Basri Beka, Prishtinë
- Prej zgjimi iluminist i 20 Tetorit te verdikti i 28 Dhjetorit: orientimi kulturor i shoqërisë si çelës i fitores plebishitare të Vetëvendosjes dhe kolapsit të opozitës
Fitorja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 28 dhjetorit, me rreth dhe mbi 50 për qind të votave, përbën një fitore plebishitare në kuptimin e plotë politik. Nuk ishte thjesht fitore elektorale, por konfirmim i dominimit politik të një subjekti përballë një opozite të shpërbërë, të paqartë dhe strategjikisht të dështuar. Kjo fitore nuk erdhi sepse Vetëvendosje qeverisi mirë; erdhi sepse opozita nuk bëri asgjë që meriton pushtet.
Shkaku kryesor i kësaj humbjeje të thellë qëndron te paaftësia e partive opozitare për të ndërtuar bashkëpunim politik, për të krijuar kauza reale dhe për të lexuar drejt orientimin shoqëror e kulturor të elektoratit. Në këtë dështim, figura kyçe është Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së. Refuzimi i tij kategorik për çdo marrëveshje – qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me PDK-në apo AAK–NISMA – e izoloi opozitën dhe i dha Vetëvendosjes armën më të fortë propagandistike: etiketimin e opozitës si bllokuese të institucioneve dhe të formimit të qeverisë. Këtë narrativë Vetëvendosje e materializoi me sukses dhe e shndërroi në kapital elektoral.
Gabimi i dytë strategjik, edhe më i rëndë, ishte flirtimi i partive kryesore opozitare me grupime islamiste. LDK-ja me Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit dhe PDK-ja me Listën për Familje të Eman Rrahmanit, Visar Korenicës me radhë. Këto lëvizje nuk ishin as pragmatike, as të nevojshme; ishin sinjal i konfuzionit ideologjik dhe mungesës së busullës kulturore. Edhe pse AAK këtë herë nuk hyri në koalicion të tillë, ajo mbante ende njollën e zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur bashkëpunoi me grupimin konservator të Abdulla Klinakut dhe lejoi që në mitingje elektorale të shfaqej Shefqet Krasniqi, imam i njohur për qëndrime ekstremiste. Kjo i dëmtoi rëndë si AAK-në ashtu edhe Ramush Haradinajn personalisht, duke e minuar imazhin e tij si lider i vijës kombëtare dhe kundërshtar i islamit politik – një imazh që vetë ai e kishte ndërtuar me deklarata të forta kundër “këtyre flliqanëve” që imponojnë kulturë të huaj. Pas atij kompromisi, besueshmëria u zhduk.
Opozita dështoi të kuptojë orientimin kulturor të shoqërisë kosovare. Shpërthimi iluminist i 20 tetorit 2023, me tubimin e Deçanit dhe daljen e një sërë lëvizjesh si Organizata Shqiptaria, Lëvizja për Rikthim, Lëvizja e Deçanit dhe të tjera, ishte reagim i qartë popullor kundër invadimit të një kulture të huaj dhe procesit të tjetërsimit kulturor. Ky popull i ka rezistuar kësaj për shekuj. Partitë opozitare ose nuk e panë këtë sinjal, ose e injoruan. Albin Kurti e kuptoi. Vetëvendosje ishte i vetmi subjekt që u soll në përputhje me këtë trend shoqëror. Gjatë festës së Krishtlindjes, jo vetëm që u dërguan urime formale, por u pa pjesëmarrje aktive e kryeministrit dhe zyrtarëve të tij në meshë, kisha dhe organizime festive. Mesazhi ishte i qartë: pozicionim kulturor perëndimor.
Një tjetër gabim fatal i opozitës ishte përqendrimi obsesiv te Veriu i Kosovës – pika më e fortë e qeverisë Kurti – ndërkohë që u anashkaluan vendime të tjera politike dhe ekonomike seriozisht të dëmshme. PDK-ja, si partia më e madhe opozitare, dështoi të krijojë frymë politike edhe pas zgjedhjes së kryetarit të ri, Bedri Hamza. Përjashtuar dy-tre deputetë aktivë, pjesa tjetër u perceptua si e heshtur, e mbyllur në interesa personale të krijuara gjatë kohës në pushtet. Komunikimi me elektoratin ishte minimal; partia u kthye në politikën e odave, të mbyllur në vetvete.
Asnjë parti opozitare nuk arriti të krijojë kauzë të qartë për ta goditur pushtetin e Vetëvendosjes. Mundësitë ishin të shumta: implementimi i udhëzuesit për energji si shkelje e sovranitetit; Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, që krijojnë një nivel të tretë pushteti dhe e fragmentojnë ushtrimin e sovranitetit duke e ndarë atë me Serbinë dhe komunitetin serb; keqqeverisja dhe shkatërrimi ekonomik; korrupsioni dhe nepotizmi i paprecedent; inflacioni; dështimet në KEK dhe Trepçë; subvencionimi i pafund i ndërmarrjeve publike si Telekomi; kapja e institucioneve të pavarura; rregullativa ligjore që krijon monopole për biznese të lidhura me qeverinë; favorizime dhe pengime selektive. Asnjëra nga këto nuk u shndërrua në kauzë mobilizuese.
Në fund, fitorja e Vetëvendosjes mund të lexohet edhe si paradoks. Mund të jetë një bekim i përkohshëm, sepse tregon qartë se populli i Kosovës kërkon të ruajë orientimin e vet kulturor perëndimor. Në mungesë të një opozite serioze, këtë rol e mori një parti që, pavarësisht dështimeve qeverisëse, arriti të pozicionohej si mbrojtëse e këtij orientimi. Historia do të tregojë nëse kjo ishte zgjedhje e mençur apo thjesht mungesë alternative. Por një gjë është e sigurt: humbja e opozitës nuk ishte rastësi. Ishte e merituar.



