Hipokrizia kriminale e krerëve komunistë

Shkrime relevante

Në takimin Kallas–Kurti–Vuçiq, a po përpiqet Brukseli ta ndërrojë narrativën e krizës?

Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina 1. Në gjykimin tim, takimi...

Hipokrizia kriminale e krerëve komunistë

Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviq Eshref Ymeri Natyrën kriminale të Enver...

Artistët na e sollën Shqipërinë në Itali

Florim Zeqa Në mbrëmjen e 21 shtatorit në Teatrin “Marcello Mascherini”, nën...

Shpërndaj

Dushan Mugosha, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviq

Eshref Ymeri

Natyrën kriminale të Enver Hoxhës, i cili përbën faqen më të zezë të vrasjeve në vendin tonë para dhe gjatë luftës, e ka trajtuar mjeshtërisht në studimet e veta Prof.dr. Elmas Leci. Kurse Dr. Vasfi Baruti e ka zhveshur lakuriq figurën e atij kryekrimineli në dy librat me tituj “Enver Hoxha në optikë të re” dhe  “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”,

Këtu do të ndalemi në hipokrizinë proverbiale të Enver Hoxhës pas vrasjes së disa krerëve komunistë në vitet e luftës.

Në mënyrë të pabesë qe vrarë Qemal Stafa. Në një informacion, të botuar në shtyp disa vjet më parë, thuhet se Ramazan Xhepa ka pasë qenë njëri nga miqtë e ngushtë të familjes Stafa… Aty theksohet:

“Shoqëruesi i Qemal Stafës, Vançi Bajraktari, me pseudonimin “Hekuri”, u dërgua me “shërbim” më datën 4 maj. Të nesërmen Ramazan Xhepa shkoi te dyqani “Flora” dhe i tha Enverit: “Gjakun e Qemalit ta kërkoj ty!”” (Citohet sipas: “A e vrau Qemal Stafën diktatori Enver Hoxha?!”. Gazeta “Standard”. 06 maj 2020).

Domethënë, Enver Hoxha ishte organizatori i vrasjes së Qemal Stafës, pasi i kishte larguar paraprakisht me shërbim shoqëruesin Vançi Bajraktari. Dhe, si një hipokrit-kriminel, menjëherë e shpalli dëshmor, kurse pas luftës emrin e Qemal Stafës e mori gjimnazi në Rrugën e Durrësit dhe Stadiumi i futbollit në Tiranë.

Pas luftës, ky hipokrit-kriminel, së bashku me disa krerë të tjerë komunistë, shfaqet në një fotografi, duke mbajtur arkmortin me eshtrat e Qemal Stafës për t’i zhvendosur në varreza.

Po në mënyrë të pabesë qe vrarë edhe Mustafa Gjinishi.  Ja çfarë pati deklaruar asokohe Sejfulla Malëshova:

“Për herë të parë mora vesh punën e Mustafa Gjinishit dhe nuk e di përse…në një anë e vrasin.., në anën tjetër e quajnë hero. (Citohet sipas: Agim Musta. “E vranë pas shpine në Sllatinë… Gazeta “Panorama”. 21 shtator 2021).

Domosdo që Enver Hoxha, si një kryetradhtar me damkë në shërbim të Jugosllavisë titiste, do t’i vriste pabesisht të gjithë ata komunistë me brymosje nacionaliste, të cilët kishin si pikësynim ribashkimin e Dardanisë me atdheun amë dhe i rrezikonin pushtetin. Pikërisht Enver Hoxha  dhe Nexhmije Xhuglini ishin ata, të cilët, si dy shegertë-kriminelë në shërbim të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, për kundërshtarët e tyre nga radhët e komunistëve, u kishin dhënë porosi formacioneve partizane të vepronin sipas parullës “të dekorohet” (të pushkatohet) dhe të shpallet dëshmor.

Në një intervistë, Beqir Reçi ka theksuar:

“Enver Hoxha në atë kohë nuk kishte ndonjë funksion determinant ndër krerët kryesorë të Partisë Komuniste, dhe se Qemal Stafa dhe Mustafa Gjinishi kishin më shumë autoritet në parti” (Citohet sipas: “A e vrau Qemal Stafën diktatori Enver Hoxha?!”. Gazeta “Standard”. 06 maj 2020).

Po në të njëjtën mënyrë të pabesë, krimineli Hysni Kapo, nipi i Murat Tërbaçit, agjentit jugosllav, që paguhej nga konsullata jugosllave në Vlorë, pati dhënë urdhër për të vrarë komunistin nacionalist Mynyr Xhindi (sepse kishte vënë re rastësisht dhe i kishte tërhequr vëmendjen Hysniut se pse mbante në kuletën e vet fotografinë e Titos), të cilin, për hipokrizi, partia kriminale e shpalli dëshmor.

Enver Hoxha organizoi në një mënyrë mafioze vrasjen e Nako Spirut, i cili e kishte kundërshtuar hapur për politikën e tij antikombëtare, me qëllim shndërrimin e vendit tonë në koloni të Jugosllavisë.

Nako Spiru u vra më 20 nëntor 1947. Pa kaluar as një muaj nga vrasja e tij, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit, Enver Hoxha zbuloi hapur tradhtinë vet me deklaratën në vijim:

“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”  (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).

Në analizën me titull “…Asnjë s’meritonte të vritej” / Kur komunistët pranonin shpirtin e tyre “terrorist””, të botuar në “Gazeta Shqiptare” të datës 30 gusht 2026, autori Enver Memishaj ka folur me gjuhën e fakteve se çfarë soji kriminelësh ishin komunistët. Krimet e tyre, me frymëzimin e Enver Hoxhës, të kujtojnë krimet e kryera në Bashkimin Sovjetik gjatë dhe pas luftës. Enver Hoxha pati ndjekur shembullin e Stalinit, i cili vrau “mikun” e vet të ngushtë, Sergej Kirovin, për çka do të bëhet fjalë në materialin në vijim, të cituar në Youtube-kanalin rus, me titull “Sergej Kirov: njeriu, të cilit Stalini i trembej me shumë se kushdo tjetër. Si e hoqën qafe udhëheqësin e ardhshëm të Bashkimit Sovjetik”.

Ja përmbajtja e tij:

          “Më 1 dhjetor 1934, në mesoren e katit të tretë të Smolnit u dëgjua një e shtënë arme, një e shtënë e vetme, e cila shënoi vijën ndarëse të historisë në “deri” dhe “pas”.

Fare pak orë pas vrasjes së Sergej Mironoviç Kirovit, nga Moska, me një tren special, qe nisur vetë Stalini, Sekretari i Përgjithshëm i partisë, njeriu, i cili nuk largohej nga kryeqyteti, me përjashtim të ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, sepse nuk i kishte qejf udhëtimet e largëta dhe trembej nga ndonjë atentat. Por, papritmas, la mënjanë gjithçka dhe, në një natë dimri, u nis me të shpejt për në Leningrad. E patën shoqëruar Molotovi, Voroshillovi dhe Zhdanovi, një delegacion i tërë i udhëheqjes më të lartë të vendit, që u ngrit e shkoi për shkak të vrasjes së një njeriu. Por gjëja më e çuditshme pati ndodhur më vonë. Kur para Stalinit sollën vrasësin e arrestuar, një anëtar partie në moshë të re, që quhej Leonid Nikollajev, Stalini, sipas dëshmitarëve të pranishëm, i këputi një shuplakë në fytyrë. Nuk pati dhënë urdhër për ta goditur, por e goditi vetë. Udhëheqësi i shtetit, që kishte në dispozicion gjithë aparatin e ministrisë së punëve brendshme, mijëra hetues dhe xhelatë, goditi me shuplakë personalisht të arrestuarin, të cilin e priste pushkatimi. Pas shuplakës, Nikollajevi gjoja pati rënë në gjunjë dhe pati klithur me zë të lartë, duke bërë me dorë nga bashkëpunëtorët e ministrisë së punëve të brendshme që ndodheshin aty pranë:

“Ata më patën detyruar, ata më patën urdhëruar”.

Stalini, po sipas atyre dëshmitarëve, u kthye menjëherë prapa dhe doli nga dhoma. Kjo ngjarje qe transmetuar në variante të ndryshme dhe përcaktimi i saktë i formulimit të fjalëve ka qenë i pamundur, por fakti që Stalini pati ardhur për ta marrë në pyetje vrasësin, personalisht e pati goditur të arrestuarin me shuplakë dhe vetë pati dëgjuar akuzat e tij në adresë të shërbimeve të tij sekrete, të bën të shtrosh pyetjen, e cila deri tani vazdon të mbetet pa një përgjigje përfundimtare: cila ishte arsyeja që vetë kreu i shtetit shkon të shuplakojë një njeri, të cilin, edhe pa ardhjen e tij, ishin të tjerë njerëz që mund ta merrnin në pyetje, nëse ai nuk dëshironte të dëgjonte reagimin e Nikollajevit me veshët e vet, nëse ai vetëm ishte duke verifikuar se në ç’masë ai njeri qe mposhtur dhe në ç’masë kishte mbetur i manovrueshëm, nëse ai nuk druhej se mos Nikollajevi mund t’u thoshte diçka hetuesve të tjerë?

E gjithë kjo histori, që nga e shtëna e parë deri në pushaktimin e Nikollajevit, përshkohet nga shumë pyetje, përgjigjet ndaj të cilave kanë mbetur të mbyllura në arkiva sekrete, në varre pa emra dhe në kujtesën e njerëzve, të cilët kanë vite e vite që prehen në jetën e amshuar.

Për ta kuptuar arsyen se pse vdekja e Kirovit që kthyer në një ngjarje të përmasave të tilla, duhet sqaruar se kush ishte ky njeri, jo sipas anketës, jo sipas posteve dhe titujve që mbante, por sipas peshës konkrete  në parti dhe prandaj çfarë kërcënimi mund të përbënte ai për Stalinin.

Sergej Mironoviç Kirovi kishte lindur në vitin 1886, në qytetin Urzhum të qarkut të Vjatskut. Kishte mbetur jetim që në moshë të vogël dhe qe rritur në jetimore, por arriti të arsimohej dhe, që në moshë të re. e pati lidhur fatin e vet me lëvizjen revolucionare. Në prag të viteve 1930, Kirovi ishte sekretar i parë i qarkut dhe i qytetit të Leningradit. Pra, krijohej përshtypja se ai ishte udhëheqës i një rajoni të madh, njëri nga shumë udhëheqës të tjerë. Por Leningradi ishte jo thjesht qytet, ai ishte djepi i revolucionit, qendra e dytë politike e vendit, një qytet me një potencial industrial gjigand, me një organizatë partie shumë të fuqishme dhe me një identitet historik të vetin. Leningradi e kujtonte veten si Petrograd, kujtonte muajin tetor, kujtonte se pikërisht aty pati lindur pushteti sovjetik. Të drejtoje Leningradin, do të thoshte të kontrolloje një forcë, të krahasueshme me Moskën. Një forcë kjo, e cila, në diçka tjetër, ia kalonte edhe Moskës. Dhe Kirovi ishte ai që e kontrollonte atë forcë në një mënyrë të shkëlqyer. Ai drejtonte industrializimin gjigand të Leningradi, duke e shndërruar atë në një gjigand industrial.

Uzina Kirov, e cila deri asokohe quhej uzina Putillov, qe kthyer në simbol të industrisë së gjithë vendit. Por fjala ishte jo vetëm për postin që mbante dhe jo vetëm për treguesit industrialë. Kirovi zotëronte diçka që i mungonte shumicës së bashkëluftëtarëve të Stalinit: joshën e vërtetë, jo të trilluar, jo të imponuar nga aparati. Ai kishte aftësinë të bisedonte me njerëzit në atë mënyrë, që ata ta dëgjonin jo nga frika dhe jo se e kishin për detyrim, por sepse kishin dëshirë ta dëgjonin. Fjalimet e tij në aktivitetet partiake ngjallnin një entuziazëm të çiltër, aspak të organizuar. Punëtorët e uzinave të Leningradit e njihnin me emër dhe me fytyrë. Ai ecte nëpër repartet e tyre pa shoqërues, bisedonte me njerëzit, u shtrëngonte dorën, dëgjonte me kujdes problemet që shtronin, mbante mend emra punëtorësh. Në periudhën kur elita partiake sapo vinte e ndahej gjithnjë e më shumë nga populli dhe rrinte përtej mureve dhe vilave të Kremlinit, të rrethuara me mure të larta, Kirovi vazhdonte të mbetej i tillë politikan, i cili dinte të rrinte mes njerëzve dhe që ata e konsideronin si njeriun e tyre. Pikërisht ky tipar i karakterit të tij e bënte të rrezikshëm, jo sepse ai synonte të kishte një pushtet suprem, por sepse pushteti mund të vinte vetë drejt tij, i ndikuar nga dashuria e popullit. Dhe pikërisht këtu fillon më interesantja.

Në janar të vitit 1934, 11 muaj para vrasjes së tij, në Moskë u  mblodh kongresi XVII i Partisë komuniste panruse të bolshevikëve. Ai kongres pati hyrë në histori me dy emërtime: zyrtarisht e patën quajtur “kongresi i fitimtarëve”, sepse pikërisht në atë kohë, kolektivizimi dhe pesëvjeçari i parë qenë shpallur si triumf. Vendi njoftonte për arritje grandioze dhe atmosfera e kongresit qe mbushur me raportime fitimtare. Qe krijuar përshtypja se partia ishte e bashkuar si kurrë më parë, të gjithë ish-opozitarët qenë përmbysur dhe penduar dhe Stalini qëndronte në majat e një pushteti absolut. Por më vonë, kur qenë bërë të njohura përmasat e represioneve që pasuan, ky kongres pati marrë një emërtim të dytë, jo zyrtar, por shumë më të saktë – kongresi i të pushkatuarve. Në kongresin XVII pati ndodhur diçka, për të cilën, për dhjetëvjeçarë me radhë, njerëzit patën folur vetëm me pëshpërima dhe që qe kthyer në njërën nga enigmat e politikës në historinë sovjetike. Kur Kirovi u ngjit në foltore dhe filloi fjalimin e vet, salla u çua më këmbë dhe po duartrokiste gjatë, me entuziazëm, me çiltërsi.

Sipas kujtimeve të disa delegatëve të kongresit, ovacionet për Kirovin, për nga vazhdimësia, krahasoheshin me ovacionet për vetë Stalinin, kurse, sipas disa dëshmive të tjera, ato ovacione ua kalonin atyre për Stalinin.

Për çdo njeri tjetër në parti, kjo pati shërbyer si një dënim politik me vdekje që në atë moment. Stalini po i vinte re gjëra të tilla, ai numëronte sekondat e duartrokitjeve, ndiqte me sy se kush qe ngritur më këmbë i pari, kush duartrokiste më shumë, kush i vazhdonte duartrokitjet kur të tjerët qenë ulur. Kjo nuk ishte paranojë, por një shprehje profesionale e politikës, e cila kishte gjetur terren në një mjedis, ku duartrokitjet mund të krijonin bindjen për një komplot, kurse heshtja – për besnikëri. Kirovi konsiderohej miku dhe bashkëluftëtari më i ngushtë i Stalinit, i kalonin pushimet së bashku në vilë, së bashku dilnin për gjueti, i drejtoheshin njëri-tjetrit me “ti”.

Stalini, sipas kujtimeve të njerëzve të afërt, e quante Mironkë dhe i fliste me ngrohtësi, të cilën nuk e shfaqte me askënd nga njerëzit e rrethit të vet. Miqësia e tyre dukej e pastër. Pikërisht kjo afri në dukje, gjithë historinë e  tyre të mëvonshme e bën të frikshme dhe të papërfytyrueshme nga ana njerëzore. Por, po në atë kongres, pati ndodhur edhe diçka tjetër dhe kjo ngjarje e dytë, sipas të gjitha gjasave, ishte më e rëndësishme se e para.

Gjatë votimit të fshehtë për përbërjen e komitetit qendror, komisioni i numërimit të votave, duke kontrolluat fletët e votimit, vuri re se kundër Stalinit figuronte një numër shumë i madh votash. Janë përmendur shifra të ndryshme, sepse dokumentet fillestare qenë zhdukur, por sipas kujtimeve të anëtarëve të komisionit të numërimit, kundër Stalinit patën votuar nga 150 deri pothuajse 300 delegatë. Për kongresin, në të cilin të gjithë diskutantët qenë betuar për besnikëri ndaj vijës së përgjithshme të partisë dhe ndaj Stalinit personalisht, ky ishte një numër befasues. Me këtë rast, kundër Kirovit kishin votuar gjithsej vetëm tre delegatë, tre kundër  më shumë se 1200 votuesve. Faktikisht, përkrahja për Kirovin kishte qenë e njëzëshme. Kur rezultatet e numërimit i qenë përcjellë udhëheqjes, ndodhi ajo që, në thelb, quhej falsifikim i zgjedhjeve partiake. Qe deklaruar se kundër Stalinit figuruakeshin gjithsej vetëm tri vota, po aq sa edhe kundër Kirovit. Fletëvotimet konkrete qenë zhdukur. Sipas disa burimeve, urdhrin për zhdukjen e tyre e paskej dhënë Kaganoviçi, sipas burimeve të tjera – Jezhovi, i cili asokohe ende nuk drejtonte ministrinë e punëve të brendshme, por tashmë ishte një figurë me ndikim në aparatin e partisë. Sipas disa burimeve të treta, udhëzimi paskej ardhur nga Stalini personalisht përmes ndërmjetësve.

Kushdo që ta kishte dhënë atë urdhër, rezultati ishte një i vetëm. E vërteta për rezultatet e votimit qe fshirë, kurse Stalini e pati marrë vesh që pjesa dërrmuese e partisë kërkonte ta hiqte qafe. Për më tepër, patën qarkulluar fjalë për një grup bolshevikësh të vjetër, mes të cilëve përmendnin sekretarin e parë të komitetit krahinor të Kaukazit të Veriut, Shiballdajevin, dhe të tjerë autoritete të drejtuesve partiakë. Në prapaskenat e kongresit Kirovit i qe ofruar propozimi për të vënë kandidaturën e vet për postin e sekretarit të përgjithshëm në vend të Stalinit. Kirovi, sipas atyre dëshmive, pati refuzuar kategorikisht. Për më tepër, ai vetë pati shkuar te Stalini dhe i pati rrëfyer për atë propozim. Një gjest ky i një miku besnik, të ndershëm, të vendosur, i një bashkëluftëtari të sprovuar. Një njeri ky që nuk dëshironte të merrte pushtetin e tjetrit, që nuk thurte intriga. Por Stalini mendonte ndryshe. Në përfytyrimin e tij të gjërave, rëndësi kishte jo refuzimi i Kirovit, por vetë fakti i propozimit. Në qoftë se tek ti paraqiten me një ide të tillë, do të thotë se ty të shikojnë si një alternativë. Domethënë, ti je pika e grumbullimit të të gjithë të pakënaqurve. Jo sepse ti e dëshiron një gjë të tillë, por sepse janë të tjerët ata që e duan një gjë të tillë. Kurse dëshirat e të tjerëve ti nuk i ke nën kontroll. Sot ti refuzove, kurse nesër, kur rrethanat do të ndryshojnë, kur presioni do të bëhet më i fortë, kur rreth teje do të grumbullohen më shumë njerëz, ti mund të ndryshosh mendim ose ty mund të të mbushin mendjen apo të të shfrytëzojnë, madje si flamur, si simbol, pa dakordësinë tënde, si emër, rreth të cilit do të shtrëngojn radhët të pakënaqurit.

Tani, për afrimin e ditës së vrasjes dhe si ndodhi ajo, do të bëhet fjalë në vijim.

Më 1 dhjetor 1934, kur ora po shkonte 4:30 e pasditës, Sergej Kirovi kishte ardhur në Smolni. Sipas disa të dhënave, para kësaj ore ai kishte qenë në shtëpi, kishte ngrënë drekë dhe ishte marrë me disa dokumente. Në Smolni ai duhej të përgatiste një raport që do të mbante në aktivin e partisë që do të mbahej mbrëmjen e po asaj dite. Ai qe ngjitur në katin e tretë dhe po ecte nëpër mesoren e gjatë për në kabinetin e vet. Në mesore s’kishte këmbë njeriu. Truproja nuk kishte. Kjo ishte gjëja më e çuditshme dhe më ulëritëse në gjithë këtë histori. Sekretari i parë i komitetit qarkor të partisë, anëtari i byrosë politike, njëri nga udhëheqësit më të lartë të shtetit, objekt i mbrojtjes së përhershme, ecën nëpër mesore krejtësisht një i vetëm. Truproja e tij personale ishte punonjësi operativ i ministrisë së brendshme, Borisovi. Në ato momente ai ndodhej diku, në një pjesë tjetër të ndërtesës. Cila ishte arsyeja që Borisovi nuk ndodhej pranë Kirovit? Ku ndodhej truproja tjetër? Cila ishte arsyeja që, në mesoren që të çonte në kabinetin e njërit nga udhëheqësit e vendit, nuk kishte asnjë post? As atëherë, as më vonë, këto pyetje nuk patën marrë përgjigje të qarta. Që prapa kthesës së mesores, përballë Kirovit u shfaq dikush. Ky ishte Leonid Nikollajevi, 30 vjeç, i lindur në Peterburg, ish-punonjës partiak i niveleve të ulëta. Në atë kohë i papunë. Nikollajevi nxori nga xhepi i palltos një pistoletë dhe e qëlloi Kirovin pas kokës në një largësi prej disa hapash. Plumbi e goditi ne pjesën e poshtme të kafkës. Kirovi u rrëzua në dyshemenë prej mermeri, me fytyrën poshtë dhe vdiq menjëherë, pa u përmendur. Pas shkrepjes së pistoletës, Nikollajevi tentoi t’ia drejtonte pistoletën vetes, por, ose për shkak të hutimit, apo të humbjes së ndjenjave, u rrëzua pranë kufomës së Kirovit. Aty e kapën bashkëpunëtorët që erdhën turravrap kur dëgjuan krismën e armës. Gjithë akti i vrasjes qe kryer brenda disa sekondave. Një krismë, një kufomë në dysheme, një vrasës i arrestuar. Në shikim të parë, një çështje e thjeshtë dhe e kuptueshme, por ia vlen të behen disa pyetje të thjeshta dhe thjeshtësia, në dukje, bëhet pluhur e hi: në ç’mënyrë Nikollajevi kishte hyrë në Smolni? Në atë ndërtesë, me regjim fletëhyrjesh, me truproja në hyrje? Nikollajevi nuk kishte fletëhyrje të përhershme për në Smolni, ai nuk punonte atje dhe nuk kishte kurrfarë arsyesh për të hyrë brenda. Ai kishte kaluar përmes truprojës, pati hipur në katin e duhur dhe qe gjendur pikërisht në atë mesore, nëpër të cilën, pas disa minutash, do të kalonte Kirovi. Nga e dinte ai orarin e lëvizjes së Kirovit? Nga e dinte ai se në ç’orë do të shfaqej aty dhe në çfarë drejtimi do të lëvizte? Por gjëja më e befasueshme ja ku fshihet: ajo nuk paskej qenë orvatja e parë e Nikollajevit për të qenë pranë Kirovit. Disa javë para vrasjes, Nikollajevi qe arrestuar afër Smolnit nga bashkëpunëtorët e truprojës. Gjatë kontrollit i patën gjetur një pistoletë me fishekë dhe një ditar, që përmbante skemën e lëvizjeve së Kirovit, informacionin për orarin e ardhjeve dhe të largimeve të tij. Sipas rregullave dhe sipas krejt gjykimit të shëndoshë, një njeri i armatosur dhe me planin e lëvizjeve të një personaliteti me truprojë, duhej të ishte arrestuar dhe hetuar menjëherë. Në vend që të veprohej në këtë mënyrë, atë e patën arrestuar, e patën mbajtur të izoluar për njëfarë kohe dhe e patën liruar. Sipas të dhënave që ekzistojnë, atë e patën liruar pas një telefonate nga drejtoria e punëve të brendshme të Leningradit. Se kush pati telefonuar dhe me ç’të drejtë kishte dhënë urdhër të lirohej një person i armatosur, i cili mbante me vete skemën e lëvizjeve të një anëtari të byrosë politike, kjo pati mbetur enigmë. Ekzistojnë porosi se një arrestim dhe lirim i tillë pati ndodhur dy herë. Personin me pistoletë dhe me shenja të qarta përgatitjeje për atentat, e patën lënë të lirë të largohej dhe të kryente atë detyrë që paskej nisur ta kryente. Dhe këtu historia bën një kthesë, nga e cila të rrëqethet trupi.

Një ditë pas asaj vrasjeje, Borisovin, truprojën e Kirovit, pikërisht atë  person, i cili, në një mënyrë të pashpjegueshme, nuk u ndodh pranë personalitetit që e kishte në mbrojtje në momentin e shkrepjes së armës, e patën çuar për ta marrë në pyetje Stalini. Borisovi ishte i vetmi person, i cili mund të jepte shpjegime se pse nuk i paskej kryer detyrat e veta, kush dhe kur i paskej dhënë urdhër të largohej nga kryerja e detyrës, kush përgjigjej për organizimin e mbrojtjes së Kirovit atë ditë. Dëshmitë e tij ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme. Borisovin e patën hipur në një kamion të ministrisë së brendshme për ta çuar në vendin e marrjes në pyetje. Gjatë rrugës, kamioni, sipas një versioni zyrtar, paskej pësuar avari. Borisovi qe vrarë. Dy bashkëpunëtorët e minitrisë së brendshme që e shoqëronin në karrocerinë e atij kamioni, patën shpëtuar shëndoshë e mirë. Kamioni gjoja qe përplasur në murin e një pallati në njërën nga rrugët e Leningradit. Por në dokumentet, ku pershkruhej ajo ngjarje, nuk qe shënuar as shpejtësia e lëvizjes, as arsyeja e avarisë, nuk jepeshin as shpjegime se pse goditja paskej qenë vdekjeprurëse vetëm për një person, nga tre pasagjerët e kamionit. Nuk qe kryer kurrfarë hetimi për arsyet e avarisë, askush nuk qe vënë para përgjegjësisë. Vdekja e Borisovit qe paraqitur si një fatkeqësi dhe qe harruar. Dëshmitari i vetëm, pohimet e të cilit mund të hidhnin  dritë nëse heqja e truprojës kishte qenë rastësi ose një aksion i planifikuar, kishte vdekur, pa mundur të shqiptonte qoftë edhe një fjalë të vetme gjatë marrjes në pyetje, kishte vdekur në një makinë të mbyllur, pikërisht në duart e atyre njerëzve, të cilët duhej ta çonin shëndoshë e mirë. Kjo nuk ishte provë komploti në një kuptim rreptësisht juridik, por ama kjo është diçka më shumë se përputhje rrethanash, e cila do të vijojë përsëri dhe përsëri gjatë disa viteve në vazhdim, kur kushdo që dinte të vërtetën ose që mund të arrinte deri te zbulimi i saj, do të shfarosej metodikisht.

Para se të ndjekim këtë zinxhir shfarosjesh, ia vlen t’i kthehemi kongresit XVII dhe të kuptojmë se pikërisht Stalini ishte ai që pati vënë re diçka aty që mund të vinte në lëvizje krejt makinën e mëvonshme të terrorit. Rezultatet e votimit të fshehtë për Stalinin qenë jo vetëm thjesht një episod i pakëndshëm, jo thjesht një cenim i egoizmit të tij. Ato ishin sinjal për një rezik-vdekjeje. Përderisa nga 150 deri në 300 delegatë, nga 1200 votues, e patën fshirë emrin e tij nga fletë e votimit, kjo do të thoshte se një në pesë ose madje një në katër anëtar të aparatit më të lartë të organit të partisë nuk dëshironte që ai të mbante postin e sekretarit të përgjithshëm. Ata delegatë nuk ishin opozitarë, nuk ishin trockistë apo zinovievistë, nuk ishin armiq të deklaruar. Ata ishin anëtarë besnikë të partisë, që kishin kaluar nëpër të gjitha spastrimet dhe provat e saj. Ata ishin persona, të cilët duartrokisnin publikisht për Stalinin dhe votonin për të gjitha rezolutat e tij. Por në qetësinë e kabinës së fshehtë zgjedhore, ku nuk i shikonte askush, ata e fshinin emrin e tij. Për Stalinin kjo ishte më keq sesa një rebelim i hapur. Rebelimin e hapur mund ta shtypësh, kurse pakënaqësinë e fshetë është e pamundur, sepse ti nuk e di se kush pikërisht fshihet pas tij. Çdo delegat që të buzëqeshë mund të ishte kushdo nga ata 300. Çdo bashkëluftëtar besnik, në fshehtësi mund të dëshironte rrëzimin tënd. E vetmja mënyrë për të siguruar veten ishte zhdukja e të gjithëve që mund të figuronin mes atyre që kishin votuar kundër. Por përderisa pas zhdukjes së fletëve të votimit ishte e pamundur të përcaktohej me aktësi se si kishte votuar gjithsecili, zona e goditjes duhej të ishte maksimalisht e gjerë.

Tani le të shikojmë e çfarë pati ndodhur menjëherë pas krismës së pistoletës, por jo në Smolni, por në Kremlin. Gjatë 48 orëve, pas vrasjes së Kirovit, Stalini pati nënshkruar një dokument, i cili pati shërbyer si themeli i terrorit juridik. Vendimi i komitetit qendror ekzekutiv të Bashkimit Sovjetik të 1 dhjetorit të vitit 1934, pati vendosur një rregull të ri shqyrtimi për çështjet e akteve terroriste dhe të organizatave terroriste. Hetimi duhej të përfundonte brenda një afati jo më shumë se dhjetë ditë. Përfundimi i akuzës u dorëzohej të akuzuarve 24 orë para fillimit të seancës gjyqësore. Procesi gjyqësor do të zhvillohej pa pjesëmarrjen e mbrojtjes dhe pa prokuror. Apelimet për falje nuk lejoheshin. Dënimi me vdekje ekzekutohej menjëherë pas marrjes së vendimit të gjykatës. Çdo pikë e atij vendimi kishte vetëm një qëllim – zhveshjen e të akuzuarit nga çdo mundësi për të mbrojtur veten. Dhjetë ditë linin të nënkuptohej se kurrfarë verifikimi i hollësishëm i provave ishe i pamundur. Mungesa e avokatëve trgonte se askush nuk kishte të drejtë të vinte në diskutim madje as akuzën më absurde. Ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit tregonte se kurrfarë apelimi, se kurrfarë rishikimi, kurrfarë ndërhyrjeje me një arsyetim të shëndoshë, nuk arrinin  ta shpëtonin të dënuarin.

Ky ligj, faktikisht, e pati shndërruar juridiksionin  sovjetik në një konvejer vdekjeje. Arrestimi, dhjetë ditë hetimi formal, gjykim pa mbrojtje, pushkatim. Dhe, çka është veçanërisht e rëndësishme, një dokument i tillë nuk shkruhet brenda një mbrëmjeje. Kjo nuk ishte një deklaratë për shtypin, nuk ishte një telegram. Ky ishte një akt juridik, që prekte themelet e organizimit shtetëror, themelet e sistemit juridik, themelet e së drejtës. Përgatitja e tij kërkon punën e juristëve, bashkërendimin me institucionet e ndryshme, përpunimin e formulimeve përkatëse. Por vendimi qe marrë po atë ditë që qe dëgjuar krisma e pistoletës, pikërisht po atë ditë. Kjo nënkuptonte njërën nga të dyja: ose dokumenti qe përgatitur më parë dhe mbahej në sirtarin e tryezës, duke pritur shkakun e përshtatshëm për publikimin e tij, ose ai qe shkruar me një shpejtësi të jashtëzakonshme, të mbinatyrshme, nga njerëz, të cilët e njihnin me saktësi se çfarë do t’u duhej të shkruanin dhe u duhej vetëm një datë konkrete për të bërë falsifikimet e duhura. Në të dy rastet, krisma e pistoletës në Smolni rezulton si një tragjedi jo e papritur, që e pati zënë pushtetin në befasi, por si një këmbëz e hequr më herët e një mekanizmi, të përgatitur paraprakisht.

Ky ligj i 1 dhjetorit pati shërbyer si themeli i një terrori të madh. Pikërisht te ai ligj mbështeteshin stoikët e ministrisë së brendshme. Pikërisht në bazë të normave të atij ligji qenë marrë vendime. Qindra mijë njerëz qenë pushkatuar, bazuar në nenet e tij në vitet 1937-1938. Një vrasje i jepte Stalinit një instrument për shfarosjen e një brezi të tërë.

Vrasësi i Kirovit, Leonid Nikollajevi, qe pushkatuar më 29 dhjetor 1934. Gjatë zhvillimit të gjyqit ai pati mbajtur një qëndrim të çuditshëm. Herë binte në një gjendje apatie, herë klithte me zë të lartë. Para pushkatimit, sipas dëshmive të të pranishmëve, ai ulërinte se e patën mashtrur, se i patën premtuar të mos i merrej jeta. Kush e pati mashtruar, kush i pati premtuar? Këto pyetje patën mbetur pa përgjigje, sepse një minutë pas këtyre fjalëve, Nikollajevi kishte ngrënë plumbin. Së bashku me të, për çështjen e “qendrës së Leningradit” qenë dënuar dhe pushkatuar edhe 13 veta, të gjithë ish-përkrahës të Zinovjevit. Asnjëri prej tyre nuk kishte pasur lidhje me vrasjen e Kirovit, por të gjithë qenë shpallur si organizatorë dhe frymëzues të një komploti terrorist.

Vrasja e Kirovit pati shërbyer si shkak për shpërthimin e një orteku të fuqishëm, që pati vënë përpara mbarë Bashkimin Sovjetik. Në fillim goditja u qe dhënë gjithë opozitarëve. Zinovjevi dhe Kamenjevi qenë arrestuar me akuzën për pjesëmarrje morale në vrasjen e Kirovit. Mandej rrethi i të akuzurve qe zgjeruar. Pra, vrasja e Kirovit shënoi zanafillën e shfarosjes së krejt gardës së vjetër bolshevike, të të gjithë bashkëluftëtarëve të Leninit, e të gjithë heronjve të revolucionit dhe të luftës civile. Stalini pati urdhëruar të kryhen jo vetëm vrasje, ai pati krijuar instrumentin më efektiv politik të shek. XX. Me vrasjen e Kirovit, ai zgjidhi tri detyra:

Së-pari, shmangu konkurrentin e vetëm potencial.

Së-dyti, përftoi një mekanizëm juridik për respresione masive.

Së-treti, krijoi mitin për një kopmlot që paskej përfshirë gjithçka, i cili i krijonte mundësinë për ta shpallur armik dhe për ta shfarosur absolutisht këdo brenda vendit.

Në mbështetje të ligjit të lartpërmendur, Stalini pati shfarosur shumicën dërrmuese të delegatëve të Kongresit XVII, ku ai pati humbur pas votimit të fshehtë. Nga 1966 delegatë të atij kongresi, më shumë së 1100 prej tyre qenë arrestuar. Nga 139 anëtarë dhe kandidatë për anëtarë të Komitetit Qendror, 99 prej tyre qenë pushkatuar. Pra, kongresi i fitimtarëve qe shndërruar në kongres të të pushktuarve.

Dhe në fund, duhet të vihet theksi mbi hipokrizinë skandaloze të Stalinit në qëndrimin ndaj Kirovit në jetën e amshuar. Pas vrasjes së tij, Stalini e pati shndërruar “mikun” e vdekur në objekt kulti. Qyteti Vjatka u quajt qyteti Kirov. Dhjetra rrugë, sheshe, uzina dhe institucione në mbarë vendin patën marrë emrin Kirov. Qe krijuar miti për Kirovin martir, për Kirovin-hero, i cili qe vrarë nga dora e armiqve të poshtër të pushtetit sovjetik. Stalini kontrollonte personalisht formimin e këtij miti, kujdesej që kujtimi për Kirovin të ruhej në lartësinë e duhur. Ai merrte pjesë në aktivitete përkujtimore, mbante fjalime, shprehte dhembje. Ai vetë, bashkë me të tjerë, kishte mbajtur mbi supe arkmortin e Kirovit”.

Kaliforni, 23 shtator 2026

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu