Diplomati Lulzim Peci pyet se sa autonom është zhvillimi i jetës fetare të vendit nga agjendat dhe financimet e shteteve të huaja?

Shkrime relevante

A është Islami vërtetë religjion agresiv dhe i rrezikshëm?!

Nga Ismet M. Hasani, Suedi   A është Islami vërtetë religjion...

Vepër monumentale kushtuar Mretëreshës Teutë përgjatë rrugës Shëngjin-Velipojë mbi “Ranën e Hedhun”

Shtatorja e Mbretëreshës Teutë në Shëngjin (15.9.2026) Nail Draga, Ulqin Diskursi kulturor VEPËR MONUMENTALE...

Një vepër që ruan kujtesën historike për Ulqinin shqiptar dhe politika e Malit të Zi 1881 – 1912

Nga Frank Shkreli ___ Në kujtim të mësuesit tim dhe historianit të Ulqinit...

Shpërndaj

Lulzim Peci është një analist i njohur nga Kosova dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare. Lulzimi ka qenë drejtues i KIPRED-it dhe si studiues i fushës së islamit politik dhe pasojave të tij për pothuaj dhjetëra vite. Në fillim të viteve 2000 Lulzimi me shokët e tij ka paralajmëruar për rrezikun e “talibanizimit” dhe ka kërkuar të ndërmerreshin masa mbrojtëse dhe parandaluese. Lulzim Peci një kohë ishte edhe ambasador i Republikës së Kosovës në Stokholm të Suedisë, që e mbulonte edhe Norvegjinë. 

Arsyeja që e intervistoj Lulzim Pecin për librin “Shqiptarët në luftë me Islamin Global”, është pikërisht fakti se është njohës i shkëlqyer i islamizimit , qoftë në Kosovë, tek shqiptarët në Ballkan apo në botë.

Në intervistën me të ai thekson se për te “vija e kuqe është e qartë: Kosova nuk duhet të jetë as shtet antifetar, as shtet fetar.”

Në studimin e KIPRED-it të vitit 2005 shtrohej pyetja “A po vijnë talebanët në Ballkan?”. Në fund të marsit 2026, kur u pyes, a kanë ardhur talebanët në Kosovë dhe Ballkan?

Lulzim Peci: Fillimisht do të bëja një saktësim. “Political Islam Among the Albanians: Are the Taliban Coming to the Balkans?” ishte një publikim i KIPRED-it i vitit 2003 dhe i ribotuar në 2005, por autor i tij ishte Isa Blumi. Pra, nuk do të ishte korrekte që këtë studim ta paraqisja si punim me autorësinë time.

Megjithatë, si drejtues i KIPRED-it dhe si studiues i kësaj fushe, e kam ndjekur këtë fenomen për më shumë se dy dekada. Nëse pyetjen e marrim fjalë për fjalë, përgjigjja është jo. Kosova nuk është “talibanizuar”, as në kuptimin politik, as institucional. Kosova mbeti shtet kushtetues laik dhe pluralist.

Por, nëse termin “talibanizim” e kuptojmë si paralajmërim për depërtimin e interpretimeve radikale transnacionale të Islamit, për krijimin e një identiteti fetar që konkurron me identitetin kombëtar dhe qytetar dhe, në segmentin më ekstrem, për kalimin drejt ekstremizmit të dhunshëm, atëherë një pjesë e rrezikut të identifikuar në vitin 2005 realisht u materializua.

Rreth 400 shtetas të Kosovës, duke përfshirë 255 burra të klasifikuar si luftëtarë të huaj dhe gra e fëmijë, udhëtuan drejt zonave të konfliktit në Siri dhe Irak. Ky ishte një fenomen shumë serioz për një vend kaq të vogël. Por po aq e rëndësishme është të thuhet se mobilizimi masiv u ndërpre, institucionet reaguan, Kosova kriminalizoi pjesëmarrjen në luftëra të huaja, zhvilloi kapacitete kundër terrorizmit dhe më pas ndërmori një nga programet më aktive të riatdhesimit dhe riintegrimit në rajon.

Raporti i Departamentit të Shtetitt ë amerikës për terrorizmin për vitin 2023 konstatonte se Kosova vazhdonte bashkëpunimin aktiv me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë në këtë fushë. Në një hulumtim timin të publikuar në vitin 2025, unë nuk e përdor më termin “talibanizim”. Gjetjet tregojnë një fenomen shumë më kompleks. Nxitësi kryesor i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm lidhet me keqinterpretimet fetare, por ato ndërthuren fuqishëm me socializimin digjital dhe ndikimet transnacionale.

Po, një pjesë e rëndësishme e rreziqeve që identifikonte punimi i KIPRED-it i vitit ishte 2003/5 ishin reale, dhe ato u transformuan dhe u bënë edhe më komplekse me zhvillimin e tekonologjisë informative.

Sa të sakta rezultuan paralajmërimet e hershme mbi përdorimin e ndihmave humanitare për përhapjen e ideologjive fetare?

Lulzim Peci: Kjo ishte ndoshta një nga gjetjet më të rëndësishme të atij studimi. Problemi nuk ishte ndihma humanitare si e tillë. Kosova e shkatërruar nga lufta kishte nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë. Problemi ishte kur ndihma humanitare kushtëzohej, drejtpërdrejt apo tërthorazi, me pranimin e një modeli të caktuar fetar.

Studimi i vitit 2003/5 argumentonte se organizata të financuara kryesisht nga vendet e Golfit kishin hyrë në zonat rurale ku shteti pothuajse nuk ekzistonte dhe ku bashkësia ndërkombëtare kishte investuar shumë pak. Ato ofronin ushqim, arsim, rindërtim dhe shërbime të tjera, por në disa raste këto aktivitete shoqëroheshin me përhapjen e interpretimeve fetare që ishin të huaja për traditën islame të shqiptarëve të Kosovës. Këtu duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm. Nuk duhet kriminalizuar bamirësia islame dhe as çdo organizatë e ardhur nga vendet arabe.

Problemi paraqitet kur krijohet marrëdhënia varfëri – varësi materiale – ndikim ideologjik. Në një shoqëri të varfër dhe me institucucionet e shkatërruara, kjo mund të jetë një mekanizëm jashtëzakonisht efikas i socializimit ideologjik. Pikërisht për këtë arsye, hulumtimi i vitit 2005 kërkonte investime në arsim rural, kontroll dhe transparencë të organizatave fetare, forcim të institucioneve vendore dhe mbrojtje të traditave autoktone të tolerancës fetare.

Si e shihni, 27 vjet më vonë, përhapjen e ideologjisë vehabiste dhe shfrytëzimin e varfërisë?

Lulzim Peci: Sot do ta formuloja çështjen më saktë sesa në fillim të viteve 2000. Nuk është çdo salafizëm apo konservatorizëm fetar ekstremizëm dhe aq më pak ekstremizëm i dhunshëm. Është gabim profesional dhe politik që këto kategori të barazohen. Por është gjithashtu e pamundur të mohohet se pas vitit 1999 në Kosovë u krijua një treg i ri fetar transnacional. Tradita hanefite dhe format lokale të Islamit u ballafaquan me doktrina, financime, imamë, literaturë dhe rrjete që më parë kishin pasur prani shumë të kufizuar, në mos fare. Varfëria ishte një faktor lehtësues, por jo shpjegimi i vetëm.

Studimi im i vitit 2025 tregon se faktorët më të fuqishëm sot janë keqinterpretimi fetar, rrjetet transnacionale dhe sidomos socializimi digjital. Pra, mekanizmi ka ndryshuar. Në vitin 2000 mund të duhej një organizatë, një imam ose një bursë studimi për transmetimin e një ideologjie. Sot mjafton telefoni celular dhe algoritmi i një platforme sociale. Kjo është arsyeja pse rrezikun e sotëm nuk do ta quaja thjesht “vehabizëm”. Ai është një ekosistem shumë më i decentralizuar i radikalizimit.

A dështuan UNMIK-u, OSBE-ja dhe mungesa e institucioneve vendore që ta ndalnin këtë ndikim? A ishte kjo një “bamirësi djallëzore”…?

Lulzim Peci: Duhet të jemi të drejtë historikisht. Pas vitit 1999, prioritetet e bashkësisë ndërkombëtare ishin siguria fizike, kthimi i refugjatëve, rindërtimi, krijimi i administratës dhe shmangia e konfliktit ndëretnik. Në këtë agjendë gjigante, transformimet që po ndodhnin brenda fushës fetare nuk u kuptuan në kohë.

Studimi i KIPRED-it pikërisht këtë kritikonte. Varfëria rurale dhe boshllëku institucional kishin krijuar hapësirë ku disa organizata fetare mund të ofronin njëkohësisht shërbim social dhe produkt ideologjik. Megjithatë, termin “bamirësi djallëzore” nuk do ta përdorja në një analizë profesionale. Ne duhet të analizojmë struktura, interesa dhe pasoja, jo t’u atribuojmë motive homogjene mijëra personave dhe organizatave. Ajo që mund të thuhet është se një boshllëk social i lënë nga shteti apo administrata ndërkombëtare mund të mbushet nga aktorë ideologjikë. Dhe kur një brez i ri merr edukim fetar, ndihmë materiale dhe njëkohësisht një interpretim të historisë e identitetit nga i njëjti burim, ndikimi mund të bëhet shumë më i thellë sesa një aktivitet klasik humanitar.

Rexhep Boja kundërshtonte “arabizimin” e Islamit. A e kishit kontaktuar atë në atë periudhë?

Lulzim Peci: Qëndrimi i Rexhep Bojës është i dokumentuar. Ai kundërshtonte idenë që të huajt të vinin në Kosovë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë ishte “Islami i vërtetë”.

KIPRED-i më vonë e ka trajtuar po këtë rezistencë të tij ndaj depërtimit të organizatave fetare nga Gjiri. Unë e kam takuar Rexhep Bojën dhe kemi biseduar, por jo posaçërisht për këtë hulumtim. Kjo, megjithatë, nuk ndryshon faktin se qëndrimi publik i Rexhep Bojës ishte shumë i qartë. Ai përfaqësonte një përpjekje për të ruajtur autonominë e traditës islame vendore përballë një oferte të re fetare transnacionale.

Përse studimi i vitit 2005 nuk trajtoi në të njëjtën mënyrë ndikimin fetar të Turqisë?

Lualzim Peci: Sepse konfiguracioni i atëhershëm ishte tjetër. Në vitet e para pas luftës, aktorët nga Arabia Saudite dhe shtetet e Gjirit ishin shumë më të dukshëm në terren dhe pikërisht kjo ishte tema e studimit. Ndikimi fetar i Turqisë u bë shumë më sistematik më vonë, veçanërisht përmes Diyanet-it, Fondacionit të Diyanet-it, TIKA-s, bursave, restaurimit të trashëgimisë osmane, arsimit dhe ndërtimit të objekteve fetare. Literatura akademike e dokumenton fuqizimin e kësaj forme të “soft power” fetar turk në Kosovë sidomos pas vitit 2002. Por këto dy fenomene nuk duhet të barazohen mekanikisht. Modeli salafist saudit dhe modeli institucional turk i Islamit nuk janë doktrinarisht e politikisht të njëjta.

Në disa faza, Diyanet-i madje është paraqitur si mbështetës i Islamit tradicional hanefi kundrejt rrymave salafiste nga Gjiri. Kjo nuk do të thotë se ndikimi turk nuk duhet analizuar kritikisht. Çdo shtet që financon institucione fetare jashtë territorit të tij ushtron një formë ndikimi. Pyetja për istitucionet e Kosovës duhet të jetë gjithmonë e njëjtë: kush financon, me çfarë qëllimi, çfarë institucioni formon, çfarë literature e edukimi prodhon dhe kujt i përgjigjet ky institucion brenda Kosovës?

A u përhap ky fenomen edhe në diasporën shqiptare, përfshirë Suedinë?

Lulzim Peci: Po, dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse dëshmon se radikalizimi nuk mund të shpjegohet vetëm me varfërinë në Kosovë.

Rasti i vëllezërve Mentor dhe Mensur Alija në Suedi është fakt i dokumentuar. Ata u dënuan për tentativën për t’i vënë zjarrin shtëpisë së artistit Lars Vilks në vitin 2010, pikërisht në kohën kur isha ambassador i Kosovës në Stokholm. Gjykata e lidhi motivimin e tyre me zemërimin ndaj paraqitjes së profetit Muhamed në vizatimet e Vilksit. Por nuk do ta përdorja këtë rast për të karakterizuar diasporën shqiptare në Suedi. Kjo do të ishte metodologjikisht e gabuar. Diaspora shqiptare në Suedi është mjaftë mire e integruar dhe ka arritur suksese në të gjitha fushat e jetës, duke përfshi këtu edhe shkencën, politikën dhe sportin. Hulumtimet mbi luftëtarët e huaj terrorist tregojnë diçka më interesante. Nga 255 burrat nga Kosova të identifikuar si luftëtarë të huaj, rreth 48, apo afërsisht 20 për qind, ishin lindur ose rritur në Evropën Perëndimore. Pra, radikalizimi mund të ndodhë edhe në Stockholm, Frankfurt apo në Zurich.

Në disa raste ai ushqehet nga kriza identitare, izolimi social dhe veçanërisht nga një komunitet virtual transnacional që e zëvendëson komunitetin real.

Po rastet e Fort Dix-it dhe sulmit në Aeroportin e Frankfurtit? 

Edhe këtu duhet bërë një korrigjim faktik. Komploti i Fort Dix-it nuk ndodhi pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Arrestimet u bënë më 7 maj 2007, pra nëntë muaj para 17 shkurtit 2008. Po ashtu, tre vëllezërit Duka kishin lindur në Maqedoni, ndërsa Agron Abdullahu ishte shqiptari nga Kosova në këtë rast dhe u deklarua fajtor për ndihmë në posedimin ilegal të armëve. Departamenti amerikan i Drejtësisë e cilësoi komplotin si “homegrown” dhe theksoi se të dënuarit nuk ishin anëtarë të një organizate ndërkombëtare terroriste.

Rasti i Arid Ukës është më relevant drejtpërdrejt për Kosovën.

Më 2 mars 2011 ai vrau dy pjesëtarë të Forcave Ajrore amerikane dhe plagosi dy të tjerë në Aeroportin e Frankfurtit. Hetimet gjermane konstatuan se kishte vepruar i vetëm dhe se ishte radikalizuar në një periudhë relativisht të shkurtër, kryesisht përmes internetit dhe propagandës xhihadiste. Ky është një rast shumë i rëndësishëm sepse paralajmëronte modelin e mëvonshëm të “lone actor radicalisation”. Nuk të duhet më domosdoshmërisht organizatë fizike. Ideologjia, komuniteti dhe motivimi mund të krijohen online.

A mund të kenë qenë këta njerëz të manipuluar nga shërbime të huaja për t’i paraqitur shqiptarët si anti-perëndimorë?

Lulzim Peci: Unë këtu do të isha jashtëzakonisht i kujdesshëm. Nuk kam parë prova bindëse që rastet e Fort Dix-it, Arid Ukës apo ekstremistëve kosovarë në Siri të kenë qenë operacione të dirigjuara nga shërbime të huaja me qëllim diskreditimin e shqiptarëve. Pa prova, nuk duhet ta ndërtojmë këtë hipotezë si fakt. Por diçka tjetër është e dokumentuar dhe duhet dalluar qartë nga kjo. Aktorë të jashtëm kanë shfrytëzuar propagandistikisht ekstremizmin islamist të disa shqiptarëve për ta paraqitur Kosovën si shtet radikal, joperëndimor dhe kërcënim për Evropën.

KIPRED-i, përmes monitorimit shumëvjeçar të mediave ruse dhe serbe, ka dokumentuar narrativa që paraqesin Kosovën si “vatër të ekstremizmit islamik”, ndërsa luftën e UÇK-së përpiqen ta rikonstruktojnë si luftë fetare dhe UÇK-në si formacion islamist. Prandaj do të bëja dallimin themelor ndërmjet bërjes së aktit ekstremist/terrorist dhe instrumentalizimit propagandistik të tij. Për të dytën kemi evidencë. Për të parën nuk ka ende evidence kredibile. Dhe nuk do t’i quaja këta njerëz “ish-shqiptarë”.

Një kriminel apo ekstremist nuk pushon etnikisht së qeni shqiptar. Ajo që mund të themi është se ideologjia e tij mund ta ketë vendosur identitetin fetar transnacional mbi identitetin kombëtar apo margjinalizuar në tërrësi dhe ate në rastet me ekstreme, të cilat nuk mund të injorohen.

A ishte hytbja e BIK-ut e korrikut 2012 një thirrje publike që të rinjtë të shkonin në Siri?

Lulzim Peci: Kjo është një nga pikat ku duhet të jemi shumë precizë. Më 3 korrik 2012, BIK-u njoftoi se më 6 korrik në të gjitha xhamitë do të organizohej aksion financiar për refugjatët dhe të zhvendosurit nga Siria dhe se hytbja do t’u kushtohej atyre. Njoftimi zyrtar që është ende i publikuar nga BIK-u kërkon kontribute financiare dhe solidaritet, por nuk përmban një thirrje eksplicite që të rinjtë e Kosovës të marrin armët dhe të shkojnë në Siri. Megjithatë, kjo nuk e përfundon analizën.

Teksti i hytbes i jepte “Tokës së Shamit” një domethënie të fortë fetare dhe eskatologjike, ndërsa konfliktin në Siri e kornizonte edhe përmes analogjisë Assad–Milošević. Mirëpo këtu vërehen po ashtu elemente sektare në këtë ligjërim, ndonëse BIK-u më vonë theksoi vazhdimisht se lufta siriane nuk ishte luftë fetare dhe kundërshtoi pjesëmarrjen e kosovarëve. Prandaj, nuk ka bazë faktike ta quajmë hytben një urdhër zyrtar të BIK-ut për rekrutim ushtarak. Por sakralizimi i territorit të Shamit, dimensioni sektar dhe analogjia e drejtpërdrejtë me luftën e Kosovës krijonin një kornizë diskursive që, në kontekstin e vitit 2012, mund të lehtësonte legjitimimin moral të pjesëmarrjes në atë konflikt. Ky dallim është shumë i rëndësishëm.

Lavdrim Muhaxheri, Ridvan Haqifi dhe të tjerët shkuan më pas në Siri. A ekziston lidhja?

Lulzim Peci: Lavdrim Muhaxheri është një prej rasteve më të dokumentuara. Departamenti amerikan i Shtetit e përcaktoi atë në vitin 2014 si luftëtar të huaj kosovar të ISIL-it. Ridvan Haqifi ishte gjithashtu figurë e njohur e ISIS-it në mesin e luftëtarëve shqipfolës. Por duhet të kemi kujdes me kauzalitetin. Fakti që hytbja është mbajtur në korrik 2012 dhe se në atë periudhë filluan largimet drejt Sirisë nuk është vetvetiu provë se hytbja i ka rekrutuar Muhaxherin apo të tjerët. Kështu që hytbja duhet analizuar si pjesë e ambientit diskursiv të vitit 2012, jo si shpjegim unik i mobilizimit.

Protestat për xhaminë në Prishtinë, Lavdrim Muhaxheri dhe ndërtimi i Xhamisë Qendrore – a përfaqësojnë një fazë “postvehabiste”?

Lulzim Peci: Protestat e vitit 2011 për një xhami të madhe në qendër të Prishtinës janë të dokumentuara. Lëvizja “Bashkohu”, e udhëhequr nga Fuad Ramiqi, organizoi falje dhe protesta publike që kërkonin tokë për xhami, si dhe kundërshtonin ndalimin e shamisë dhe mosfutjen e mësimit fetar në shkolla. Lavdim Muhaxheri ishte poashtu njëri nga akterët e kësaj proteste, dhe simbolika xhami–katedrale janë të dokumentuara.

Megjithate, BIK-u atëherë u distancua zyrtarisht nga këto protesta dhe deklaroi se po ndiqte rrugë institucionale. Sa i përket Xhamisë Qendrore të Prishtinës, roli i Diyanet-it dhe Fondacionit Turk të Diyanet-it është i dokumentuar zyrtarisht. Vetë TDV e paraqet projektin si kompleks me katër minare, kapacitet rreth 7,000 besimtarë dhe arkitekturë të frymëzuar nga tradita klasike osmane. Më 4 mars 2026, kryetari i Diyanet-it vizitoi kantierin së bashku me drejtuesit e BIK-ut.

Këtë fenomen do ta quaja më shumë diversifikim të ndikimit fetar transnacional sesa “postvehabizëm”. Fillimisht aktorët nga Gjiri ishin më agresivë në eksportimin e doktrinave të reja. Më pas Turqia u bë aktori institucional shumë më i fuqishëm, përmes Diyanet-it, TIKA-s, arsimit, restaurimeve dhe infrastrukturës fetare. Këto dy faza kanë karakteristika të ndryshme, por të dyja ngrenë të njëjtën pyetje strategjike për Kosovën dhe ate se sa autonom është zhvillimi i jetës fetare të vendit nga agjendat dhe financimet e shteteve të huaja?

Si e shoh gjendjen sot dhe çfarë duhet bërë?

Lulzim Peci: Unë nuk do ta formuloja problemin si konflikt ndërmjet “shqiptarëve” dhe “myslimanëve”. Shumica dërrmuese e shqiptarëve myslimanë nuk janë ekstremistë dhe identiteti fetar islam ka qenë pjesë e historisë shqiptare për shekuj. Po kështu, ngritja e një xhamie të madhe nuk është, në vetvete, provë e radikalizimit. Problemi fillon kur religjioni shndërrohet nga identitet personal dhe komunitar në projekt politik që pretendon ta ridefinojë identitetin e shoqërisë dhe karakterin e shtetit.

Në punimin tonë të vitit 2016, Agon Demjaha dhe unë e përshkruanim qëndrimin e institucioneve dhe elitave politike ndaj kësaj çështjeje si ambivalent.

Nga njëra anë, Kosova ndërtoi një sistem kushtetues laik dhe institucionet refuzuan kërkesat për mësim fetar dhe shami në shkollat publike; nga ana tjetër, për vite me radhë pati reagim të pamjaftueshëm ndaj gjuhës radikale dhe urrejtjes fetare në hapësirën publike. Nuk do të pajtohesha, megjithatë, me formulimin se “të gjithë udhëheqësit politikë pas Rugovës e kanë përkrahur islamizimin”. Kjo kërkon prova që nuk i kemi. Pjesëmarrja e një politikani në një ceremoni fetare, përkrahja për ndërtimin e një objekti fetar apo marrëdhënia institucionale me BIK-un nuk dëshmon automatikisht një projekt politik islamizues. Standardi duhet të jetë Kushtetuta. Neni 8 është jashtëzakonisht i qartë – Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare. Në të njëjtën kohë, Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e besimit dhe autonominë e bashkësive fetare. Këto dy parime nuk janë kundërthënëse.

Përkundrazi, ato mbrojnë njëra-tjetrën. Për këtë arsye, përgjigjja nuk është ndalimi i Islamit, kufizimi i xhamive apo stigmatizimi i besimtarëve. Përgjigjja është forcimi i shtetit laik. Kosova duhet të ketë transparencë të plotë mbi financimin e të gjitha bashkësive fetare nga jashtë, pavarësisht nëse paratë vijnë nga Turqia, Arabia Saudite, Irani, Vatikani, Serbia apo cilido shtet tjetër. Duhet të dihet kush financon, çfarë financon dhe çfarë obligimesh krijon ai financim. Duhet gjithashtu të investohet shumë më tepër në arsimin publik, mendimin kritik, edukimin digjital, historinë dhe kulturën shqiptare, si dhe në zhvillimin ekonomik të komuniteteve të margjinalizuara. Kjo përputhet edhe me rezultatet e studimit tim të vitit 2025, ku forcimi i themeleve laike, arsimi, dija, punësimi dhe mirëqenia sociale dalin si komponentë qendrorë të reziliencës ndaj radikalizimit.

Po aq me rëndësi është që vetë komunitetet fetare të prodhojnë dije vendore. Kosova nuk mund të mbështetet pafundësisht te imamë, literaturë dhe modele teologjike të importuara. Një Islam kosovar që jeton në harmoni me shtetin laik, kulturën shqiptare dhe pluralizmin evropian është shumë më rezistent ndaj ideologjive transnacionale sesa një vakum fetar i mbushur nga financuesi më i fuqishëm i jashtëm.

Dhe, së fundi, do të isha shumë i kujdesshëm me nocionin e “Islamit paqësor”. Ekzistenca e ekstremistëve islamistë nuk e bën Islamin si fe të dhunshëm, njësoj sikurse krimet e kryera nga ekstremistë të feve ose ideologjive të tjera nuk mund t’u atribuohen automatikisht miliona besimtarëve të tyre. Por toleranca nuk duhet të kthehet në naivitet. Një demokraci duhet ta mbrojë lirinë fetare po aq fuqishëm sa e mbron veten nga ekstremizmi politik dhe fetar.

Për mua, vija e kuqe është e qartë: Kosova nuk duhet të jetë as shtet antifetar, as shtet fetar. Ajo duhet të mbetet shtet laik, ku feja është e lirë, por asnjë fe, bashkësi fetare apo fuqi e huaj nuk mund ta përdorë religjionin për të relativizuar identitetin qytetar, rendin kushtetues dhe orientimin euroatlantik të vendit. Nëse duhet nxjerrë një mësim nga paralajmërimi i KIPRED-it i vitit 2003/5, ai është pikërisht ky, dhe ate që ekstremizmi nuk luftohet duke luftuar fenë.

Ai parandalohet duke mos i lënë varfërisë, boshllëkut institucional, krizës së identitetit dhe ndikimit të pakontrolluar nga jashtë hapësirën që të përcaktojnë se kush do ta edukojë gjeneratën e ardhshme.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu