ARKIVI:
26 Prill 2026

Ibrahim Kelmendi për “veprimtarinë subverzive” të Sabri Novosellës, që shkaktoi përkohësisht armiqësi në mes të Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës

Shkrime relevante

Kosova miratoi Rezolutë, për Luginën e Preshevës

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për avancimin e përkujdesjes institucionale,...

Vuçiç: Serbia s’është në linjë me politikën botërore për shkak të Kosovës

Gani I. Mehmeti (A.P / 25 April 2026 - 17:34, Kosova Sot...

Bllokim të deputetevë në Kuvend deri në zgjedhjen e Presidentit!

Florim Zeqa Në demokraci sovrani (populli) është forca mbrojtëse e shtetit dhe...

Palestra e “trurit të mbyllur”, Drenica e Sami Lushtakut !

Lirim Gashi, Prizren DRENICA E SUPËS POLITIKE TË SAMI LUSHTAKUT, ËSHTË PALESTËR...

Shpërndaj

VEPRIMTARIA SUBVERSIVE E SABRI NOSELLËS SHKAKTON ARMIQËSIM TË PËRKOHSHËM TË JUSUF GËRVALLËS NDAJ KADRI ZEKËS
Raportet mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, sidomos konflikti i tetorit 1981, janë keqprezantuar nga specialistët e UDB-së, por edhe nga dezinformatat e atyre që mashtronin se ishin trashëgimtarë organizativë të Jusufit dhe Kadriut. Edhe adhuruesit e Jusufit dhe Kadriut, në mungesë të informacionit burimor, janë ndikuar nga ata që kanë dezinformuar qëllimisht.
Pas gushtit 1981, kur e kemi përfunduar finalizimin e platformës për organizatën që do të dilte nga bashkimi i LNÇKVSHJ-së (të cilës i përkiste Jusufi), OMLK-së (të cilës i përkiste Kadriu) dhe FKP-së (të cilës i përkisja unë), me kërkesë të Jusufit, “bashkimi të bëhet publik nga veterani Sabri Novosella”, mbet që Kadriu të shkonte në Turqi, meqë Sabriu nuk kishte mundësi të vinte në Perëndim për shkak të vizës. Shkuarja e Kadriut bashkë me Bardhosh Gërvallën, ndodhi në fillim të tetorit 1981. Atje duhet të jenë pritur nga Sabriu, të cilin e “këshillonte” diplomati i Shqipërisë, Bujar (Kadri) Hoxha. Gjithnjë sipas (dez)informimeve të Sabriut, meqë nuk kemi rrëfime nga Kadriu, Bardhoshi e Bujari, mes Sabriut dhe Kadriut ka plasur konflikti qysh në minutat e parë të takimit.
Sabriu më shumë se një herë ka (dez)informuar se pengesa kryesore për bashkim ishte OMLK-ja, meqë organizata që “udhëhiqte” ai ishte kundër marksistë-leninistëve dhe enveristëve. Fakti që Jusufi vetëprezantohej pothuajse si më enverist se Kadriu (siç e dëshmojnë edhe letrat që Jusufi ia ka dërguar Enver Hoxhës), nuk e ka penguar asnjëherë Sabriun ta paraqesë si argument kryesor për konfliktin e ndodhur në atë takim, përkatësinë e Kadriut si kuadër udhëheqës i OMLK-së. Edhe fakti se tashmë Sabriu ishte bërë aleat me UDBashin Abdullah Prapashtica, i cili ishte kryetar i Partisë Komuniste Marksiste-Leninste Shqiptare në Jugosllavi, dëshmon se Sabriun nuk e pengonte ideologjia marksiste-leninste, por sepse nuk e lejonin eprorët e UDB-së të ndodhte bashkimi që ishte dëshmuar produktiv e funksional gjatë gjithë atyre demonstratave e tubimeve informuese, të përbashkëta, nga 11 prilli deri më14 qershor 1981.
Pason hidhërimi i Jusufit, i cili zbatonte pikë për presje urdhrat “udhëheqësit” Sabri Novosella. Dhe nuk ishte vetëm hidhërim ndaj Kadriut, por diçka më shumë. Atë zemërim e ka shfaq edhe në organin e LNÇKVSHJ-së, “Zëri i Kosovës”, numrin e parë, të cilit Jusufi e boton në nëntor 1981, me urdhër të Sabriut.
Fatmirësisht, Jusufit i njihet statusi i azilantit politik nga organet gjermane në dhjetor 1981, pas rrumbullak dy viteve zvarritjeje, prandaj iu lëshua edhe “pasaporta e azilantit” (Travel Document, me kopertinë blu dhe dy vija të zeza në cep, e dizajnuar nga OKB), me të cilën mundi të hynte për herë të parë në Zvicër për të marrë pjesë në dasmën e Kadriut me Saime Jusufin, e cila ndodhi në Biel/Bienne më 2 janar 1982.
Fatkeqësisht, Jusufi për ca kohë në fillim të dasmës, në mesin e rreth 60 dasmorëve, ishte ulur në fund të sallës dhe rrinte i mrrolur. Ishim pak veta që e dinim pse Jusufi rrinte aq i tërhequr. Në ndërkohë e luta të dilnim në një hapësirë tjetër të asaj shtëpie, e cila ishte pronësi e Komunës Biel, mes malit me pisha, të cilën shfrytëzonin qytetarët për manifestime e takime të tyre. Zumë të grindemi, sepse unë i pata thënë: “Më mirë do të ishte të mos merrje pjesë fare në dasmë, se të rrish gjithë kohën i tërhequr dhe i mrrolur” (parafrazim). Ai ma ktheu: “Si të mos jem i mrrolur, kur ju, ti dhe Kadriu, shokët më të ngushtë, keni sabotuar shpërndarjen e ‘Zërit të Kosovës’, bile ti edhe duke i urdhëruar bashkëveprimtarët tu në Klubini shqiptar në Dyseldorf, t’i hidhnin në bërllok 100 copa që ua kemi dërguar?”
U befasova me sa siguri ma komunikoi atë dezinformim. I pata thënë: “njëri nga dy pleqtë (Z.K. apo A.B.), që janë pjesëmarrës në dasmë, apo Xhavit Ramabaj e Besim Rexha, të paskan dezinformuar e bindur se vërtet ashtu ka ndodhur. Këtu është edhe Hyzri Reka, kryetari i Klubit tonë në Dyseldorf, i cili do të të informojë si ka ndodhur. E do vetëm atë, apo të shoqëruar nga dy pleqtë, që ta sqaroni mes jush, po e pave të udhës, pa praninë time?” Jusufi u përgjigj: “Po e tha Hyzriu të kundërtën e asaj që më është thënë mua, më mjafton dhe unë t’ju kërkoj falje ty dhe Kadriut pse kam besuar që ma keni sabotuar shpërndarjen e ‘Zërit të Kosovës’. Prandaj thirre vetëm Hyzriun.”
Shkova në sallë. E sinjalizova Hyzriun të vinte. Ai u përshëndet me Jusufin, duke qenë paksa i befasuar pse po ndodhte ai takim në ambient tjetër. Në pyetjen e Jusufit, ai sqaroi: “100 numra të Zërit i kemi shpërndarë gjatë fundjavës. E kemi lexuar pothuajse të tërin në odën e Klubit, meqë shumica e anëtarëve nuk kanë shprehi leximi. Kemi ngarkuar shokë të kërkojnë edhe 100 copë të tjerë, sepse kishim kërkesë të shumta për ta shpërnda në qytete tjerë…” Jusufi ndërhyn: “A ka urdhëruar Ibrahimi të hidhen në bërllok?” Hyzriu iu përgjigj: “Nuk ka qenë fare Ibrahimi në atë fundjavë në klub dhe nuk kam dëgjuar nga asnjë bashkatdhetar për një urdhër të ngjashëm.”
Jusufi e përqafoi Hyzriun, duke e falënderuar për këndelljen që i ndodhi. Më përqafoi edhe mua, duke më kërkuar falje. Hyzriu u kthye në sallë, ndërsa mua Jusufi më luti ta thirrja Kadriun, por pa rënë shumë në sy. Ndenjëm goxha gjatë bashkë. Fatmirësisht u sqaruam dhe ndodhi pajtimi mes Jusufit e Kadriut.
Këtu po sjell një fragment nga letra, ndoshta e fundit që Jusufi ia ka dërguar ndokujt, bile edhe “rekomandë” (pranuesi i letrës duhet të firmoste pranimin). Ishte letra e postuar të premten e 15 janarit 1982, ndërsa të dielën e 17 janarit 1982 ndodhën vrasjet e kobshme të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, pranë shtëpisë që e banonte me qira familja Gërvalla, në Untergruppenbach. Ja fragmenti:
“I dashur shok Ibrahim,
Me bisedën që patëm në dasmë, unë në njëfarë mënyre u tregova i padrejtë ndaj teje. Por, duhet ta kesh kuptuar që gjaknxehtësinë time mund ta zbrazja vetëm mbi një shok me të cilin nuk kemi pasur kufij. Arsye për të qenë aq gjaknxehtë mbase nuk kam pasur. Puna e Organizatës në të cilën bëj pjesë nuk shkon aspak keq. Por, nga takti më kanë nxjerrë disa gjeste e veprime të një shoku, që të kundruara nga distanca e të sotmes, më dalin një lojë e pamirë, së pari me personin tim, e pastaj edhe me një organizatë… madje në një çast madhështor të historisë sonë, që implikon dashurinë, afrimin dhe sinqeritetin më të madh mes luftëtarëve të lirisë.
Ti mundet dhe besoj se je i painformuar lidhur me ato që kanë ndodhur në përçapjet për bashkimin e dy organizatave. Por, unë kam edhe më pak leje të të informoj për to, tani që e di se ku bën ti pjesë. Edukata ime s’më lejon të veproj në mënyrë të tillë. Shokët e tu të rinj e kanë për borxh ta bëjnë këtë punë. Unë e di se ata e kanë vështirë ta bëjnë, sepse, po ta bënin, do të duhej të flisnin hapurazi kundër punëve të tyre të pahijshme. Tash për tash mund të të them se kjo gjë nuk do të mbetet shumë kohë pa u sqaruar. Do të dalë në shesh se kush është duke bërë zhurmë për bashkimin, duke u çjerrë për të e duke luftuar kundër tij.
Një punë, megjithatë, të ngarkon edhe ty. S’ka pasur hije, pa marrë edhe mendimin tim, ta shpallje ndër njerëz se si një nga njerëzit e rëndësishëm të Lëvizjes na qenkësh, në mos antikomunist, atëherë së paku kundërshtar i partisë (iluzioniste) që do të formoheshka ndër ne. E vërteta është krejt ndryshe. Shoku Z. i ka procesverbalet e takimit me të. (…)
Të fala vëllazërore e revolucionare,
J.G., 15 janar 1982”
Uroj që ndokush i cili e ka ruajtur “Zërin e Kosovës”, nr. 1, nëntor 1981, do të mund të sjellë fragmente që përmbajnë mllefin e Jusufit ndaj Kadriut, pas takimit në Stamboll mes Sabriut e Kadriut, më 14 tetor 1981.
Mua më pati lindur dyshimi se dikush e ka informuar UDB-në për pajtimin e Jusufit me Kadriun gjatë dasmës së 2 janarit 1982, prandaj Sabriu duhet të jetë bindur se aty e tutje nuk do të mund ta komandonte e shpërdoronte më Jusufin, si deri atëherë. Që do të thotë, meqë UDB-ja nuk vriste kundërshtarë politikë vetëm pse i tekej, duhej të kishte marrë aprovim edhe nga Sabriu dhe prandaj është urdhëruar Riza Salihu si organizator e kryevrasës, siç besonte hetuesia gjermane (LKA Stuttgart).
Janë të paktë protagonistët që kanë reflektuar për mashtrimet që ua kanë barë UDBashët Sabri Novosella, Abdullah Prapashtica, Riza Salihu, siç ka reflektua Ramadan Pllana. Pra, të burgosurëve e të dënuar me shumë vite burg, si anëtarët të organizatave që i “udhëheqnin” ato marioneta komplotiste, po u mungon kuraja për të reflektuar, si ka ndodh që ata të rreshtohen pas terezisë Sabri Novosella, mejteplisë Riza Salihu, oficerit të UDB-së famoze Abdullah Prapashtica.
– Lavdi veprimtarisë se Jusufit, Kadriut e Bardhoshit!

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu