete të drejtën, që nga Mesjeta, se të gjithë ortodoksët janë serbë. Ky veprim i Kishës Serbe u kritikua edhe nga faktori ndërkombëtar. Më pas, Kisha Serbe dhe inteligjencia shoviniste serbe lansuan idenë e “serbëve myslimanë”. Aty futet në përdorim termi “muslimani” dhe fillon koketimi me klerikë të caktuar musliman, për të filluar shkollimin në gjuhën serbe. Për ta ilustruar këtë mund të marrim faktin se Mbretëria Serbe inicioi hapjen e mejtepeve dhe të qendrave të mësimit të fesë dhe të gjuhës serbe. Pra, këtu fillon asimilimi i një pjese të popullsisë në qytete, duke u deklaruar gradualisht vetëm si “muslimanë”. Njëkohësisht, nuk duhet harruar roli i rëndësishëm që kanë luajtur klerikët myslimanë të krahinës në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar, përveç të tjerëve, Mulla Agan Koja, udhëheqës i Lëvizjes Kaçake të Plavë-Gucisë; Mulla Agani, babai i heroit të Kosovës, akademik Fehmi Agani, ish-drejtorit të parë të Institutit Albanologjik të Prishtinës pas rithemelimit të tij më 1967; dhe Mulla Omeragaj-Shala, babai i Mustaf Shalës, njërit ndër gazetarët e parë shqiptarë dhe redaktorit të parë të gazetës Rilindja, gazetës së parë në gjuhën shqipe në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore.
Hovi i këtij asimilimi u ndal disi gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nga veprimtaria e organizuar politike e ushtarake e Komitetit të Kosovës, por, për fat të keq, kjo nuk zgjati shumë dhe, përsëri, krahina vihet nën kontrollin serbo-malazez. Sido që të jetë, nuk mund të thuhet se pati një asimilim esencial në tërësi, e kjo deri nga vitet 1950, kur krahina bëhet pjesë e Malit të Zi socialist dhe pjesë e RSFJ-së. Ideja e vjetër shoviniste serbe për “serbët myslimanë” zëvendësohet me të drejtën e deklarimit të lirë si “Musliman”. Pikërisht aty fillon asimilimi në masë të madhe, duke u keqpërdorur injoranca dhe varfëria, por edhe interesat materiale të personave të caktuar, për ti dhënë goditjen më të fortë krahinës kreshnike, e cila kishte qëndruar stoikisht për gjysmë shekulli përballë asimilimit.
___
Profesori i ndjerë Hasan Mekuli, njohësi më i madh që e kishim të letërsisë jugosllave dhe të asaj botërore, e theksonte vuajtjen dhe dhunën edhe në shkollën e asaj kohe, kur thoshte se nga mësimdhënësi serb detyroheshin të thoshin: “Unë jam serb i fesë myslimane…”
___
Muzli Hakaj: Pikërisht nga këto që thashë më sipër dalin edhe ato që i citon profesori Hasan Mekuli. Jo vetëm shkollat, por edhe mejtepet ishin të kontrolluara nga serbët. Këtu kemi edhe ndryshimet e emrave dhe të mbiemrave, kryesisht duke u shtuar prapashtesa serbe -viq.

Si e shpjegoni faktin e trishtueshëm se edhe sot, ish-shqiptarët e shndërruar në boshnjakë, thuajse e kanë detyrë të mos e lejojnë ngulitjen e popullit shqiptar në ato hapësira? Shembull është Hoti dhe jo vetëm ai fshat malor.
___
Muzli Hakaj: Unë jam vetë nip i Hotit të Plavës dhe e njoh fshatin dhe rrethinën. Vërtet ka elementë tek ata që unë, në fakt, i quaj “shqiptarë të boshnjakizuar”, të cilët, nga kompleksi i mosnjohjes së gjuhës së të parëve, bëjnë reagime të tepruara, duke shkuar në ndonjë rast deri në urrejtje ndaj shqiptarëve. Por ka edhe shqiptarë që, jo rrallë, i ofendojnë dhe i trajtojnë me më pak vlerë, sepse janë “boshnjakizuar”. Mendoj se të dyja palët duhet të pajtohen me gjendjen faktike dhe të gjejnë atë që i bashkon, e ato janë të gjitha, pos gjuhës. Mendimi im është se do të ishte mirë sikur të ketë një konsensus që boshnjakët të deklaroheshin formalisht si shqiptarë dhe të pranoheshin nga shqiptarët si bi-lingualë. Kjo do të kishte efekt integrues në planin afatgjatë, sepse duhet tu japim kohë, por edhe mundësi, ta mësojnë shqipen. Fakti se kemi shqiptarë kudo në botë, të cilët nuk dinë shqip, tregon se nuk kemi të drejtë t’ua mohojmë të drejtën ta quajnë veten shqiptarë.
___
Kryetari i Komunës së Plavës është një “boshnjak” me prejardhje shqiptare, fakt që jo vetëm nuk e pranon, por në një mënyrë bën edhe veprime antikushtetuese në Mal të Zi, duke mos ua njohur ato të drejta atyre që mbetën shqiptarë. Pse? Çka duhet të bëjnë shqiptarët?
___
Muzli Hakaj: Konsideroj se duhet të ketë angazhim më të mirë dhe bashkëpunim mes shqiptarëve dhe boshnjakëve, pa presione dhe hipoteka, duke iu referuar asaj çfarë thashë më sipër. Nuk ka dyshim se kryetari Nihad Canoviq është një kelmendas, por familja e tij ka jetuar këto 70 vitet e fundit me ndjenjën e të qenit vetëm musliman e, më vonë (1993), boshnjak, është identiteti i saj. Jam i bindur se koha do të bëjë të vetën dhe jo vetëm kryetari, por edhe malazezët ortodoksë do të kthehen te identiteti i tyre etnik, nëse jo në kuptimin gjuhësor, së paku në atë etnik. Mos të harrojmë se një pinjoll i familjes së Njegoshit, (ideologut të serbizimit të malazezëve) bëri një test të ADN-së dhe rezultoi se nuk është sllav, por iliro-grek. Ky fakt është bërë publik edhe në mediat malazeze, ndër të tjera në gazetën Pobjeda të datës 10 dhjetor 2023.
___
A duhet edhe më tej shqiptarët të pajtohen me faktin e hidhur se pjesa më e madhe e popullsisë është shpërngulur për shkak të padrejtësive sociale dhe dhunës tjetër? Si të kthehen ata në vendin e vet, në Plavë e Guci?
___
Muzli Hakaj: Plaga e shpërnguljes është e madhe dhe fakti është se nuk mund të ketë zhvillim dhe prosperitet pa hapjen e rrugës drejt Kosovës (Deçanit), për komunikim të lirë të krahinës me Kosovën. Rruga që shkon nga Gucia për në Shkodër ka ndihmuar shumë në komunikimin dhe lidhjen me hapësirën shqiptare, por ajo rrugë nuk është e tillë që mund të klasifikohet se ka interes ekonomik (përveç atij të stinës verore dhe turizmit). Rruga për Deçan e bën krahinën aq të afërt me Kosovën sa është Peja me Gjakovën. Unë do të konsideroja se, pas rrugës, duhet që diaspora, por para së gjithash Shqipëria dhe Kosova, të hapin mundësi shkollimi dhe promovimi të biznesit në krahinë.

Musli Hakaj me të rinj të tjerë…, kur e luajti “Rolin e Bariut” në Filmin “Rojet e Mjegullës”
A ka ardhur koha që shqiptarët “t’i hapin letrat” dhe të kërkojnë atë që u takon: barazinë me të tjerët në vendin e vet?
___
Muzli Hakaj: Shqiptarët, formalisht, i kanë ato të drejta që u takojnë dhe duhet të angazhohen për avancimin e të drejtave të tyre brenda ligjeve, të cilat Mali i Zi, si vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti i Bashkimit Evropian, duhet ti respektojë. Shqiptarët duhet të punojnë fort mes vete, por edhe të bashkëpunojnë ngushtë me shqiptarët e boshnjakizuar, për ta bërë jetën sa më të mirë aty. Gjithashtu, dy shtetet tona duhet të kenë plane ekonomike dhe kulturore për të gjithë banorët e krahinës.
___
A janë shqiptarët të punësuar në organet e sigurisë? Në Hot nuk ishin dhe kishte të punësuar vetëm nja katër veta, dhe ata në baza partiake?
___
Muzli Hakaj: Çështja e punësimeve në sektorin e sigurisë është një temë për të cilën Mali i Zi ende nuk i ka përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian, sepse dukshëm ky shërbim është i dominuar nga etnia serbe dhe malazeze. Madje, mund të them se edhe boshnjakët janë jo mirë të përfaqësuar, e mos të flasim për shqiptarët.
___
Në Hot, mësuesi i tre-katër nxënësve shqiptarë kishte ardhur nga Serbia dhe po i mësonte serbisht edhe sot, në vitin 2026. Shkolla e Hotit ishte e rrënuar totalisht, të thuash pa dyer e pa dritare?
___
Muzli Hakaj: Kjo pyetje ngre një temë, për të cilën, deshëm apo jo, ka nevojë të thuhet se ligji nuk e ndalon diasporën e Plavës dhe Gucisë, e posaçërisht atë të Hotit, që të ndërtojë një shkollë të re. Fakti është se çdo ditë shohim shtëpi të reja, bile në disa raste luksoze, ndërsa fshati është pa shkollë. Kurse, sa i përket mësimit në serbisht e jo në shqip, kjo është vazhdimësi e asaj që thashë më sipër. Duhet të bëjmë pak sakrificë dhe të kemi fonde për të punësuar dy ose tre mësues të gjuhës shqipe, në mënyrë që shkolla të funksionojë. Pse të mos i bëhet opozitë pushtetit neglizhues malazez dhe të tregohet vullneti ynë? Pushteti i Malit të Zi do të detyrohet ta financojë shkollën, por duhet të tregohet iniciativë nga qytetarët e vendit.
___
Një shpjegim i yti për filmin Rojet e Mjegullës… Çka të lidh ty me atë film?
___
Muzli Hakaj: Po, është një kujtim i mirë nga koha e xhirimit të filmit. Regjisori Isa Qosja një pjesë të xhirimeve i kishte vendosur në Guci dhe, pas një iniciative edhe nga gazetari i atëhershëm i Rilindjes, Zenun Çelaj, u grumbulluan djem e vajza nga Plava e Gucia për të luajtur role statistësh. Mua më ra të luaja rolin e bariut. Katër ditë pas kësaj më arrestuan.
___
Fati i keq historik ka ndikuar që sot, në vitin 2026, heronjtë e një populli, të njëjtit, të konsiderohen heronj të “boshnjakëve” apo të atyre që mbetën shqiptarë? Shembulli është ai i Ali Pashë Gucisë apo Jakup Ferrit. Për shembull, derisa shqiptarët në gurin e varrit e vendosin flamurin kuqezi, për të cilin kanë luftuar, vjen “boshnjaku” dhe ia vendos aty “yllin e hënën” turke apo fesin e zi në kokë. Ti thua se shqiptarët e boshnjakizuar po zgjohen dhe po i kërkojnë rrënjët e veta etnike, gjuhën e humbur dhe historinë e vet. A ka shembuj?
___
Muzli Hakaj: Unë konsideroj se historiografia e ka thënë të vetën për Ali Pashë Gucinë dhe Jakup Ferrin dhe s’ka dyshim për kombësinë e tyre. Ata ishin shqiptarë dhe kanë vdekur si shqiptarë. Dallimi është se Ali Pashë Gucia nuk la pasardhës, ndërsa Jakup Ferri po. Kjo shpjegon edhe pse kemi një situatë të ndryshme sa i përket kujtesës familjare për ta. Fakti është se, fillimisht, banorët e Plavës dhe Gucisë (shqiptarë dhe shqiptarë të boshnjakizuar) e kanë pasur borxh ndaj tij ti bënin një përmendore te Krojet e tij, ku ai kishte edhe kështjellën (konakun) e tij, të cilat i dogjën, në shenjë hakmarrjeje, serbo-malazezët që humbën luftën me të. Kurse, kur kthehemi te shënimi i varrit të kryetrimit të Betejës së Nokshiqit, Jakup Ferrit, kjo ka marrë epilog nga vetë pasardhësit, të cilët kanë vendosur shqiponjën mbi varrin e tij. Paradoksalisht, nuk është kujtuar askush që në varrin e Ali Pashë Gucisë, te Çarshi-Xhamia në Pejë, të vendosë një shqiponjë aty. Mos të harrojmë se, në kohën e Ali Pashë Gucisë dhe Jakup Ferrit, gjatë Lidhjes së Prizrenit, flamuri kombëtar shqiptar ende nuk kishte marrë formën dhe statusin simbolik që njohim sot. Ata luftonin për tokën, nderin, vëllazërinë dhe çështjen kombëtare. Shqiponja dykrenare, e lidhur me traditën historike të Arbërisë mesjetare dhe me heraldikën e Kastriotëve, u rikthye fuqishëm si simbol kombëtar shqiptar, sidomos me kryengritjet shqiptare të vitit 1911 e tutje.
___
“Boshnjakët”, shqiptarët e asimiluar gjuhësisht, a janë ata që tashmë, nga pozitat pushtetore si shumicë e banorëve, po e luftojnë zgjimin kombëtar dhe nuk po duan t’i lënë shqiptarët e mbetur të stabilizohen? Pse ndodh kjo?
___
Muzli Hakaj: Unë mendoj se thashë diçka më sipër rreth kësaj, por do ta saktësoj se ka rëndësi të arrihet një konsensus mes palëve, ku shqiptarët ti pranojnë boshnjakët si “shqiptarë të boshnjakizuar”, duke i ndihmuar të bëhen dygjuhësh (ta mësojnë shqipen krahas boshnjakishtes) dhe duke mos i trajtuar “me më pak vlerë”. Sepse, mos të harrojmë se të gjithë banorët janë pjesë e një mentaliteti dhe temperamenti të malësorëve, që kanë shumë sedër dhe digjen për një fjalë. Kurse boshnjakët, gradualisht, duhet ta pranojnë faktin e origjinës së tyre dhe, formalisht e juridikisht, të regjistrohen si shqiptarë. Mosnjohja e gjuhës shqipe nuk duhet të bëhet pengesë, por ata të regjistrohen si shqiptarë dygjuhësh. Modeli i njëjtë do të ishte mirë të përdorej edhe për Sanxhakun.
Për fund, do të doja t’ua përcillja një porosi bashkëvendasve të mi që sot identifikohen si boshnjakë: të tjerët mund t’jua ndryshojnë, apo edhe ju vetë mund ta ndryshoni, gjuhën, fenë ose përkatësinë kombëtare, por prejardhjen dhe rrënjët familjare – atë që në gjuhën popullore e quajmë “gjak” dhe që bartet edhe përmes trashëgimisë gjenetike (ADN) – nuk mund ti ndryshoni.
_____
Intervista është bërë për librin “Intervistë e papërfunduar me Hasan Mekulin dhe intervista të tjera nga Sanxhaku, Plava dhe Gucia” , që prej meje Gjergj – Bajram Kabashi, do të ribotohet e plotësuar së shpejti.


