
Sak Muji, Dukaivë, Rugovë
___
RADIKALIZMI: FE PA ZOT, POLITIKË PA TRU DHE MORAL ME FATURË
___
Radikalizmi ka një talent të rrallë: arrin të flasë pa thënë asgjë dhe të thërrasë Zotin pa e njohur fare ligjin.
Ai nuk ka nevojë për dije, sepse i mjafton zhurma; nuk ka nevojë për argument, sepse ka parullën; dhe nuk ka nevojë për përgjegjësi, sepse gjithmonë gjen një “armik” për faj.
Në variantin islamik – por jo vetëm – radikalizmi shitet si devotshmëri e importuar, e ambalazhuar me fjalë arabe të shqiptuara keq, me theks politik dhe me ambicie pushteti.
Predikohet durimi për të varfrit, ndërsa fondet fluturojnë. Predikojnë durim për të varfërit e fondet për ata që janë afër grykës së thesit me para!

Flitet për ahiret, por llogaritë bëhen këtu.
Shpallet modestia, por ndërtohet madhështia ideologjike.
Ironia e madhe është se sa më shumë flitet për “rrezikun ndaj fesë”, aq më pak ka fe në atë zhurmë.
Ka vetëm frikë nga mendimi i lirë. Sepse radikalizmi nuk trembet nga blasfemia, por nga pyetja.
Pyetja është më e rrezikshme se çdo kritikë, sepse nuk ka nevojë për leje.
Radikalët kanë obsesion ndërtimin. Jo ndërtimin e njeriut, por të objekteve.
Betoni u duket më i rëndësishëm se arsimi, minarja më e lartë se ligji, simboli më i shenjtë se kushtetuta.

Sa më e dobët ideja, aq më e lartë kulla. Sa më i zbrazët mesazhi, aq më i madh kompleksi.
Dhe kur dikush guxon të pyesë: pse kaq shumë? kush paguan? pse tani? – përgjigjja është automatike: “islamofobi”, “armiq të fesë”, “tradhtarë”, “agjentë”.
Radikalizmi nuk njeh debat; njeh vetëm etiketë.
Sepse etiketimi është mënyra më e lirë për të shmangur mendimin.
Në anën tjetër të pasqyrës qëndron radikalizmi anti-islam: po aq i zhurmshëm, po aq i paditur, po aq i varur nga konflikti.

Dy palë që e urrejnë njëra-tjetrën publikisht, por bashkëpunojnë perfekt në prapaskenë, sepse pa njëra-tjetrën do të mbeteshin pa audiencë.
Janë si dy tregtarë frike që shesin të njëjtin produkt me etiketa të ndryshme.
Të dyja palët e kanë një problem të madh me shtetin ligjor.
Ligji u duket i ftohtë, sepse nuk njeh “të shenjtë politikë”.
Ligji nuk pyet sa i devotshëm je, por çfarë bën.

Dhe kjo i tmerron, sepse radikalizmi jeton vetëm aty ku përgjegjësia mungon.
Kur kërkohet ndalim mediash, kur kërkohet censurë, kur kërkohet heshtje “për hir të paqes”, kemi kaluar nga feja në autoritarizëm moral.
Kush kërkon të mbyllë gojën e tjetrit në emër të Zotit, nuk po e mbron Zotin – po e përdor si mburojë.
Portali DRINI nuk numëron besime, as përqindje, as ritë.
Nuk i intereson kush falet, si falet apo a falet fare.
Ajo që i intereson është kur feja shndërrohet në projekt politik, kur radikalizmi përpiqet të marrë statusin e normës dhe kur ligji trajtohet si pengesë.

Sepse kombi nuk humbet identitet nga besimi.
Identiteti humbet kur mendimi i lirë shpallet armik.
Radikalizmi, në thelb, nuk ka besim te Zoti. Ka besim vetëm te kontrolli.
Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më shpejt do ta nxjerrim nga roli i rremë i moralistit dhe do ta trajtojmë si atë që është: problem shoqëror dhe ligjor, jo fetar.
Zoti nuk ka nevojë për zëdhënës agresivë.

Ligji, po.
Nga Sak muji
/d.v./



Saktë!