Një nga rreziqet më serioze që po e kërcënon sot diasporën shqiptare në Perëndim është asimilimi gjuhësor dhe kulturor i brezave të rinj. Në këtë proces, për fat të keq, një rol negativ po luajnë edhe disa xhami, të cilat po shndërrohen nga institucione fetare në qendra që promovojnë një identitet tjetër gjuhësor e kulturor, shpesh në dëm të identitetit kombëtar shqiptar.
Është e pakuptueshme dhe shqetësuese që shumë prindër shqiptarë, ndonëse kanë mundësi që fëmijët e tyre t’i dërgojnë falas në mësimin plotësues në gjuhën shqipe të financuar nga shtetet pritëse zgjedhin t’i çojnë në xhami për mësim në gjuhën arabe. Kjo zgjedhje, qoftë nga padituria apo nga mungesa e vetëdijes kombëtare, i orienton fëmijët drejt një identiteti tjetër dhe i largon nga gjuha, kultura dhe historia shqiptare.
Kur një popull sulmohet në gjuhë, ai sulmohet në identitet. Gjuha shqipe nuk është thjesht mjet komunikimi, por themel i vetëdijes kombëtare. Zëvendësimi i saj me një gjuhë tjetër, përbën një rrezik real për vazhdimësinë kombëtare në mërgatë.
Këtu lindin disa pyetje thelbësore:
Ku është vetëdija kombëtare në diasporë?
Ku janë shoqatat shqiptare, qoftë kulturore apo politike, dhe çfarë bëjnë konkretisht për mbrojtjen e gjuhës shqipe?
Ku janë ambasadat dhe konsullatat tona, dhe a e kuptojnë misionin e tyre në mërgatë apo e shohin rolin e tyre vetëm si administrativ dhe protokollar?
Ku janë institucionet e shtetit, Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, që heshtin para këtij fenomeni shkatërrues?

“Xhemati” shqipfolës i një xhamie në Zvicër
Heshtja institucionale është po aq e rrezikshme sa vetë procesi i asimilimit.
Pa politika të qarta shtetërore për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë, fëmijët shqiptarë rrezikojnë të humbin lidhjen me atdheun, jo përmes dhunës, por përmes harresës.
Po ashtu, mungesa e reagimit nga intelektualët shqiptarë në Perëndim është shqetësuese. Një mërgatë që di të organizohet për çështje ekonomike, politike apo humanitare, pse hesht kur bëhet fjalë për mbijetesën e gjuhës dhe identitetit kombëtar?
Kjo heshtje nuk është neutrale, ajo është bashkëfajësi.
Në fund, duhet ngritur me zë të lartë pyetja: Kush janë këta “misionarë” që në emër të fesë po e zëvendësojnë gjuhën shqipe me gjuhën arabe dhe po kontribuojnë në zbehjen e identitetit kombëtar shqiptar në mërgim?
Feja dhe kombësia nuk janë domosdoshmërisht në konflikt, por kur feja përdoret për të zhdukur gjuhën dhe kulturën kombëtare, atëherë ajo shndërrohet në instrument asimilimi.
Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm detyrë e prindërve, por edhe përgjegjësi kombëtare, institucionale dhe intelektuale. Pa gjuhë, nuk ka komb; pa komb, nuk ka histori; pa histori, nuk ka të ardhme.




Pergezoj Zotni Zeqir Bekollin per shtrimin e ketij problemi.
Por due me thanë se ky nuk asht problem i te gjithë shqiptarve, por asht problem i vetem muslimanve.