ISLAMI POLITIK NUK KALON!
____
Islami Politik, që udhëhiqet nga programi panislamik i “Vëllazërisë Myslimane”, nuk mund të kaloj ndër Arbërorët dhe Arbëroret
____
Komuna e Prishtinës, me në krye kryetarin e saj Përparim Rama, i është nënshtruar sërish Bashkësisë Islame përmes përshtatjes së orarit të shkollave publike për shkak të Ramazanit. Ky vendim përbën cenim të drejtpërdrejtë të karakterit laik të Republikës së Kosovës, siç garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila sanksionon ndarjen e qartë mes shtetit dhe bashkësive fetare, si dhe barazinë e të gjitha besimeve para ligjit.
Shteti i Kosovës është laik dhe duhet të mbetet i tillë. Çdo ndërhyrje e një bashkësie fetare në organizimin dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast në sistemin arsimor komunal, krijon precedent të rrezikshëm juridik dhe institucional. Institucionet publike nuk mund të përshtaten sipas kalendarit apo praktikave të një besimi të caktuar, sepse një veprim i tillë cenon neutralitetin shtetëror dhe barazinë kushtetuese të qytetarëve me bindje të ndryshme fetare ose pa bindje fetare.
Hapi i parë i kësaj kronologjie ishte rasti i tendës islamike të vendosur para bustit të Gjergj Kastriotit në Prishtinë. Leja për vendosjen e saj ishte dhënë nga i njëjti kryetar, Përparim Rama, pikërisht në të njëjtën ditë kur në të njëjtin shesh organizohej manifestimi për ditëlindjen e Gjergj Kastriotit, kryeheroit kombëtar. Është fakt historik se Gjergj Kastrioti udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane, e cila përveç pushtimit ushtarak përdori edhe dimensionin e Islamit Politik si instrument zgjerimi dhe kontrolli mbi tokat shqiptare.
Dhënia e lejes për një tendë me përmbajtje kulturore dhe fetare islame në të njëjtën ditë me përkujtimin e figurës që simbolizon rezistencën kundër asaj perandorie, përbënte një veprim me ndjeshmëri të lartë historike dhe simbolike. Ky vendim mund të kishte përshkallëzuar situatën dhe të krijonte tensione të panevojshme mes qytetarëve. Komuna e Prishtinës ose nuk e kishte vlerësuar rrezikun institucional dhe shoqëror të një vendimi të tillë, ose e kishte ndërmarrë atë me vetëdije të plotë për pasojat që mund të prodhonte.
Më pas, në vazhdën e këtij normalizimi, vjen vendimi për përshtatjen e orarit të shkollave publike sipas Ramazanit. Kjo tregon një vazhdimësi veprimesh që në thelb përfaqësojnë depërtimin gradual të Islamit Politik në sferën institucionale. Sot bëhet fjalë për orarin e shkollave, nesër mund të shtrohen kërkesa të tjera me natyrë normative.
Në këtë kontekst duhet theksuar qartë dimensioni i Islamit Politik. Historikisht, Islami Politik nuk është kufizuar vetëm në sferën shpirtërore, por ka synuar organizimin shoqëror dhe shtetëror mbi baza fetare. Që nga fillesat e tij, koncepti i bashkimit të fesë me pushtetin politik ka qenë pjesë përbërëse e traditës së tij doktrinare. Në shumë vende me rend laik, Islami Politik ka vepruar në mënyrë graduale dhe sistematike për të zgjeruar ndikimin e tij normativ, me synimin e shtrirjes së parimeve të sheriatit në jetën publike. Ky është një realitet i trajtuar gjerësisht në literaturën politike dhe historike ndërkombëtare.
Edhe në Kosovë, në dy vitet e fundit, në një periudhë kur në shoqërinë shqiptare po ndodh një rikthim masiv në Kishën Katolike me vullnet të lirë dhe në mënyrë plotësisht demokratike, janë intensifikuar kërkesat dhe presionet e Bashkësisë Islame të Kosovës ndaj institucioneve publike. Kjo përputhje kohore nuk është e rastësishme. Në vend që këto kërkesa të hasnin në kufij të qartë institucionalë në një shtet laik me orientim euro atlantik, ato po gjejnë hapësirë në vendimmarrjen publike, duke e normalizuar gradualisht ndërhyrjen e Islamit Politik në administrimin shtetëror.
Kërkesa për përshtatjen e orarit shkollor sipas Ramazanit nuk është thjesht çështje teknike administrative. Ajo përfaqëson hap konkret drejt institucionalizimit të kërkesave fetare brenda sistemit publik. Nëse sot përshtatet orari, nesër mund të kërkohen forma të tjera akomodimi normativ. Kjo është mënyra kronologjike dhe graduale përmes së cilës Islami Politik historikisht ka vepruar në shoqëri laike, duke e shndërruar presionin kulturor në praktikë institucionale.
Një shtet demokratik, sipas parimeve kushtetuese, duhet të garantojë neutralitet aktiv dhe të mos identifikohet me asnjë besim. Favorizimi i një bashkësie fetare në dëm të të tjerave cenon barazinë para ligjit dhe krijon pabarazi faktike mes qytetarëve.
Para dy mijë vjetësh, sipas Biblës, Jezus Krishti formuloi parimin themelor të ndarjes së sferës shpirtërore nga ajo shtetërore me fjalët jepja Perëndisë atë që i takon Perëndisë dhe jepja Cezarit atë që i takon Cezarit. Ky parim është themel i qytetërimit perëndimor dhe i konceptit modern të shtetit laik.
Kisha Katolike, në vazhdimësi historike, e ka respektuar këtë parim me korrektësi institucionale. Në veçanti, Ipeshkvia e Kosovës ka dëshmuar përgjegjësi të lartë qytetare dhe respekt të plotë ndaj rendit kushtetues. Ajo asnjëherë nuk ka tentuar të ndërhyjë në organizimin e institucioneve publike, nuk ka ushtruar presion mbi vendimmarrjen politike dhe nuk ka kërkuar privilegje në dëm të barazisë së qytetarëve. Qëndrimi i saj ka qenë gjithmonë në përputhje me ligjin, me parimet demokratike dhe me orientimin euro perëndimor të shtetit tonë. Ky është një model i qartë i respektimit të kufijve ndërmjet fesë dhe shtetit, në kontrast me qasjen e Islamit Politik që synon depërtim gradual në strukturat publike.
Ky reagim nuk është personal ndaj kryetarit të Prishtinës apo ndaj një subjekti të caktuar politik. Problemi është më i thellë dhe lidhet me tolerimin e vazhdueshëm të Islamit Politik nga klasa politike në tërësi. Flirtimi me kërkesa që cenojnë laicitetin, për arsye elektorale apo oportuniste, krijon terren për transformime afatgjata që mund të prekin vetë karakterin kushtetues të shtetit.
Aleatët tanë strategjikë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës na njohin si popull me rrënjë evropiane perëndimore. Orientimi ynë shtetëror është euro atlantik. Çdo devijim nga parimi i laicitetit dhe çdo hap drejt institucionalizimit të kërkesave të Islamit Politik bie ndesh me këtë orientim strategjik.
Rasti i lejimit të një tende të vendosur nga Bashkësia Islame para bustit të Gjergj Kastriotit në Prishtinë, në të njëjtën ditë kur organizohej manifestim për ditëlindjen e heroit kombëtar, ishte një tjetër shembull i mungesës së ndjeshmërisë institucionale. Hapësirat publike dhe simbolet kombëtare nuk mund të shndërrohen në terren eksperimentimi për projekte ideologjike.
Çdo veprim që cenon rendin kushtetues, laicitetin dhe barazinë e qytetarëve para ligjit duhet të ndalet menjëherë. Secili është i lirë të praktikojë besimin e tij dhe të festojë sipas bindjes së vet. Por ndërhyrja e bashkësive fetare në institucionet publike dhe shndërrimi gradual i kërkesave fetare në norma institucionale përbën shkelje të parimit të neutralitetit shtetëror dhe duhet të trajtohet me seriozitet të plotë juridik dhe institucional.
Sinqerisht
Blerim Nika



