Një dokument i shkruar në gjuhën shqipe (gegë) nga Dom Zef Ramaj, meshtar në famullinë e Shkupit, përshkruan ardhjen e Argjipeshkvit të ri Emzot Lazër Mjeda në Shkup, në vitin 1909.
EMZOT LAZËR MJEDA N’SHKUP
Ishte nji vjet e gjysë qi kishim mbetë paa Barii, pa Priis, e sakt qi fort t’vshtirshme kiene për ne këto ditë vorfnimit. Por i Lumi Zot në mramë na ngushlloi, tui na zgjedhë për Argjipeshkëv nji njeri qi e kishte për zemër, e i cili prandej s’mujte mos me kenë edhe për zemër t’onë.
Po, i Lumi Zot na ngushlloi tui na çue për Argjipeshkëv Emzot Lazër Mjedën. Veç na diim se sa kemi dishru me pasë nji Barii, e sa na u knaq zemra kuer ndiem se ky do t’ishte Emzot Lazër Mjeda, e me sa dishir e kemi pritë!
Të tanë Meshtarija me popull mbarë a gzue kuer ka ndie se njimend do t’na vite.
Famullija e Shkupit e pat nafakë me kenë e para me e pritë ket Zotní të çuem prej Zotit për me na rregullue, e kjo famulli tui ja ditë Zotit për nderë u mundue me e pritë sa ma mirë qi t’mujte.
Prej Sarajevet i Shndritshmi Zotní me tel na bajke me ditë ditën qi do t’mriite, e at herë, nji ditë përpara t’ardhunit, me pushtlla të posaçme u dha fjala të tanve shpi për shpi, si shqyptarve si t’hujve (të tanë bashkë janë 140 shpi) se me 4 nandorit kishte për t’ja mrrí Argjipeshkvi i rí Emzot Lazër Mjeda, e qi t’urdhnoheshin me dalë me e pritë n’Stacion t’udhës hekrit.
Njimend burrní mbar duel; gratë e fëmija ishin mbledhë n’oborr të Kishës.
I Nderueshmi Zotní Dom Nikoll Mazreku, Prifti i famullís së Pezrendit, bashkë me Dom Pashko Krasniqin, kishin dalë me e pritë në Kumnov, për me i thanë në emën të tanve:
“Mirë se po t’bie Zoti.”
I Nderueshmi Zotní Dom Nikoll Glaznoviç, Dom Mikel Glaznoviç, Vice-Konsulli i Nemcës (Zotní Korçella nuk ishte ktu), Gjergj Adamkievitz, Vice-Konsulli i Italisë Zotní Galanti, Vice-Konsulli i Francës, bashkë me popullin mbarë, sikur thashë, ishin mbledhë n’Stacion t’udhës hekrit.
Qe ja mrrini ai ças i bardhë, në të cilin i Shndritshmi Argjipeshkvi i rí do t’shkelte n’Arkidioqezë të vet. Mbasi të tanë ja murrën dorën, gjithmbarë u nisen kah Kisha, ku kumonët i bajshin me ditë qytetit mbarë se katolikt kishin nji gzim të posaçëm.
Prej derës t’oborrit deri n’derë të Kishës ishte stolisë me bush, me lule e me bairaqe, e para derës së Kishës nji qemer i bukur, e në të stemma (shenjë) e përndritshmit Zotní Emzot Lazër Mjeda.

Kuer e pamë tue hy n’oborr të Kishës, zemra na gufoi të tanve prej gëzimit.
Dom Nikoll Mazreku prej shkallës së derës së Kishës u kthye prej të Shndritshmit Zotní e prej popullit; prej Atii për me i thanë në emën të tanve:
“Mirë se t’pruni Zoti ndër ne”; prej popullit për me i thanë se t’ja falshim nderës Zotit qi e pruni shndosh e mirë Babën t’onë, tui vu oroe se Kisha e Zemrës së Krishtit po asht ma e para me e pritë Bariiin e vet — e prandej shpresë n’Zemër të Krishtit se ka me i shprazë hiret e veta përmbí Të e përmbí Arkidioqezën mbarë.
U kthye masandej n’taliançe e në emën të Shndritshmit Zot u falte nderës të tanve, qi kishin begenisë me i dalë përpara.
Të tanë masandej hymë n’Kishë, tui këndue:
“Benedictus Dominus Deus Israel…”
N’at Kishë kurr nuk kishte këndue ma me eshtat e zemrës kjo kangë e Zakaris, e me arsye, se njimend Zoti i bekuem na kishte pa, tui na çue njat qi do t’na ngrente kah udha e paqës:
“ad dirigendos pedes nostros in viam pacis.”
Për t’paren herë prej Lterit Shejt u kthye kah populli i Shkupit Argjipeshkvi i rí, tui thanë se sa i kandshëm ishte tue pa se me ç’zemer e shyhret e kishin pritë, e tui ju falë nderës, të tanve u dha bekimin shejt.
Ah! Po me t’saktë, o i Shndritshmi Zotní, qi i Lumi Zot, kuer e çove Ti dorën t’ande me e bekue popullin e Shkupit, edhe Ai i Lumi na ka bekue të tanve mbarë prej qiellit; po, qiella na ka bekue tui zgjedhë Ty për Babë t’onë — e lavd e nder i qoftë Zotit të qiellës qi aq fort në ket mënyrë na ka gzue.
E Zoti i qiellës t’dhashtë jetë t’gjatë e hirë plot, për me kenë gjithmonë yrneku i jonë, për me na sundue si asht vullnesa e Zotit e për me na çue te kroi i gjith të mirave — te Zoti i qiellës e i dheut.
___
Meshtari Dom Zef Ramaj
Ndimtar i Famullís së Shkupit



