Nga “STOP”-i te “Kosova ka me na pa sherrin”
Pas shkrimit tim “A po përgatitet në Kosovë një revolucion islamik?”, disa pyetje nuk më duken më vetëm teorike.
Përkundrazi, disa deklarata publike të bëra ndër vite po kërkojnë një përgjigje shumë më të qartë.
Na qenka thënë:
“Nuk lejojmë më tej me depërtuar!”
Mirë.
Por këtu lind pyetja e parë, krejt shqip:
Kush po depërton?
Se shqiptarët nuk po depërtojnë askund!

Ne nuk jemi pushtues të Dardanisë.
Nuk kemi ardhur dje në Kosovë me valixhe.
Nuk kemi ardhur nga ndonjë provincë e largët e Perandorisë Osmane.
Ne jemi këtu. Në vendin tonë. Në Dardaninë tonë.
Dhe nuk kemi ndonjë plan për të “depërtuar” askund.
Kemi vetëm një kërkesë shumë të thjeshtë:
Të jemi shqiptarë.
Të flasim shqip.
Të ruajmë gjuhën, kulturën, doket dhe zakonet tona.
Të mbrojmë identitetin tonë.

Dhe, për ata që e zgjedhin, të kthehen edhe në besimin e të parëve.
Nëse kjo quhet “depërtim”, atëherë kemi një problem serioz me fjalorin.
Sepse shqiptari që kërkon të jetë shqiptar në vendin e vet nuk është ai që po depërton.
Dhe pastaj kemi edhe “STOP”-in.
STOP kujt?
Kush është ai që duhet të ndalet?
Ai që kërkon të ruajë identitetin shqiptar?
Ai që kërkon të kthehet në besimin e të parëve?
Ai që nuk pranon që çdo kritikë ndaj islamizmit politik të shpallet automatikisht “islamofobi”?
Apo ndoshta “STOP”-i është vendosur pikërisht përpara derës së asaj kalaje ku, sipas kësaj logjike, xhamia është kështjellë dhe xhemati është ushtri?
Nëse është kështu, atëherë pyetja bëhet edhe më interesante:
Kështjellë kundër kujt?
Ushtri kundër kujt?
Dhe kush po kërkon të hyjë brenda?
Sepse shqiptarët nuk po kërkojnë ta pushtojnë xhaminë.
Po kërkojnë vetëm që xhamia të mos e pushtojë identitetin shqiptar.
Dhe pastaj vjen deklarata tjetër, edhe më e rëndë, e atribuuar Naim Tërnavës:
“Ose bëhet si thonë ne, ose Kosova ka me na pa sherrin.”
Këtu, sinqerisht, duhet ta lëmë pak ironinë mënjanë.
Sepse pyetja nuk është më fetare.
Është qytetare dhe kushtetuese:
Kush janë “NE”?
Dhe çfarë do të thotë:
“Bëhet si thonë NE”?
Kosova është Republikë.
Nuk është pronë e një partie.
Nuk është pronë e një krahine.
Nuk është pronë e një feje.
Dhe, me gjithë respektin për çdo institucion fetar, asnjë bashkësi fetare nuk është mbi Republikën dhe Kushtetutën e saj.
Prandaj do të ishte mirë që dikush t’ua shpjegojë shqiptarëve këtë “NE”.
Sepse nëse “NE” nënkupton Bashkësinë Islame, atëherë kemi një pyetje institucionale.
Nëse “NE” nënkupton një lëvizje politike, kemi një pyetje tjetër.
Nëse nënkupton një projekt ideologjik, kemi një pyetje edhe më serioze.
Por nëse “NE” nënkupton se Kosova duhet të bëhet siç thotë një grup fetar, atëherë nuk jemi më duke diskutuar për lirinë e besimit.
Jemi duke diskutuar për pushtetin.
Dhe këtu fillon edhe paradoksi më i madh.
Nga njëra anë thuhet:
“Nuk lejojmë të depërtohet më tej.”
Nga ana tjetër, simbolet kombëtare dhe simbolika e UÇK-së po vendosen në hapësira fetare.
Pra, kush po depërton te kush?
Mos vallë kemi arritur në një pikë ku flamuri shqiptar duhet të hyjë në xhami për t’i dëshmuar xhamisë se është shqiptar?
Kjo do të ishte një risi historike!
Sepse flamuri ynë nuk ka nevojë për pagëzim të dytë.
As UÇK-ja nuk ka nevojë për një biografi të re fetare.
UÇK-ja ishte shqiptare.
Lufta e saj ishte çlirimtare.
Flamuri ishte shqiptar.
Kaq.

Nuk ka nevojë të prodhojmë një version të ri ku historia kombëtare futet në hapësirën fetare dhe pastaj përdoret për t’i dhënë legjitimitet politik një institucioni fetar.
Sepse kjo do të ishte pikërisht ajo që duhet ta shqyrtojmë me shumë kujdes:
A po afrohet feja me kombin për ta respektuar kombin, apo po afrohet me të për ta përvetësuar simbolikisht?
Dhe këtu “Top Sekreti 1”, “Top Sekreti 2”, rasti Sheholli, deklaratat publike, “STOP”-i dhe vendimet e fundit për simbolet në minare nuk duhen parë domosdoshmërisht si prova të një plani të vetëm.
Por janë mjaftueshëm për të ngritur një pyetje publike:
A kemi përpara vetëm një seri rastësish, apo po shohim copëza të një mozaiku më të madh?
Unë nuk po them se në Kosovë po përgatitet një Gardë Revolucionare e Iranit.
As nuk po them se po krijohet Hezbollahu shqiptar.
Por kur shfaqen gjuhë për “ushtri”, “kështjella”, “mosdepërtim”, “STOP”, “ne vendosim”, e mbi të gjitha paralajmërime se “Kosova ka me na pa sherrin”, atëherë është detyrë e qytetarit të pyesë:
Ku mbaron feja dhe ku fillon politika?
Sepse sot mund të jetë vetëm një fjalë.
Nesër mund të jetë një simbol.
Pasnesër një organizim.
Dhe një ditë dikush mund të na thotë:
“Tash bëhet si themi NE.”
Jo, faleminderit!
Kosova nuk është themeluar mbi formulën:
“Bëhet si themi NE.”
Kosova është ndërtuar mbi lirinë, pluralizmin, Kushtetutën dhe të drejtën e secilit të besojë ose të mos besojë.

Prandaj, edhe një herë:
Mos e ngatërroni lirinë e fesë me lirinë për ta bërë fenë pushtet politik.
Mos e ngatërroni shqiptarin që kërkon identitetin e vet me një “depërtues”.
Mos e quani islamofob atë që pyet se ku po shkon politika e islamizmit.
Dhe, mbi të gjitha, mos i kërkoni shqiptarit të kërkojë leje për të qenë shqiptar.
Sepse në Dardani, shqiptarët nuk kanë ardhur për të depërtuar.
Kanë ardhur vetëm për të kujtuar se kanë qenë këtu.
Dhe ndoshta pikërisht kjo është ajo që disa “kështjella” kanë filluar ta quajnë “depërtim”.



