1. Në gjykimin tim, takimi Kallas -Vuçiq-Kurti, në fakt, nuk është vetëm një takim i thjeshtë diplomatik, por është edhe një sinjal i qartë se Brukseli është shumë i interesuar që frustrimin e ndodhur me aktgjykimin e Gjykatave Speciale ta zhvendosë në periferi të proceseve dhe zhvillimeve rajonale e kontinentale.Pra, Brukseli po mundohet ta minimizojë aktgjykimin përmes rifillimit të dialogut (që, në gjykimin tim, është negocim!) si një mekanizëm qendror të menaxhimit të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në realitet, ashtu si e shoh unë si sociolog i globalizimit, akti i “rikthimit nga ‘dialogu i ngrirë’ në një ‘dialog stabilizimi’” është indikator i qartë se BE-ja e ka vlerësuar se, në këto momente të lëvizjeve dhe ndryshimeve dinamike, riaktivizimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm edhe për hir të sigurisë në kontinent.
2. Megjithatë, anipse kjo iniciativë e Brukselit është një lloj tentative jo për ta braktisur dialogun, por për ta stabilizuar gjendjen, duke e përdorur atë si instrument të duhur, pra, nëse ky dialog, në formë instrumenti, nuk hyn në funksion dhe në kuadër të një paqësimi afatgjatë rajonal dhe të një skeme të sigurisë evropiane, është i kotë.
3. Në kuadër të këtij riaktivizimi të dialogut Bruksel–Prishtinë–Beograd, që, dorën në zemër, ishte lënë mënjanë për një kohë të gjatë, duhet ta kuptojmë se vonesa, në fakt, arriti ta zbehë autoritetin e Brukselit në masë të madhe. Them kështu edhe për shkak se ai, në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë, arriti të perceptohet jo si ndërmjetësim për ta zgjidhur problemin midis Serbisë dhe Kosovës, por si menaxhues për ta konservuar një status quo-je evidente.
Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina



