ARKIVI:
9 Maj 2024

Marrëveshja e Esat Pashë Toptanit me ministrin serb, Luba Jonanoviq, Tiranë, Qershor 1915

Shkrime relevante

Koordinimi i strategjisë për dialogun Kosovë-Serbi nga O’Brien, një lajm i mirë !

Gani I. Mehmeti Pasi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi,...

Botimi i dytë në anglisht i librit “Receta pa komb” i Saimir Lolja

Saimir A. Lolja, The Nation-Free Recipe – How the Triple Entente...

Harmonizimi i mendjes me shpirtin!

Florim Zeqa Fjala e dalë nga goja e shpërfaqë shpirtin e njeriut...

Si u kapën dy drejtuesit e Xhihadit në Shqipëri në vitin 2008

Nga Artan Hoxha Xhihadi islamik në Shqipëri E premte, 25.01.2008, 12:42 AM Emisioni investigativ i...

Shpërndaj

Nga: Sheradin Berisha
Gjurmë historike!
Kah fundi i qershorit (1915) qeveia serbe shpejtoi të lidhë edhe një marrëveshje me Esat pashë Toptanin, për t’i vërtetuar mirë planet dhe qëllimet e intervenimit kundër populllit shqiptar në përgjithësi. Në gjysmën e dytë të qershorit në mënyrë të fshehtë në Tiranë arriti Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë Luba Jovanoviq, që bashkë me Esat pashën, të “bisedojë” dhe t´i precizojë disa çështje që nuk ishin paraparë me marrëveshjen e 17 shtatorit 1914.
Nga procesverbali i shkruar mund të konstatohet se takimi Toptani – Jovanoviq është mbajtur më 14 (28) qershor 1915, ku është bërë plotësimi i marrëveshjes së përmendur edhe me 17 pika të reja, që mund të konsiderohet edhe si marrëveshje e re.
Siç vihet në dukje në marëveshjen e 28 qershorit 1915, Esat pashë Toptani pranonte të shkelet (në favor të Serbisë), jo vetëm pavarësia politike e Shqipërisë, por edhe tërësia e saj teritoriale. Ta zëmë me nenin I, parashihet që Serbia ta mbrojë Shqipërinë nga coptimi, për ta coptuar ajo vet në një kohë të përshtatshme. Kufijtë politikë shtetërorë të vendosur më 1913 nga gjashtë fuqitë e mëdha, Serbia i konsideronte si të diktuara nga Austria, prandaj në bazë të marrëveshjes me Esat Toptanin ato do të ndryshoheshin në favor të Serbisë.
Pogradeci me rrethet e Gollobërdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç të Mirditës, do t´i kalonin asaj. [91] Edhe në ato vise që do të jenë brenda kufijve të Shqipërisë, pushteti i Esat pashës ishte krejtësisht formal, dhe kjo duket qartë në nenet V, VI, VII e VIII të kësaj marrëveshjeje. Madje jo vetëm Esat pasha, por edhe të gjitha organet shtetërore që do të zgjidheshin duhej të vepronin sipas planeve të Serbisë.
Në marrëveshjen e 28 qershorit 1915, parashikoheshin edhe tri çështje të tjera. Financimet që ishin derdhur nga Serbia në dobi të Esat Toptanit ose ato që do të derdheshin në të ardhmen për të, do të shkonin për llogari të Shqipërisë; ushtria serbe do të qëndronte në Elbasan dhe në Tiranë për aq kohë sa do ta shihnin të arsyeshme të dy palët. Përveç kësaj në rast se do të rrezikohej Durrësi nga ushtria italiane, Esat pasha do të thërriste menjëherë në ndihmë ushtrinë serbe, për ta pushtuar atë më parë. [92]
Sipas procesverbalit të dalur nga ky takim është arritur kjo marrëveshje:
Marrëveshja Toptani – Jovanoviq, më 28. 06. 1915
I
Qeveria mbretërore serbe do të veprojë në atë drejtim, që asnjë fuqi e jashtme mos ta pushtojë Shqipërinë, dhe nuk do ta lejojë coptimin e saj, por ajo të mbetet si tërësi shtetërore, e cila për jetë do të jetë në aleancë dhe bashkësi me Serbinë në bazë të marrëveshjes së mëparshme, si dhe në bazë të dispozitave të këtij protokolli.
II
Pasi që kufijt midis Serbisë dhe Shqipërisë nuk janë të natyrshëm, por janë vendosur sipas dëshirës së Austrisë e cila ka dëshiruar të krijojë konflikte dhe shqetësime të përhershme midis këtyre dy shteteve fqinjë. Kufiri i tanishëm do të përmirësohet, kështu që Serbisë do t´i takojnë Pogradeci me rrethet e Gollo Brdos, Malësia e Dibrës, Luma dhe Hasi deri në Spaç. Derisa ky kufi i ri të mos caktohet nga fuqitë ndërkombëtare, Serbia në viset e përmendura do të mundet me vendos pushtetin e saj.
III
Ekselenca e tij Esat pashë Toptani do ta kryejë sa më parë organizimin e pushtetit në Shqipëri, dmth do të formojë komuna, nahi (rrethe) dhe qarqe, duke patur parasysh sa të jetë e mundur ndarjen e vendit nëpër fise. Do të emërojë për nënpunës njerëz të vet e miq të Serbisë. Serbia do t´i vejë në dispozicion njerëzit e saj për këtë punë.
IV
Ekselenca e tij Esat pasha do të fillojë menjëherë organizimin e ushtrisë dhe gjindarmërisë. Për udhëheqës dhe instruktorë të ushtrisë dhe gjindarmerisë qeveria mbretërore serbe do të vejë në dispozicion njerëz të vet, si dhe një numër të konsideruar gjindarmësh.
V
Pasi ta kryej organizimin e komunave, rretheve dhe qarqeve E.T Esat pasha do të fillojë zgjedhjet e deputetëve për kuvend dhe do të kujdeset që në Asamble të vijnë njerëz të besueshëm dhe ithtarë të tij dhe të Serbisë. Në këtë punë Serbia do ta ndihmojë Esat pashën.
VI
Po sa të bindet se e ka shumicën e ithtarëve E.T Esat pasha do të konvokojë mbledhjen e Asamblesë, e cila do ta zgjedh për sundimtar me titull princ.
VII
Sa të zgjedhet për princ, Esat pasha do t´i paraqesë Asamblesë projekt Kushtetutën e Shqipërisë, e cila më herët do të përgatitet në marrëveshje me qeverinë mbretërore të Serbisë. Pasi që Asambleja ta aprovojë Kushtetutën, Esat pasha do ta formojë qeverinë nga njerëzit që përkrahin idenë e bashkimit serbo – shqiptar.
VIII
E.T Esat pasha obligohet që pas kësaj, në momentin e përshtatshëm ta aplikojë në jetë, me anë të Asamblesë unionin real me Serbinë, sipas të cilit Serbia dhe Shqipëria do të kenë ushtri të përbashkët, union doganor, përfaqësues të përbashkët jashta vendit, entet e përbashkëta të tregëtisë dhe komunikacionit, një sistem finansiar dhe bankën popullore. Gjyqet, arsimi, punët fetare, taksat dhe të ardhurat tjera të dedikuara për nevoja të enteve të veçanta shqiptare, do të jenë thjesht shqiptare.(Esat pasha do të mundet lirisht të qeverisë me punët e brendshme).
IX
Deri sa të arrihen këto, Esat pasha do t´i marrë në duar të veta të gjitha gjymriqet, kurse për drejtor do ta pranojë një nënpunës të doganës serbe, i cili tani do ta zbatojë sistemin turk, e më vonë do ta rregullojë doganën sipas ligjeve serbe, që të mund t´i dakordojë legjislacionin doganor serb.
X
Pasi të kryhen të gjitha këto që u përmendën, do të realizohet unioni doganor. Nëse më vonë nuk aprovohet marrëveshje e re, që me të ardhura doganore e të tjera të përbashkëta të plotësohen shpenzimet e përbashkëta (ushtria, përfaqësitë jashtë vendit etj), të ardhurat doganore do të ndahen sipas destinimit të mallit, pasi të heqen shpenzimet e regjisë.
XI
Që të mund të sigurohet komunikacioni sa më i plotë ekonomik midis Serbisë dhe Shqipërisë, Esat pasha do të kujdeset që më vonë t´i përshtatë shpenzimet monopolike dhe të taksave në atë mënyrë që të dakordohen me ligjet serbe mbi monopolet dhe taksat (brenda mundësive).
XII
Me kërkesën e E.T Esat pashës qeveria mbretërore serbe do t´i vejë në dispozicion ekspertët që do t´i ndihmonin ta zbatojë dhe përsosë organizimin e qeverisjes dhe të enteve të nevojshme për shtetin shqiptar.
XIII
Për të bërë të mundur një komunikacion sa më të fortë midis Serbisë dhe Shqipërisë, menjëherë do të fillojë ndërtimi i rrugës prej kufirit serb gjer në Elbasan, e prej andej një vijë do të shkojë për në Durrës, kurse tjetra për në Tiranë.
XIV
Ndihmën që qeveria mbretërore serbe ia ka dhënë, ose pas tashti do t´ia japë Esat pashës, shkon në llogari të borgjeve të Shqipërisë.
XV
Gjatë kohës së punëve të përmendura (gjersa të gjitha punët mos të kryhen), ushtria serbe do të mbetet në Elbasan, eventulisht edhe në Tiranë. Kur të paraqitet nevoja e të lejojnë kushtet, ajo në marrëveshje me Esat pashën dhe komandantin e ushtrisë serbe do të ndërmarrë ndjekjen dhe shpartallimin e kundërshtarëve të vet dhe të Esat pashës, duke bërë lëvizje sipas marrëveshjes reciproke.
XVI
Nëse E.T Esat pasha heton se Italia mendon ta okupojë Durrësin, menjëherë për këtë do ta lajmërojë qeverinë mbretërore serbe dhe do të thërras ushtrinë mbretërore serbe, që në emër të tij ta okupojë Durrësin, para se Italia ta bëjë këtë.
XVII
Nëse E.T Esat pasha e sheh të nevojshme të kërkojë një numër ushtarësh serb, të cilët si gjindarmë do t´i mbajë në Durrës, komandanti i ushtrisë serbe do t´i vejë në dispozicion. [93]
Më 15 (28) qershor 1915
Kryetari i qeverisë Esat pasha.
Edhe kjo marrëveshje është shkruar në turqisht me shkrim arab, si dhe në gjuhën serbe. Në këtë marrëveshje Esat pasha me dorë të vetë e ka shkruar këtë vërejtje: ”Qukësi do të mbetet jashta kufirit të përmendur, dmth mbetet i Shqipërisë.”
———————
Literatura:
[91] Shukri Rahimi, Gjurmime historike të rilindjes kombëtare”, Prishtinë 1986, fq. 137; Sh. Rrahimi: v.c. fq.314.
[92] Shukri Rahimi: s.c. fq. 139 – 140; Sh. Rrahimi: v.c. fq.315-316.
[93] Shukri Rrahimi: v.c. fq.313 – 316; AM (m.g) DA SIP-a PO Serija “G” Fasc.9 / Raporti i Luba Jovanoviqit dhe procesverbali nga bisedimet me Esat pashën.
***
Shkëputur nga libri elekronik:
VEPRIMTARIA ANTIKOMBËTARE E ESAT PASHË TOPTANIT 1912 – 1920
Autor Sheradin Berisha
Ish kelmendasi i serbizuar Aleksandar Karagjorgjeviq me tradhëtarin e kombit shqiptar Esat Pasha Toptani, në afërsi të Durrësit, janar 1916

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu