
Shqiptar Shaljani, Shalë e Bajgorës, Mitrovicë
____
Hoxhë i nderuar Valon Kuqi,
Shkrimi juaj, në leximin e parë, duket si një deklaratë krejt normale për besimin dhe të drejtën e secilit për ta jetuar atë. Dhe këtë të drejtë, në një shoqëri demokratike, duhet ta respektojmë të gjithë.
Por nëse e lexojmë pak më ngadalë, mes rreshtave dalin disa pyetje që nuk mund të anashkalohen.
Ju thoni se islami është pjesë e historisë, familjes, traditës dhe identitetit shpirtëror të shumë brezave shqiptarë. Dakord. Por historia nuk mund të fillojë aty ku na konvenon dhe të përfundojë aty ku na leverdis.
Shqiptarët kanë histori edhe para islamit.
Kanë një trashëgimi iliro-dardane, një traditë të hershme të krishterë, kanë Arbërinë, kanë gjuhën, doket, zakonet, kulturën dhe kujtesën kombëtare. Prandaj, kur flasim për “trashëgimi brez pas brezi”, duhet të kemi guximin ta shohim të gjithë historinë, jo vetëm kapitullin që na pëlqen.

Dhe këtu, Hoxhë i nderuar, po ju bëj një pyetje fare konkrete:
Na tregoni vetëm një fakt, një shembull të dokumentuar, kur ideologjia islame në përgjithësi — e aq më tepër islami politik — ka vendosur mbi gjithçka tjetër mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar, gjuhës shqipe, dokes, zakoneve, traditave dhe kulturës sonë kombëtare.
Jo një slogan.
Jo një status.
Një fakt!
Sepse të thuash se islami është pjesë e historisë së shqiptarëve është një gjë; të pretendosh se islami politik është mbrojtës i identitetit kombëtar shqiptar është krejt tjetër.
Dhe këtu më kujtohet një alegori që e kam përdorur edhe në paraqitjet e mia publike:
Në xhami hyn një shqiptar dhe, nëse nuk ruhet me kujdes identiteti kombëtar, ekziston rreziku që prej saj të dalë duke u ndier më shumë turk, arab apo thjesht “musliman”, sesa shqiptar. Ndërsa në kishën katolike shqiptare hyn shqiptar dhe, nëse tradita kombëtare është aty e gjallë, del prej saj shqiptar — madje edhe më i vetëdijshëm për shqiptarinë e vet.

Natyrisht, kjo është alegori, jo pretendim se çdo shqiptar mysliman e humb shqiptarinë. Shumë shqiptarë myslimanë kanë qenë dhe janë patriotë të dëshmuar.
Por pyetja ime është: pse duhet të jetë kaq e vështirë të gjejmë shqiptarinë në hapësirat ku pretendohet se po ruhet identiteti ynë?
Në shumë xhami shqiptare, ajo që dëgjon në ritual është arabishtja, ndërsa në kishën katolike shqiptare gjen gjuhën shqipe, emrat shqiptarë, historinë shqiptare dhe përpjekjen për ta ruajtur kujtesën kombëtare.
Dhe këtu ironia bëhet edhe më e madhe:
Në njërën anë na thuhet se islami është trashëgimi shqiptare brez pas brezi; në anën tjetër, edhe lutja duhet të bëhet në një gjuhë që nuk është shqip.
Atëherë, Hoxhë i nderuar, ku është ajo pjesë e “trashëgimisë shqiptare” që duhet ta përcjellim brez pas brezi?
Sepse shqiptaria nuk është një aksesor që i vendoset një ideologjie fetare kur na duhet për ta bërë atë më të pranueshme.
Shqiptaria është më e vjetër se çdo pushtues, më e vjetër se çdo perandori dhe më e vjetër se çdo ideologji që sot kërkon ta shpallë veten pronare të saj.
Edhe për këtë arsye, nuk kam asgjë kundër shqiptarit që beson në islam. Ai ka të drejtë ta jetojë besimin e tij me dinjitet dhe pa u diskriminuar.
Por nuk pranoj që në emër të atij besimi të rishkruhet historia ime dhe të më thuhet se një periudhë e historisë sonë duhet të konsiderohet si e vetmja trashëgimi shpirtërore “brez pas brezi” e shqiptarëve.
Sidomos kur flasim për islamin politik, pyetja bëhet edhe më serioze.
Sepse feja është çështje besimi; ideologjia politike është çështje pushteti.
Dhe këto dyja nuk duhet të na shiten si e njëjta gjë.
Sa për “propagandën” që ju përmendni, do t’ju përgjigjesha me një fjali:
Propaganda nuk është vetëm ajo që thotë tjetri kundër nesh; propagandë është edhe ajo që na kërkon të harrojmë gjysmën e historisë për ta bërë të padiskutueshme gjysmën tjetër.

Prandaj, Hoxhë Kuqi, mos u shqetësoni se shqiptarët do ta harrojnë fenë e tyre. Secili ka të drejtë ta ruajë besimin që e ndien në zemër.
Por mos kërkoni as nga ne që ta harrojmë historinë, gjuhën, kulturën, doket, zakonet dhe trashëgiminë iliro-arbërore e të krishterë vetëm që një ideologji të duket më “autoktone” sesa është.

Shqiptaria nuk ka nevojë për certifikatë fetare.
As për leje nga minberi.
As për vulë nga askush.
Dhe nëse dikush dëshiron ta përcjellë një trashëgimi “brez pas brezi”, le ta bëjë.
Por le ta quajë me emrin e saj: trashëgimi fetare.
Sepse kur trashëgimia fetare përpiqet të bëhet trashëgimi kombëtare, atëherë nuk kemi më vetëm çështje besimi.
Kemi filluar të kemi problem me vetë përkufizimin e shqiptarisë.
Dhe aty, Hoxhë i nderuar, unë do të jem gjithmonë në anën e shqiptarisë.


