ARKIVI:
27 Prill 2026

Filozofit bashkëkohor italian Massimo Cacciari mbi poezinë

Shkrime relevante

Prizreni nuk është skenë për rikthimin e hijes osmane

Zamira Bytyqi, Prizren Dje 25.04 në Shadërvan, në zemrën historike të Prizrenit, u...

Zbulohën planet e fshehta ”politike” të opozitës në Kosovë!

Ismet M. Hasani, Suedi Pak politikë Kriza politike në Kosovë dhe dështimi i...

Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare

Nga Frank Shkreli (Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të gjitha...

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Shpërndaj

Kam shkëputur një fragment të shkurtër nga fjala e filozofit bashkëkohor italian Massimo Cacciari mbi poezinë, mbajtur në formën e një Lectio Magistralis në sallën e Kariatideve, në Milano. Bëhet fjalë për një mendim të rrallë në thellësi dhe përmasë filozofike, i cili sot mungon ndjeshëm në hapësirën tonë kulturore. Kjo mungesë nuk lidhet vetëm me individë të veçantë, por me mënyrën se si një shoqëri zgjedh ose jo të ushqejë brezat e saj me ide, me mendim kritik, me ndërgjegje historike dhe përgjegjësi shpirtërore.
Duke sjellë këtë fragment në shqip, synimi nuk është thjesht përkthimi i një teksti filozofik, por hapja e një hapësire reflektimi mbi atë se çfarë është poezia në thelbin e saj dhe pse, pikërisht në kohë krizash të thella politike, kulturore dhe identitare, njeriu i rikthehet asaj si një formë rezistence, kujtese dhe mbijetese shpirtërore.
Ervina Toptani, shkrimtare, Vjenë
____
… Poezia është një “shkollë rezistence” ndaj asaj prirjeje të pashlyeshme të logos-it, mendimit racional dhe konceptual perëndimor, por ajo nuk është kurrsesi një shkollë rezistence emocionale-patetike. Përkundrazi, poezia është një shkollë rezistence që kujton pa pushim dimensionin tjetër, atë më origjinal të gjuhës, atë që i paraprin racionalizimit.
Nëse kjo gjë do të binte në harresë, ne do të harronim vetë thelbin e gjuhës.
Poezia e zhvillon këtë kuptim, ajo është pasqyra njehëse e këtij thelbi dhe pikërisht për këtë arsye është dije e vërtetë, njohja thelbësore e kësaj dijeje. Këtu qëndron domosdoshmëria e saj absolute, në pengimin, herë pas here, me mjete dhe forma të ndryshme, që gjuha të mos shterojë, të mos reduktohet në njëkuptimësi, në një domethënie të vetme dhe të ngurtë. Kjo domosdoshmëri mund të shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme, por ajo nuk duhet të mungojë kurrë.
Vetëm kështu mund t’i përgjigjemi pyetjes së Hölderlin-it, të përsëritur pafundësisht nga Adorno dhe Heidegger, e cila në thelb është e njëjta pyetje themelore platonike: “Përse poezia në kohë varfërie?” Mund të thuhet e kuptohet edhe ndryshe: “Përse poezia përballë tragjedive, përballë vuajtjeve; përse poezia përballë dramave të mëdha politike?”
Në thelb, pyetja e Adornos – “Si është e mundur poezia pas Auschwitz-it?” – nuk shpreh vetëm formën historikisht të përcaktuar, pra nuk i kushtohet vetëm pyetjes origjinale:
“Përse poezia përballë seriozitetit tragjik të jetës?”
Do të thoja se pikërisht për këtë arsye, pikërisht sepse dua të përballem me seriozitetin tragjik të jetës, nuk mund ta sklerotizoj (më pëlqeu mjaft si fjalë ndaj e shqipërova të tillë por autori nënkupton: ngurtësoj), ta fosilizoj (ta ngrij në forma të vdekura) gjuhën. Duhet ta di ta mbaj të hapur, të çlirët deri në atë pikë sa ta çoj “pothuajse” drejt heshtjes (aty ku gjuha ndalet, por kuptimi ende pulson).
Vetëm atëherë do ta “shpëtoj” edhe vuajtjen, sepse vuajtja, në fund të fundit, është pikërisht ajo që nuk mund ta përkufizojmë, që nuk mund ta ngurtësojmë në një kuptimshmëri. Vuajtja duhet të mbetet plagë e hapur, që jetohet, prej së cilës mësohet, ndergjegjësohesh, kupton se je gjallë. Vetëm kështu ajo mund të kujtohet.
Në fund të fundit, njeriu kujton vetëm atë që mbetet e hapur.
Kështu, pikërisht kështu, i përgjigjemi pyetjes platonike, pyetjes së Adornos, pyetjes së Hölderlin-it, pyetjes së të gjithë poetëve të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ata, e kanë gdhendur në poezinë e tyre sikurse dhe në kulturën tonë, antitezën ndaj Platonit. Poezia e poetëve të mëdhenj (të cilët rrallë lindin ndër shekuj) është sistolë dhe diastolë e qytetërimit tonë.
P.S. (sistolë = tkurrje, mbyllje, rend racional; diastolë = hapje, zgjerim, poezi; dy lëvizje jetike që alternohen si rrahjet e zemrës).
Massimo Cacciari
Përktheu: Ervina Toptani

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu